T’i mësosh fëmijës fjalën BURG

0
132

Flutura Açka

foto per fokusTë nderuar miq! Si mund të jeni ju të qetë, kur një fëmijë 5-vjeçar hyn në dyert e komisariatit të policisë: me hir a pahir, me dashje a pa dashje, te dhoma X apo qelia Y, për faj të aksh apo filan personi? Arsyet nuk më duhen, as ata që i përdorin, as ata që i keqpërdorin! Shihja fotot e mbrëmshme tek parakalonin në revistë dinjitarë shqiptarë në promovimin e një libri dhe shumë mirë bëjnë që shkojnë (të paktën kanë një rast ta shohin më me pak mëri njëri-tjetrin), por a kanë turp që janë “shteti shqiptar”, kur në po të njëjtën ditë, një fëmijë 5-vjeçar përfundon në dyert e policisë? Në një vend normal, ky do të ishte fundi i shtetit! Gati pesëmbëdhjetë vite të shkuara, kur kërkoja nëpër rrethinat e Shkodrës dhe nëpër Mirditë për fëmijët e ngujuar, në vigjilje të publikimit të romanit tim të dytë “Kryqi i harresës”, kam takuar shumë fëmijë të ngujuar. Atëbotë, kur libri ishte gati, pata një lloj droje nëse duhet ta botoja romanin, me shqetësimin se i kishte kaluar koha dukurisë dhe temës sime. Atëherë kam takuar Shkurtën, gruan që kujdesej për familjen e mbetur e të ngujuar nga gjakmarrja në një shtëpi në periferi të Shkodrës: 5 djem nën moshën 15-vjeçare. Bashkë me Shkurtën, pesë djemve, shërbente aty edhe një nuse e re, e cila kishte mbetur e ve nga një vrasje gjaku, me një djalë të vogël katërvjeçar. Kur u ktheva pas një viti për t’i takuar sërish, gruaja e re, jo më shumë se te të njëzetat, kishte varur veten te njëra nga pemët e kopshtit, pasi nuk mund ta rriste fëmijën e saj me mendimin se një ditë do t’i vritej. Por kanë kaluar vite dhe çështja është po aq akute. Në vitet kur drejtonte shtetin shqiptar një mjek, Sali Berisha, i cili e njihte dukurinë pasi vinte nga ato zona, shpresova se do të ndodhte ndonjë ndryshim, pra që ata fëmijë të mos e mësonin fjalën ngujim, që do të thotë BURG. Por një burg jo për faj të tyre. Por asgjë, as atëherë, as sot që po flasim. Shifrat që jep Ministria e Punëve të Brendshme për numrin e fëmijëve të ngujuar, sigurisht as kanë lidhje me realitetin e egër të fenomenit. Një fëmijë 5-vjeçare dy ditë më parë shoqëron të ëmën në burg, në dhomën e intervistave, e ç’rëndësi ka se në cilën sallë, rëndësi ka që ajo tashmë e di se aty mamaja e saj ka hyrë për të hyrë në BURG. Pas kësaj asaj i ka mbetur vetëm të mësojë fjalën VDEKJE. Pasi ka mësuar plot gjatë rritjes së saj: “Fli gjumë, se vjen polici!”, “Haje bukën, se vjen polici!”, “Pusho, se thirra policinë!” Jo vetëm kaq, por që t’i rrisim trima (ndryshe si do ta përballosh jetën në një vend ku nuk sundon ligji i ligjit, por ligji i forcës), u themi qysh kur i kemi në krahë: “Gjuaji Pau-Pau xhaxhit!”, duke i lënë të kuptojë se është një lojë e bukur gishtash të marrësh shënjestër. Lodra e parë që u blejmë madje, qoftë edhe plastike, është revolver. Nuk u mjafton varfëria, për të cilën s’kemi si u shpjegohemi, nuk u mjafton edukimi i dyshimtë, për të cilin s’dimë kujt t’i qahemi, a nuk mjafton pasiguria për të nesërmen, a nuk u mjafton helmi që marrin përditë nën terminologjitë e shpeshta mediatike: tritol, plumb, vrasje, drogë, prostitutë, tani u duhet t’u duket edhe si antibiotik edhe fjala BURG. Unë nuk di kë të fajësoj, sepse ka shumë fajtorë, majtas e djathtas. Unë thjesht protestoj! Unë akuzoj! Protesto, akuzo, edhe ti!

Marrë nga rrjeti social i autores

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency