Hetimi/ Abuzuan me ndarjen e tokave, në gjyq katër zyrtarë të Komunës Gruemirë

0
174

Alma Çuka

 gjykata e shkodres2Prokuroria thotë se katër zyrtarët hartuan, miratuan dhe regjistruan prona të ndryshme në emër të personave që, në të vërtetë, nuk u takonte të merrnin tokë në bazë të ligjit

Abuzuan me ndarjen e tokës duke shpërdoruar detyrën, tashmë do të përgjigjen para drejtësisë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër përfundoi hetimin dhe dërgoi për gjykim kërkesën penale në emër të katër zyrtarëve të Komunës Gruemirë në Rrethit Shkodër. Sipas burimeve të organit të akuzës, Lirim Nehanaj, kryetar i Komunës Gruemirë; Asim Burgaj, ish-kryeregjistrues në Malësi të Madhe; Fatmir Tepelija, përgjegjës i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Qarkut Shkodër; dhe Ruzhdi Hajdraj, me detyrë specialist i DAMT pranë Qarkut Shkodër, akuzohen se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të përfituar nga regjistrimi fiktiv i tokave. Akuza e ngritur ndaj katër zyrtarëve është “Falsifikim dokumentesh” dhe “Shpërdorim detyre” në rastin e ndarjes së tokave.

 

Hetimi i Prokurorisë

Për të vërtetuar akuzën e ngritur ndaj katër zyrtarëve të Komunës Gruemirë, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër i është dashur të paktën gjashtë muaj kohë. Nga aktet e verifikuara deri në këtë fazë, ku u bë e mundur mbyllja e hetimit për ta, Prokuroria shprehet se ka arritur të vërtetojë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin të pandehurit kanë vepruar me dashe për të përfituar të mira material. Pra, sipas hetimit paraprak, dyshohet se abuzimi me ndarjen e tokës është bërë me qëllimin e vetëm atë të përfitimit. Për çdo pronë të dhënë personave që nuk u takonte, kryesisht në zonën e Malësisë së Madhe, zyrtarët kanë përfituar para. Bëhet e ditur se e gjithë procedura për ndarjen e pronës personave që nuk kanë qenë në listën e përfituesve. Është realizuar në bazë të falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Po kështu bëhet e ditur se hetimi për këtë qëllim ka nisur në fund të vitit 2013. Fillimisht janë verifikuar dokumentet, mbi bazën e të cilave binte dyshimi se ishte ndarë toka dhe më pas është konkluduar me të dhënat në dokumentacionin e grumbulluar. Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës nisur në fund të vitit 2013, rezulton se këta shtetas, në kundërshtim me detyrat e tyre funksionale, kanë hartuar, miratuar dhe regjistruar prona të ndryshme në Komunën Gruemirë në emër të personave që nuk u takonte tokë në bazë të ligjit 7501, duke krijuar mundësi reale për mbivendosje pronash, të cilat passjellin konflikte ndërmjet banorëve. Si pasojë e mbivendosjes së pronave konfliktet janë zhvendosur edhe në zyrën e regjistrimit të pasurive.

 

Falsifikimi

Banorë të shumtë i janë drejtuar organit të akuzës me kallëzime përkatëse. Qytetarët kanë dyshuar që në fillim tek abuzimi i katër zyrtarëve të Komunës Gruemirë. Sipas dëshmive që qytetarët kanë dhënë në Prokurori, bëhet e ditur se ata kanë humbur sipërfaqe toke si pasojë e dhënies së saj nga zyrtarët në emër të banorëve që nuk kanë pasur të drejtë përfitimi në bazë të ligjit 7501. Në sitën e verifikimit dhe hetimit të plotë është futur edhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shkodër.

 

 Të akuzuarit

Lirim Nehanaj, kryetar i Komunës Gruemirë

 Asim Burgaj, ish-kryeregjistrues Malësi e Madhe

 Fatmir Tepelija, përgjegjës i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Qarkut Shkodër

 Ruzhdi Handraj, me detyrë specialist i DAMT pranë Qarkut Shkodër

 

 Hetimet/ Video-skandali me të miturën në spital, Prokuroria hetime të gjithanshme

Prokuroria e Tiranës thellon hetimet lidhur me video-skandalin e regjistruar në mjediset e urgjencës së spitalit “Nënë Tereza”. Sipas të dhënave nga organi i Prokurorisë, të zhvilluara që nga moment i shfaqjes së videos, kanë dalë të dhëna se abuzimet e djemve që e kanë shoqëruar vajzën drejt urgjencës së spitalit kanë nisur me herët. Burime të sigurta pohuan se në duart e Policisë dhe të Prokurorisë gjendet një tjetër video, e cila ka të dhëna më të qarta që plasin kundër dy djemve që i kanë regjistruar abuzimet seksuale me vajzën e mitur. Gjithçka, thonë hetuesit, ka nisur kur të rinjtë kanë dalë nga lokali pas mesnate dhe janë drejtuar për në QSUT. Janë Prokuroria dhe Policia ato që po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë, me protagoniste dy të rinj, që në prill 2014 kur ndodhi ngjarja, ishin maturantë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë. Aktualisht, për ngjarjen në pranga ndodhet Evarist Pashaj me masën e sigurisë “Arrest me burg”, sekseri i një shërbimi funeral që u bë pjesë e këtij skandali teksa qëndronte në dhomën e urgjencës kur dy të rinjtë ngacmonin seksualisht 17-vjeçaren në gjendje të pavetëdijshme. Ndërsa në kërkim nga policia janë A. Bushaj dhe D. Lamaj që, sipas policisë, janë dy personat që kanë kryer vepra të turpshme me shoqen e tyre, pra janë edhe personat që duken në videon regjistruar nga njëri prej tyre dhe shpërndarë me pas në telefona celulare e rrjete sociale. Ndërsa dy të miturit e tjerë A. B. dhe P. K., të ndaluar për moskallëzim krimi, aktualisht hetohen me masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”.

 

Durrës/ Gjendet në breg të detit kufoma e një peshkatari

Kufoma e një peshkatari është gjetur në breg të detit në qytetin e Durrësit. Nga informacionet paraprake bëhet e ditur se kufoma i përket peshkatarit Avni Shahinaj, i moshës 42-vjeçare. Ai është gjetur në Bisht-Pallë nga familjarët e tij, pasi mendohet se rryma detare i ka nxjerrë në breg. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për gjetjen e peshkatarit Bekim Maqinaj, i cili bashkë me Shahinajn, prej disa ditësh kërkohen nga ana e policisë, pasi kanë dalë bashkë për të peshkuar dhe nuk janë kthyer në banesat e tyre.

 

 Lezhë/ Shpallet në kërkim 36-vjeçari, iu sekuestrua një sasi e madhe fishekësh

Një 36-vjeçar nga qyteti i Lezhës është shpallur në kërkim, pasi në mjediset e një ndërtese, e cila është në pronë të të shpallurit në kërkim, është gjetur një sasi e konsiderueshme fishekësh. Blutë e Lezhës bëjnë me dije se pas një kontrolli të kryer në ambientet e një kasolleje bagëtish, Lekë Metës, banues në fshatin Arrëz të Komunës Kaçinar në Mirditë, iu gjetën 138 fishekë luftarak model 56. Për këtë ngjarje, materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, ndërsa po punohet për kapjen e 36-vjeçarit Lekë Meta.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency