Edhe pse nuk është vlerësuar për potencën e prezantimit, Radio-Televizioni Shqiptar sërish edhe këtë vit ka zgjedhur për të prezantuar Festivalin e traditës, Floriana Garo. Kështu, dje, pasi është hedhur shorti dhe janë përcaktuar këngët që do të këndohen në natën e parë dhe të dytë të festivalit të këngës, organizatorët e edicion të 53-të kanë vendosur edhe për prezantuesit e këtij viti. Shoqëruesit e Garos në këtë edicion do të jenë Turjan Hyska dhe Liberta Spahiu nga Kosova.
Patrizia Bocconi është skenografe e festivalit, ndërsa Marcelo Lazzeti, drejtor fotografie, të dy personazhe me emër dhe karrierë në RAI dhe jo vetëm.
Ndërkaq në sallën e orkestrës së RTSH-së vazhdojnë çdo ditë provat me 26 këngët konkurrente të cilat do të ngjisin shkallët e Pallatit të Kongreseve në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor. “Si edhe në edicionet e kaluara, gjithçka në Festivalin e Këngës interpretohet live dhe grupi po përgatitet tashmë të kalojë në provat në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve”, – thuhet për mediat.
Siç dihet të 26 këngët konkurrente janë ndarë në dy pjesë, nga 13 për secilën natë, ndërsa natën e tretë, më 28 dhjetor do të interpretohen 18 më të votuarat nga juria.
Qendra, gati për financim tre filma
Përveç tre filmave të gjatë, Këshilli Miratues i Projekteve të Qendrës Kombëtare Kinematografike i ka propozuar kryetarit të kësaj qendre që t’i financojë edhe pesë filma artistik të metrazhit të shkurtër dhe tre dokumentarë. “Hija e diellit”, me skenar dhe regji të Dritan Mesaresë, “Ikonat e qytetit”, me skenar të Genti Bejkos dhe regji të Kelmend Karunit, “Harro”, me skenar të Genc Përmetit e Erion Kames dhe me regji të këtij të fundit janë përzgjedhur si projektet filmike të metrazhit të gjatë, të cilët, nga Këshilli Miratues i Projekteve i janë propozuar kryetarit të Qendrës Kombëtare Kinematografike të Shqipërisë, që këto projekte t’i financojë menjëherë dhe se vendimi është valid nga dita e sotme.
Këshilli Miratues i projekteve në përbërje të Dritan Huqit, Artur Dautit, Bashkim Hoxhës, Dionis Papadhimitrit, Stefan Capalikut dhe Xhevdet Ferit ka miratuar edhe projekte filmike në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtë dhe dokumentarë.
Në kategorinë e filmave artistik të metrazhit të shkurtë, filmat që kanë kaluar janë: “Vrasësit e qenve”, skenari dhe regjia Ergys META, shtëpia kinematografike “Arkapia”, “A don qymyr zotni”, skenari dhe regjia Kristina CULAJ, shtëpia kinematografike “Arkapia”, “Ata”, skenari Emilio Leka, Anis Leka, regjia Emilio, shtëpia kinematografike “Bunker Film+”, “Mëngë këmishe”, skenari dhe regjia Suela Bako, shtëpia kinematografike “Tirana Film Institute” dhe “Biseda”, skenari dhe regjia Gledis Bica, shtëpia kinematografike “Tirana Film Institute”.
Ndërkaq ata dokumentarë janë: “Mes fshatit dhe qytetit”, skenari dhe regjia Francesk Dushi, , shtëpia kinematografike “Arkapia”, “Hekur dhe zot”, skenari Mihal Rama, regjia Vivian Rama, shtëpia kinematografike “ErëFilm” dhe “Dy ditë në uzinë”, skenari dhe regjia Lendis Shkalla, shtëpia kinematografike “Nilor”. Ndërsa shqyrtimi i projekteve të ndryshme kinematografike, do të shtyhet në vitin e ri buxhetor.