Kërkesa/ Mbyllen hetimet për ushtarakët që tregtonin eksploziv C4, dosja në Gjykatë

0
185

Alma Çuka

 Eksplozivi i vjedhur përdorej për prishjen e ndërtimeve pa leje. 97 kilogramë lëndë plasëse dhe mjete luftarake u zbuluan në banesat e tyre. Hetimet zgjatën gjashtë muaj

eksploziviOrgani i Prokurorisë mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim katër persona, akuzuar për veprën penale “Mbajtje të armëve luftarake” në sasi të mëdha. Ilir Dhimo, Pëllumb Daci, Emiledi Taku, Artur Çelo janë të pandehurit, për të cilët prokuroria pretendon se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë arritur të konsumojnë veprën e mësipërme penale. Akuza teksa ka dërguar dosjen në gjykatë, është e bindur se ka brenda saj provat e mjaftueshme, teksa rendit materialet e sekuestruara në banesat e të pandehurve, fill pas arrestimit. Mes të pandehurvë dy kanë qenë në detyrën e ushtarakut. Ata janë Ilir Dhimo, me detyrë xhenier dhe Pëllumb Daci. Këta dyshohet se janë edhe personat që siguronin bazën e materialeve që në këtë rast ka lidhje me lëndën eksplozive C4, ndërsa dy të tjerët siguronin tregun e shitjes. Prokuroria thotë se në total, ta pandehurve në banesë u është gjetur dhe sekuestruar 97 kilogramë eksploziv C4.

 

Hetimi

Prokuroria thotë në kërkesën për gjykim se kallëzimi ndaj këtyre shtetasve u referua nga policia gjyqësore në komisariatin nr. 2 Tiranë. Nga hetimet e kryera lidhur me këtë çështje rezulton se, në datën 19.05.2014 rreth orës 20:30 në rrugën “Marie Logoreci”, është kryer kapja në flagrancë e shtetasve Ilir Dhima dhe Artur Çelo, gjatë veprimeve për shitjen tek shtetasi Emiled Taku, të një sasie rreth 9 kg lënde plasëse eksplozivi plastik që ishte ndarë në 8 kallëpe, të mbështjellë me letër natriban dhe që mbahej në një qese plastmasi me mbishkrimin “Big Market”. Konkretisht, rreth orës 20:30, punonjësit e policisë që mbanin në vëzhgim të dyshuarit, kanë parë shtetasit Emiled Taku dhe Artur Çelo që janë ulur në një lokal në afërsi të kryqëzimit të rrugës “Hoxha Tahsim” me rrugën “Sadik Petrela”. Disa minuta më vonë Arturi është larguar si këmbësor në drejtim të kryqëzimit të oxhakut me rrugën “Bajram Curri” ku është takuar me shtetasit Pëllumb Daci dhe Ilir Dhimo. Pasi është ndarë prej tyre, është rikthyer në lokalin ku e priste Emiledi. Ka qëndruar për pak momente brenda, pastaj ka dalë jashtë dhe ka shkuar tek i njëjti kryqëzim rruge ku aty është ritakuar me Pëllumbin dhe Ilirin. Pasi kanë biseduar për disa minuta, Arturi është larguar me Ilirin duke u futur në brendësi të lagjes, pranë shkollës “Hasan Prishtina”. Arturi ka pritur jashtë, ndërsa Iliri është futur në banesën e tij, në një pallat ndërtesë dykatëshe dhe ka dalë prej andej duke mbajtur në dorë një qese të bardhë me mbishkrim, të cilën e ka vendosur mbi një motor papaq. D. Pas kësaj të dy kanë hipur në motor ku Iliri si drejtues dhe Arturi si pasagjer dhe së bashku kanë shkuar në vendin ku po priste Emiledi. Ndërkohë drejt tyre me një biçikletë për dore, ka shkuar dhe shtetasi Pëllumb Çelo. Në momentin që do të bëhej këmbimi i sendit në qese, është mundësuar kapja në flagrancë.

Gjatë veprimeve të para hetimore, policia gjyqësore, ju ka sekuestruar shtetasve Artur Çela dhe Ilir Dhimo nëntë pako lëndë plasëse eksploziv plastik të mbështjella në plastmas të tejdukshëm me peshë 9.195 kg; një biçikletë ngjyrë blu (e Arturit); motori “Piaggio” 49 cc ngjyrë kafe (i Ilirit).

 

Materialet

Ndërkohë janë kryer kontrollet e banesave respektive ku gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ilir Dhimo në rrugën “Marie Logoreci” janë gjetur dhe sekuestruar sendet si me poshtë vijojnë. Shtatë arka druri me ngjyrë gri, me mbishkrimin 206-206H,  8-85-3 copë 432, ku tek secila dy kuti metalike dhe brenda tyre 36 kuti të vogla me nga 6 elementë metalik si ato të ndezësve të shkurtër të minave,  3 çanta nga të cilat, një ngjyrë jeshile ku brenda saj ndodhej një pajisje metalike jeshile e ngjashme me atë të aparatit plasës për kapsolla elektrike, një po ngjyrë jeshile ku ndodhej një pajisje kauçuku me butona dhe numra, e ngjashme me ato të aparatit plasës për kapsolla metalike dhe një ngjyrë kafe ku ndodhej një aparat metalik i ngjashëm me ato të plasësve për kapsolla metalike, kuti kartoni “Bake rolls”, me 120 kuti të vogla secila, me nga 6 elementë metalik si ato të ndezësve të shkurtër të minave, gjashtë tamburo me mbishkrimin “Cordtex”, 5 me ngjyrë të kuqe dhe një ngjyrë portokalli. Ku secila ka një kordon me veshje plastike me diametër 6 mm, me mbushje brenda ngjyrë qumështi si ajo e fitilit detonator, me peshë të përgjithshme këto 37.01 kg, Dy rrotulla si ato të fitilit zjarrpërcjellës, me ngjyrë të zezë me diametër 6 mm, me zemër baruti, nga të cilat një me mbishkrimin “numri makinës 4 e prodhoi tabaku” me peshë 1. 3 kg dhe tjetra pa mbishkrim, me peshë 1.02 kg, Dy tambure dhe dy tufa, me tel përcjellës elektrik të veshur me ngjyrë kafe dhe të zezë, 29 pako katrore me kapsolla detonatore secila me nga 100 copë ; Një kuti plastike cilindrike, me ngjyrë të bardhë me 27 copë kapsolla detonatore, 347 copë – kapsolla elektro-detonatore me trup alumini; 61 copë- kapsolla elektro-detonatore me trup bakri; 40 copë- kapsolla elektro-detonatore me trup alumini me vonesë; 40 copë- kapsolla elektro-detonatore me trup bakri me vonesë; kuti plastike, cilindrike me ngjyrë të bardhë, të mbyllura hermetikisht, me diametër 7.5 cm dhe lartësi 15.5 cm me gjithsej 27 copë ku ndodhen 20 copë kapsolla elektro-detonatore alumini dhe një kuti e hapur me 11 copë kapsolla (gjithsej 551 copë); lëndë plasëse ekslpozivi plastike e paketuar dhe ambalazhuar me plastikë të tejdukshme, gjithsej 34 pako dhe njëra gjysmë; dy arka druri me mbishkrimin 40-5-56o mu ndodhen 16 pako me lëndë plasëse eksplozivi plastik; një arkë druri me mbishkrimin 40-5-56o ku ndodhet një lëndë e bardhë si ajo plasëse e eksplozivit plastik (e papaketuar) me peshë 67. 205 kg, ndërsa ajo e papaketuar 21.4 kg; tre shkrehës me veprim me tërheqje; 5 copë kapsolla për armë gjahu; dy copë pinca me ngjyrë të zezë si ato që përdoren për minatorët; 12 copë fishekë arme zjarri të kalibrit 7.62 mm mod 54; 17 copë fishekë arme zjarri të kalibrit 7.62 mm mod 56; 5 copë fishekë arme zjarri me markerimin 61-55; 2 copë fishekë arme zjarri me markerimin U 73-4; 69; gjashtë vula të ndryshme me mbishkrime hotelesh të ndryshme.

 

Deklarimet

Në deklarimet si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Ilir Dhimo shpjegon se është oficer me gradë kapiten, efektiv në Ministrinë e Mbrojtjes me profesion xhenier të cilin e ka ushtruar gjatë gjithë kohës nga viti 2002 kur ka përfunduar studimet. Për shkak të detyrës ka përvetësuar sasi eksplozivi dhe aksesorë të tjerë si kapsolla detonatore, elektrike, fitil zjarrpërcjellës, fitil detonant etj. Disa vite me parë ( 2011) ishte njohur me Pëllumbin në atë kohë zv.komandant i batalionit të armatimit dhe municionit dhe merrej me transferimin e municioneve për demontimin, shkatërrimin e tyre. Pëllumbi i kishte kërkuar t’i siguronte municione xheniere dhe ai kishte pranuar duke i premtuar nëse do t’i jepej mundësia. Në vitin 2011, gjatë kohës që ishte marrë me asgjësimin e municioneve xhenjere (të llojit eksploziv plastik) në poligone të ndryshme si Bizë e Martaneshit, Qafë e Barit, Zgarë, Librazhd, Bigas në Skrapar ka siguruar sasi të ndryshme lënde plasëse plastike dhe municionesh të cilën ia ka shitur shtetasit Pëllumb Daci sa herë që ai e porosiste. Prej vitit 2011 pohon se në total i kishte shitur rreth 40 kg lëndë plasëse plastike ose C 4 kundrejt shumës 2000 lekë të reja për kg, rreth 5 mijë kapsolla elektrike me 20 lekë të reja copën, 10 mijë kapsolla detonatore me nga 30 lekë të reja copën, 10 topa me nga 50 metra secili fitil zjarr përcjellës me 2 000 lekë të reja topin, 5 metra fitil detonator. Sipas tij aparatet detonatore që përdoren për të plasur kapsollën elektrike pasi lidhen me rrjetin elektrik, i ka marrë me firmë në tetor 2013 nga reparti ushtarak ku punon dhe i ka përdorur për të shpërthyer lëndën plasëse për ndërtimet pa leje nga INUK. E njëjta gjë pra, që i ka marrë me firmë nga reparti dhe i ka përdorur për shkatërrimin e ndërtimeve pa leje dhe për sa i përket telit përcjellës elektrik që i është gjetur gjatë kontrollit në banesë. Sipas tij, Pëllumbi i kishte thënë se lëndën eksplozive e donte për ta shitur në gurore, por pa i specifikuar vendin konkret. Në të gjitha raste kur kishte marrë porositë e kishte takuar vetëm dhe vetëm në një rast kishte shkuar i shoqëruar me një person tjetër.

 

Deklarimi 2

Në deklarimet si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Artur Çelo, shpjegon se ka njohje me Pëllumbin dhe Emiledin. Në lidhje me Emiledin, i cili i kishte kërkuar ti gjente një sasi tritoli, për të cilën do shpërblehej 100 mijë lekë kishte ndërmjetësuar tek Pëllumbi. Ditën e ngjarjes Pëllumbi e kishte kontaktuar me shitësin e lëndës plasëse, që ishte me një motor papaq dhe i ka thënë ta kontaktonte me blerësin. Pasi kanë hipur të dy në motor kanë shkuar në vendin ku i priste Emiledi por në momentin që shitësi, Iliri, i ka zgjatur qesen kallëpet me tritol janë kapur nga policia. Në deklarimet si person ndaj të cilit zhvillohen hetime shtetasi Pëllumb Daci pohon njohjen e tij prej 6-7 vjetësh me Ilir Dhimon me të cilin kishte punuar në një brigadë logjistike, si dhe njohjen prej dy vitesh me Artur Çelën nëpërmjet një të treti. Ai mohon të ketë blerë ndonjëherë tek Ilir Dhimo lëndë eksplozive tritol dhe se në vendin e ngjarjes kishte qenë thjesht për të shoqëruar të njohurin e tij Artur Çela i cili do të merrte një porosi. Arturi i kishte dhënë biçikletën meqenëse ishte në këmbë dhe i kishte thënë ta priste pak më tej së bashku me një djalë tjetër, të panjohur për të. Në distancë kishte parë Arturin të fuste në xhepin e xhupit një kartëmonedhë 10-mijëlekëshe. Kishte pritur rreth 30 minuta dhe pasi ai nuk kishte ardhur i ka telefonuar disa herë por nuk i është përgjigjur. Kur ka vendosur të largohej në atë moment është kapur nga policia.

 

Deklarimi 3

Ndërsa në deklarimet e tij shtetasi Emiled Taku shpjegon se prej një viti njihej me shtetasin Artur Çelo, dhe se i ishte drejtuar atij ti gjente një sasi eksplozivi të llojit tritol, që kërkonte një i njohuri i tij për furrën e gëlqeres. Arturi i ishte përgjigjur se do ta ndihmonte duke i thënë se për këtë do ti drejtohej një shokut të tij ushtarak me emrin Pëllumb. Ditën e kapjes në flagrancë shpjegon se takimet dhe kontaktin e Pëllumbin ku fillimisht rreth orës 17:00 tek zogu i Zi dhe më pas pranë “Xhamllikut” i kishte pasur Arturi dhe se në momentin që ai kishte ardhur me motor së bashku me personin që dispononte tritolin ishin kapur në flagrancë nga policia. Në lidhje me klientin  e interesuar për blerjen e tritolit, shtetasi Emiledi Taku shpjegon se nuk di as emrin dhe as të dhëna të tjera përveçse e njihte për fytyrë.

 

Të pandehurit

Ilir Dhimo, datëlindja 1978,hetuar në gjendje arresti nga data 20.5.2014.

Akuzuar : Për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” në sasi të mëdha, të parashikuar nga neni 278/5 i K. Penal (dy herë) (ndryshuar me ligjin nr. 144/2013),

Pëllumb DACI, dtl. 1966, hetuar në gjendje arresti nga data 20.05.2014.

Emiledi TAKU, datëlindja 1987, hetuar në gjendje arresti nga data 20.05.2014.

Artur ÇELO, datëlindja 1974, hetuar në gjendje arresti nga data 20.05.2014.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency