“Albanian dialects”/ Studimet filologjike të Bonaparte-it mbi arbërishten në një vëllim në anglisht

0
121

Nga Jeni Myftari

foto albania arberesheLibri “Albanian Dialects” është publikuar nga The Centre for Albanian Studies në Londër, në mars 2014. Përmban studime filologjike të karakterit të dialektologjisë krahasuese të gjuhës shqipe, të përgatitura nga Princi Louis-Lucien Bonaparte dhe të botuara në anglisht, gjatë periudhës 1882-1890 në revistën akademike “Transactions of the Philological Society”, në Londër. I ka mbledhur Bejtullah Destani, një nga emrat më të shquar të kërkimeve dhe studimeve historike shqiptare

Prince Loius-Lucien Bonaparte ka lindur në Angli më 4 janar 1813. Louis Bonaparte është djali i Lucien Bonaparte-it, vëllait të Napoleonit I, Perandorit të Francës.

Louis Bonaparte, një filolog dhe politikan, e kaloi rininë e tij në Itali dhe nuk ka shkuar në Francë deri më 1848, kohë kur i përfshirë në politikë, shërbeu dy mandate të shkurtra në Kuvendin Francez, si përfaqësues i Korsikës më 1848 (mandat i cili u shfuqizua) dhe si përfaqësues i Departamentit të Seine-s më 1849.

Pas shpalljes së Perandorit të Dytë, ai u emërua senator në vitin 1852 ndërkohë që kushëriri i tij, Louis-Napoleon, e lejoi të përdorë titujt “Princ” dhe “Madhëria e Tij”. Megjithatë, interesi i tij në detyrat publike ishte mjaft i kufizuar. Më 1850 u shpërngul në Londër, ku kaloi kohën më të madhe të pjesës së mbetur nga jeta. Këtu ai grumbulloi një bibliotekë mjaft të pasur, me një numër të madh librash mbi studimet e gjuhëve të ndryshme të botës, mes të cilëve, edhe rreth pesëdhjetë tituj që lidheshin drejtpërdrejt me gjuhën shqipe dhe që studiuesi Destani është kujdesur të sjellë në këtë libër. Bonaparte ishte aktiv në disa shoqëri akademike duke përfshirë këtu edhe Shoqatën Filologjike dhe njëkohësisht ishte kontribuues aktiv në botimet e tyre. U zgjodh anëtar i shoqatës Athenaeum më 1866. Gjatë punës dhe karrierës së tij Bonaparte pati lidhje ndërmjet të tjerëve edhe me Alexander J. Ellis, fonologjist dhe kampion i reformës së drejtshkrimit dhe James Murray, redaktor i Oxford English Dictionary. Ky i fundit, standardet e të cilit ishin tejet të rrepta, shpesh ishte kritik i metodave të hulumtimit të dialektologjisë nga Louis-Lucien.

Bonaparte studioi për mineralogji dhe kimi në Kolegjin e Jezuitëve në Urbino dhe veprat e tij të hershme në fushën e shkencës u botuan në Itali.

Krahas shkencave ekzakte, Bonaparte shfaqi interes të veçantë në filologji e veçanërisht në gjuhësinë dhe dialektologjinë krahasuese. Në të vërtetë, studimi i gjuhëve të vjetra dhe moderne ishte mjaft i njohur në programet mësimore unversitare në mesin e shekullit të XI-të. Punimi i tij i parë në gjuhësi Evropiane ishte “Specimen Lexici Comparativi”, punim i cili u botua në Florence më 1847.

Ndërmarrjet gjuhësore të Bonaparte-it ndahen në dy kategori. Së pari, janë veprat e tij, pjesa më e madhe e të cilave përfshin studimet në filologji krahasuese ose në dialektologji. Së dyti, ai kishte sponsorizuar botimin e veprave të të tjerëve, ndër të cilat më të rëndësishmet janë versionet e përkthimeve të teksteve biblike të botuara në gjuhë të shumta evropiane dhe dialekte të ndryshme gjuhësore. Këto përkthime ndihmuan edhe kërkimet e tij filologjike, si dhe ruajtën të dhënat e atyre gjuhëve që ishin të panjohura për publikun deri në atë kohë ose ishin zhdukur. Ai vetë mund të fliste dhe shkruante rrjedhshëm në italisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe gjuhën Baske edhe pse Julien Vinson, dijetar Basque francez, vuri në dukje se ai fliste frëngjisht me theks anglez. Ashtu si shumë gjuhëtarë të kohës së tij, ai mund të lexonte edhe në shumë gjuhë të tjera.

Interes të veçantë Bonaparte i kushtoi gjuhëve të minoriteteve, veçanërisht gjuhës Baske, ku dhe kreu studimet më të mëdha, dhe gjuhës së folur rajonale të Italisë dhe Anglisë. Studimet dialektologjike të Bonaparte-it bazohen në rezultatet e punës së tij hulumtuese në terren dhe konsultimin e drejtpërdrejtë të materialit me persona që gjuhën apo dialektin e marrë në studim e kishin gjuhë amtare.

 

***

Kontaktet e Bonaparte-it me gjuhën shqipe dhe dialektet e saj kanë qenë në Itali, me të folmen e arbëreshëve, dhe në Londër. Bonaparte u përqendrua jo vetëm në studimin gjuhësor, por edhe në ndryshimet dialektore brenda të folmes së arbëreshëve. Studimet e tij, të paraqitura nga studiuesi Destani në librin “Albanian Dialects” (Dialektet Shqiptare) përfshijnë harta të detajuara të zonave të banuara nga arbëreshët në Itali, duke specifikuar se cili dialekt përdoret në zona të caktuara. Nga ky këndvështrim studimi ka vlera të mëdha demografike dhe etnografike për përqendrimeve dhe shtrirjen e arbëreshëve në Itali.

Në studimin e tij “Albanian in Terra d’Otranto” (Shqiptarët në Tokën e Otrantos), të viteve1882-84, Princi Bonaparte sjell një material të detajuar me emrat e fshatrave ku shqipja arbëreshe flitej akoma në fund të shekullit XIX. Veç kësaj ai jep një pasqyrë përmbledhëse të tingujve të përdorur në dialektin gegë dhe toskë dhe nëndialektet që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë edhe përdorimin e këtyre tingujve në të folmen e Shkodrës, atë greke (moderne), të Kalabrisë dhe të Sicilisë.

Kjo tabelë e tingujve të shqipesh, sipas autorit, është e para e llojit të saj. Një punë të ngjashme, por jo kaq të detajuar ka bërë para tij edhe albanologu i famshëm gjerman Hahn, literaturën e të cilit Bonaparte e ka konsultuar, ashtu siç ka konsultuar ndërmjet të tjerash edhe literaturën e Kristoforidhit dhe të Dhimitër Kamardës, me të cilin duket se ka qenë i afërt pasi e ka pasur mysafir të tij në Londër, për disa muaj.

Po në këtë studim Bonaparte jep shembuj të disa fjalëve të izoluara shqipe në dialektet gegë dhe toskë, të shqiptarëve të Greqisë, Kalabrisë, Sicilisë, dhe atyre të Shkodrës, si dhe disa fraza të shkurtra, të përdorura në gjuhën e përditshme nga arbëreshët. Kjo pjesë e studimit, edhe pse jo voluminoze është shumë e rëndësishme për studimin e leksikologjisë së shqipes së fund shekullit të 19-të. Përdorimin e tingujve të ndryshëm në të njëjtën fjalë, paraqet interes për fjalëformimin e shqipes së vjetër. Studimi është i vlefshëm për të studiuar shqipen e vjetër të mbartur nga arbëreshët në Itali gjatë shpërnguljeve të tyre kryesisht në mesjetë nga vitet 1400 e në vazhdim, e të trashëguar brez pas brezi deri tek arbëreshët e fundit të viteve 1800.

Kështu fjalën “shtëpi” sipas Bonapartes e gjejmë në këto forma:

(stipía; štәpí (tosk, shqiptarët e Greqisë); štәpî (tosk, geg); špî (shqiptarët e Kalabrisë, shkodran); špí (shqiptarët e Sicilisë); štpî, štpîe (shkodran).

Studimi i dytë i botuar nga Princi Bonaparte në revistën akademike “Transactions of the Philological Society” më 1888-1890, jep një listë të gjuhëve që huaja që janë folur në 69 provincat e Italisë, si dhe të vendeve ku këto gjuhë janë folur. Në këtë edicion të dytë, Bonaparte paraqet një studim më të zgjeruar dhe të korrigjuar të studimeve të tij të edicionit të parë. Po në këtë studim gjejmë edhe një tabelë të simboleve fonetike shqiptare, një minifjalor, i shoqëruar nga sqarimi për mënyrën e formimit të gjinisë femërore dhe mashkullore, në gjuhën shqipe. Po kështu gjejmë edhe disa fraza të njëjta biblike të paraqitura në të gjitha dialektet e marra në studim në këtë punim, gjithsej nëntë shembuj të ndryshëm që paraqesin nëntë dialektet që fliten ndër arbëreshët e Italisë.

Louis-Lucien vdiq në Itali, në Fano pranë Urbinos, më 3 nëntor 1891. Trupi i tij u kthye në Angli dhe është varrosur në varrezat e kishës katolike romake Shën Maria në Kensal Green në veri-perëndim të Londrës.

Së fundi, “Albanian Dialects” nuk është veçse një shkëndijë që hedh dritë mbi punën e paçmuar albanologjike të Princit Bonaparte. I mbetet studiuesve të albanologjisë të thellohen në punën dhe veprën e tij, për të nxjerrë në pah vlerat dhe arritjet e këtij filologu të palodhur.

(marrë nga shqiptari italisë)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency