Në pritjen me ambasadorët/ Rama: Të gatshëm të bëjmë gjithçka që ta shohim opozitën në Kuvend

0
102

rama me ambasadorëtKryeministri Edi Rama e cilësoi bojkotin e opozitës të dëmshëm jo vetëm për të, por për gjithë vendin. Në fjalën e mbajtur në kuadër të takimit të fundvitit me përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm për të plotësuar çdo kërkesë të saj. “Fakti që opozita nuk është në Parlament nuk dëmton opozitën, por dëmton vendin dhe e cenon në sytë e të tjerëve. Nuk e di çfarë mund të bëjmë që të kthehen në vendin e punës, por mund të them se jemi gati për të bërë gjithçka që na kërkojnë”, – theksoi Rama.

 

Guvernatori, Rama takon Nishanin

Më pak se një javë pas dekretimit të Genti Sejkos për guvernator të Bankës së Shqipërisë, Kryeministri Rama zhvilloi dje një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Sipas burimeve, kreu i qeverisë ka mbërritur në Presidencë në orët e para të mëngjesit, para nisjes së seancës së Kuvendit. Takimi mësohet të ketë zgjatur më shumë se 30 minuta dhe asnjëra nga palët nuk bënë të ditur se në çfarë konkluzioni është arritur. Për dekretin e Presidentit, Genti Sejko, mazhoranca ka hezituar të japë një qëndrim final për kandidaturën e bankierit Sejko, por i vetmi zhvillim që nga momenti i dekretimit të tij lidhet me propozimin e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, që Komisioni i Ligjeve të shqyrtojë ligjshmërinë e dekretit. Në të njëjtën kohë, brenda kampit të PS-së nuk kanë munguar zërat kundër kandidaturës së Nishanit, së pari nga Pandeli Majko dhe Ervin Bushati, por edhe disa deputetë të tjerë. E ndërsa Rama ishte në takim me Nishanin, paralelisht pati një tjetër zhvillim në trekëndëshin Presidencë-Kryeministri-Kryesi e Kuvendit. Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu e nisi paraditen e së enjtes me një takim me Kryeparlamentarin Ilir Meta. Takimi i djeshëm mes Presidentit dhe Kryeministrit ishte i gjashti në dy muajt e fundit, ku dy krerët e shtetit ndanë qëndrime jo të njëjta për kriteret dhe profilin e emrit si guvernator të BSH pas skandalit të vjedhjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency