Kushtetuesja rrëzon KKT-në/ Shfuqizohet vendimi për pezullimin e ndërtimeve: Si do të merren lejet nga bashkitë dhe komunat

0
105

Gëzim Saliu

 ndertimi“Krahas bashkive, qytetarët do t’i drejtohen për leje edhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, e cila do të përcaktojë nëse ndërtesa e re është brenda vijës së lejuar për ndërtim ose jo”

Gjykata Kushtetuese vendosi dje të pezullonte vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili u hiqte njësive të qeverisjes vendore të drejtën për të dhënë leje ndërtimi. Në dispozitivin e zbardhur në faqen zyrtare të Kushtetueses, thuhej se kjo Gjykatë ka pranuar pjesërisht vendimin, duke shfuqizuar vendimin nr. 1, dt. 22 gusht, për harmonizimin e instrumenteve të planifikimit vendor në funksion të ndarjes së re administrative-territoriale. Ky vendim i Gjykatës me pranimin pjesërisht të padisë është marrë deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij procesi zgjedhor, ku duket se Kushtetuesja kërkon ende kohë për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis bashkive dhe Këshillit Kombëtar të Territorit. Ndërkohë, po dje Gjykata shpalli edhe rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit për gjykatat administrative.

 

Lejet e ndërtimi

Më 22 gusht të vitit 2014, Këshilli Kombëtar i Territorit, i kryesuar nga kreu i qeverisë, Rama, vendosi t’u hiqte njësive të qeverisjes vendore të drejtën për të dhënë leje ndërtimi. Sipas vendimit, pezullohej dhënia e lejeve të reja zhvillimore dhe planeve të detajuara vendore nga të gjitha autoritetet vendore deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të qeverisjes vendore në zgjedhjet e 2015-ës. “Kemi raste flagrante të dhënies së qindra lejeve brenda 2-3 muajve të fundit para dhe gjatë fushatës, që kanë sjellë plagë të panumërta. Mjafton të shikojmë gjithë vijën e bregdetit dhe të bëjmë përputhjen e atyre shëmtirave që shohim për të kuptuar se pjesa më e madhe e shëmtimit erdhi si rezultat i dorëlëshimit të periudhës para dhe gjatë zgjedhjeve”, – kishte argumentuar vendimin e marrë nga KKRT-ja Kryeministri. Ndërkaq, dy muaj më parë, aleati i PS-së, kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh kundër vendimit të KKT-së, duke kërkuar rilejimin e lejeve për ndërtime të rregullta. “Sa më shpejt të rishikohet kufizimi i mundësive të lejimit të ndërtimeve, pra flasim për të lejuar ndërtime të rregullta, dhe jo për të vazhduar me këtë shkatërrim të hapësirave të territorit, shanset për një rritje ekonomike më të madhe do të shtohen”, – pati pohuar Kryeparlamentari. Vendimi i KKT-së u hoqi të drejtën bashkive dhe komunave në vend për të dhënë leje ndërtimi për një periudhë thuajse 6-mujore. Ndërkohë, në Kushtetuese u depozitua padia nga ana e Shoqatës së Bashkive, kryesuar nga Bashkia e Tiranës, e cila kërkonte shpalljen të pajtueshëm me Kushtetutën dhe me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore të aktit të KKT-së dhe shfuqizimin e tij si antikushtetues. Ndërkaq, me një tjetër vendim të Këshillit të Territorit këtë fillim viti u lejua dhënia e lejeve të ndërtimit për familjarët, në pronën e tyre, por jo për pallatet. Me vendimin e djeshëm të pezullimit të vendimit të KKT-së Kushtetuesja i dha të drejtë Shoqatës së Bashkive, ku tashmë vendorët do të mund të japin sërish leje ndërtimi. Por krahas bashkisë qytetarët do të duhet t’i drejtohen për leje dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, e cila do të përcaktojë nëse ndërtesa e re është brenda vijës së lejuar për ndërtim ose jo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency