Takimi/ Basha, FMN-së: Rritet çmimi i energjisë, s’ka reformë. Buxheti, për interesat e qeverisë

0
153

Gëzim Saliu

 “Kryeministri kërcënon e ndëshkon qytetarët që s’kanë mundësi financiare, në vend që t’u japë atyre mundësi për të bërë shlyerjen e detyrimeve”

basha me ilahinKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim që zhvilloi me përfaqësuesit e FMN-së, Nadeem Ilahi dhe Jens Reinke, dënoi aksionet selektive të qeverisë për energjinë elektrike, duke nënvizuar se po kërcënohen e po ndëshkohen qytetarët që nuk kanë mundësi financiare. Duke e përqendruar vëmendjen tek situata mbi sektorin energjetik në vend, kryedemokrati Basha i bëri të ditur përfaqësuesve të FMN-së se për ato shtresa që nuk kanë mundësi të shlyejnë energjinë, qeveria duhet të paraqesë mundësi për ta realizuar këtë pjesë. Por sipas kreut të opozitës, qeveria nuk ka asnjë reformë në sektorin energjetik: “Por thjesht një masë shtrënguese në kurriz të shqiptarëve, duke rritur çmimin e energjisë, duke ua ndërprerë energjinë atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë, pasi janë pa punë dhe në mjerim ekonomik”. Në këtë kontekst, Basha gjithashtu shprehu shqetësimin për mungesën e transparencës që tregon qeveria në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë. “Është vetë qeveria që nuk shprehet se sa do të rritet çmimi, ndërkohë që KESH, OST dhe OSHE që janë agjenci shtetërore, kanë dërguar kërkesat për rritje çmimi. Pra, nga njëra anë qeveria kërkon rritje çmimi dhe nga ana tjetër nuk po ia thotë shqiptarëve sesa do të rritet çmimi”, – tha ai. Uke mbetur tek ky diskutim, Basha u kujtoi përfaqësuesve të FMN se qeveria erdhi në pushtet me premtime si; ulja e çmimit të energjisë, heqja e TVSH-së për energjinë, por sipas tij nuk bën asgjë, vetëm sa e rritën çmimin.

 

Buxheti

Duke u ndalur në buxhetin e vitit 2015, kreu i PD-së u shpreh i shqetësuar për faktin se janë rritur shpenzimet qeveritare ndërkohë që janë ulur investimet, janë ulur fondet për mbështetjen sociale. Sipas Bashës me buxhetin e ri nuk është shtuar numri i infermierëve apo mësuesve, por i policëve dhe i punonjësve të INUK-ut. “Rritja e re e taksave është e papranueshme ndërkohë që rritja e një viti më parë ka dhënë pasoja dramatike në ekonominë e vendit. Një rritje e re do të thellojë recesionin e do të ketë pasoja katastrofike”, – pohoi Basha në bisedën me dy përfaqësuesit e FMN-së. Ndërkohë në një koment mbi deklaratat e Kryeministrit në mbledhjen e Këshillit të Ekonomisë, Basha tha se shqiptarëve po u shtrëngohet rripi çdo ditë e ndërsa, sipas tij, Kryeministri pohon: “Jemi në valsin e lumturisë”. “Mbyllen bizneset dhe nuk hapet asnjë vend pune. Rriten tarifat e universiteteve dhe ulen kuotat. Rriten taksat por bien te ardhurat. Informaliteti me bekim qeveritar bekon klientët e pushtetit”. Duke u përqendruar tek komenti i kreut të qeverisë për hapjen e vendeve të reja të punës, kryedemokrati tha se Rama konfirmoi se qeveria po synon ta shesë formalizimin si punësim. “Sapunin për djathë i thonë kësaj. Pas legalizimit falas, shëndetësisë falas dhe uljes së çmimit të energjisë, punësimi konfirmohet si mashtrimi i radhës i Edi Ramës”, – deklaroi Basha.

 

Ndalimi i lejeve të vendorëve/ Kushtetuesja merr në shqyrtim kërkesën e Shoqatës për shfuqizimin e vendimit

Pas vendimit të qeverisë për bllokimin e lejeve të ndërtimit, bashkitë kërkojnë shfuqizimin e vendimit në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit marrë në shqyrtim kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, të cilat kërkojnë shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për pezullimin e lejeve të ndërtimit, deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale të 2015-ës. Nga ana tjetër, Gjykata ka rrëzuar kërkesën e pezullimit me argumentin se çështja do të shqyrtohet në themel. Pas kësaj palët kanë parashtruar para trupës gjyqësore argumentet e tyre. Shoqata e Bashkive e cilësoi këtë vendim të KKT-së si ndërhyrje në pavarësinë e pushtetit vendor dhe cenim të rëndë në procesin e decentralizimit të pushtetit. Gjithashtu ky vendim për pezullimin e lejeve zhvillimore shkel sipas saj rëndë Kushtetutën e vendin në dy nene dhe është në kundërshtim me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore. Edhe për një rast rreziku mbi një objekt është kryetari i njësisë që merr vendimin pezullimi”, – tha Dhurata Çupi, si përfaqësuese e Shoqatës së Bashkive. Po ashtu edhe përfaqësuesi ligjor Ivi Kaso tha se dhe vetë vendimi i marrë nga qeveria nuk është i drejtë pasi, sipas tij, ligji për ndarjen e re administrative kërkon riorganizimin e planeve rregulluese, por vendimi i pezullimit për zhvillimin e territoreve ka dalë para se ligji të hyjë në fuqi. Ndërkaq, palët e interesuara në këtë proces, Këshilli i Ministrave dhe KKT-ja, sqaruan se vendimi i pezullimit të lejeve të ndërtimit është marrë për të vendosur rregull në territor. “Nuk është përjashtuar pushteti vendor, por është kërkuar bashkëpunim në hartimin e planit të ri”, – tha Lindita Gaba e KKT-së. Pas dëgjimit të palëve Gjykata vendosi të mbyllte shqyrtimin dhe në ditët në vijim do të shprehet me vendim për kërkesën e bërë nga Shoqata e Bashkive.

 

 Tarifat doganore te Veprimtaria Prodhuese/ Deputetët votojnë për uljen e taksave të kompanive të riciklimit, qeveria kundër

Deputetët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese propozuan dje ulje të taksave për kompanitë e riciklimit. Në diskutimin e tarifave të reja doganore, deputetët folën edhe për importin e mbetjeve, duke kërkuar uljen e taksave që do të sillte, sipas tyre, nxitjen e bizneseve për të ricikluar më shumë mbetje. “Mbetjet që riciklohen brenda vendit, dhe pse janë taksuar fillimisht kur janë përdorur si produkt i parë, jo vetëm prodhues, nuk kanë nxitje të grupeve të interesit, të biznesit që ti grumbullojnë për shkak të taksës që është 50 lekë të vjetra për kg, ose 500 dollarë për ton”, – u shpreh Besnik Bare. Po ashtu, kryetar i Komisionit, Eduart Shalsi tha se duhet të mbështeten kompanitë ricikluese pasi vetëm 10% e mbetjeve riciklohen në Shqipëri. “Në shkronjën ‘a’ në paragrafin e parë dhe të fundit, fjala ‘taksa për ambalazhet e prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend caktohen në masën 50 lekë për kg’, të zëvendësohet me fjalët ‘taksa për ambalazhet e prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend caktohen në masën 1 lekë për kg”, – u shpreh Eduart Shalsi. Kërkesa e deputetëve është kundërshtuar nga ekspertët e Ministrisë së Financave, me argumentin se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk pranon reduktimin e taksave me biznesin. Pavarësisht kësaj, në përfundim të mbledhjes, komisioni ka propozuar ulje të taksave për kompanitë e riciklimit.

 

 Nuk përfshihen në ligjin e legalizimeve/ Avokati i Popullit, INUK-ut: Mos prish objektet e ndërtuara para gushtit të `91-shit

Avokati i Popullit kërkoi dje nga INUK-u të mos prishë objektet e ndërtuara para gushtit të vitit 1991, pasi ato nuk përfshihen në ligjin e legalizimeve dhe, si të tilla, në bazë të një vendimi të qeverisë në vitin 2012 ato do të pajisen me akt pronësie. Si të tilla, ato përfitojnë dëmshpërblim kur bëhet fjalë për ndërtimin e projekteve të mëdha si Unaza e Madhe në kryeqytet apo të tjera. “Një numër i konsiderueshëm prej tyre kanë disponuar akte për banesat që i disponojnë edhe sot, përpara gushtit `91. Ato kanë bërë aplikim pranë ALUIZNI-t për legalizimin, gjë që është e gabuar pasi ligji nuk e përfshin këtë kategori. U duhet dhënë një mundësi këtyre subjekteve për të marrë certifikatën e pronësisë”, – deklaroi Arben Gjoleka, ndihmëskomisioner pranë AP. Organet vendore në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave duhej t’i kishin pajisur me akt pronësie këto subjekte. Nëse atyre u prishen nga INUK, atëherë ata nuk mund të aplikojnë më dhe rrjedhimisht humbin dëmshpërblimin. Por komisionerja e Avokatit të Popullit i kërkon INUK që për subjekte të cilat janë për t’u prishur t’u jepet më parë procesverbal pronarëve të tyre. “Është vënë re se procedura ligjore për t’u ndjekur për konstatimin, si për shembull procesverbali që duhet të firmosë një individ për të thënë se mori dijeni për vendimin e INUK-ut, nuk është respektuar dhe kjo ka rezultuar në një pjesë të madhe të rasteve që ne kemi administruar”, – deklaroi ajo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency