Protesta – Prishtina i rikthehet normalitetit; Policia: U detyruam të ndërhynim

0
40

SAM_4280_80935

Prishtina i është rikthyer normalitetit pas protestës së djeshme, ku disa protestues goditën me gurë ndërtesën e qeverisë dhe disa objekte të tjera private.

“KosovaPress” raporton se aktualisht në sheshin kryesor dhe rrugët e kryeqytetit kosovar gjithçka është kthyer në normalitet, përveç pjesës së lokalit të dëmtuar, ku policia ka rrethuar vendin.

Ndërkohë, sheshi është i mbushur me gurë dhe objekte të tjera që janë përdorur nga protestuesit.

Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Kosovës ka thënë se pas veprimeve të dhunshme të protestuesve, njësitet policore janë detyruar të ndërhyjnë për të larguar protestuesit të cilët kanë vazhduar të thyejnë lokale dhe biznese.

Policia bën të ditur se nga protestat e dhunshme janë lënduar 19 policë dhe 4 qytetarë të tjerë. Gjithashtu, policia e Kosovës konfirmon se 22 persona janë shoqëruar në stacionin policor.

Policia e Kosovës i siguron të gjithë qytetarët e Kosovës, se do të vazhdojë t’i përmbushë objektivat e saj ligjore, duke ju ofruar siguri të gjithë qytetarëve, pronave të tyre private dhe atyre publike.

Sipas policisë, në protestë kanë marrë pjesë rreth 7 mijë protestues.

Më herët, policia kosovare ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e protestuesve që gjuanin me gurë ndaj ndërtesës së qeverisë dhe lokaleve të tjera në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ndërkohë që protesta u deklarua e përfunduar.

Gjatë protestës, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka dhënë afat qeverisë së Kosovës që deri të hënën në ora 16:00 ta shkarkojë ministrin Jabllanoviç, në të kundërtën ata do të protestojnë ditën e martë në ora 12:00.

Rreth 7 mijë protestues u mblodhën sot në Prishtinë, në protestën popullore kundër ministrit Jabllanoviç dhe në mbrojtje të Trepçës. Ata mbanin në duar pankarta ku thuhet “Jabllanoviç jashtë”, “Isa argat i Serbisë”, “Trepça është e jona”, etj.

Protesta u paralajmërua si një ndër më të mëdhatë që nga paslufta dhe është organizuar nga shoqata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova, por në të morën pjesë edhe shumë parti politike dhe organizata joqeveritare.

Bëhet e ditur se 19 policë janë lënduar dhe 4 qytetarë të tjerë, nga protestuesit e dhunshëm.

Nga qytetarët e lënduar njëri është kamerier e tjetri pronari i një lokali pranë objektit të Qeverisë, ku aty ka pasur edhe shumë dëme materiale. Policia e Kosovës e konfirmon se 22 janë shoqëruar për në stacionin policor.

 

 

 

Box gri

 

 

Jahjaga fton organizatorët e protestës të distancohen nga turma e dhunshme

 

 

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dënoi ashpër aktet vandale që ndodhën sot në protestë.

Sipas “KosovaPress”, duke theksuar se të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, Jahjaga kërkon nga organizatorët e protestës të distancohen nga turmat që kanë dëmtuar pronën publike dhe kanë sulmuar policinë. “E konsideroj protestën e sotme në Prishtinë, si një të drejtë demokratike të qytetarëve të Kosovës për të shprehur kërkesat e tyre.

Megjithatë, dënoj ashpër aktet vandale të një grupi të vogël protestuesish ndaj pronës publike dhe private të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kërkoj që organizatorët e protestës të distancohen nga turmat që po sulmojnë policinë e Kosovës dhe po dëmtojnë institucionet e Kosovës e bizneset në qytet”, – shprehet Jahjaga.

Sipas saj “e drejta për të protestuar është e drejtë e pamohueshme që garantohet dhe ushtrohet në çdo demokraci, por atë e shoqëron edhe përgjegjësia për të ruajtur rendin publik dhe pronën e ndërtuar me shumë sakrificë, djersë e mund nga qytetarët e Kosovës”.

“Ftoj të gjitha palët për qetësi dhe demonstrim të pjekurisë politike dhe shoqërore”, – përfundon Presidentja e Kosovës.