Investimet e huaja, rënie dyshifrore; kompanitë transferojnë jashtë fitimet

0
152

Ervin Kaduku

 transfererta parash jashtë vendit–  Tkurrja më e thellë është shënuar në tremujorin e dytë të këtij viti, me një rënie prej 45%, ndërsa në të tretin investimet ranë me 38%

–  Në janar-shtator 2014 “fluturuan” 139 milionë euro, duke rritur 140% transfertat monetare jashtë vendit në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar

Kriza ka kapluar thellë ekonominë shqiptare. Kjo duket nga treguesit kryesorë, që përgënjeshtrojnë keqazi propagandën bajate zyrtare të konferencave pa fund. Investimet e huaja kanë shfaqur një tendencë negative përgjatë të tre tremujorëve të parë të këtij viti, duke shënuar rënie dyshifrore.

Sipas statistikave të bilancit të pagesave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, për periudhën janar-shtator 2014, investimet e kompanive të huaja në vend ishin në total 526 milionë euro, me një reduktim të ndjeshëm prej 24%. Kjo tendencë ka qenë e dukshme përgjatë të gjithë tremujorëve, por tkurrja më e thellë është shënuar në të dytin, me një rënie prej 45%, ndërsa në të tretin tkurrja u reduktua disi, teksa investimet ranë 38%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, pjesa më e madhe e këtyre investimeve vijnë nga kapitali i rritur nga kompanitë ekzistuese në vend dhe pak janë hyrje kapitali e re. Peshën kryesore në Investimet e Huaja Direkte në pjesën e parë të vitit, sipas BSH, e zënë hidrokarburet, të cilat kanë pasur dhe tendencë në rritje.

Ulja në këtë periudhë ka ardhur nga rënia e investimeve në sektorin e telekomunikacioneve dhe të shërbimeve financiare, sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë.

 

“Fluturojnë” paratë

Ndërsa kompanitë e huaja po riinvestojmë më pak kapitalin, ato nuk po ngurrojnë të rrisin transferimin e fitimeve të tyre jashtë vendit. Sipas statistikave të Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë, zëri i “të ardhurave nga investime-debi”, i cili në pjesën më të madhe tregon transferimet e fitimeve jashtë, për periudhën janar shtator 2014 ishte 139 milionë euro, duke u rritur me 140% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja ka qenë veçanërisht e fortë në tremujorin e tretë të këtij viti, ku fitimet e transferuara jashtë kërcyen në 64 milionë euro, nga 10 milionë euro në periudhën qershor-shtator 2013.

Transferimi i fitimeve jashtë vendit shënoi një rritje të ndjeshme në periudhën 2007-2009, duke qenë dhe një nga faktorët që zhvlerësoi lekun në vend (kërkesa e kompanive për valutë ishte shumë e madhe në një treg që vlerësohet se këmben rreth 3-5 milionë euro në ditë, duke ndikuar ndjeshëm kursin e këmbimit). Më pas ky zë shënoi rënie, teksa kompanitë filluan të ndienin presionin e krizës ekonomike.

Por, në 2014-n, fitimet e transferuara po rriten, një dukuri që mbetet disi e pashpjeguar, duke pasur parasysh që sipas të dhënave që “Monitor” disponon nga bilancet e kompanive, fitimi i kompanive celulare dhe bankave kryesore të huaja në vend, në total, është tkurrur me rreth 14% me bazë vjetore në vitin 2013. Teksa tatimi mbi dividentin do të bëhet 15% në 2015, duket se kompanitë e huaja po nxitojnë të bëjnë shpërndarjen e dividendit këtë vit, duke mos i lënë ato për 2015-ën.

 

Të huajt do deklarojnë transaksionet mbi 50 mln lekë

Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit transferimi i çmimeve është zhvilluar në një nga problemet më të rëndësishme tatimore ndërkombëtare me të cilin përballen qeveritë si dhe kompanitë shumëkombëshe. Kompanitë shumëkombëshe e shikojnë transferimin e çmimeve si një pjesë të rëndësishme të procesit të tyre të vendim-marrjes për investim, dhe përafrimi i sistemeve tatimore me normat ndërkombëtare është një sfidë kritike për vendet e rajonit për të tërhequr investime ndërkombëtare dhe për të nxitur tregtinë e huaj.

Të gjitha bizneset që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri dhe janë degë të kompanive të huaja do të duhet të deklarojnë në tatime çdo transaksion mbi 50 milionë lekë në vit, si detyrim që lind nga ligji për transferimin e çmimit, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve..

“Nëse subjekti ka realizuar transaksion shitje apo blerje (pa kompensimin e shitjeve me blerjet) me palët e lidhura, shuma, e të cilave e kalon kufirin e 50 milionë lekëve në vit detyrohet të plotësojë dhe dorëzojë formularin në drejtorinë rajonale tatimore ku është i regjistruar. Ky deklarim bëhet deri me 31 mars për vitin e shkuar, së bashku më pasqyrat financiare dhe bilancin e shoqërisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

 

Pakësohen prurjet e emigrantëve

Emigrantët vijojnë të dërgojnë më pak para tek të afërmit e tyre, ndonëse ritmet e rënies janë reduktuar gjatë këtij viti. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë për 9 mujorin 2014, emigrantët në Itali, Greqi etj, dërguan në shtëpi 391 milion euro, me një rënie prej 3.5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një vit më parë, ndryshimi vjetor ishte minus 16%.

Pasi arritën nivelin më të lartë në 2007-n, transfertat e emigrantëve filluan të binin, duke reflektuar si tendencën ciklike (pas 20 viteve lidhjet me vendin mëmë fillojnë e zbehen) ashtu dhe krizën e pas 2008-s, që çoi në rritjen e papunësisë të shumë emigrantëve që punonin e jetonin në Greqi e Itali, dy burimet kryesore të remitancave drejt Shqipërisë.

Vlerësohet se në Itali e Greqi punojnë rreth 1 milion shqiptarë, të cilët dërgojnë vazhdimisht të ardhura te të afërmit e tyre.

Transfertat e emigrantëve kanë luajtur rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, duke qenë një burim i rëndësishëm konsumi, por tashmë me rënien e tyre bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm zhvillimi i një modeli të ri ekonomik, që kërkon sigurimin e burimeve të tjera të hyrjes së valutës në vend.

Një raport i FMN-së, i pak kohëve më parë vlerësonte se në Shqipëri, Moldavi dhe Bosnjë, prurjet e emigrantëve ranë me shpejtësi, teksa shtetet kryesore pritëse – Italia, Greqia, Kroacia, Ukraina – u përballën me vështirësi ekonomike. Kjo ndikoi në aftësinë e emigrantëve për të fituar para dhe për t’i dërguar ato në shtëpi.

 

 Paguhen 11 milionë dollarë për borxhet e HEC-eve

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) njoftoi dje se ka filluar likuidimin e një pjese të pagesave të prapambetura të HEC-eve. Gjatë ditëve të fundit është bërë e mundur likuidimi i mbi 11 milionë USD, nga rreth 60 milionë USD, që shkon detyrimi total i akumuluar që prej muajit shkurt. Brenda janarit të vitit të ardhshëm pritet që Korporata Elektroenergjitike të mund të shlyejë borxhet e 6-mujorit të parë të vitit 2014, ndërsa brenda prillit 2015 pritet të likuidohen të gjitha borxhet e akumuluara nga viti 2014.

Ndërkaq, parashikohet që shlyerja e faturave korente të vitit 2015 të bëhet në kohë, falë edhe një mekanizmi monitorimi në kuadër të projektit të rimëkëmbjes së energjisë elektrike, me synim mirëmenaxhimin e korporatave dhe rritjen e likuiditetit në sektor.

 

Dështoi përfundimisht Bursa e Tiranës

Bursa e Tiranës është mbyllur përfundimisht, pa listuar asnjë kompani dhe pa tregtuar asgjë aksion gjatë gjithë jetës së saj prej 12 vitesh, duke dështuar në objektin e saj, atij të krijimi të një tregu kapitalesh në Shqipëri.

Sipas burimeve nga Ministria e Financave, pasi i ishte lënë tre muaj për të gjetur vetë të ardhurat për mbarëvajtjen e aktivitetit, së fundmi është firmosur shkresa e mbylljes së saj.

Bursa e Tiranës u themelua në vitin 2002 në formën e shoqërisë aksionare, dhe ka funksionuar në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9901 dt. 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe të ligjit nr. 9879 dt. 21.2.2008 “Për titujt”.

Objekti i veprimtarisë së Bursës së Tiranës sh.a ishte krijimi i një tregu kapitalesh apo titujsh duke krijuar një sistem tregtimi me anë të të cilit “ofertat për shitje, blerje apo këmbim të titujve kryhen apo pranohen rregullisht; oferta apo kërkesat kryhen rregullisht kur janë oferta apo kërkesa të paracaktuara apo janë te pritshme, që rezultojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi në bërjen apo pranimin e ofertave për shitje, blerje, apo këmbim të titujve ose; jepet informacion rregullisht lidhur me çmimet dhe shpërblimet që persona apo grupe të veçanta propozojnë apo presin të shesin, të blejnë apo të këmbejnë tituj”.

 

Pse nuk funksionoi

Ndërsa në shtetet e rajonit, zhvillimi i tregut të kapitale u mbështet nga shteti, me shumë vende që realizuar shitjen e ndërmarrjeve shtetërore përmes Bursës, në Shqipëri forma e zgjedhur e privatizimit ishte përmes ankandeve, tendencave, apo bonove të privatizimit.

Nga ana tjetër, biznesi vendas ishte i pamaturuar për të kaluar në një stad më të lartë, atë të sigurimit të financimit përmes ofertave publike në bursë, teksa informaliteti i lartë (puna me dy bilance, që sillte mosdeklarimin real të të ardhurave) ishte një tjetër pengesë që shoqëritë t’i drejtoheshin bursës.

Shpresa e vetme për kompanitë shqiptare për të siguruar financime përmes tregut të kapitaleve tashmë mbetet vetëm plani për një bursë rajonale.

Bursa e Tiranës ka kryer aktivitet vetëm për një kohë të shkurtër pas vitit 2002, duke qenë agjent i qeverisë në tregun sekondar të letrave me vlerë, por edhe ky funksion i kaloi Bankës së Shqipërisë.

 

 Në Shqipëri, 900 mijë karta bankare

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë 2014, numri i kartave bankare aktive ka arritur në pothuajse 900 mijë, në rritje me 11% që nga fillimi i vitit. Në harkun e pesë viteve të fundit, numri i kartave bankare është rritur me 58%, si pasqyrim i rritjes së përdorimit të instrumenteve të pagesave bankare nga publiku shqiptar.

Sot afërsisht një çdo tre shqiptarë zotëron një kartë bankare. Shumica e kartave të lëshuara nga sistemi bankar shqiptar i takojnë shoqatave të mëdha globale të pagesave, si “Visa”, “Master Card”, apo “American Express”, që mund të përdoren për të kryer pagesa pothuajse në të gjithë botën. Shumica e kartave bankare, mbi 90% e tyre, janë karta debiti të lidhura me llogaritë rrjedhëse të individëve.

Megjithatë, edhe numri i kartave të kreditit është rritje të ndjeshme, vit pas viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë 2014, numri i kartave të kreditit arriti në 74 mijë, në rritje me 15% që nga fillimi i vitit, ndërsa në harkun e pesë viteve të fundit numri i kartave të kreditit është rritur me 3.2 herë. Kartat e kreditit janë një tregues më domethënës, duke qenë se janë produkte më të avancuara.

Përmes tyre, klienti merr paraprakisht një linjë të hapur kredie nga banka për kryerjen e pagesave direkte apo për tërheqje, duke i shlyer ato më vonë në kohë. Sidoqoftë, përdorimi i kartave ngelet ende i dominuar në operacionet më të thjeshta, që janë tërheqjet e parave cash nga bankomatet. Nga afro 100 miliardë lekë veprime me karta gjatë 9 muajve të këtij viti, rreth 92% janë tërheqje cash.

Sidoqoftë, edhe pagesat përmes pikave elektronike të shitjeve, të vendosura në njësi tregtare, kanë arritur vlera të konsiderueshme, me afro 8 miliardë lekë ose rreth 56 milionë euro deri tani gjatë këtij viti. Ekspertët e pagesave mendojnë se rritja e përdorimit të pagesave direkte sjellë përfitime praktike dhe ekonomike.

Pakësimi i përdorimit të cash sjell ulje të konsiderueshme të kostos së transaksioneve, me përfitime që mund të shkojnë disa pikë përqindje ndaj prodhimit kombëtar të një vendi.

 

Investitorët largohen nga Rusia

Sipas një raporti të fundit, Rusia, renditet në zonën e rrezikut të lartë për investitorët, duke zënë kështu vendin e 21 në renditje.

Politika e jashtme agresive e Kremlinit duket se është shkaktari kryesor i një pozicionimi të tillë negativ në renditje. Ndërkohë ky lajm pritet të rëndojë edhe më shumë në ekonominë e vendit e cila parashikohet të tkurret me rreth 0.7% gjatë vitit të ardhshëm.

Sanksionet e Perëndimit, pas aneksimit të Krimesë, kanë goditur jo vetëm korporatat vendase por edhe monedhën kombëtare, duke dobësuar kështu parashikimin ekonomik për vendin. Ditën e martë Banka Botërore rishikoi në rënie për të disatën herë projeksionet e rritjes në Rusi për dy vitet e ardhshme.

Analistët shprehen se tre janë faktorët që po ndikojnë në dekurajimin e investitorëve të huaj: Vladimir Putin, çmimi i naftës dhe dobësimi i Rublës. Ajo së cilës i tremben të gjithë është fakti se me ekonominë ruse në përkeqësim të vazhdueshëm qeveria e Putin me shumë gjasa do të tentojë të mbajë autoritetin e saj dhe mbështetjen popullore duke shkaktuar konflikte të tjera të jashtme.

Gjithsesi vendi mund të ofrojë edhe mundësi të mira blerje për disa investitorë. Disa prej tyre mendojnë se rreziku i lartë mund të çojë në një shpërblim të lartë. Analistët nga ana tjetër nuk lënë pa përmendur faktin se ekonomia ruse ka edhe pikat e forta të saj, siç janë borxhi i kontrolluar, papunësia në nivelin minimal historik, apo edhe rezervat me tepricë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency