Laçi i falet Xhejmsit, Partizani fiton minimalisht ndaj Elbasanit

0
105

images

Dy golat e nigerianit Xhejms i kanë dhënë trepikëshin e kërkuar Laçit ndaj Apolonisë

 Partizani ka rimarrë për momentin kreun, me fitoren minimale në “Elbasan Arena”

Superliga Shqiptare dje ka hapur siparin me dy nga ndeshjet e fundit që do të luhen për këtë vit. Të dyja sfida që kishin nga një favorit dhe që nuk ka pasur surpriza të mëdha. Laçi ka arritur të dalë fitues ndaj Apolonisë, ndërsa Partizani ka triumfuar me fitoren 1-0 ndaj Elbasanit. Dy skuadrat e fundit të kreut nuk kanë pasur fuqinë të bëjnë një lojë të fortë dhe e kanë pësuar, duke i dhënë Laçit dhe “të kuqve” pikë që i ndihmojnë në tabelë. Nigeriani Xhejms Adeniye, që kishte qëndruar për një kohë të gjatë jashtë fushave, la shenjën e tij në rikthim. Atij i mjaftuan vetëm 45 minuta ndaj fierakëve për të shënuar dy herë në portën e tyre e për të ngjitur Laçin në renditje. Një humbje e rëndë për Apoloninë, që këtë herë, përveç mungesës së lojës, vuajti dhe mungesën e tifozëve në tribuna, aq më tepër në një ndeshje të rëndësishme për fierakët, që kishin humbur dy ndeshjet e fundit, duke u pozicionuar të fundit në tabelën e renditjes. Fakti që dy ekipet kërkonin me ngulm pikën e bëri ndeshjen të ishte e kujdesshme në maksimum nga të dyja formacionet. Apolonia e nisi pak më këmbëngulëse, por pa pasur raste konkrete, të cilat në pjesën e parë ishin me pikatore. Me kalimin e minutave sfida u balancua dhe Laçi, në të 25-ën pati mundësinë më të mirë për të kaluar përpara, me Cetkovicin që hyri mirë në zonë, por u ndal nga Mico që bëri një pritje të jashtëzakonshme. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në pjesën e dytë pas një mungese të gjatë u rikthye në fushë për kurbinasit, Xhejms, që zëvendësoi Memellin. Një lëvizje që pati efekt të menjëhershëm për Laçin, që në të 54-ën, gjeti golin e epërsisë. Goli çliroi miqtë, që në të 62-ën, patën sërish shansin për të realizuar me Cetkovicin, por ky i fundit nuk u tregua i saktë. Gjithsesi, kjo ishte ndeshja e nigerianit Xhejms, që në të 65-ën i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes fierake për të realizuar golin e 2-të. Laçi mund të kishte thelluar më tej shifrat, por për Cetkovicin ishte një ditë jo, pasi në minutën e 87-të u ndal sërish nga Mico. Bardhenzinjtë me një nigerian në formë dhe tri pikët kaluan testin me sukses, ndërsa Apolonia ka rënduar më shumë situatën e saj në tabelë.

Partizani ka fituar ndaj Elbasanit duke e mbyllur me fitore 2014-ën, pas disfatave me Flamurtarin e Vllazninë në “Elbasan Arenën” e boshatisur përballë verdhebluve. Një fitore minimale 1-0 e vendosur falë një fillimi rrufe të “të kuqve” që e nisën ndeshjen praktikisht në epërsi. Gol pas vetëm 13 sekondash i Stefan Racicit. Osmanaj shërbeu bukur për serbin, që nuk fali në qendër të zonës me goditjen e tij fluturimthi për të shënuar golin më të shpejtë në këtë kampionat. Epërsia e shpejtë i bëri gjërat më të thjeshta për Partizanin që gjithsesi ruajti nismën përballë një Elbasani pa grintë, duke pasur edhe raste të mira për të dyfishuar. Në minutën e 32-të gabim i Jaupit në mesfushë rezervoi dhuratën e Krishtlindjeve për Racicin, Partizani në kundërsulm me 3 lojtarë kundër 1 të Elbasanit, por Racic pasi avancoi edhe pse kishte dy shokë të lirë, preferoi harkimin personal që përfundoi jashtë portës duke shpërdoruar një rast ideal. Me lojën nën kontroll për Partizanin mbetej rreziku i goditjeve standard, por edhe një snajper si ish-i Bylkykbashi nuk mundi t’i bënte keq dhe të kuqtë shkuan në avantazh nga dhomat e zhveshjes. Elbasani rrezikoi të pësonte edhe në fillimin e pjesës së dytë me devijimin e Jaupit që për pak shkaktoi autogol. Në minutën e 50-të Emiljano Vila kërkoi golin spektakolar në goditje me të parën, por Shkëlzen Rusi shpëtoi portën. Ndeshja vijoi të ishte një “monolog i kuq”, me Mazrekajn e futur në lojë nga stoli që tentoi nga distanca në të 68-ën dhe devijimin e mbrojtjes verdheblu që i mohoi golin Fazlliut 5 minuta më vonë. Goditja e fundit edhe nga Stefan Racic në të 78-ën, para se t’i linte vendin mesfushorit të ri Jurgen Bardhi. Vetëm pak minuta iu deshën 17-vjeçarit për të treguar se ka talentin për t’u bërë një beniamin i së ardhmes për tifozerinë e kuqe në këtë aksion dhe asistin e tij në minutën e 83-të, ndërkohë që edhe finalja ishte e tëra e kuqe, me Elbasanin të paaftë për të kërcënuar portën e Hoxhës. Kështu, të kuqtë e mbyllin me sukses këtë vit, ndërsa qëndrimi i Elbasanit në Superiore duket një mision i pamundur.

 

 

 

 

Dopingu

Romela Begaj pozitive, Federata, e frikësuar nga pezullimi

Pas testit B, kur Romela Begaj rezultoi sërish pozitive me doping, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes kanë udhëtuar drejt Budapestit për t’u takuar me drejtuesit e Federatës Botërore

 

Problemet për Federatën Shqiptare duket se do të vazhdojnë. Kjo, sepse pas rezultateve të Romela Begajt që ka dalë pozitive, rrezikohet seriozisht Federata për sa i përket pjesëmarrjes në aktivitete. Frika shtohet edhe më shumë pas rasteve të përsëritura me doping nga ana e sportistëve shqiptarë. Në një kohë që Federata Shqiptare e Peshëngritjes rrezikon pezullimin, drejtues të saj kanë udhëtuar drejt Budapestit, ku ndodhet dhe selia e Federatës Ndërkombëtare të këtij sporti. Arsyeja e kësaj vizite është takimi me drejtuesit e lartë të Federatës Botërore në lidhje me të ardhmen e peshëngritjes shqiptare pas konfirmimit nga testi B se kampionia Romela Begaj rezultoi pozitive me doping. Ky lajm ka shtuar akoma më shumë frikën se edhe dy kampionët e tjerë, Daniel Godelli dhe Hysen Pulaku, që gjithashtu rezultuan pozitivë në testet e para të Botërorit të Kazakistanit të dështojnë sërish edhe në analizën B. Dy peshëngritësit kanë shtyrë për në mesin e janarin testin e dytë dhe nëse zyrtarizohet se kanë përdorur substanca të ndaluara në sport, atëherë Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të përballet me një pezullim të gjatë në të gjitha kompeticionet ndërkombëtare. Kjo gjë do të sillte një tronditje të madhe në sportin më të suksesshëm në Shqipëri. Po ashtu, ky skenar hedh poshtë edhe pretendimet e peshëngritjes shqiptare, e cila pas medaljeve të fituara nga Godelli dhe Begaj në Almati të Kazakistanit, kishte siguruar pjesëmarrjen me gjashtë sportistë në Lojërat Olimpike të Rio de Zhanejros në vitin 2016. Ndërkohë, dëmi do të jetë edhe te peshëngritësit. Kjo, ngaqë, pas rezultateve Begaj rrezikon jo vetëm t’i hiqet Medalja e Artë, por edhe të pezullohet nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare për një periudhë 2-vjeçare.

 

 

KOKSH: Përgjegjësi për fajtorët

 

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar doli në deklaratë për shtyp me një qëndrim shumë të prerë ndaj situatës së krijuar javën e fundit, me 3 raste dopingu në sportin e peshëngritjes, sidomos kur bëhet fjalë për 3 peshëngritës, fitues të medaljeve botërore dhe evropiane. Për këtë arsye, Komiteti Ekzekutiv i KOKSH i kërkoi me urgjencë informacion sa më të detajuar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në lidhje me çështjen, për përdorim substancash të ndaluara nga sportistët e dyshuar. “Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në peshëngritjen shqiptare për shkak të dopingut, pasi ky fenomen prej vitesh po shfaqet në këtë sport, mendojmë se duhet të mblidhet urgjentisht si Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme ashtu dhe Ministria e Shëndetësisë për ta futur përdorimin e dopingut nga sportistët në sport në kodin penal, si një vepër të dënueshme ligjërisht nga shteti. Dhe sqarojmë se këtë propozim e bëjmë nisur dhe nga praktikat dhe eksperiencat e shteteve te tjera për çështjet e dopingut. Mendojmë se Komisioni Antidoping të funksionojë pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, pasi ky organizëm është i pavarur dhe si i tille funksionon në shumë vende të botës i atashuar pranë Komitetit Olimpik. U bëjmë thirrje të gjithë sportistëve që të bëjnë një sport të pastër dhe të shëndetshëm. Nxisim federatat sportive të zhvillojnë programe edukative dhe fushata sensibilizimi në luftën kundër dopingut dhe promovimit të sportit të shëndetshëm dhe të pastër. Institucionet sportive duhet të bashkëpunojnë më shumë në krijimin e një sistemi kontrolli dhe të pavarur në mënyrë që fenomeni i dopingut në sportin shqiptar të mos jetë kulturë e përfaqësimit të sportit dhe për vendin tonë imazhi i keq dhe i njollosës i dopingut. Sot të gjithë duhet të dinë që dopingu është në luftë të hapur me etikën, vlerat dhe moralin e sportit”, – thuhej në deklaratën e KOKSH.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency