Balkanika zbulon në Tiranë/ Një shkrimtari të ndrojtur, një profesor i paditur e botues i fortë  

0
120

 Violeta Murati

 Për çmimin rajonal Ylljet Aliçkaj, ceremonia në Tiranë 5-7 dhjetor

 Balkanika 2014Pas dy emrave fitues për letrat shqipe, Ismail Kadare dhe Fatos Kongoli, për çmimin “Ballanika 2014” nominohet shkrimtari Ylljet Aliçkaj me romanin “Valsi i lumturisë”, botuar tri vite më parë. Sa shanse ka të fitojë këtë çmim shkrimtari shqiptar mes shtatë kandidaturave rajonale që konsiderohen autorë me biografi letrare të pasur jo vetëm për botime në shumë gjuhë, por edhe për çmimet e fituara?! Këtë vit ceremonia e “Balkanika 2014” bëhet në Tiranë, në 5-7 dhjetor, me organizator shtëpinë botuese “Toena”, kur edhe do të shpallet çmimi.

Me një jetë 20-vjeçare, ky çmim përfshin shtatë shtëpi botuese nga Ballkani, ku secili vend përzgjedh çdo vit, me një juri kombëtare, autorin e saj. Ndërsa një juri ndërkombëtare vendos shkrimtarin më të mirë ballkanas duke u siguruar tregun e librit, jo vetëm brenda rajonit, por një lehtësi reference për botues nga e gjitha bota. Megjithëse ka 16 vite themeluar, çmimi “Balkanika” ka njohur vetëm dy fitues shqiptarë, së pari Kongolin me romanin “Ëndrra e Demokleut”, dhe Kadarenë me “E penguara”. “Ende nuk kemi mundur më shumë se kaq emra”, – thotë botuesja e Toenës, Irena Toçi. Autorë që kanë konkurruar janë Bashkim Shehu, Mira Meksi, Ben Blushi, por pa shansin e fituesit.

Por siguria se ky çmim mund të mbetet në Tiranë, përmes romanit të Aliçkajt, mban disa arsye. Toçi thotë se garanci është njohja e këtij romani në gjuhë të tjera, përkthimet, si dhe çmimi i madh letrar dhënë nga Ministra e Kulturës.

Ndonëse dje, në një dalje para mediave, u tha se ky edicion i “Balkanika”-s njeh konkurrentë mjaft të fortë, që mbajnë çmime të rëndësishme letrare si dhe botohen rregullisht në Evropë. “Kjo është hera e tretë që “Balkanika” organizohet në Shqipëri dhe është rasti i vetëm mbështetur më pak nga Ministria e Kulturës”, – thotë Toçi.

Përzgjedhjen kombëtare e ka bërë një juri me në krye akademikun Jorgo Bulo e anëtarë Piro Misha, Diana Çuli, Preç Zogaj dhe Virgjil Muçi.

Botuesja e Toenës ia kaloi fjalën për procedurën dhe mënyrën e funksionimit të jurisë studiuesit Bulo, që në fakt do të presupozonte se do të na paraqiste një panoramë të proceseve letrare brenda tri viteve, së paku për prozën. Bulo vetëm sa tha emrat e jurisë, se nominimi i Aliçkajt është bërë qysh në maj.

Paranteza e botueses se studiuesi Bulo do të shpjegonte për mediat mënyrën se si ka funksionuar juria kombëtare mbeti një belbëzitje. Asnjë emër shkrimtari shqiptar që ka botuar roman, tregime në këto tri vite me të cilët ka qenë në “garë” të brendshme Aliçkaj nuk u tha. Në qoftë se detyrë e jurisë ka qenë kjo, në të kundërtën ashtu siç na shpjegoi dhe vetë Aliçkaj i gjendur ngushtë në këtë përgjigje, do të quhej fare mirë; arbitraritet! I vetmi argument që u dha ishte se romani duhej të ishte përkthyer në gjuhët angleze ose frënge, si detyrim për t’u lexuar nga juria, por jo doemos për të qenë i botuar.

Kjo një kosto që duhej ta përballonte vetë shtëpia botuese, në këtë rast organizatorja e këtij çmimi “Toena”.

Ndërsa Bulo dha këtë shpjegim: “Mënyra si përzgjodhi juria veprën, që nominon për çmim, është kjo: juria mbështetet mbi katalogët e bibliotekës kombëtare, prodhimit letrar për tre vjetët e fundit, dhe mbi këtë bazë bën përzgjedhjen e veprës përkatëse që ajo e gjykon si më të mirën të viteve. Ka dhe disa kritere që kanë kufizuar jurinë në zgjedhjen e saj, dhe kriteri më kufizues është ai i kërkesës që vepra duhet të jetë e përkthyer në një nga gjuhët e mëdha, anglisht ose frëngjisht. Nuk është e detyrueshëm të jetë i botueshëm ky version në këto gjuhë, por e detyrueshme për t’u përkthyer për t’ju paraqitur jurisë qendrore, duke e pasur në dispozicion në një nga këto gjuhë të mëdha”.

Duke I shtuar dhe një argument tjetër se “një kriter tjetër është që vepra duhet të jetë e botuar në vend”, Bulo me analizën e tij prej studiuesi ka rrafshuar gjithë produktet letrare të këtyre tre viteve duke mos qenë në gjendje të na japë një panoramë se çfarë ka ndodhur me prurjet për këtë çmim. Në të kundërt, për ironi studiuesi Bulo nuk di çfarë ndodh me letërsinë shqipe në këto tre vite.

Konkretisht, pyetjes se si kanë qenë prurjet, sa vepra ka lexuar profesor Bulo, që vendosën për ta përzgjedhur veprën e Aliçkajt, iu dha përgjigjja: “Nuk ka shkrimtar kandidat, as që të aplikojë, juria u mbështet në katalogët e botimeve të këtyre viteve dhe përzgjedh vepra që mendon se mund të konkurrojnë në këtë çmim”.

Këmbëngulim me pyetjen se cilat vepra ka lexuar. Bulo përgjigjet: “Autorë janë shumë, por juria gjykon vetëm mbi ato vepra të përkthyera. Normalisht janë shumë pak vepra që japin këtë mundësi. S’më kujtohen emrat dhe nuk kanë rëndësi emrat konkretë!”

Për ta shpëtuar këtë “padituri” mbi letrat shqipe të profesorit ndërhyn botuesja, Irena Toçi, e cila thotë se në konkurrim ishin dy poetë, Arjan Leka me përkthimin e Tupes, dhe Arben Shehi me një vëllim poetik. “Gjatë momentit që diskutohej në juri se cili mund të ishte përfaqësues i radhës, u pa e arsyeshme që të konkurrohej me prozë, pasi poezia në përgjithësi quhet më honorofike, pasi nuk është fituar asnjëherë ky çmim, duke u prezantuar me poezi. Kështu i takoi Ylljetit të konkurrojë këtë vit”. Më mirë e mbron letërsinë botuesja sesa profesori i letërsisë, e cila vazhdon të tregojë shqetësimet që ka një shkrimtar e mbi të gjitha letrat shqipe: “Ka një handikap të madh të qenët i përkthyer në gjuhë të huaj, për arsye se ka një kosto të madhe; nuk ka mbështetje nga institucionet përkatëse që mund të ishin të interesuar që vepra të autorëve më të mirë shqiptarë të përkthehej në gjuhët e mëdha të botës minimalisht. Për këtë arsye të gjitha përpjekjet janë të autorit dhe shtëpisë botuese që e ka botuar dhe ambicieve tona për t’i pasur këta autorë të botuar në këto gjuhë, në synimet tona të përvitshme. Ylljeti duke qenë një nga prozatorët që ka mundur të marrë dhe çmime të tjera jashtë kufijve të Shqipërisë, për skenarin, për tregimin menduam që vepra e tij të ishte e përkthyer në frëngjisht qoftë për t’u botuar nga të tjerë në botë, në këtë mënyrë e kishim gati në këtë edicion”.

Privilegjet që merr ky autor lidhet me përkthimin e veprës në gjuhë të tjera të Ballkanit, që ende konsiderohet kjo marrëdhënie e brishtë, e dobët. Ndonëse vlerësohet ky çmim si një rast për t’u kthyer vëmendja ndaj veprës, në rastin e fituesit, kalon edhe si referencë në vende të tjera. Për tregun tonë të vogël, ky çmim që ka mundur në rajon prej 16 vitesh, I shtohet nismës sporadike të disa shkrimtarëve viteve të fundit për njohje rajonale. “Jemi shumë pak të botuar dhe njohim shumë pak njëri tjetrin në Ballkan. Një nga arsyet kryesore si shkrimtare e kritike e letrare që do mbroj fort veprën e Aliçkajt është se shikoj dimensionin tepër human që ka libri, përmbajtja letrare, cilësia letrare, fatet e personazheve – këto që janë kërkesa të një romani janë maksimale, dhe konkurron me shumë dinjitet që janë të një niveli të lartë autorët e tjerë. Mbrojtja ime nuk do të jetë e vështirë pasi është një roman me vlera të dukshme. Janë autorë shumë të njohur, të përkthyer në shumë vende të botës. Konkurrencë e fortë”, – thotë shkrimtarja Diana Çuli, njëkohësisht edhe në cilësinë e anëtares së jurisë ndërkombëtare të “Balkanika 2014”. Vetë shkrimtari e sheh më me modesti këtë çmim, si një rrugë njohje drejt letërsive të mëdha e vendeve ku letërsia konsumohet si cilësi letrare. Që prej nominimit për çmimin “Balkanika”, Aliçkaj tregon se punët e shitjes me librin shkojnë më mirë, duke treguar edhe modelin e rëndësishëm që ka menaxhimi prej botuesit. Në botën ku leximet dhe raporti i njohjes nuk janë sugjestione klasike të shkrimtarëve të mëdhenj, romani i Aliçkajt ka rastin e pretendimit modest të integritetit me një histori ideologjike në dyert e Evropës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency