Sistemi i pagesave në Shqipëri

0
310

paymentNëse na pyesin: “Për çfarë mendoni ju, kur thoni “pagesë”?”, si do të përgjigjeshim? Për shumicën nga ne, ajo çka na vjen në mendje, janë shembujt nga jeta jonë e përditshme: pagesa për ushqimet, pagesa e kësteve të kredisë për shtëpinë, të kredisë për makinën, pagesa për një darkë në restorant, pagesa e qirasë ose marrja e pagës. Dhe, kur mendojmë se si bëhen këto pagesa, na vijnë në mendje pamjet e kartëmonedhave e të monedhave, të çekut, të kartave të kreditit ose ndoshta një depozitim në llogari. Ajo çka nuk na shkon gjithmonë në mendje, janë aktivitetet që ndodhin prapa këtyre skenave. Çdo pagesë që bëhet, pra çdo transferim vlere, për shembull, nga ju tek i zoti i shtëpisë tuaj ose nga punëdhënësi juaj tek ju, përmban në vetvete një numër hapash. Këta hapa sigurojnë që, pagesat të kryhen ashtu siç duhet. Le të marrim një shembull tjetër. Të përdorësh një çek duket diçka e thjeshtë. Ta zëmë se, në fillim të çdo muaji, ju plotësoni një çek për pagesën e qirasë, duke shkruar mbi të emrin e qiradhënësit tuaj dhe shumën e qirasë që i detyroheni. Pastaj e nënshkruani atë, ia dorëzoni qiradhënësit dhe, disa ditë më vonë, kjo shumë rezulton e zbritur nga llogaria juaj rrjedhëse. Fillimisht, qiradhënësi juaj i jep çekun bankës së tij, Bankës A. Pastaj Banka A dërgon çekun në bankën tuaj, Banka B dhe, një kërkesë për pagesë, në Bankën Qendrore, e cila luan rolin e ndërmjetësit. Banka Qendrore bën rregullimin në llogaritë e të dyja bankave, duke debituar llogarinë e Bankës B dhe duke kredituar llogarinë e Bankës A. Pas kësaj, Banka B, zbret shumën e qirasë nga llogaria juaj, ndërsa Banka A i bën fondet të disponueshme në llogarinë e qiradhënësit dhe kështu, pagesa është përfunduar. A janë të gjithë këta hapa vërtet të nevojshëm? Pa dyshim, që janë! Kujtoni që, një pagesë ishte një transferim vlerash. Kështu që, megjithëse mund të duket e kundërta, një çek, nuk është në fakt, një pagesë. Në të vërtetë, një çek përfaqëson një kërkesë për pagesë. Ne i kërkojmë bankës tonë të bëjë një transferim parash nga llogaria jonë në llogarinë e qiradhënësit. Hapat e mësipërm janë ata, që bëjnë të mundur ekzekutimin faktik të pagesës. Le të marrim shembullin e një mënyre tjetër pagese. Supozojmë se, për të paguar qiranë, ju nuk lëshoni një çek, por plotësoni një urdhërpagesë. Ky është një formular i gatshëm, të cilin jua vë në dispozicion banka juaj, Banka B. Ju plotësoni në të, numrin e llogarisë tuaj dhe të qiradhënësit tuaj si dhe shumën e qirasë. Pasi e nënshkruani, e dorëzoni atë në bankën tuaj. Si është skema e lëvizjes së pagesës, në këtë rast?

 

Shembulli

Pas dorëzimit të urdhërpagesës në bankë, Banka juaj, Banka B, zbret shumën e caktuar nga llogaria juaj dhe dërgon një instruksion elektronik pagese në Bankën A (banka e qiradhënësit). Përveç kësaj, ajo i dërgon edhe një urdhër për pagesë, Bankës Qendrore, e cila është në rolin e ndërmjetësit. Banka Qendrore kryen rregullimet në llogaritë e të dyja bankave dhe, Banka A, pasi merr konfirmimin për disponueshmërinë e fondeve, krediton llogarinë e qiradhënësit tuaj. Siç shihet, edhe me këtë mënyrë, pagesa përfundon pas kalimit në një numër të caktuar hallkash, të cilat janë të domosdoshme për ta bërë të besueshëm këtë transferim vlerash. Hapat e përfshirë në kryerjen e një pagese, mund të ndahen në dy kategori: ata që ndihmojnë në klerimin – procesi i transmetimit, shkëmbimit dhe, në disa raste, i konfirmimit të kërkesave të pagesës – dhe në ata, që ndihmojnë në shlyerjen – hapi i fundit, i pakthyeshëm, i transferimit të pronësisë që përbën pagesën. Në shembullin e çekut, klerimi është lëvizja e çekut nga institucioni depozitues, Banka A, për në bankën për të cilën ai ishte shkruar, Banka B. Shlyerja është pakësimi i shumës së qirasë nga llogaria juaj dhe shtimi i llogarisë së qiradhënësit tuaj.

 

Instrumentet letër

Çeku e urdhërpagesa janë instrumente tradicionale pagese. Forma e tyre është letër, pavarësisht se ndryshojnë nga elementet e sigurisë, nga formati apo nga informacioni që përmbajnë. Dallimi konceptual midis një çeku dhe një urdhërpagese është se, çeku është një instrument debiti, ndërsa urdhërpagesa është instrument krediti. Në një instrument krediti, urdhëruesi (ju) i jep instruksione drejtpërdrejt bankës së tij (Banka B) për të transferuar fonde në bankën e përfituesit (qiradhënësit). Në rastin e një instrumenti debiti, urdhëruesi (ju) i jep, paraprakisht, të gjitha instruksionet vetë përfituesit (qiradhënësit), i cili i kalon ato në bankën e tij, (Banka A) dhe, kjo e fundit ia kalon ato bankës së urdhëruesit (Banka B). Pra, në një transfertë krediti, instruksionet dhe fondet lëvizin në të njëjtin drejtim, kurse në një transfertë debiti, ato lëvizin në drejtime të kundërta. A ka mënyra të tjera pagese jocash? Sigurisht që, po! Në rastin e pagesës së qirasë me çek, ju do t‘ju duhet që të takoni çdo muaj qiradhënësin tuaj dhe t’i dorëzoni atij çekun; ndërsa në rastin e urdhërpagesës, do t’ju duhet të kaloni në bankë për ta plotësuar e dorëzuar. Ekziston një mënyrë më e thjeshtë dhe më komode për të kryer këtë pagesë. Ju mund t’i jepni bankës tuaj një urdhër për pagesë periodike, me anën e të cilit e autorizoni të kryejë në një datë caktuar të çdo muaji, pagesën për qiradhënësin, duke debituar për këtë llogarinë tuaj. Skema e lëvizjes së pagesës do të ishte e njëjtë me atë të urdhërpagesës, që pamë më lart, duke eliminuar Hapin 1, pasi, në këtë rast, banka juaj “do të kujtohej” vetë për kryerjen e pagesës së qirasë në datën e caktuar. Pagesa periodike është një mënyrë mjaft e përshtatshme për të paguar një detyrim mujor me një shumë fikse, siç është qiraja, kësti i kredisë apomirëmbajtja e ashensorit. Por, kjo mënyrë nuk mund të përdoret kur, na duhet të bëjmë një pagesë periodike, por jo me një shumë fikse, për shembull, pagesa e faturës së energjisë elektrike, e telefonit apo e celularit. Mënyra që mund të përdorim në këtë rast është urdhri për debitim direkt. Si funksionon ai? Ju duhet të paguani çdo muaj faturën e telefonit celular. Kompania e telefonisë celulare ju kërkon që t’i jepni një autorizim për debitim direkt, duke nënshkruar një formular të posaçëm, në të cilin ju shënoni emrin e bankës tuaj dhe numrin tuaj të llogarisë. Në çdo muaj, në datën e caktuar, kompania dërgon faturën tuaj në bankën e saj, Banka A, e cila i kërkon bankës tuaj, Banka B, të pakësojë llogarinë tuaj me shumën përkatëse. Debitimi direkt është një instrument debiti dhe hapat e pagesës janë të ngjashëm me ata të çekut. Sigurisht që, skema do të ishte më e thjeshtë, sikur llogaria juaj dhe ajo e qiradhënësit tuaj apo e kompanisë që kryen shërbimin për të cilin ju do të paguani, të ishin pranë të njëjtës bankë; në këtë rast pagesa do të përfundonte më shpejt dhe pa qenë nevoja e hallkës ndërmjetëse të Bankës së Shqipërisë.

 

Instrumentet elektronike

Instrumente të pagesave elektronike, mjaft të përhapura në ekonomitë e zhvilluara, janë kartat plastike. Ato mund t’i ndajmë në karta debiti, karta krediti dhe karta të parapaguara, megjithëse, në mjaft raste të gjitha këto funksione ndërthuren edhe në një kartë të vetme. Kartat e debitit i japin mundësi kartëmbajtësit që të tërheqë para nga llogaria e tij, jashtë bankës, në aparate automatike, të cilat quhen ATM (Automated Teller Machine). Përveç funksionit të tërheqjes cash në ATM, ato mund të përdoren edhe në pika shitjeje POS (Point-Of-Sale), në dyqane e restorante, në të cilat bëhet i mundur debitimi automatik i llogarisë së kartëmbajtësit dhe kreditimi i shitësit.

Kartat e kreditit tregojnë se, kartëmbajtësit i është çelur një linjë krediti. Ai mund të kryejë me të pagesa ose të tërheqë cash deri në një kufi të caktuar. Ndërkohë që, kartat e debitit kërkojnë një sistem on-line verifikimi dhe transmetimi të pagesës, kartat e kreditit, mund të funksionojnë off-line. Kartëmbajtësi blen mallra apo shërbime dhe nënshkruan një dëftesë për shitësin duke i treguar atij edhe kartën e kreditit. Shitësi verifikon që, ky nënshkrim të jetë i njëjtë me nënshkrimin e shënuar mbi kartë. Pas kësaj, shitësi i dorëzon dëftesat në bankën e tij, e cila, krediton llogarinë e shitësit dhe dërgon informacionin dhe kërkesën për pagesë në bankën e kartëmbajtësit. Shumat e përdorura të kredisë, kartëmbajtësi i shlyen brenda një periudhe të përcaktuar më parë.

Kartat e parapaguara janë karta në të cilat është “depozituar” një shumë parash, për të cilën kartëmbajtësi ka paguar paraprakisht. Ato janë të ngjashme me kartat e telefonit, por mund të përdoren, jo vetëm për një tip shërbimi, por për çfarëdolloj blerjeje. Këto karta quhen ndryshe, edhe para elektronike (emoney). Ato mund të ringarkohen me “vlera monetare”. Një mjet tjetër pagese elektronike, që po gjen përdorim të gjerë, kohët e fundit, është internet banking ose online banking. Kjo mënyrë i jep mundësi klientit të urdhërojë pagesa nga shtëpia apo nga zyra e tij, duke përdorur internetin. Ju mund të autorizoni një pagesë nëpërmjet kartës tuaj ose, thjesht të urdhëroni një transfertë nga llogaria juaj bankare, duke përdorur lidhjen në internet apo një lidhje direkte me bankën tuaj. Teknologjia e sotme krijon mundësinë e përdorimit të këtij shërbimi jo vetëm nga një kompjuter, por edhe nga telefoni celular.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency