Tirana e përgjakur / Masakra komuniste e vjeshtës `44

0
230

3722493561_6e29951506

Alba Kepi

Speciale/ Shoqata “Tirana” përkujton 400-vjetorin e themelimit administrativ të qytetit

Shoqata “Tirana” përkujton 400-vjetorin e themelimit administrativ të qytetit me një tjetër ngjarje të rëndësishme, promovimin e librit “Tirana e përgjakur”, të autorit tiranas Bedri Alimehmeti. 12 vjet nga publikimi i parë, autori rikthehet me një ribotim të dytë të veprës, më e përpunuar në detaje dhe më e pasur në dokumentacionin historik. Ndërsa e gjithë Shqipëria luftonte përkrah aleatëve për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore, në Tiranë, grupe partizane me urdhër të Enver Hoxhës kishin nisur një luftë të dytë, eliminimin fizik të fuqisë intelektuale, patriotike, sociale e ekonomike të qytetit, deri në pushtimin e plotë politik të tij. “Tirana e përgjakur”, thotë autori, lindi si një domosdoshmëri për të plotësuar atë boshllëk historik, të harruar qëllimisht për dekada e që përshkruan ngjarjet e vjeshtës së vitit 1944 në jetën e këtij qyteti.

“Tirana e përgjakur” është një poemë dhimbjeje shkaktuar nga masakra komuniste nëpër lagjet, rrugicat, shtëpitë e Tiranës. Ato u lanë me gjakun e të pushkatuarve nga e gjithë Shqipëria. Të gjithë nacionalistë e atdhetarë të përkushtuar që lidheshin nga një ideal i përbashkët; antikomunizmi. Në korrespondencën e atyre ditëve mes Gogo Nushit e Kristo Themelkos, dëshmohet qartë se urdhëruesi i këtyre vrasjeve qe Enver Hoxha. “Me hyrjen e forcave tona në Tiranë, janë vrarë 60 veta, – shkruan Gogo Nushi. – Unë i njoh ata dhe asnjëri prej tyre nuk meritonte të vritej”. Kristo Themelko i përgjigjet: “Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka urdhëruar, që kur të hynim në qytet t’i spastronim elementët “e rrezikshëm”.

 

***

VRASJE NË SAUK

Histori e dhimbjes gjysmëshekullore: Selim Brahja

Askush tjetër veç dorës vrastare të një komunisti nuk do të guxonte të zbrazte armën në pragun e xhamisë, në derën e Allahut e shtëpisë të së madhnueshmes Perëndi! Veç një komunist, që i bindet verbërisht urdhrave të murtajës së kuqe, që me kthetrat e saj si tentakulat e një oktapodi e mban të mbërthyer në lëngun e zi të krimit. Komunisti s’e përmban veten për të mos e shkrehur armën, edhe kur përpara tij gjendet një hoxhë i thjeshtë, njeri i Zotit.

I gjithë Sauku shtangu tek dëgjoi krismat që vinin nga xhamia. Ishte 31 gushti i vitit 1943, dita e parë e muajit të madhnueshëm të Ramazanit. Si ishte e mundur; krisma në xhami?!… Kush kishte qëlluar mbi hoxhën e fshatit, Selim Brahjen, që e lau me gjak truallin mbi të cilin bashkëfshatarët shkelnin përpara se të hynin në xhami, për t’iu lutur Zotit?!…

Nuk ishin pak jo, jo! Shumëkujt ndoshta mund t’i duket e pabesueshme, por vrasësit ishin plot shtatë veta. Një togë për ekzekutimin e një njeriu të vetëm! Shtatë burra për të vrarë një njeri të Zotit! Batare plumbash mbi trupin e një kleriku të ndershëm e të devotshëm, që tek falte pesë vaktet, nuk harronte kurrsesi t’i lutej Zotit edhe për Shqipërinë. Shtatë vetë me shalle në kokë, kryen krimin dhe, posi gjarpërinj, rrëshqitën e u zhdukën shkurreve e drizave për t’u shpëtuar plumbave të pushkëve të djemve të Selim Brahjes: Isufit, Selmanit, Tahirit e Nuredinit, që i ndoqën këmba-këmbës. Me të mësuar për vrasjen e të atit, që të katërt rrufeshëm kishin rrëmbyer armët dhe ishin vërsulur për të marrë hak ndaj vrasësve të pabesë, që i kishin shuar jetën Selim Brahjes, babait të dashur e të nderuar, që e donin dhe e respektonin aq shumë.

Vrasja e hoxhës së fshatit Sauk, Selim Brahja, sigurisht që mbetet unikale për nga lloji i saj, por, veçmas, kësaj shënon edhe fillesën e terrorit komunist në Tiranë, shumë kohë përpara se komunistët të vinin në pushtet.

Po kush ishte Selim Brahja dhe përse duhej vrarë ky njeri i mençur, që jetën e tij ia kishte taksur Shqipërisë edhe Zotit?

Selimi ishte i biri i Ramazan Brahjes, atdhetar i shquar, kontributin e të cilit në luftë për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë e vlerëson shumë kryepatrioti i Tiranës, Hafiz Ibrahim Dalliu, tek e radhit në listën e gjatë të atdhetarëve tiranas në kryeveprën e tij “Patriotizma më Tiranë”. Dhe nuk ishte aspak i rastësishëm ky nder që i bëhej Ramazan Brahjes, këtij njeriu që gjithë jetën u përpoq e luftoi për atdheun edhe kombin.

Selim Brahja kishte miqësi të ngushtë me dy djemtë e kryeatdhetarit më të shquar të kombit tonë, Seremedi Said Toptani, pra, me Abdiun dhe Refikun, dy nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ismail Qemalit në luftën për liri dhe pavarësi të Shqipërisë. I nxitur nga ata dhe në bashkëpunim edhe me Mehmet Efendi Saukun, në vitin 1916 mbas përpjekjesh të mëdha, arritën të hapnin shkollën e parë shqipe në Sauk.

Intermexo për shkollën dhe shtëpinë

Për shumë vite me radhë në shkollën e Saukut dha mësim, mësuesi i njohur tiranas Et’hem Tabaku, njeri shumë i dashur e i respektuar, i cili që në ditët e para të punës, falë kujdesit e përkushtimit për t’u mësuar shkrim e këndim por edhe për t’u dhënë sa më shumë dije fëmijve, fitoi zemrat e të gjithë banorëve të zonës. Madje, për këtë dëshmon fakti, që edhe pse kanë kaluar shumë vite, në zonën e Saukut kur bie fjala për të, flitet ende me shumë respekt. Ndërkohë tregojnë, që në ato vite të largët, në dyert e shkollës pati një denduri të paparë nxënësish, jo vetëm nga Sauku por, nga të gjithë fshatrat për rreth. Madje, kjo gjë solli atë që numri i nxënësve u rrit jashtzakonisht, aq sa ambientet nuk mbanin më. Kjo e detyroj mësuesin Et’hem Tabaku të kërkoj ndihmën e Efendi Selim Brahjes, i cili si gjithnjë u tregua i gatshëm për të dhënë ndihmesën e tij edhe pse për hir të së vërtetës duhet thënë se, për momentin u gjend në vështirësi. Por, brenda pak çastesh vendosi të hapë dyert e shtëpisë së tij. Nuk bëhej ndryshe, fëmijët donin të mësonin shkrim e këndim, ambientet e shkollës nuk mjaftonin, ndaj vuri në dispozicion të shkollës dy dhoma.

Ndërkohë me kalimin e kohës numri i nxënësve u rrit tej mase, çka e detyroj Et’hem Tabakut të kërkoj sërish ndihmën e Selim Brahjes. Kësaj radhe hoxha i fshatit u detyrua të hapte dyert e xhamisë, e cila për fat të mirë ishte afër shkollës. Kështu në orët ku nuk kryheshin ritet fetare tempulli islam shndërrohej në shkollë.

Kështu atdhetari Efendi Selim Brahja si xhaminë ashtu edhe shtëpinë e tij dykatëshe i vuri në dispozicion të arsimit. Por, është për të ardhur keq gjatë viteve të luftës, shtëpija e Brahajve u bombardua rëndë nga okupatorët gjermanë.

NJERIU I KOZMOSIT TË MENDIMIT SHQIPTAR

Nebil Çika

Ishte mesi i viteve `50, kur tek ne as që bëhej fjalë për televizorin, këtë aparat çudibërës që sot ka magjepsur gjithë rruzullin tokësor me mrekullinë e tij, kur u shtanga tek lexoja në faqet e revistës “Minerva” (revista e parë ilustrative në median e shkruar shqiptare të viteve `30) pikërisht për transmetimet e para televizive, që kishin mundur të realizonin inxhinierët e teknikët amerikanë e anglezë. Po në faqet e asaj reviste prestigjioze kam parë për herë të parë aparatet marrës televizivë, si edhe figurat që transmetonin ato. Kureshtar si gjithnjë, për të mos harruar kurrë autorin e këtij zbulimi, hasa për herë të parë emrin e gazetarit, ose më saktë të kryeredaktorit të kësaj reviste, Nebil Çika.

E pra, edhe Nebil Çika u pushkatua më 12 nëntor të vitit 1944 bashkë me të tjerë në rrënojat e hotel “Bristol”. Një pendë më pak në gazetarinë shqiptare. Fletë të bardha mbetur të pashkruara në filozofinë shqiptare të mendimit. Një zë i ndërprerë, në kulmin e aftësive krijuese e të formulimit saktë të prioriteteve të zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Një pendë e fuqishme që, sigurisht do të mendonte e do të shkruante ndryshe nga ç’dëshironin ata, komunistët që po vinin në pushtet. Një mendje e fuqishme dhe e pakrahasueshme, tok me përsosmërinë e një dore të zhdërvjellët në të shkruar, ishin krejtësisht të papërballueshme nga perversiteti i mendësisë së shkurtër komuniste.

Ndaj e eliminuan Nebil Çikën, një nga gazetarët më potentë në të shprehurit e mendimit përparimtar shqiptar. Flet më së miri për këtë gjë bibliografia e panumërt e artikujve të tij në dhjetëra e qindra organe të shtypit periodik, jo vetëm në të katër anët e Shqipërisë, por edhe në diasporë. Flet spektri i plotë i kapjes dhe i trajtimit të problemeve. Flasin mijëra faqe të shkruara tok me alternativat e panumërta, që shtron ai vetë, duke dhënë njëkohësisht edhe rrugët e zgjidhjes.

Lindi në Borsh të Sarandës në vitin1893 në një familje të njohur për traditat patriotike e kulturore. Madje, qe pikërisht ai që i përfaqësoi e ngriti edhe më tej traditën e shquar të fisit dhe familjes së tij Çika nga Borshi i Sarandës. Nip nga nëna i patriotit të shquar shqiptar, Sheh Sabri Preveza (Borshi) që në fëmijëri u edukua me idetë patriotike dhe përpjekjet e patriotëve të shquar për pavarësinë e vendit, dhe mbrojtjes së trojeve dhe identitetit shqiptar nga barbaritë e fqinjëve shovinistë jugorë.

Studimet e mesme i kreu në liceun francez të Korfuzit, kurse ato të larta në universitetin amerikan të Stambollit “Robert College”. Që student punoi si gazetar në periodikët më të njohur të kohës në Stamboll, ku spikati me shkrimet dhe sidomos stilin e tij të veçantë. Ndërkohë krijoi kontakte me personalitete e grupime shumë të kulturuar e me influencë. Ishte anëtar i rretheve kulturore me përparimtare të kohës dhe një aktivist i njohur i çështjes kombëtare. Kthehet në atdhe në vitin 1912, ku fillon të aktivizohet në shtypin e kohës dhe shumë shpejt u bë një nga emrat më të spikatur. Arrestohet në vitin 1913 nga forcat pushtuese greke në Sarandë dhe kryen 6 muaj burg në Janinë, për shkak te kundërshtimit të aneksimit nga Greqia të krahinave shqiptare të Epirit dhe ndikimit tek komisioni ndërkombëtar i kufijve, me të cilët si intelektual komunikonte në disa gjuhë e vlerësohej në ato që deklaronte. Pas burgut u kthye sërish në Stamboll, ku përfundoi studimet.

Më pas në Selanik, ku punoi në një gazetë franceze të qytetit nën sundimin francez, ku u pushua për shkak të aktivitetit nacionalist shqiptar. Në vitin 1920 vendoset në Tiranë menjëherë pas caktimit të saj si kryeqytet dhe angazhohet tërësisht në gazetari. Mund të konsiderohet si një nga themeluesit e gazetarisë profesioniste e moderne shqiptare, ndërkohë qe themeloi dhe drejtoi media nga më të spikatura të kohës. Revista “Minerva” e themeluar dhe drejtuar prej tij në vitin 1931 ishte media më elitare e kohës dhe i pari botim periodik shqiptar me ngjyra. Drejtoi me kompetencë gazetën e njohur “Arbënia” dhe disa të tjera duke u rreshtuar kështu edhe vetë në elitën kulturore e politike të kohës. Si nacionalist por, edhe me kulturë perëndimore ka kontribut të shquar në zhvillimet politike e demokratike të vendit.

Ishte korrespodenti i “New York Times” gazetës më të madhe në botë të të gjitha kohërave dhe i agjencisë më prestigjioze “Reuters” nga Tirana, detyrë që e ushtroi deri në fund të jetës. Bashkë me Branko Merxhanin, Ismet Toton, Vangjel Koçën etj., janë themelues të “neoshqipatrizmës”, një lëvizje që synonte lartësimin kulturor, politik e shpirtëror të kombit shqiptar. është autor i shume artikujve, studimeve, kritikave letrare, analizave politike e ekonomike etj., me vlerë të jashtëzakonshme, që i qëndrojnë ende kohës e ribotohen shpesh herë nga mediat aktuale.

Në vitin 1943 boton në Tiranë librin “Njëmendësia Shqiptare” studim i shkëlqyer psikologjik e filozofik të vlerësuar shumë nga koha. Si nacionalist dhe demokrat ishte natyrshëm një kundërshtar i komunizmit. gjë që i kushtoi edhe jetën në kulmin e aktivitetit të tij. Në 16 nëntor 1944 pushkatohet pa gjyq në bodrumin e hotel “Bristol”, pasi rrëmbehet në shtëpinë e tij në Tiranë nga grupe terroriste komuniste. Eshtrat e tij ende nuk janë gjetur me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të familjarëve. Për 50 vite diktuar, emri Nebil Çika u fshi nga historia ndërkohë që libri i tij “Njëmendësia shqiptare” ishte në krye të listës së librave të ndaluar nga censura komuniste.

Si gazetar profesionist, intelektual i formuar dhe i brumosur me idealet e shenjta kombëtare, konsiderohet si një nga themeluesit dhe protagonistët kryesorë të shtypit modern shqiptar dhe asaj plejade ideologësh e intelektualësh, që sot njihet me emrin “neoshqiptarizma”. Si një nga gazetarët dhe botuesit më të suksesshëm të kohës kur jetoi e punoi, ai drejtoi me sukses gazetën “Arbëria” dhe revistën “Minerva”, botime që janë, pa dyshim, nga më të mirat e kohës. Artikujt e tij politikë, ekonomikë, ideologjikë e kulturalë ruajnë vlera të jashtëzakonshme edhe në ditët tona.

Mik dhe bashkëpunëtor i Faik Konicës, Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashërit, Ismet Totos, dhe të tjerëve mendimtarë dhe intelektualëve të shquar të kohës, ai është pa dyshim edhe një polemist i madh. Replikat e tij me Fishtën, Nolin, Zavalanin e të tjerë, janë një model unikal i gazetarisë moderne, i kulturës së debatit intelektual dhe qëllimit pothuaj të përbashkët të polemistëve të kohës. Ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm i zhvillimit të arsimit dhe kulturës në Shqipëri, emancipimit të femrës dhe krejt shoqërisë shqiptare. Në faqet e “Minervës” dhe “Arbërisë” u botuan shumë shkrime të kësaj natyre ku një vend të rëndësishëm zënë shkrimet e motrës së tij, Ikbal Çikës, një prej gazetareve të para femra shqiptare, Musine Kokalarit, e të tjera femra të njohura intelektuale.

Nacionalizmi i tij, i mishëruar në shkrimet e kohës dhe mendimet e shkëlqyera për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit, ishin cilësitë kryesore të Nebil Çikës, cilësi që u vlerësuan nga komunistët dhe përfaqësuesit jugosllavë pranë tyre, si tejet të rrezikshme. Paskëtaj Nebil Çika do të radhitej në listën e njerëzve të parë, që do të eliminoheshin nga terroristët komunistë që në ditën e parë të hyrjes së tyre në Tiranë, bashkë me patriotë e intelektualë të tjerë. Një nga shkrimet e tij të fundit është artikulli i mrekullueshëm “Pa Shqipërinë s’ka Kosovë, pa Kosovën s’ka Shqipëri”.

Nebil Çika ishte jo vetëm bashkëkohës, por edhe shok e bashkëpunëtor me krijues të tillë kalibri, si Migjeni, Branko Merxhani, Mustafa Greblleshi, Petro Marko, Eqrem Çabej, Haki Stërmilli, Andrea Varfi etj. Faqet e gazetave apo revistave që themelonte e drejtonte ai, qenë gjithnjë të hapura për këta krijues të talentuar, të cilët i dhanë aq shumë letërsisë shqipe.

Nebil Çika ideoi dhe drejtoi të parën revistë pedagogjike në Shqipëri me titull “Pedagogjike” që në vitin 1924. Më pas revistën “Reforma” e me radhë “Jeta” (1929-1939), “Arbëria” (1927), “Miku i popullit” (1931), “Minerva” (1932-1936), “Bota e re” (1940) etj.

Por kryevepra e tij, dhe njëkohësisht edhe e mendimit filozofik shqiptar, është e mbetet ende vepra politiko-filozofiko-psikologjike “Njëmendësia shqiptare”, të cilën e botoi në vitin 1943.

Në këtë vepër ai shtron për zgjidhje çështjen kombëtare, analizon probleme të kulturës, gjuhës, filozofisë e të psikologjisë shqiptare, pikërisht në epilogun e Luftës së Dytë Botërore e në vigjilje të një epoke të re, në të cilën, siç shprehet ai në faqet e librit “Njëmendësia shqiptare”: “Secili do të ketë të drejtë të mendojë vetiakisht ndryshe, duke luajtur jo rolin e mohonjësit, por rolin e plotësonjësit të mendimeve të tjera, në kozmosin shpirtëror shqiptar”.

E pas kësaj sentence proverbiale, aq domethënëse për ne shqiptarët në ditët e sotme, cilido mund të shtrojë pyetjen përpara vetes: “Si është e mundur të vritet një njeri i tillë, që aq bukur na i qartëson rrugët e zgjidhjes të mendimit shqiptar”?

 

 

Masakra e Tiranës `44

Ngjarja e bujshme në Sauk, komunistët vranë hoxhën në derë të xhamisë

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency