Superliga Shqiptare / Ndikumana i jep fitoren Tiranës ndaj Apolonisë

0
50

tiranaSulmuesi nga Burundi ka shënuar dygolëshin e nevojshëm, për të çuar drejt triumfit Tiranën që merr kështu fitoren e parë këtë vit

Përveç Kukësit edhe Tirana e ka nisur me këmbën e mbarë Superligën Shqiptare. Kryeqytetasit u treguan të fortë para Apolonisë që shpresonte të bënte surprizën në këtë pjesë, por pa rezultat.

Ishte Ndikumana ai që vendosi me dygolëshin e tij fitoren 2-0 ndaj Apolonisë në sfidën që ngriti siparin e fazës së tretë të kampionatit, me bardheblutë që ngjiten në kuotën e 38 pikëve, duke u dhënë një mesazh të qartë rivalëve. Në stol, ndërkohë, nuk mungonin fytyrat e reja në kampin bardheblu përballë Apolonisë në “Niko Dovana”, më e famshmja ajo e Gjergji Muzakës, të cilit Magani i dhuronte debutimin si titullar në rikthim, ndërsa në sulm në mungesë të Bakajt u jepte një shans Mario Morinës dhe Bushic. Te Apolonia për sfidën e parë të vitit spikaste përforcimi më i rëndësishëm i dimrit, Dimo ndërsa në sulm luanin talenti Uzuni dhe Rajkovic. Shpërthim që në start i Gjergji Muzakës që kërkoi t’i befasonte të gjithë duke u prezantuar në zonë brenda pak sekondash, por nuk arriti t’i shpëtonte markimit në fund. Vetëm pak minuta më vonë në të 10, Muzaka tregon se është i zoti t’i japë një tjetër impuls lojës bardheblu, kombinon me Morinën merr krahun e djathtë për të krosuar, i mungon pasimi i fundit por efekti Muzaka është evident. Në minutën e 17 tenton dhe Bushic por goditja e kroatit me kokë nuk gjen katërkëndëshin e Cakovic, ndërsa në të 25-tën pas një krosimi të Hyshmerit kontakti mes Muzakës dhe Cakovic vë në alarm kampin bardheblu. Magani vendosi të rrisë potencialin sulmues të Tiranës duke futur në lojë Ndikumanën për Hyshmerin dhe sulmuesi nga Burundi nuk e zhgënjeu, duke u bërë menjëherë protagonist me një goditje me kokë në krosimin e Kalarit në minutën e 38 ndërsa në minutën e 45 zhbllokoi sfidën duke i dhënë drejtim fitores. Afrikani avancoi i vetëm drejt zonës për të ndëshkuar me të majtën e hidhur Cakovic. 1-0 Tirana në avantazh pas një pjese të parë që ishte e tëra monolog bardheblu por me vetëm një gol diferencë sfida mbetej e hapur dhe ideja u bë më e qartë në minutën e 59 kur Gërxho i futi drithërimat bardhebluve megjithëse Stivi Frashëri ishte i gatshëm për të bërë detyrën. Në minutën e 62 Gentian Muca u vonua në qendër të zonës pas krosimit të Bushic duke humbur një mundësi të mirë për ta mbyllur sfidën, ndërsa vetëm një minutë më vonë Morina shpërdoroi një penallti në aksion, ishte rasti i fundit për të, para se t’i linte vendin Sefës për ndeshjen e parë pas rikthimit te Tirana që ju fal edhe një herë Selemani Ndikumanës. Këtë herë me Bushic që bëri fantazistin Ndikumana dogji gjithë mbrojtjen në sprintin e fuqishëm, kaloi edhe Cakovic për të shënuar golin e 2-0. Në të tilla raste thuhet goli i sigurisë por ishte shumë pranë rihapjes në minutën e 74 kur Marko Rajkovic përparoi në të djathtë, kaloi edhe Frashërin duke përfituar nga dalja e sigurt dhe vetëm traversa i mohoi golin. Pa rezultat dhe skema e Dimos në të 81-ën dhe Tirana në avantazhin 2-0 pati luksin për të shpërdurar sërish në sekondat e fundit, kur pas një tikitake bardheblu në zonën fierake me Currin, Ndikumana humbi një rast të artë. Pas dy golave Magani mund t’ia falë, por vetëm për këtë herë sigurisht.

 

 

 

Kaka: Ronaldo (Fenomeni), më i miri që kam parë

Ish-fituesi i Topit të Artë është shprehur se Ronaldo është lojtari më i mirë që ka parë duke luajtur. 32-vjeçari ka luajtur me Fenomenin te përfaqësuesja e Brazilit dhe një periudhë të shkurtër te Milani. Kaka gjatë karrierës ka luajtur edhe me Kristiano Ronaldon dhe kundër Lionel Mesit, por thotë se Fenomeni ishte një nivel më lart se dy të përmendurit. “Për mua, lojtarë më të mirë janë ata që mund të mendojnë për një aksion dhe ta ekzekutojnë sa më shpejt dhe në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa Ronaldo Nazario ka qenë më i miri në këtë aspekt. Kam menduar edhe për shumë lojtarë të tjerë, por mendoj se ai ka qenë vërtet një fenomen”, – është shprehur braziliani. Kaka ka filluar përgatitjet parasezonale me klubin nga MLS, Orlando Siti.

 

 

Mendez: Pepe qëndron te Reali

Përfaqësuesi i Pepes, Horge Mendez, ka konfirmuar se mbrojtësi nuk do të largohet nga Reali i Madridit gjatë afatit kalimtar të janarit. Ditë më parë është spekuluar se portugezi mund të shitet nga “mbretërit”, për t’i lënë hapësirë Rafael Varanes, i cili nuk ka gjetur vend në formacionin bazë. “Pepe do të qëndrojë te Reali i Madridit. Sezonin e kaluar presidenti ka pasur mundësi ta shiste atë, por nuk e bëri”, – ka thënë Mendez.

 

 

Blank kërkon shitjen e Lavecit, gati Interi dhe Liverpuli

Tekniku i PSG-së, Lorant Blank, i ka thënë klubit që ta shesë sa më shpejt anësorin Ezekiel Laveci. “Le Parisien” shkruan se lojtari do të largohet shumë shpejt nga “Parc des Princes”. Liverpuli aktualisht është favorit për lojtarin dhe ka lëshuar një ofertë për të, e cila mund të mbyllet në ditët e fundit të këtij afati kalimtar. Megjithatë, në lojë mbetet edhe Interi me një shkëmbim potencial me Guarinin, por në verë. PSG dëshiron ta largojë lojtarin qysh tani dhe një ofertë prej 25 milionë eurosh nga Liverpuli do të ishte e mirëpritur.

 

 

Silva: I lumtur për transferimin

Mesfushori i ri i Realit të Madridit, Lukas Silva, thotë se kalimi te Reali për të është një ëndërr që u bë realitet. Braziliani kaloi te Reali për një shumë të konsiderueshme parash dhe konsiderohet se është një prej talenteve më të mëdhenj brazilian të mesfushës. “Jam shumë i lumtur me këtë moment. Është moment unik në jetën time. Është një ëndërr që u bë realitet. Unë duhet t’i them faleminderit Kruzeiros, stafit, lojtarëve dhe trajnerëve, sidomos kryetrajnerit. Më duhet të falënderoj edhe presidentin”, – deklaroi Lukas.