Sonila Mesareja
Prokuroria: Lidhi dy kontrata për furnizim me ilaçe në kundërshtim me ligjin për prokurimet, favorizoi njërën nga kompanitë
Lidhi dy kontrata furnizimi për spitalin që drejtonte pa kryer më parë asnjë procedurë tenderimi dhe në këtë mënyrë favorizoi vetëm një shoqëri farmaceutike. Për këtë akuzë të shkeljes së barazisë në tendera, tashmë ish-kreu i spitalit të Vlorës do të duhet të përballet me gjykatën. Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet dhe dërgoi për gjykim ish-drejtorin e Spitalit Rajonal Vlorë, Remzi Haxhiu, i akuzuar për veprën penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”. Nga hetimi i Prokurorisë ka rezultuar se, pa respektuar procedurat ligjore të tenderimit, ish-zyrtari ka lidhur dy kontrata furnizimi me një subjekt privat, për pajisjen me medikamente dhe me mjete spitalore, në vlerë totale rreth 1.9 milionë lekë të reja. Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se ish-Drejtori i Spitalit Rajonal Vlorë ka lidhur kontratë me këtë subjekt privat, pa zhvilluar asnjë procedurë tenderuese, duke mos respektuar në këtë mënyrë përcaktimet e ligjit “Për prokurimet publike”.
Hetimi
Në përfundim të hetime paraprake për këtë procedim penal ka rezultuar se i pandehuri Remzi Haxhiu, në cilësinë e ish-Drejtorit të Spitalit Rajonal Vlorë, ka lidhur dy kontrata me shoqërinë “O…P…G” sh.p.k, me objekt furnizimin e Spitalit Rajonal Vlorë me medikamente mjekësore, në kundërshtim me rregullat e prokurimit të përcaktuara nga ligji dhe aktet nënligjore, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e mësipërme. Më konkretisht; sipas akuzës, spitali Rajonal Vlorë i përfaqësuar nga i pandehuri Remzi Haxhiu, ka lidhur me shoqërinë “O..P..G” sh.p.k, me përfaqësues ligjor shtetasin N.Ç, kontratën dt.29.04.2013 me objekt furnizimi me materiale mjekimi për vitin 2013. Në këtë kontratë palët kanë rënë dakord që shoqëria të furnizojë me medikamente Spitalin Rajonal Vlorë, sipas një liste bashkëngjitur kësaj kontrate. Vlera totale e kontratës ka qenë në shumën 1.019.856 lekë. Nga verifikimet e kryera në Spitalin Rajonal Vlorë nuk rezulton që lidhur me këtë kontratë të jetë zhvilluar ndonjë procedurë prokurimi nga ana e Spitalit Rajonal Vlorë. Spitali Rajonal Vlorë i përfaqësuar nga ish Drejtori Remzi Haxhiu, ka lidhur me shoqërinë me përfaqësues ligjor shtetasin N.Ç, kontratën prot dt.29.04.2013 me objekt furnizimi me materiale mjekimi për vitin 2013. Në këtë kontratë palët kanë rënë dakord që shoqëria “O…P…G” sh.p.k të furnizojë me medikamente Spitalin Rajonal Vlorë, sipas një liste bashkëngjitur kësaj kontrate. Vlera totale e kontratës ka qenë në shumën 7.918.978 lekë. Nga verifikimet e kryera në Spitalin Rajonal Vlorë nuk rezulton që lidhur me këtë kontratë të jetë zhvilluar ndonjë procedurë prokurimi nga ana e Spitalit Rajonal Vlorë.
Përmbajtja e kontratave
Sipas akuzës së Vlorës, në përmbajtjen e kontratave është përshkruar se ato janë lidhur duke u bazuar në V.K.M nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, Kreu IV, pika (5), gërma (a), paragrafi (2). Dispozita e mësipërme bën fjalë për procedurën e prokurimit me negocim, pa botim paraprak të njoftimit të kontratës, e cila është një ndër llojet e procedurës së prokurimit. Kjo dispozitë bën fjalë për rastet e prokurimit me negocim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës, në rastet kur për arsye teknike a artistike, ose për arsye, që lidhen me mbrojtjen e së drejtës ekskluzive apo të autorit, kontrata mundet të lidhet vetëm me një operator të vetëm. Ky kusht plotësohet vetëm në rastet e artikujve, për të cilat nuk ka konkurencë në treg dhe kur një gjë e tillë vërtetohet nga autoritetet përkatëse që mbikëqyrin konkurencën në treg. Në rastin konkret kontratat kanë pasur për objekt medikamentet mjekësore për të cilat ka konkurencë në treg dhe që janë lehtësisht të ofrueshëm në treg nga shumë operatorë ekonomik. Nuk ekziston asnjë dokumentacion nga autoritetet përkatëse që mbikëqyrin konkurencën në treg, në mënyrë që në rastin konkret të vërtetojë mungesën e konkurencës në treg të medikamenteve mjekësore, ku përfshihen artikuj të tillë si aparate tensioni, aparate serumi me age flutur, kapëse, filma, doreza, glukozë, vitamina, si dhe medikamente të tjera që munden të gjenden lehtësisht në treg. Gjithashtu, edhe nëse do të zbatohej kjo lloj procedure përsëri duhej që nga titullari i autoritetit kontraktor duhet që të nxirrte urdhërin për prokurim, duhej që njësia e prokurimit të përgatiste dokumentat e tenderit, si dhe komisioni i vlerësimit të ofertave duhet të shqyrtonte dhe vlerësonte ofertat e paraqitura, siç parashikohet në Kreun V të V.K.M-së me nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”. Në gërmen (c) të pikës (5) të Kreut IV të V.K.M-së nr.1, datë 10.01.2007 është parashikuar shprehimisht që urdhëri për prokurim, i cili duhet të nxirret nga titullari i autoritetit kontraktor, duhet që të paraqesë arsyet e përdorimit të kësaj procedure, ku autoriteti kontraktor fton jo më pak se tre kandidatë për të garantuar konkurencë dhe barazi ndërmjet tyre.
Shkeljet
I pandehuri Remzi Haxhiu, në cilësinë e ish-Drejtorit të Spitalit Rajonal Vlorë në lidhjen e dy kontratave të mësipërme të furnizimit, pa zhvilluar asnjë procedurë prokurimi pavarësisht llojit të saj, por duke lidhur drejtëpërdrejtë kontratat e furnizimit, ka vepruar në kundërshtim me kërkesat e nenit 29 dhe 33 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, si dhe në kundërshtim me kërkesat e Kreut IV dhe V të V.K.M-së me nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, duke krijuar kështu avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë “Omega Pharma Group” sh.p.k. Në rrethanat e mësipërme, rezulton se në rastin konkret nga ana e të pandehurit Remzi Haxhiu, në cilësinë e ish Drejtorit të Spitalit Rajonal Vlorë, janë konsumuar të gjithë elementët e figurës së veprës penale “shkelja e barazisë në tendera apo ankande publike”, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Gjatë hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal janë marrë në përgjegjësi penale edhe shtetasit N.Ç dhe personi juridik “O…P…G” sh.p.k, për kryerjen e veprës penale “falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal. Nga hetimet janë krijuar dyshime se nga ana e shtetasit N.Ç, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të shoqërisë “O…P…G” sh.p.k, janë përdorur në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë disa dokumente me përmbajtje të rreme. Për veprimet e kryera nga personat e mësipërm të lidhur me kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, është vendosur ndarja e çështjes dhe vazhdojnë hetimet.