Eksportet drejt Rusisë dhe çmimi i vezëve, qeveria mbulon të vërtetat

0
153

Ervin Kaduku

 pulari e madhePanariti u tha prodhuesve se nuk do t’i lejonte që ata të njësojnë çmimin, por nga ana tjetër ka dhe një shpresë për uljen e çmimit të vezëve për konsumatorët.

Një kokërr vezë në treg kushton si asnjëherë tjetër 18 deri dhe ne 20 lekë në dyqanet e lagjeve, pasi tregu po përballet me mungesë të këtij artikulli. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i pyetur në lidhje me këtë çmim dje, shpjegon arsyet e rritjes. “Nëse do ta blesh vezën në vende të shtrenjta, sigurisht që do ta blesh shtrenjtë. Në periudhën e dimrit, në përgjithësi çmimi i vezës rritet, për shkak të uljes së pjellorisë, për shkak të uljes së ndriçimit, njëkohësisht për t’u ushqyer kërkon sasi më të madhe, pasi ulja e temperaturave bën që norma e konsumit për shpend të rritet dhe kjo është jo vetëm e vërtetë për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e rajonit. Këmbëngul që ne të kemi transparencë të çmimeve”, – thotë Panariti, duke theksuar se çmimi është më i ulët pranë qendrave ku prodhohet direkt.

Panariti dje i quajti të pavërteta pohimet e shtypit të këtyre ditëve se çmimi i vezës në treg ka arritur në 20 apo 30 lekë për kokërr, por pranoi se u ka kërkuar prodhuesve të vezëve të paraqesin një analizë të kostove reale, pasi me çmimin e vezëve edhe mund të abuzohet. Por prodhuesit thanë se është rritur kostoja e vezës, për shkak të rritjes së çmimit të lëndës së parë dhe këtu nuk ka ndihmuar aspak subvencioni qeveritar. “Është një periudhë e shkurtër, ku nuk është abuzuar me çmimet, sepse çmimi mesatar sot që del nga pularia, është 15 lekë të reja për një kokërr veze. Duke nisur nga muaji janar, ne kemi kontrata me Komunitetin Evropian, si dhe me vendet e rajonit për të vazhduar eksportin e vezëve”, – tha Eduart Bregu, sipërmarrës.

Panariti u tha prodhuesve se nuk do t’i lejonte që ata të njësojnë çmimin, por nga ana tjetër ka dhe një shpresë për uljen e çmimit të vezëve për konsumatorët. “Industria e prodhimit të vezëve përgatitet që të fusë shumë shpejt në prodhim një kontigjent të ri pulash. Pas dy-tre muajsh, këto pula do të futen në prodhim, do të rrisin sasinë e vezëve të freskëta që do të hidhen në treg dhe kjo do të ketë pa dyshim edhe ndikim në çmim”, – tha Panariti.

Ministri zhvilloi një takim me prodhuesit e vezëve në vend, me qëllim transparencën e kostos së vezëve, si dhe moslejimin e abuzimit me çmimin e tyre.

 

Rusia

Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë u përpoq të fshihte realitetin lidhur me shumëfishimin e eksporteve bujqësore drejt Rusisë nga Shqipëria, me thyerje të embargos perëndimore ndaj këtij vendi. Ministri i ka cilësuar të padrejta sanksionet ruse ndaj vendit tonë. Në një konferencë për shtyp ai ka sqaruar gjithë skemën, që, sipas tij, gjithçka ka nisur si pasojë e falsifikimeve nga një vend i tretë. Panariti tha se ishte pala shqiptare që e evidentoi këtë problem dhe që komunikoi me ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë. “Kemi qenë ne që në bashkëpunim me autoritetet ruse kemi evidentuar këtë problem. Ishte një falsifikim që ndodhte jashtë territorit të Shqipërisë. Në evidentuam që në tregun rus futej 4 herë më shumë se sa prodhojmë ne. Kjo sasi e shtuar e ka origjinën gjetkë, është rezultat i një falsifikimi nga një vend i tretë. I vendosnin etiketën shqiptare dhe e fusnin në tregun rus. Edhe prodhuesit shqiptarë janë dëmtuar nga kjo skemë falsifikimi”, – deklaroi ministri Panariti.

Numri një i bujqësisë tha se ky veprim i palës ruse është veprim i pajustifikuar pasi nuk është një fenomen shqiptar dhe Shqipëria respekton marrëveshjen me Federatën Ruse. Ai theksoi se kjo masë nuk ndikon tek bujqësia shqiptare, pasi tani Shqipëria importon në 18 vende dhe synimi është eksporti në vendet e BE. “Po vazhdojmë kontaktet, dhe do zgjidhim këtë situatë. Nuk është fenomen shqiptar. Është përgjegjësi e vendeve të treta, kjo është një vepër kriminale dhe firmat shqiptare që janë të penalizuara nga kjo masë po hapin procese gjyqësore. Bujqësia shqiptare eksporton në 18 vende. Ne nuk kemi pasur vëllim të madh me Federatën Ruse, por kjo ka rëndësi për marrëveshjet që ne kemi dhe respektojmë me Federatën Ruse”, – deklaroi ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency