Alma Çuka
Për dy orë rresht iu përgjigj pyetjeve të prokurorit Ramadan Troci. Nuk pranoi asnjë shkelje. Dorëzon në Prokurori kundërthëniet me shkrim. Dosja, shumë shpejt në Gjykatë
Pas dy seancave të dështuara, prokurori Ramadan Troci ka arritur paraditen e djeshme të marrë në pyetje ish-guvernatorin Ardian Fullani. Ky i fundit u pyet si person ndaj të cilit janë duke u zhvilluar hetimet lidhur me vjedhjen e Bankës së Shqipërisë. Ardian Fullani u fut në Prokurorinë e Rrethit Tiranë rreth orës 10:00 të paradites i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës Maksim Haxhia. Dy herë e ka kundërshtuar ish-guvernatori akuzën, e cila është përpjekur më herët ta marr në pyetje. Rasti i parë ishte pak ditë pasi Ardian Fullani u vu në pranga, pra në mesin e shtatorit, dhe rasti i dytë, pas lirimit të tij me vendim të Gjykatës së Apelit. Gjatë seancës së djeshme, e cila zgjati për më shumë se dy orë Ardian Fullani, pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të shumta të prokurorit. Këtë fakt e vërtetoi vet i pandehuri Fullani pas seancës së pyetjeve.
Deklarata
Seanca e marrjes në pyetje të ish-guvernatorit Fullani, me cilësinë e personit nën hetim zgjati rreth dy orë. Mësohet se ai i është përgjigjur të gjitha pyetjeve të prokurorit Ramadan Troci. Pas daljes nga prokuroria, Fullani foli për herë të parë për akuzat, duke e vlerësuar vetën të pafajshëm. Ai tha se nuk mban përgjegjësi për vjedhjen e arkës stok dhe asaj në veprim, për aq kohë sa përgjegjës për këtë çështje janë personat që nuk kanë zbatuar rregulloren dhe ligjet me të cilët vepronte ky institucion bankar. Edhe avokatët mbrojtës, komentuan marrjen në pyetje të klientit të tij, duke u shprehur se përveç shpjegimeve të dhëna, ish-guvernatori ka dorëzuar edhe një memo të detajuar për shkeljet e pretenduara nga prokuroria. Fjalët e ish-Guvernatori u mbështetën edhe nga mbrojtësi ligjor i tij, Maksim Haxhia. Ky i fundit deklaroi se nuk mund të mbaj përgjegjësi ish-guvernatori i Bankës Ardian Fullani për vjedhjen e kryer nga një punonjës i institucionit të tij. Më pas avokatët thanë se janë personat përgjegjës ata që nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale në atë ndërtesë për të evituar vjedhjen e kryer nga i pandehuri Ardian Bitraj, tashmë i arrestuar. Ndërsa, me akuzën e ngritur, prokuroria pretendon se ish-guvernatori Fullani ka shpërdoruar detyrën sepse nuk ka vepruar në përpilimin e rregulloreve për mirëfunksionimin e qendrës së emisionit të monedhës, ku janë vjedhur 713 mln lekë.
Dosja
Dosja me emrin e ish-guvernatorit Ardian fullani, i cili ka mbi shpin veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” pritet t’i dorëzohet gjykatës në ditët në vazhdim. Ndërkohë në Gjykatën e Tiranës është duke u zhvilluar procesi gjyqësor kundër 15 të pandehurve të tjerë, përgjegjës për vjedhjen e bankës. Elivar Golemi dhe katër të pandehur të tjerë nuk pranuan të gjykohen me procedurë të shkurtuar dhe për pasojë dosja e tyre u veçua nga ajop e dhjetë të pandehurve të cilat pranuan të gjykohen në gjendjen që janë aktet, duke përfituar në të njëjtën kohë uljen e dënimit me 1/3. Konkluzionet për këta të fundit do të jenë në datë 10 dhjetor.
Arratisja/ Zhduken 50 sirianë nga qendra e azilkërkuesve, dyshime për rrjet trafikimi
Autoritetet ligjzbatuese shqiptare kanë rënë në gjurmët e një linje të re të trafikut të qenieve njerëzore, e konkretisht të shtetasve që vijnë nga Siria. Grupet e trafikut kanë arritur të thyejnë barrierat e sigurisë së qendrës së azilkërkuesve në zonën e Babrrusë në Tiranë, nga ku përgjatë dy javëve të fundit janë larguar disa dhjetëra emigrantë. Të paktën 50 shtetas të strehuar në këtë qendër, janë larguar në drejtim të paditur. Shtetasit në fjalë, kanë ndërprerë procedurat dhe çdo komunikim me drejtuesit e qendrës së azilkërkuesve, dhe sipas policisë, dyshohet se janë larguar jashtë kufijve të Shqipërisë. Burime të Standard në Policinë e Shtetit bëjnë me dije se sektori kundër trafikut të qenieve njerëzore, ka nisur një hetim të gjerë për të zbuluar vendndodhjen dhe grupin e personave që kanë ndihmuar shtetasit sirian të arratisen. Paraprakisht, bëhet me dije se këta shtetas, janë larguar në drejtim të Malit të Zi, nga ku persona të përfshirë në rrjetin e trafikut, kundrejt shumave të mëdha të parave, i transportojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Të njëjtat burime saktësojnë se azilkërkuesit e arratisur, dyshohet të jenë ndihmuar edhe nga disa banorë të zonës së Babrrusë, aty ku ndodhet qendra e azilkërkuesve. Sipas hetuesve, këta shtetas, në momentet e ndalimit në kufijtë jugorë të vendit, kanë kërkuar strehim politik. Por ky dyshohet të jetë një skenar i mirëpërgatitur për të udhëtuar deri në Tiranë të pacenuar, e më pas duke përdorur si maskim kërkesën për azil në qendrën që ndodhet në Babrru, sapo përgatitet terreni nga trafikantët kalojnë kufijtë veriorë shqiptarë.