Intervista/ Berisha: Patozi e Topalli shmangën veten për postet, Rama me qeverisjen e tij s’mbyll mandatin

0
131

“S’ka kontrata të përjetshme, humba dhe thashë mirupafshim. Kryesia e re është eprore ndaj KOP-it të 2004-ës. Basha ka filozofinë e tij të drejtimit të PD-së, e ndryshme nga imja”

intervista..

 Në fakt, që kur është themeluar Partia Demokratike, gjatë 24 viteve, ju keni qenë një emër që keni shënjuar politikën, por jo vetëm të Partisë Demokratike, dhe në fakt edhe pas 24 vitesh edhe në këtë Partinë e re Demokratike përsëri jeni ju ai që shënjoni, duke u nisur nga kryesia e re, emrat e rinj që promovohen në PD. Cili është opinioni juaj? A kanë bazë këto deklarata?

Nga dita e vendimit për të ndjekur lëvizjen studentore dhe për të qenë aktiv në këtë lëvizje, më duket se një ditë para themelimit të partisë, më thotë Besnik Mustafai, i cili për hir të së vërtetës duhet të them ka qenë ditë e natë me mua që nga momenti i parë nuk u nda më. Më thotë: Sali ne tani e bëmë detyrën tonë, ne pluralizmin kemi dashur dhe kaq. Jo i them. Pse jo, – më thotë ai. I them, – e para Besnik, ne do të qëndrojmë sepse unë një vendim e kam marrë dhe unë mund t’i ndihmoj këta. Unë jam gjakftohtë, sepse procesi mund të prishej nga dhuna, pala tjetër ishte e gatshme për dhunë dhe i kishte të gjitha mjetet e dhunës. Unë isha gjakftohtë dhe nuk mund të merrja vendime me nxitim dhe me gjaknxehtësi dhe në këtë aspekt në një mënyrë mund t’i ndihmoja studentët. Së dyti i them është çështja e Kosovës. Do të qëndroj, sepse ajo duhet të marrë tani një dimension tjetër. Pra, në fakt, në thelb unë kam hyrë me një kontratë. Një kontratë me Shqipërinë, të cilën… po të lexosh disa shkrime të botuara në vitin `90 në tërësi ato përmbajnë një platformë politike jo të detajuar, por shumë të qartë dhe ajo ishte platforma politike për të cilën unë ëndërroja Shqipërinë. Nga e kisha marrë platformën? Që të gjitha nga vendet e Evropës ish-komuniste që po binin njëra pas tjetrës ose që po luftonin. P.sh. njeriu që më ka frymëzuar më shumë në jetën time politike, nuk ka qenë një politikan në atë kohë, nuk ka qenë një disident, ndonëse se i kisha analizuar të gjithë. Andrei Saharov. Po pse Saharov? Sepse Saharov ishte një shkencëtar, i cili më impresiononte pozitivisht sepse ky kishte braktisur studimet për fiziken bërthamore dhe merrej tani me të drejtat e njeriut. Unë asokohe, duke u frymëzuar prej atij, arrij në përfundimin se të drejtat e njeriut janë një e vërtetë më e madhe sesa ato që studioja unë. Saharov nga ana tjetër i kërkon, Komitetit Qendror të Bashkimit Sovjetik të heqë nenin e Kushtetutës i cili i jepte forcën hegjemone Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Të njëjtën gjë i kërkova Ramiz Alisë unë dhe ai ishte thelbi, sepse me atë nen pluralizmi ishte burokratik dhe jo politik. Pluralizmi burokratik ekzistonte, por ai nen e shuante si realitet. Pra unë u bashkova me lëvizjen me një platformë të qartë, por jo me një platformë për Partinë Demokratike, por për Shqipërinë. Pra një kontratë në të vërtetë me Shqipërinë, një kontratë me kombin sepse kombi ishte i ndarë. Nuk mund të thosha një kontratë në Shqipëri. Pra për kombin me Kosovën, sepse kjo ishte pjesa e pushtuar. 24 vjet unë u përpoqa të bëja më të mirën në zbatimin e këtyre kontratave. Në një moment shqiptarët nuk votuan më kontratën me mua dhe unë as i qortoj dhe as që jam zemërthyer, përkundrazi, vura në veprim atë vendim që kisha në shpirt që nga `91. Në rast se do të humbas zgjedhjet qartë dhe haptas, unë do ti them mirupafshim. Këtë bëra. Dhe nuk kam asnjë keqardhje. Sepse çdo kontratë në një moment të caktuar mbyllet. Kontrata nuk janë të përjetshme.

 

Ndikimi juaj në PD e re. Ka zëra që thonë se edhe kryesia është zgjedhur sipas diktimit tuaj.

Absolutisht jo. Ta them me sinqeritet dhe me bindje, absolute jo. Problemi është këtu. Kryetari i ri ka sjellë një risi që u ka shpëtuar mediave, por një risi me shumë rëndësi në strukturën e partisë. Një njeri – një mandat. Në periudhën time kishte një njeri kishte tre mandate, ndonëse Partia pëlqen gjithmonë një njeri – një mandat. Z. Basha iu përmbajt në maksimum këtij parimi, kështu që parimi një njeri – një mandat dikton shumë gjëra. Ka edhe anë jopozitive. Mund të ketë njeri që i bën dy mandate, por kur teprohet është shumë negativ, ndaj dhe në tërësi është një parim i drejtë. U shpëtoi mediave ky konstatim. Çfarë solli ky parim? Ky solli një zhgënjim në lidershipin e PD-së nga baza deri në qendër dhe në themel se kjo është pozitive. Së dyti, kryetari konceptoi ndërtimin e një kryesie që nuk ka ekzistuar më parë. Cila është? Një kryesi strikte funksionale. Ti ke këtë funksion dhe do të jesh anëtar kryesie. Departamente kemi pasur gjithmonë, por asnjëherë s’i kemi pasur drejtorët e departamenteve anëtarë kryesie. Ky është një model i ri, por në opozitë, gjykoj se do të japë fryte shumë të mira. Pse? Sepse ti sot ke vërtetë departamente shumë të mira paralele të qeverisë. Unë nuk po i quaj qeveri hije por e vërteta është se në një formë ose në një tjetër këta janë një kabinet në hije. Të paktën për opozitarizëm dhe program. Nëse ju kujtohet dhe ka qenë një risi KOP-i. Unë krahasoj KOP-in me këtë kryesi, është eprore kjo kryesi ndaj KOP-it që ndërtova unë në fund të vitit 2004. Pse? Së pari mbi 35 prej tyre janë njerëz politikë dhe teknokratë, janë njerëz të fushës, janë profesorë, kanë qenë këshilltarë të Kryeministrit, të ministrave. A ka disa prej tyre që nuk kanë qenë? Po, ka dhe kjo është gjëja më normale. Më kujtohet mua, para 4-5 vitesh, 40% e kryesisë është ripërtërirë. 45% e Këshillit Kombëtar është ripërtërirë. Dhe kur t’i ripërtërin vetëkuptohet se do të marrësh njerëz që pasqyrojnë disa veti pozitive dhe jo tërësisht. Unë gjykoj se vërtet kjo është një kryesi absolutisht shumë e mirë, ndërtohet për herë të parë në këtë mënyrë.

 

P.sh. reagimin e të vjetërve?

Kur një parti humbet zgjedhjet në qëndrim të civilizuar kryetari jep dorëheqjen. Por askush nuk mund të thotë se vetëm ky e kishte gjithë përgjegjësinë, pavarësisht se kryetari e thotë. Dhe çfarë ndodh tjetër. Japin dorëheqjen ata që janë më afër kryetarit dhe këtë e kanë bërë, kane dhënë dorëheqjen të dy nënkryetarët. Astriti që në fillim, Jozefina po atë ditë, por për të mos krijuar traumatizime tek anëtarësia i kërkova ta shtynte. Kështu që ata të dy kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme. Sekretari i Përgjithshëm edhe ai është pjesë e ekipit pa diskutim. Sekretari i Përgjithshëm nuk dha dorëheqjen dhe bëri shumë mirë, sepse pastaj partia ngelej plotësisht në një situatë realisht kaotike, por ai ishte pjesë e ekipit tim. Tani dua të bëj një dallim. Nëse këta dhanë dorëheqje të parevokueshme nuk do të thotë se këta nuk kanë të drejtë të kenë ambicie të tjera në të ardhmen. Por ky kryetar ka të drejtë për ata dhe për mua të ketë nënkryetarët me të cilët do të punojë, të ketë Sekretarin e Përgjithshëm dhe të tjerë, pra të ketë ekipin e tij. Në këtë drejtim për këta të dy e kam fjalën, unë nuk di se u shmang me ndonjë qëllim të caktuar, ata shmangën veten e tyre.

 

Një koment për drejtimin e kryetarit të ri?

Unë mendoj se Lulzim Basha ka krijuar fizionominë e vet në drejtimin e Partisë Demokratike. Çka është shumë e rëndësishme. Tani, nuk është kjo tamam opozita që unë bëja kur kam qenë në opozitë. A do të thotë kjo të replikojmë opozitën e asaj kohe? Jo nuk do të thotë, pasi “times goes on”. Lulzim Basha ka krijuar fizionominë edhe të opozitarit por edhe të drejtimit të Partisë Demokratike. Lulzim Basha nga ana tjetër ka cilësi, do të thosha shumë pozitive. Njëra prej të cilave është se Lulzim Basha nuk ka energji negative dhe mund ta vëzhgoni në këtë drejtim, kjo është shumë pozitive. Në qoftë se kondraparti i tij gjeneron vetëm energji negative në mënyrë absolute nuk mund të më sjellë kush një shembull që ky gjeneroi negativitet ndaj këtij apo ndaj atij. Sigurisht që ky ka ndjenjat e tij. Së treti; ka një meritë shumë të veçantë. Ai mori partinë, një parti pas humbjes, një parti të traumatizuar dhe ia doli ndonëse jo me një ritëm shumë të shpejtë, por ia doli ta kompletonte procesin me shumë risira brenda, por për mua risia më e madhe ishte se PD finalizoi zgjedhjet e lidershipit në të gjitha nivelet e bashkuar dhe e pandarë, çka nuk është shumë e thjeshtë, është e vështirë. Dhe ky e bëri. Mendoj se fakti që shqiptarët sot njohin PD si parti shumice dhe këtë e tregoi 22 nëntori qartësisht është kjo është meritë e drejtimit që zoti Basha po i bën partisë.

 

Mendoni se PD mund të vijë në pushtet pas 4 vitesh si një alternativë vërtet e mirë dhe jo sepse lodhen nga Rama për t’i dhënë votën?

Tani, çfarë ishte protesta e 22 nëntorit?! E para ishte dështim i Edi Ramës në strategjinë e frikës, njeriu që mendon se nëpërmjet burgjeve, hekurave dhe frikës do t’i nënshtrojë shqiptarët mori përgjigjen e merituar. E dyta, kjo masë e paparë njerëzish që nga viti `91 u drejtua drejt Partisë Demokratike. Nëse shkojmë dhe shohim rastin e Sllovenisë, aty qeveris një parti, kryetari, kryeministri i të cilës e ka krijuar 5 muaj para zgjedhjeve. Pra, zgjedhësit ia kthyen plotësisht besimin asaj force politike që 1 vit më parë nuk ia patën dhënë në atë shkallë. Pse ia kthyen? Ia kthyen për shkak të proceseve që ajo ndoqi dhe avokatisë që ajo iu bëri qytetarëve. Nuk shtrohet problem këtu se këta (qytetarët) janë të pakënaqur dhe…

 

Mendoni se këto do t’i shkurtojnë kohën qeverisë “Rama” dhe se mund të ketë zgjedhje të parakohshme?

Absolutisht po. Rama është rrezik kombëtar. Edi Rama është në mënyrë absolute rrezik kombëtar çdo ditë, çdo javë, çdo muaj që qeveris. Më vjen keq që e them këtë, dhe e them këtë në një kohë kur një vit më parë unë, në një bisedë me kryetarin aktual të PD-së, i kam thënë se detyra jonë është të bëjmë opozitë konstruktive, se kemi përcaktimet kushtetuese, kemi të gjitha që ne i nderojmë dhe i respektojmë, por Edi Rama përbën rrezik të vërtetë kombëtar dhe shqiptar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency