Qeveria bën mbrapa kthehu/ Gjoba për semaforin e kuq ulet në 30 mijë lekë. Ndryshon masa e pezullimit të patentës

0
122

Gëzim Saliu

 Ndryshimet e Kodit Rrugor te Ligjet, pranohet kërkesa e deputetëve për të reduktuar gjobat

Traffic lights in Berlin, Germany Pas kundërshtive të deputetëve të mazhorancës, qeveria tërhiqet nga masat e ashpra të gjobës dhe atyre të pezullimit të patentës, duke propozuar disa amendime që lidhen me ndryshimet e Kodit Rrugor. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, relatori i çështjes Vehxhi Muçmata bëri të ditur se masa e re e ndëshkimit kur shkelet semafori i kuq nuk do të ketë më shifrën maksimale 40 mijë lekë të reja, por do të shkojë nga 20-30 mijë lekë. Po ashtu edhe në rastet e përsëritjes së shkeljes së semaforit deputetët kanë rënë dakord me Ministrinë që në rastet kur gabimi përsëritet më shumë se dy herë brenda dy vjetëve, atëherë vendosja e gjobës do të pasohet edhe me pezullimin e patentës nga 9 muaj deri në 1 vit. Në nenin 144 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 1. Në pikën 2, fjalët “… nga një mijë lekë deri në tre mijë lekë…”, zëvendësohen me “… nga dhjetë mijë lekë deri në njëzet mijë lekë…”. 2. Pika 3 të ndryshohet si vijon: Drejtuesi i mjetit që vazhdon lëvizjen, ndonëse sinjalizimi i semaforit ose i policit të trafikut e ndalojnë këtë lëvizje, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet mijë deri në tridhjetë mijë lekë. Pas pikës 3 të shtohet pika 4 me këtë përmbajtje: 4. Cilido drejtues mjeti që përsërit brenda dy viteve, më shumë se dy herë shkeljen e parashikuar në pikën 3 të këtij neni, përveç masës me gjobë, të parashikuar në këtë pikë, ndaj tij merret dhe masa administrative e pezullimit të lejes së drejtimit nga nëntë muaj deri në dymbëdhjetë muaj”, – pohoi ndryshimet e masave deputeti Muçmataj.

 

Reagimet

Përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Transporteve u shprehën dakord për ndryshimet e reja të masave, por drejtori i Policisë Rrugore, Mithat Tola, kërkoi në Komision modifikimin e paragrafit 2, pasi, sipas tij, masa e propozuar është dhjetëfish në raport me masën aktuale. “Nëse ne mbajmë mend debatet e kaluara për gjoba të larta, paragrafi 2 lidhet me një shkelje të themi, të sinjalizimit rrugor jo të qenësishëm. Është 10-30 mijë lekë aktualisht, e keni bërë 100-300 mijë”, – tha ai. Në këtë mes ka ndërhyrë, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili ka bërë të ditur se bëhej fjalë për një gabim, pasi është shkruar me të vjetra. Nga ana tjetër, Tola kërkoi korrigjimin pikës 3, e cila lidhet me pezullimin e patentës, duke kërkuar që “cilido drejtues që përsërit brenda 2 viteve për të paktën dy herë…” dhe jo siç ishte shkruar në ligj “më shumë se dy herë”. Ky propozim nuk është pranuar nga Komisioni e ndërsa propozimi parë është miratuar. Rritja drastike masave të gjobave nga ana e qeverisë për shkeljen e semaforit apo edhe masave për pezullimin e patentës shkaktoi debat të fortë në Kuvend gjatë diskutimit të ndryshimeve të ligjit për kodin rrugor. Në saj të kundërshtive të deputetëve të vetë mazhorancës, duket se qeveria ka reflektuar, duke ulur masën e gjobës për shkeljen e semaforit si edhe ndryshuar masën e pezullimit të patentës.

 

 Ndryshimet e ligjit në FA/ Kur dhe si ndëshkohen ushtarakët, masat disiplinore edhe nga Nishani e Rama

Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim ndryshimet në ligjin për disiplinën e Forcave të Armatosura, ku për herë të parë të drejtën për të dhënë masë disiplinore do ta ketë edhe Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes. Nga ana e saj, ministrja Kodheli sqaroi para anëtarëve se është shtuar numri i shkeljeve disiplinore. “Projekti ka për qëllim forcimin e disiplinës ushtarake, të rendit ushtarak, me qëllim kontrollin më të mirë të Forcave të Armatosura. Risitë e këtij projektligji janë si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja. Autoritet që kanë të drejtën të japin masa, fillohet me Presidentin e Republikës, në cilësinë e komandantit të FA-ve, tek Kryeministri, ministri i Mbrojtjes, shefi i shtabit të përgjithshëm, komandën e forcave, komandanti i nivelit batalioni dhe komandant në nivel kompanie. Janë shtuar disa shkelje disiplinore mund të përmend ato me karakter politik, si mbështetja e fushatave të partive apo pjesëmarrje në aktivitet fetare apo politike, shkelje me pijet alkoolike…”, – tha Kodheli. Pas pyetjeve, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, hodhi projektligjin në votim në parim, duke e mbyllur çështjen. “E mbyllim këtu këtë çështje, meqenëse janë edhe dy çështje të tjera dhe zonja ministre ka edhe një angazhim tjetër. Faleminderit”, – tha ai. Kjo mbyllje në këtë formë nuk është mirëpritur nga deputeti socialist Bashkim Fino, i cili pas largimit të ministres kërkoi të dinte nga kryetari Komisionit se pse ligji nuk u votua në tërësi. “Ministrja kishte një urgjencë”, – tha Xhafaj. Kjo përgjigje nuk u mirëprit nga Fino, i cili mbylli debatin duke pohuar: “Kur marrim një ligj e shtyjmë deri në fund, kaq kërkoj unë në qoftë se keni mundësi”. Ligji i ri sa i përket disiplinës në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë ka ndryshime masash j me ligjin e vitit 2004, duke nisur që nga masat më të lehta e deri tek pezullimi apo lirimi nga detyra. Në shkeljet shumë të rënda do të përfshihen mbështetja e fushatës së një partie ose organizate politike; ndihma, përkrahja ose pjesëmarrja në aktivitete të organizatave politike. Tek shkeljet e rënda do të përfshihen publikimi apo dhënia në media e informacioneve, që lidhen me veprimtarinë e FA si dhe shpërndarja e dokumenteve zyrtare të paklasifikuara si edhe publikimi në rrjetet sociale të pamjeve personale apo të çdo efektivi të Forcave të Armatosura me armatim ushtarak.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency