Huamarrja/ Tejkalimi i Kuvendit, PS i shtyn qeverisë ligjin. Braçe debat me ministrin  Cani

0
86

Erneta Shevroja

 komisioni i ekonomise 1Braçe: Kërkesa juaj nuk parashikohet në ligj, Angjeli: Kushtetua nuk e përcakton lidhjen e një marrëveshjeje si kompetencë e ekzekutivit

Duket se propozimi i qeverisë për të qenë më e lirë në marrjen e një huaje pa miratimin në Kuvend nuk pritet mirë nga deputetët socialistë dhe ata të LSI-së. Pas shtyrjes dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, edhe Ekonomia nuk e miratoi kërkesën e Ministrisë së Financave për të marrë hua nga jashtë pa miratimin. Deputetët theksojnë fortë se kërkesa e qeverisë bie në kundërshtim me nenet e Kushtetutës për huamarrjen nga shteti dhe për këtë arsye projektligji nuk mund të marrë miratim pa marrë përgjigje pozitive nga Komisioni i Ligjeve që trajton çështjet nen për nen. Argumenti më i fortë i Ministrisë së Financave është fakti se qeveria do të mund të marrë borxh në momentin më të përshtatshëm në treg, me interesa më të ulëta. “Kjo, – tha ministri i Financave, – është praktika që aplikohet jo vetëm në vendet e zhvilluara, por edhe ato në zhvillim”.

 

Debati

Më këmbëngulësi mes anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave ishte deputeti Erjon Braçe, sa i përket respektimit të Kushtetutës. Ministri i Financave sqaroi se kërkesa për tejkalimin e Kuvendit bëhet vetëm për huanë e marrë brenda nivelit të përcaktuar në buxhetin vjetor. Në rast se tejkalohet niveli i borxhit që do të duhet të marrë qeveria, kjo e fundit do t’i drejtohet Kuvendit për të marrë leje për një borxh të ri, mbi atë që ishte planifikuar në buxhetin vjetor. “Ne nuk kemi të drejtë as sot dhe as nesër të kërkojmë që ne të marrim hua mbi kufirin e vendosur në buxhetin e vitit. Ne nuk mund të marrim borxh përtej kufirit të përcaktuar në Kuvend. Sapo ne arrijmë nivelin e borxhit në Kuvend, ne duhet të vijmë në Kuvend për të kërkuar një nivel të ri borxhi”, – tha Cani. Kjo kërkesë hasi kundërshtinë e kreut të Komisionit të Ekonomisë, Braçe, i cili u shpreh se kjo gjë nuk është e shkruar në ligj. “Kjo që ju thoni është shumë e qartë, por fatkeqësisht kjo që thoni ju, nuk është e shkruar në ligj. Po të ishte shkruar këtu në ligj, nuk do të ishte as pyetja ime. Këtu në ligj flitet që Kuvendi, në rastin që kalohet kufiri, miraton instrumentet e borxhit, të brendshëm dhe të jashtëm, kontratën dhe marrëveshjen”, – tha deputeti socialist. Këtë argument kishte edhe relatori i projektligjit, Anastas Angjelit. Ndërsa prezantoi arsyet e kërkesës së Ministrisë së Financave, Angjeli u shpreh se “Kushtetua nuk e përcakton lidhjen e një marrëveshjeje si kompetencë e ekzekutivit”. Po në lidhje me ndryshimet ligjore, Braçe tha se lirshmëria e qeverisë në marrjen e një huaje nga jashtë mund të shoqërohet me ndryshime të shpeshta të nivelit të borxhit. Ai përmendi një rast konkret të vitit 2010, kur qeveria e kaluar, brenda pak muajve, ndryshoi 3 herë nivelin e borxhit.

 

Interesi

Një çështje tjetër për të cilën u përplasën deputeti Braçe dhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani, lidhet me përcaktimin e interesit të marrjes së një borxhi. Ndërsa Cani u shpreh se interesin e një borxhi e përcakton Kuvendi, Braçe u shpreh se përcaktimi i interesit nuk është kompetencë e Kuvendit. “Një element tjetër shumë i rëndësishëm është se Kuvendi përcakton edhe normën e interesit që duhet të dalë në treg”, – tha ministri. Këtë e kundërshtoi deputeti, i cili u shpreh: “Duhet të jemi të mos i japim Kuvendit kompetenca që nuk i takojnë”. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë do të presë mendimin e atij të Ligjeve nëse do të kalojë këtë propozim të Ministrisë së Financave. Në ligjin për garancitë dhe borxhet qeveritare kërkohet që të lihet në kompetencë të Ministrit të Financave marrja e huave qeveritare, por kushtetuta shprehet se borxhet dhe garancitë e shtetit duhet të ratifikohen vetëm kur merret pëlqimi i kuvendit.

 

Bebati Braçe – Cani

 Braçe: Kuvendi nuk ka kompetencë as të emetojë borxh, as të kontrollojë nivelin e borxhit gjatë vitit. Kompetenca e Kuvendit është miratimi i marrëveshjeve. Vetëm kaq. U tha këtu, dhe unë do të doja t’ju pyesja, po shoh nenin 6 që i referohet nenit 26, ju kërkoni fleksibilitet në raport me Kuvendin, kërkoni fleksibilitet në raport me tregun. Dua t’ju pyes drejtpërdrejt. Në paragrafin e fundit thuhet qartësisht: Ministri i Financave ka të drejtë të lidhë kontrata të huamarrjes shtetërore apo të emetojë instrumente borxhi për sa kohë respektohen kushtet e ligjit të buxhetit dhe më pas kalohet: Në rast se tejkalohen kufizimet e ligjit për buxhetin vjetor, atëherë borxhi do të kërkojë miratimin e Kuvendit. Tani unë dua t’ju pyes, e kërkoni fleksibilitetin deri në nivelin e pranuar të borxhit i miratuar në buxhet. Kjo për mua është parimore, nëse kërkoni fleksibilitet kjo është parimore. Çështja është pse i jepni Kuvendit një rol kur tejkalohet borxhi, kur ju vetë e kontestoni?

Cani: Ne nuk kemi të drejtë as sot dhe as nesër që ne të marrim hua mbi kufirin e vendosur në buxhetin e një viti të përcaktuar, ta zëmë të vitit 2015.

Braçe: Z. Ministër! Në rast se tejkalohet kufiri i borxhit, miratimi i tij bëhet me ratifikim të Kuvendit. Pra, ka vetëm një rast kur tejkalohet niveli i borxhit. Dhe pikërisht kur ndodh kjo, ju kërkoni që kjo të bëhet me vendim të Kuvendit, të ratifikohet në Kuvend. Edhe instrumentet, thoni këtu, dhe në rastin kur tejkalohet kufiri vjetor, ju thoni ta bëjë Kuvendi.

Cani: Ndoshta është çështje formulimi. Konceptimi im është: ne nuk mund të marrim borxh përtej kufirit të përcaktuar në Kuvend. Sapo ne arrijmë nivelin e borxhit në Kuvend, ne duhet të vijmë për të kërkuar një nivel të ri borxhi. Ne nuk kërkojmë nga Kuvendi të merret me instrumentet dhe me kontratat. Ne themi kontratat dhe instrumentet janë pjesë të ekzekutivit. Ne nga Kuvendi kërkojmë vetëm leje për nivelin e borxhit. Ne nuk mund të lidhim asnjë kontratë, nëse ajo tejkalon nivelin e borxhit.

Braçe: Këtë që ju thoni është shumë e qartë, por fatkeqësisht kjo që thoni ju, nuk është e shkruar në ligj. Po të ishte shkruar këtu në ligj, nuk do të ishte as pyetja ime. Këtu në ligj flitet që Kuvendi, në rastin që kalohet kufiri, miraton instrumentet e borxhit, të brendshëm dhe të jashtëm, kontratën dhe marrëveshjen. Duhet rregulluar me ligj edhe ajo që thoni të merrni borxh duhet të shkruhet këtu, ndryshe nuk ka vlerë. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Tani nuk është e qartë.

Cani: Një element tjetër shumë i rëndësishëm është se Kuvendi përcakton edhe normën e interesit që duhet të dalë në treg.

Braçe: Z. Ministër! Kuvendi nuk përcakton normën e interesit. Kuvendi ratifikon marrëveshjen, ose e miraton, ose e rrëzon. Nuk ndryshon, nuk ka të drejtë të ndryshojë asnjë nga termat e marrëveshjes.

Cani: Mundësia është shumë e qartë se në Kuvendin e Shqipërisë është përmendur shumë qartë norma e interesit dhe këtë e kemi nga partnerët ndërkombëtar.

Braçe: Të jemi të qartë, të mos i japim Kuvendit kompetenca që nuk i takojnë.

 

 Të premten dëgjesat e aplikantëve për Këshillin Mbikëqyrës së BSH-së

 Ditën e premte, Komisioni i Ligjeve do të organizojë dëgjesat me 5 aplikantë për të zënë vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Ishte vetë kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, i cili u shpreh se nga 11 që ishin të përcaktuar për t’u dëgjuar të premten, numri është reduktuar në 5. Reduktimin e numrit Braçe e argumentoi me mosplotësimin e kritereve nga ana e aplikantëve. Pika e paqartë është pse në fillim ishte përcaktuar numri në 11 dhe më pas është kryer reduktimi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency