Formula e re/ Kategoritë e konsumatorëve që do paguajnë më pak energji

0
141

Ervin Kaduku

Tarifat e energjisë, kërkohet rritje 30% e çmimeve

energjia-elektrike-300x264 –   Konsumatorët familjarë të fashës së mesme do të paguajnë më shtrenjtë, ndërsa konsumatorët e pasur të energjisë do të paguajnë më lirë

 Enti Rregullator i Energjisë zhvilloi të premten seancën dëgjimore publike në lidhje me aplikimin e operatorëve të tregut të energjisë elektrike për tarifat e reja të vitit 2015. Aplikimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE kërkon një tarifë fundore mesatare prej 12.32 lekë pa TVSH, me një rritje prej 29.3 për qind në krahasim me tarifën mesatare aktuale prej 9.53 lekësh. Rritja e çmimit është kërkuar për të gjithë operatorët, përfshirë industrinë, biznesin dhe ndërmarrjet publike, por rritja më e madhe kërkohet te konsumatori familjar.

Për konsumatorin familjar, OSHEE kërkon një tarifë të njehsuar prej 11.08 lekë pa TVSH, (13.3 lekë me TVSH), nga tarifa aktuale dynivelëshe. Për konsumatorët e varfër, të cilët harxhojnë 300 kWh në muaj, kjo përkthehet në rritje të kostos së energjisë elektrike me 1,200 lekë në muaj ose rreth 44 për qind nga tarifa aktuale. Për konsumatorët më të pasur, formula e kërkuar sjell rritje më të vogël çmimi, ndërsa për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kWh në muaj, çmimet e reja sjellin praktikisht ulje.

Tarifa aktuale e shitjes së energjisë për konsumatorin familjar është 7,7 lekë për konsumin deri në 300 kWh në muaj dhe 13.5 lekë për konsumin mbi 300 kWh.

BIRN kreu llogaritjet me çmimet aktuale dhe çmimet e reja të propozuara nga OSHEE, nga ku rezulton se familjet që konsumojnë deri në 200 kWh do të paguajnë 811 lekë më shumë në muaj, ndërsa ato që konsumojnë 300 kWh, do të paguajnë 1,217 lekë më shumë.  Familjet që konsumojnë 700 kWh në muaj, do të marrin një rritje prej vetëm 55 lekësh të rinj në muaj, ndërsa konsumatorët e tjerë do të kenë ulje të faturës.

OSHEE shet aktualisht rreth 1.6 miliardë kWh në vit me tarifën e parë dhe rreth 620 milionë kWh me tarifën 13.5 lekë. Në rast se kërkesa e kompanisë për tarifën e re të unifikuar prej 11.08 lekësh do të miratohet nga ERE, atëherë OSHEE do të marrë në total 4.1 milardë lekë më shumë nga xhepat e konsumatorit familjar vitin e ardhshëm. Bashkë me tatimin mbi vlerën e shtuar, konsumatorët pritet të paguajnë rreth 5 miliardë lekë (35 milionë euro) më shumë në vit.

Qeveria ka premtuar se do të kompensojë konsumatorët në nevojë ekonomike për një shumë jo më të madhe se 1.6 miliardë lekë, (rreth 12 milionë euro). Kjo do të thotë që për konsumatorin, tarifa e re e energjisë elektrike do të krijojë një taksim indirekt shtesë prej 3.4 miliardë lekësh.

Sistemi dytarifor i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë u vendos për herë të parë në Shqipëri në vitin 2001, me synimin e uljes së konsumit të energjisë elektrike nga popullsia dhe zëvendësimin e energjisë elektrike me burime të tjera energjie, për ato shërbime që mund të zëvendësohen.

Deri në atë kohë, arsyetohej se konsumatori familjar qe i inkurajuar të përdorte energjinë elektrike për ngrohje gjatë dimrit ose për ajër të kondicionuar gjatë verës, duke rritur konsumin dhe duke e detyruar KESH të importonte energji të shtrenjtë nga vendet fqinje. Shënjestra kryesore qe zëvendësimi i kondicionerëve me ngrohjen me gaz ose naftë.

Nafta për ngrohje në atë kohë u përjashtua nga akciza, me qëllim që të përdorej si burim më i lirë energjie se sa elektriciteti. Por disa vite më vonë, qeveria i vendosi akcizë naftës për ngrohje, e nxitur nga dyshimi se nafta e makinave po importohej duke u deklaruar si naftë për ngrohje. Që nga ajo kohë, gazi ka mbetur si burim alternativ ngrohjeje dhe gatimi, por edhe çmimi i gazit është shtrenjtuar shumë gjatë viteve të fundit.

 

Rritje e fortë për biznesin

Edhe biznesi pritet të përballet gjithashtu me rritje në çmimin e energjisë elektrike vitin e ardhshëm.  OSHEE ka kërkuar që çmimi për segmentin tregti e shërbime, të rritet nga 12.2 lekë që është aktualisht në 15.36 lekë, pra me një shtrenjtim final të faturave mujore prej 25 për qind.

Rritja më e madhe do të rëndojë sërish mbi xhepat e konsumatorëve në formën e taksave. OSHEE ka kërkuar çmim prej 17.59 lekësh për konsumatotët e sektorit buxhetor, një çmim ky jashtëzakonisht i lartë dhe i palogjikshëm. Çmimi aktual i paguar nga institucionet buxhetore është 14 lekë. Arsyeja se pse kërkohet vazhdimisht rritja e këtij çmimi është se ai paguhet nga taksapaguesit përmes buxhetit të shtetit dhe rrjedhimisht, ndjehet më pak në xhepat tonë.

 

Tre drejtues të OSHEE, “hajdutë” energjie   

Qeveria e majtë nisi një operacion masiv kundër vjedhjes së energjisë më 27 tetor të këtij viti, duke paralajmëruar burg për këdo që kapej me lidhje të paligjshme. Që prej asaj kohe, raportohen mbi 50 mijë raste të zbuluara të vjedhjes së energjisë dhe 569 persona të arrestuar.

Operacioni i pamëshirshëm u shpërnda në të gjithë vendin dhe u shoqërua me pakënaqësinë e qytetarëve debitorë dhe akuza nga Partia Demokratike në opozitë.

Kjo e fundit denoncoi standardin e dyfishtë të qeverisë, që arrestonte qytetarët e thjeshtë, që sipas saj nuk kishin mundësi të paguanin, por jo drejtues lokalë të OSHEE, të cilët abuzonin me postin e tyre.

Mazhoranca iu përgjigj akuzave të PD-së me arrestimin e zyrtarëve të përfolur për vjedhje energjie, por zbulimi i këtyre rasteve vuri në pikëpyetje moralitetin e këtij operacioni të dhimbshëm, që rëndonte me të njëjtën forcë edhe mbi të dobtit.

Policia arrestoi të mërkurën drejtorin e OSHEE-s së Tropojës, Rustem Gjonaj me akuzën e vjedhjes së energjisë. Para se të arrestohej, Gjonaj u akuzua nga Partia Demokratike se i detyrohej kompanisë që drejtonte 1.7 milionë lekë fatura energjie.

Më parë, policia kishte arrestuar edhe drejtorin e Operatorit të Shpërndarjes në Lushnje dhe ish-drejtorin e së njëjtës kompani në Has. Të dy ata i detyroheshin Operatorit të Shpërndarjes milionë lekë në fatura energjie.

Përveç tre zyrtarëve të mësipërm, Policia ka arrestuar edhe 48 faturistë apo elektricistë të kompanisë, të cilët akuzohet se bënin lidhje të paligjshme të energjisë në këmbim të rryshfetit. Më shumë se 500 personat e tjerë të arrestuar janë qytetarë, të cilët akuzohen se kanë vjedhur në vazhdimësi energjinë që konsumojnë.

 

Sindikata, thirrje për protesta masive

Një ditë pas konsultimit të Entit Rregullator të Energjisë me grupet e interesit, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura i kërkon qeverisë të mos heqë fashën mbrojtëse prej 300 kë/orë për energjinë dhe të bëjë amnisti të plotë për kamatvonesat e konsumatorëve familjarë. Sipas kreut të kësaj sindikate, Gëzim Kalaja, qeveria shqiptare është 5.4 miliardë lekë borxh ndaj OSHEE dhe aksionet për ndërprerje të energjisë duhet të përqendrohen fillimisht tek institucionet shtetërore. Anëtarët e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë kanë arritur dakordësinë, se nëse vendoset për rritjen e çmimitë të energjisë, do të zhvillohen protesta masive. Vendimi përfundmitar se sa do të jetë çmimi i energjisë elektrike që nga 1 Janari 2015 do të merret me 15 Dhjetor. Një ditë më parë qeveria ka kërkuar që ky çmim të mos jetë më i lartë se çmimi i mesatarizuar, prej 9.9 lekësh.

 

OSHEE “përmbytet” nga ankesat

Qytetarë të shumtë që nuk kanë paguar energjinë në vite, ku një pjese prej të cilëve u është ndërprerë energjia, presin radhën me orë të tëra për të lidhur marrëveshjet për pagesën e energjisë me këste ose shlyerjen e plotë të shumës, ku dhe përfitojnë zbritje të kamatvonesës në masën 80 për qind. Megjithatë problemet që ata kanë janë të shumta, që nga mbifaturimet, shpërdorimi i detyrës nga ana e faturuesve e deri tek mosgjetja e një zgjidhjeje për rilidhjen e energjisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency