Dëshmia e gruas: Na dhunoi mua dhe dy vëllezërit e mi dhe pastaj i vuri flakën shtëpisë
Tiranë
Një 21-vjeçar është dënuar nga gjykata pasi ka dhunuar nënën e tij me argumentin se për shkak të saj nuk i kishte ecur në emigracion. Sipas vendimit të gjykatës, e cila e ka dënuar të riun me 1 vit e gjashtë muaj burg, denoncimi është bërë nga shtetësja e dhunuar Z. Mija, banuese në “Instituti Bujqësor”, e cila e kishte fëmijë të vetëm të pandehurin. Sipas kallëzueses, ajo ka bërë me dije se jeton në të njëjtën banesë së bashku me vjehrrën dhe djalin e saj, ndërkohë që është bërë objekt i dhunës fizike pikërisht nga ana e djalit të saj Nexhip Mija, pa ndonjë shkak. Gruaja bëri me dije se janë dhunuar edhe dy vëllezërit e saj, të cilët njoftuan policinë për agresivitetin e nipit. Dhe, si të mos mjaftonte dhuna ndaj familjarëve, i pandehuri i vuri flakën edhe banesës ku jetonte, duke shkrumbuar sende të shtëpisë dhe kursimet e familjes.
Dëshmia
Në dëshminë e saj, nëna e dhunuar bën me dije se “në date 25.08.2014, rreth orës 01.00, djali im Nexhipi është kthyer nga Maqedonia ku ishte për emigracion dhe ka filluar të bëjë sherr duke më akuzuar se nuk i ecte puna në emigrim për shkakun tim, dhe akuza të pakuptimta. Pas këtyre fjalëve, ka filluar të më godasë me grushta në kokë e pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas është larguar. Rreth orës 07.30 kam njoftuar me telefon vëllezërit e mi për të sqaruar situatën, pasi nuk mund të duroja më dhunën fizike të djalit tim. Dy vëllezërit kanë ardhur tek shtëpia rreth orës 08.00 dhe kanë kontaktuar me Nexhipin, por ai i ka qëlluar të dy me grusht. Pas kësaj, dy vëllezërit kanë dalë nga banesa dhe kanë njoftuar policinë me telefon. Duke qenë se Nexhipi mori vesh se vëllezërit kishin njoftuar policinë, ka mbyllur derën e katit të parë nga brenda dhe i ka vënë zjarrin dhomës së gjumit ku po flinte. Pasi i ka vënë zjarrin, ka hapur derën dhe ka dalë duke mbajtur një thikë në dorë. Pasi kanë ardhur punonjësit e policisë, ata e kanë neutralizuar dhe e kanë shoqëruar në komisariat, ndërsa pak më vonë kanë ardhur zjarrfikësit dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve”. Kallëzuesja deklaroi se si pasojë e zjarrit të vënë në banesë, janë djegur sende të ndryshme dhe kursimet e familjes, në një vlerë të përgjithshme prej afro 2-3 milionë lekë të vjetëra. Gjithashtu, gruaja e dhunuar deklaroi se është bërë objekt i dhunës së djalit të saj edhe herë të tjera, por ajo nuk e ka denoncuar, pasi i ka ardhur keq për djalin e saj, por këtë herë sipas saj gjendja ishte bërë e padurueshme.