Gazetaria e vërtetë dhe rasti i fshatit Malbardhë

0
215

Kastriot Marku

 kisha famullitare e MilotitPara do kohësh, saktësisht në fillim të muajit shkurt të këtij viti, në televizionin “Top Channel”, në reportazhin “Shqipëria tjetër” të përgatitur si zakonisht nga gazetari Marin Mema, u transmetua kronika dokumentare me titull “Myslimanët ringrenë kishën, katolikët xhaminë”. Të them të drejtën, me të dëgjuar njoftimin e titullit u bëra kureshtar, aq më tepër kur bëhej fjalë për një fshat me të cilin jam rritur ngjitas, banorët e të cilit një pjesë të mirë i njoh personalisht, sepse kemi ndarë të njëjtën “magje”; madje me shumë prej tyre jemi rritur së bashku në bankat e shkollës së mesme dhe një pjesë tjetër më ka rënë rasti t’i takoj në gëzimet e përbashkëta familjare, shto këtu edhe faktin tjetër se halla ime jeton mu aty; në Malbardhë. Kronika, edhe pse kishte e ka shumë vlera, pikë së pari për nga qëllimi i mirë për të cilin ishte realizuar dhe sidomos për mesazhin që përcillte, kishte edhe disa pasaktësi teknike, në dukje të vogla e që gazetari duhet t’i kishte përgatitur më parë me kujdes për të mos rënë këmbëkryq në disa mjegullime të pavërteta të marra, me sa duket, nga udhërrëfyes jo fort të përgjegjshëm. Nisur nga një qëllim i mirë, sikurse e ceka më sipër, asokohe u përpoqa t’u bëja disa sqarime miqve të mi që më pyesnin për rastin në fjalë, por gjithsesi e lashë me kaq.

Më datën 29 shtator, ditën e Shën Mëhillit, festë të cilën e lut fshati Malbardhë i të dy besimeve, për arsye se kisha e këtij fshati është nën pajtorin e këtij Shenjti, po nga i njëjti televizion dhe po nga i njëjti gazetar më bie të shoh një tjetër kronikë me titull, “Çmim për myslimanët që ndërtuan kishën”, organizuar në trajtën e një feste, në të cilën kishte marrë pjesë edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, z. Henry Jardine, i cili u dorëzoi autoriteteve vendore çmimin “Act Now” të Kampionëve të Vepro TANI! për muajin shtator, fshatit Malbardhë (në disa media ky fshat konsiderohej komunë, bile në faqen e Ambasadës Amerikane lidhur me kronikën rreth kësaj veprimtarie konsiderohej madje qytet), për “bashkëpunimin e tyre ndërfetar dhe iniciativën vullnetare për të ndërtuar një vend besimi gjithëpërfshirës”. Edhe për rastin e përsëritur  parapëlqeva të mos shkruaja. Për së treti herë, vetëm tri ditë më parë, me rastin e ndarjeve të çmimeve të përvitshme nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, duke vlerësuar reporterët më të mirë për vitin 2014, marr vesh se çmimin “Gazetari i Vitit”, unioni me të drejtën e tij ia kishte dhënë gazetarit Marin Mema, vlerësuar si “autori i njërit prej programeve më të ndjekura në vend: atij me titullin “Shqipëria tjetër” në Top Channel”. Në fjalën e tij përshëndetëse dhe falënderuese njëherësh, gazetari Mema ngulmoi me të drejtë në parimin bazë të gazetarisë se “është pikërisht e vërteta ajo që duhet të na prijë për të ecur përpara, për të bërë sa më mirë profesionin tonë”. Kur u pyet për reportazhin që i kishte lënë më shumë mbresa, gazetari pa asnjë mëdyshje tha se ky ishte: “Rasti i fshatit Malëbardhë…i cili  tregon vlerën e madhe që gëzojmë ne shqiptarët: tolerancën fetare”. Si për t’u përmbushur i plotë ky “orkestrim”, menjëherë pas çmimit të gazetarisë së vitit në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u zhvillua një “Grand Gala”-ja tradicionale që “Top Channel” dhe fondacioni mediatik “Dritan Hoxha” organizojnë çdo fundvit, kësaj radhe “me tematikë tolerancën, nisur nga shembulli i fshatit Malbardhë, ku banorët në shumicë myslimane ndërtuan një kishë për pakicën e krishterë”. Duke bashkëndarë të njëjtin mendim me gazetarin në fjalë lidhur me TË VËRTETËN, me gjithë respektin për punën që ai dhe televizioni ku ai punon kanë bërë, meqë për së katërti u zunë gojë prej tij sërish Mali i Bardhë, më në fund nga këndshikimi i studiuesit dhe jo i gazetarit, nga këndvështrimi i banorit vendas dhe jo i vizitorit, po sjellim një këndvështrim “të vërtetë”, i cili besoj se i vlen gazetarisë, sikurse u cek këtu më sipër, lidhur me rastin në fjalë.

Është plotësisht e vërtetë marrëdhënia ndërfetare shembullore jo vetëm në fshatin Malbardhë, por në të gjithë Kurbinin, një etalon kombëtar ky që nuk do shumë koment. Kisha e Shën Mëhillit është ndërtuar në themelet rrënojë të një kishe të shekullit XIII-XIV, në dokumentarët e transmetuar i mungonte një sfond historik që do t’ia shtone vlerat “dokumentarit”, sikundër vetë gazetari do të kishte bërë mirë të ishte informuar duke lexuar diçka më shumë dhe jo të mbështetej gjithaq në mitologji të rëndomta popullore, duke përfshirë këtu edhe prejardhjen etimologjike të emrit të fshatit. Gjenden edhe dy botime lidhur me këtë argument: “Famullia e Milotit” (2006), një libër monografik i shkruar nga ish-famullitari historik i Milotit, Imzot Frano Illia, më pas Arqipeshkëv Metropolitan i Shkodrës, botim i cili i qe marrë në dorëshkrim autorit nga Sigurimi i Shtetit para se ai të futej në burg e prej andej të merrte dënimin me vdekje, që më pas iu kthye në 25 vjet heqje lirie; dhe një tjetër i shkruar nga autori i këtyre radhëve  me titullin “Kishat e Kurbinit”, Tiranë, 2008, 418 faqe. Zgjedhja e besimit edhe përkundrejt rrethanave të caktuara historiko-politike nuk i ka penguar këta banorë të mos e njohin trashëgiminë e tyre të të bashkëjetuarit me njëri-tjetrin si vëllezër në ditë të mira e të liga si dhe në jetën e zakonshme, pavarësisht praktikimit personal të fesë së tyre. Kisha në fjalë  e Shën Mëhillit është ringritur me nismën e banorëve të besimit mysliman dhe atyre katolikë (e ritheksojmë këtë fakt), të cilët i janë drejtuar drejtpërdrejt Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës, madje kanë kërkuar dhe kanë takuar vetë Arqipeshkvin Imzot Rrok Mirdita për të mundësuar ndërtimin e kësaj kishe rrënojë, edhe pse komuniteti katolik i qendrës së fshatit Malbardhë kishte vetëm 8-9 familje, ndërkohë që pjesa tjetër e kësaj bashkësie fetare në Malbardhë Sipër e ushtronte dhe praktikonte besimin për shkak të afërsisë, në kishën e “Nënë Terezës” në fshatin Gallatë, brenda së njëjtës famulli (për kujtesë kisha “Nënë Tereza” në Gallatë mbase është para kishë në botën katolike që i është kushtuar shenjtëreshës shqiptare). Ajo që përbën një të pavërtetë, e cila iu shërbye publikut dy herë radhazi brenda vitit si rast i veçantë me kronika të veçanta, është ndihma e dhënë gjoja nga banorët vendas të besimit mysliman për ndërtimin e këtij objekti kulti, ndihmë e cila, në fakt, ka qenë vetëm dhe krejtësisht simbolike dhe në terma financiarë e barabartë me zero, duke mbetur vetëm si mbështetje dhe përkrahje gojore fjalëmirë krejt e përzemërt për ta ndërtuar si objekt dhe kaq, sepse materialet ndërtimore dhe e gjithë puna tjetër është realizuar kundrejt pagesës së kryer nga Famullia e Milotit, sipas një projekti të kontraktuar, i cili mund të verifikohet. Në shkresën me numër protokolli 800/01/AM të shtatorit të vitit 2001, dërguar famullitarit të atëhershëm të Famullisë së Milotit “Shën Nikolla”, Atë Giovanni Nitti-t, nga Mons. Bernard A. Prince, Sekretar i Përgjithshëm i PONTIFICIO OPERA PER LA PROPAGAZIONE DELLA FEDE, i komunikohet se “…me rastin e Mbledhjes së Përgjithshme të muajit maj të vitit vijues, anëtarët e Këshillit Superior ranë dakord të çlirojnë shumën prej 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) $ USA “për  la costruzione di un antico luogo di culto a Malbadhë” ( “për rindërtimin e një vendi të vjetër të kultit në Malbardhë)”. Dokumenti shprehet qartë se shuma e akorduar i jepet klerit vendor si mbështetje e veprimtarisë apostolike misionare dhe kërkon që puna e tyre të shoqërohet me ndonjë fotografi. E pra, bëhet fjalë për vijimin e një tradite të hershme misionare të nisur nga Selia e Shenjtë në vitin 1622, me krijimin e digasterit papal: Sacra Congregazione della Propaganda Fide (Kongregata e Shenjtë e Propagandës Fide), në mbështetje të veprimtarisë misionare në të gjithë botën, e cila pati një rëndësi të posaçme për Shqipërinë, gjë të cilën na e përcjellin relacionet e shumta të vizitorëve apostolikë dhe ipeshkvinjve të dioqezave shqiptare, shumë larg kohës sonë dixhitale, veprimtari e cila meriton trajtim të veçantë, dhe nuk është vendi i duhur ta trajtojmë këtu. Në vijim të kësaj veprimtarie për më shumë se tre shekuj e gjysmë, pas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1990, u pa sërish nevoja për të ringritur besimin tek Hyji, nga rrënojat e objekteve të lëna në mëshirën e fatit. Sikurse shihet në realitet, kjo ndërtesë kulti është vepër e Famullisë së Milotit e cila administrohet nga Klerikët Rregulltarë të Shën Palit Apostull (Etërit Barnabitë, një urdhër fetar me rëndësi i lindur përgjatë procesit të Kundëreformës, term i cili sikurse bazilianët e ndonjë tjetër mungon në fjalorët e shqipes), të pranishëm në Milot që prej vitit 1996, të cilët kanë paguar çdo “qindarkë” të punimeve të kryera aty. Pra tjetër gjë është marrëdhënia ndërfetare dhe tjetër gjë është investimi për ndërtimin e objektit kishtar. Nuk arrihet kurrë një qëllim i mirë me mjete të liga/të dyshimta dhe ky postulat këtu duket sikur nuk justifikohet plotësisht. Nuk mund të mashtrohet publiku në emër të bashkëjetesës paqësore dhe më shumë se vëllazërore mes banorëve të të dy besimeve në Malbardhë, me pretekstin se myslimanët kanë ndërtuar kishën dhe o burra hajt të ndërtojmë xhaminë. Askush nuk ka vërejtje për ndërtimet e kultit, por së paku t’ia rrisim nderën atij që i ka ndërtuar deri më tani apo do t’i ndërtojë në të ardhmen. Në rastin për të cilin po shkruajmë, dëshirës dhe vullnetit të komunitetit të Malbardhit i është përgjigjur fatmirësisht Kisha Katolike, ndërkohë sipas logjikës së artikuluar nga gazetari, i bie që kontributit të dhënë prej myslimanëve për ndërtimin e kishës do t’i duhej t’i përgjigjeshin sipas premtimit të bërë edhe katolikët për ndërtimin e xhamisë. Kjo do të ishte një kryevepër e njëmendtë, ndërkohë që ky kontribut i deritashëm si për myslimanët ashtu edhe për të krishterët e atyshëm i bie të jetë zero, ndaj i bie barra tërthorazi Famullisë së Milotit (meqë ajo është kontribuuesja e vetme), të financojë sërish ndërtimin e xhamisë dhe kjo mandej të lëçitej si kontribut i besimtarëve katolikë.

Si është e mundur që gazetari nuk ka denjuar t’i drejtohet gjatë kronikës me një pyetje të vetme priftit famullitar të pranishëm aty tek Kisha e Shën Mëhillit? Pse kronika është dashur të mbahet larg vëmendjes së tij?Të jetë përjashtuar qëllimisht “i zoti i shtëpisë së Zotit” prej kronikës!? Përgjigjet e këtyre tre pyetjeve të bëjnë të mendosh se gazetari ose nuk është informuar, ose është keqinformuar ose nuk e ka vrarë mendjen fare për anjëren syresh veçse është mjaftuar për të “bërë lajm”, mjaft që kjo gjë i ka mundësuar atij të sigurojë gjetje interesante për mediat “franceze, italiane, gjermane, amerikane, arabe dhe aziatike”. Gjëja më naive në këtë lëmsh informativ do të ishte sikur gazetari hipotetikisht nuk do të paskësh ditur asgjë, mirëpo kronikat në fjalë sipas fakteve të sipërsjell atë bëjnë të mendosh formalisht se diçka nuk shkon këtu dhe si të tilla kronikat i kanë të gjitha kreditet e duhura për të qenë me apo pa dashje dwzinformuese, manipuluese me një fjalë “të pavërteta”. Gjithkush e di se Kishës Katolike në këtë vend nuk i ka dhuruar asgjë, askush, as shteti apo ndonjë organizatë jofitimprurëse. Ajo ka ditur të dalë ngadhnjimtare prej Hirit të saj edhe kur persekutohej prej turqve osmanllinj edhe kur u duk se u zhduk nga faqja e dheut prej regjimit komunist por edhe sot kur dikush me apo pa hir kërkon ta shpërfillë tek mendon se ajo nuk ka dalëzotës. Pse në kronikë nuk u tha asgjë për elektrifikimin e kishës së Shën Mëhillit, kryer bash ato ditë nga Famullia e Milotit, e cila për vetëm katër shtylla elektrike i ka paguar komunitetit të fshatit “kontribuues vullnetar” plot 1000 euro, ndërkohë që  ky do të kishte qenë mbase rasti më i mirë që së paku komuniteti i atyshëm i të dy besimeve të kishte kontribuar në një gjë të vetme për atë objekt kulti: t’i ofronte dritë? Të mësuar me justifikimin e investimeve të pritshme apo ato të pakta që kanë pritur shqiptarët në këto vite, shpesh është gjendur marifeti për to duke shënuar në letra kontributin e komunitetit, shembull i keq ky dhe njëherazi pretekst për korrupsionin në vend. Në fund të fundit a ka ndonjë banor nga Malbardhi që të provojë se ka derdhur për ndërtimin e kishës qoftë edhe një qindarkë të vetme apo ka punuar vullnetarisht një ditë të vetme pa pagesë? Duhet ta pranojmë se Kisha Katolike në Shqipëri është parë shpesh si “lopë” për t’a mjelë të gjithë, madje edhe në fushata elektorale, ndërkohë askush nuk është ofruar për të dhuruar, së paku për lëmoshë diçka, apo më së paku për ta vlerësuar veprën e saj sipas doktrinës sociale që manifeston praktikisht. Kisha është parë shpesh si spital, si bujtinë, si magazinë, si azil, si firmë ndërtimi, si dyqan ushqimor, si dyqan veshmbathje, si zyrë asistence, etj, duke lënë mënjanë atë kryesoren, misionin e saj e që është formimi i njerëzve sipas përngjasimit me Zotin. Prej kishës kemi pritur të na shtrojë rrugët, të na sigurojë ujin e pijshëm, dritën, të na gjejë strehim, të na çojë fëmijët në kopsht e në shkollë madje edhe të na pastrojë mbeturinat që i lëmë vend e pa vend, madje poshtë derës ku hyjmë e dalim me tërsëllimë. Vetëm një zotëri, Ramazan Veseli nga Miloti, ka kontribuar për sistemimin e udhës që të çon në Shën Mëhill dhe askush tjetër. Ai qytetar ka bërë të vetmin gjest fisnik dhe për këtë meriton mirënjohje të përveçme. Papa Françesku, i cili e vizitoi Shqipërinë dhe bashkësinë katolike në këtë vend, këto gjëra i ka të shënuara, bile edhe kjo ndërtesë është shënuar në librin e shpenzimeve të Tij. Objektet e kultit janë ndërtesa prej gurësh, tullash, llaçi e druri dhe si të tilla ato nuk kanë asnjë vlerë nëse nuk kryejnë brenda tyre funksionin për të cilat ndërtohen; kultivimin e besimit, nëse nuk krijojnë dhe mbajnë rreth vetes në dashuri bashkësinë e njerëzve besimtarë. Malbardhasit para se të rindërtohet kjo kishë kanë ndërtuar ndër breza jo një kishë, por një “katedrale”; një tempull dashurie vëllazërore për t’u patur zili e për t’u marrë si shembull nga kushdo. Komuniteti i fshatit të Malit të Bardhë ka një marrëdhënie të përkryer, model i pakundshokun, ndaj nuk ka qenë dhe nuk është nevoja të rindërtohej dhe as të reklamohej e stisej kjo marrëdhënie përmes një hipokrizie të tillë, duke kruar veshin e djathtë me dorën e majtë dhe duke lënë kështu mënjanë kontribuuesit e vërtetë të ndërtimit të objektit fetar, por edhe të veprave të tjera bamirëse. Kontribuuesit e tij të vërtetë janë aty e kundrojnë në heshtje, madje mbeten të habitur për protagonizmin kuturu që shpërfaqim ne kudo e kurdo rast pas rasti. Kontribuuesit e vërtetë e bëjnë këtë jo për t’u dukur, madje shkojnë deri aty sa thonë se atë që e bën dora e djathë të duhet të mos e marrë vesh e majta, pra çdo gjë e bëjnë duke e parë atë si shërbim dhe jo si triumf apo vetëlavdërim. Kisha Katolike i ka dhënë pamjen qytetare Milotit me mjediset e saj shembullore. Kur erdhën Etërit Barnabitë në Milot në vitin 1996, kisha famullitare e shndërruar në vatër kulture gjatë regjimit ishte në gjendje mjerane. Qela famullitare ishte mbushur me familjarë, konsideruar kjo si zgjidhje vendstrehimi e kohës. U desh të bliheshin dalëngadalë nëntë shtëpi për të pastrehët dhe të lirohej qela historike e shkollës së parë shqipe ne Milot (1900), për të rindërtuar e rifilluar veprimtarinë baritore. Pushtetit qendror dhe atij vendor as i bëri syri tërr për këtë. Në vitin 1999 mjediset famullitare u shndërruan në kamp pritjeje për vëllezërit kosovarë e ikur nga lufta në Kosovë, duke ofruar çdo gjë për akomodimin e tyre. Në kushtet kur sot qyteti nuk ka një stol për t’u ulur një i moshuar, nuk ka një kënd lojërash për fëmijët, nuk ka një fushë sportive për të luajtur fëmijët dhe të rinjtë, nuk ka një bibliotekë publike për të lexuar; të gjithë këto mungesa janë realizuar nga Famullia e Milotit në mjediset saj për komunitetin e qyteti pa dallim. Gjatë këtyre 18 vjetëve janë realizuar dhjetëra projekte të ndryshme të punës sociale në ndihmë të familjeve në nevojë si dhe aktivitetet e ndryshme me fëmijët, të rinjtë, prindërit, me vajzat, gratë, nënat dhe të moshuarit. Pranë qendrës famullitare janë organizuar një varg veprimtarish vetëmbështetëse kryesisht me të rinjtë, si vënie në skenë të pjesëve teatrale, takime të rregullta me tematikë problemet që kalon rina sot etj. Prej trembëdhjetë vitesh (2001-20014), gjatë verës janë zhvilluar kampe verore me fëmijët të organizuar me grupe animatorësh dhe skautistësh italianë që vijnë për dy javë nga krahina të ndryshme të Italisë së bashku me dhjetëra familje dhe misionarë, të cilët mbarështojnë këtë veprimtari së bashku me animatorë dhe familjarë vendas. Pranë kësaj qendre për një periudhë të gjatë (1999-2000) ka funksionuar një sallë në të cilën ishin instaluar 15 kompjutera ku ndoqën kursin e informatikës dy herë në javë qindra milotas dhe banorë të fshatrave përreth, kryesisht të rinj, po ashtu kurse të gjuhëve të huaja si italisht, anglisht, si dhe u realizuar projekti i mbështetjes shkollore (doposkuola/passhkolla) (2004-2006). Prej vitit 2006 funksionon qendra sportive model, e cila ofron mundësinë e argëtimit të fëmijëve dhe të rinjve për aktivitete sportive si futboll, volejboll dhe basketboll. Famullia ka bërë ç’është e mundur për të ndihmuar në riparimin e rrjetit ujësjellës, ujërave të zeza, atij rrugor dhe elektrik në qytet, madje edhe të ndërmjetësojë binjakëzime të ndryshme mes komunës dhe simotrave të saj në Itali, shkollave dhe simotrave të tyre, duke marrë vazhdimisht mirënjohjen e qytetarëve të Milotit. Do të mjaftohem këtu me shembullin e famullitarit të Milotit Atë Giovanni Peragine, i pranishëm në Shqipëri prej 16 vjetësh, i cili është dhënë me mish e me shpirt pas grigjës, dokeve, zakoneve, kulturës dhe mbi të gjitha mbas rinisë dhe popullit shqiptar. Atë Giovanni Peragine, Famullitar i famullisë së Milotit, aktualisht është Dekan i Dekanatit të Veriut të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, njëkohësisht President i Konferencës së Eprorëve të Lartë të Shqipërisë, dhe prej vitit 2011, President i Bashkimit të Konferencave Evropiane të Eprorëve të Lartë me Seli në Bruksel, që do të thotë se kishtarisht është në krye të Kongregatave rregulltare të të gjithë Europës, një privilegj që i ka tejkaluar me kohë pritshmëritë integruese të shtetarëve shqiptarë. Ai nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon asnjë shpërblim prej këtij komuniteti, prej këtij populli. Ai ka vetëm një dëshirë. Edhe pse me kombësi e shtetësi italiane kërkon ta noterizojë shqiptarësinë e tij mes sivëllezërve të tij shqiptarë; kërkon të ketë një pasaportë shqiptare. Ndërkohë që me dhjetëra e qindra të huaj që sillen vërdallë në vendin tonë pa ua parë kush një të mirë, por që e kanë marrë shtetësinë shqiptare, madje pa e ditur as një fjalë të vetme shqip, për Atë Giovanni-n që e flet shqipen mbase pak më mirë se një pjesë e gazetarëve tanë, nuk gjendet një pasaportë shqiptare, edhe pse dokumentacioni i tij “fle” në presidencë prej më shumë se dy vjetësh. Është koha të flitet me ndershmëri përtej fasadës. Vizita e Papa Françeskut në respekt të bashkëjetesës vëllazërore fetare që ky komb ka kultivuar prej shekujsh, ishte dëshmia më e mirë që treguam, ndaj ajo nuk ka nevojë të retushohet me shembuj të paqenë. Duhen ende vepra reale për ta përforcuar e ruajtur këtë pasuri, nga të paktat që na ka mbetur, e këtu nuk bën përjashtim as puna e gazetarit. Për këtë arsye gazetari Marin Mema dhe televizioni “Top Channel” është i ftuar publikisht të kalojë sërish nga Malbadhi dhe Miloti për gjatë punës për shtrimin e pritshëm të rrugës, sepse mendoj se aty do të gjejë TË VËRTETËN të cilën duhet ta provojë/konfrontojë duke vënë përballë kronikat që ai ka përgatitur më parë me faktet e sjella prej nesh.

Milano, më 18 dhjetor 2014

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency