Investimet tkurren, Shqipëria, jashtë interesit të investitorëve potencialë

0
166

financeNë vitin 2014 totali i investimeve në ekonomi parashikohet të tkurret me -0.4% në terma realë, duke kontribuar me -0.1 pikë përqindje në rritjen e PBB-së. Ministria e Financave në Programin Buxhetor Afatmesëm pranon se, shkak për ulje është bërë mosrealizimi i shpenzimeve publike në krahasim me vitin 2013, me 9.9% më pak, ndërsa investimet private parashikohen të rriten me rreth 2.3% në terma realë. Në vitin 2015 investimet totale parashikohet të rritet me 4.3% duke kontribuar me 1.2 pikë përqindje në rritjen ekonomike.

Në vitin 2016 investimet janë parashikuar të rriten me 5.8% me një kontribut prej 1.0 pikë përqindjeje në rritjen reale ekonomike. Ndërsa investimet private sugjerojnë për një ecuri pozitive të tremujorëve të fundit të këtij viti. importi i makinerive dhe pajisjeve u rrit me 14.1% në tremujorin e dytë. Flukset hyrëse të investimeve të huaja, përjashtuar të ardhurat nga privatizimet, u rritën me 4.6% në këtë tremujor. Bazuar në vrojtimin e bizneseve, balanca e investimeve të reja është ulur pak, në krahasim me përmirësimin e theksuar në gjashtëmujorin e kaluar. Megjithatë, ajo qëndron mbi mesataren afatgjatë. Sipas sektorëve, kontributin kryesor pozitiv e dha rritja e investimeve të reja të kryera nga sektori i shërbimeve dhe më pak nga sektori i industrisë dhe i ndërtimit.

Rritja e investimeve private është ndikuar pozitivisht nga përmirësimi i besimit të bizneseve, nga rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre, nga rritja e porosive të reja dhe nga lehtësimi i kushteve të kreditimit. Vijimi i rikuperimit të investimeve, do të varet nga gjallërimi i kërkesës konsumatore, si dhe nga vazhdimi i përmirësimit të kushteve financiare. Gjithashtu kredia dhënë për qëllim investimi regjistroi rritje pozitive në këtë periudhë, ndërsa, duke iu referuar të dhënave cilësore nga vrojtimi i besimit të bizneseve, gjendja financiare e bizneseve është vlerësuar e përmirësuar.

 

Ja si na kalon Serbia…

Serbia bëhet fuqia e re e Evropës Juglindore. Shqipëria nuk hyn në preferencat e investitorëve të huaj. Kriza ka ndikuar investimet e huaja në Evropë, ku më e prekura ka qenë Evropa Qendrore e Lindore dhe ajo Juglindore, sipas një raporti të fundit të publikuar nga Ernst & Young, “Tërheqja evropiane 2014” ku janë intervistuar 808 investitorë potencialë.

Për shkak të një ekspozimit të lartë ndaj shteteve evropiane, një sistemi bankar të brishtë dhe një varësi e lartë ndaj kredisë konsumatore pas krizës, numri i Investimeve të Huaja Direkte (IHD) të projektuara në Evropën Qendrore dhe Lindore (CEE) ra me 12% krahasuar me një rritje prej 19% në Evropën Perëndimore, midis 2009-2013 krahasuar me 2004-2008. Divergjenca është më se e dukshme në hapjen e vendeve të reja të punës, që ra 30% në CEE, krahasuar me një tkurrje prej 13% në Evropën Perëndimore.

Turqia, Rusia dhe Serbia janë bërë destinacionet e preferuara për investimet e huaja direkte në Evropën Qendrore dhe Lindore, si rrjedhojë e potencialeve të tyre të mëdha të tregjeve, forcës së punës së kualifikuar dhe përmirësimit të kushteve të biznesit. Gjithsesi, studimi është bërë përpara se tensionet gjeopolitike të ashpërsoheshin si rrjedhojë e konfliktit në Ukrainë. Raporti nuk e përmend fare Shqipërinë, si zgjidhje e preferuar për investitorët.

 

Edhe qytetet e Evropës Lindore mbeten prapa

Ashtu si me tërheqjen e vendit edhe tërheqja e perceptuar e shumë qyteteve në rajonin e Evropës Qendrore e Lindore ka rënë. Kur u pyetën të thoshin tre qytetet më tërheqëse në Evropë, vetëm 17% të të anketuarve përmendën qytetet të CEE. Kjo krahasohet me 82% që përmendën një qytet në Evropën Perëndimore dhe 19% që përmendën një qytet në Evropën Juglindore. Në linjë me rezultatet e vitit të mëparshëm, investitorët zgjodhën Londrën, Parisin, Berlinin, Frankfurtin dhe Mynihun si pesë destinacionet kryesore të investimit në Evropë. Moska ra nga vendi i 8-të në të dhjetin në listë. Praga dhe Varshava ranë në vendet e 12 dhe të 14 përkatësisht.

Marc Lhermitte, kreu i shërbime këshillmore të EY dhe autor i raportit komenton: “Kriza ekspozoi dobësinë e bazave ekonomike në CEE, që është e varur ndjeshëm nga konsumi dhe sistemi i saj bankar. Për më tepër, midis 2004 dhe 2008, rreth 75% e projekteve të IHD-së në rajonin e CEE e kishin origjinën nga vetë Evropa. Si rrjedhojë, kur goditi kriza, projektet e IHD-ve ranë ndjeshëm, duke arritur një nivel të ulët rekord në 2009”.

 

 Bashkia e Tiranës drejt projekteve të teknologjisë inteligjente

Bashkia e Tiranës do të zbatojë projekte që funksionojnë në bazë të teknologjisë inteligjente për të ulur trafikun në qytet dhe ndriçimin e rrugëve.

Këto dy projekte që priten të votohen në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, pritet të përmirësojnë ndjeshëm disa nga problematikat më të mëdha që hasin qytetarët. Menaxhimi i trafikut me anë të teknologjisë inteligjente pritet që të zgjidhë edhe problemin e parkingut, ndërsa për ndriçimin është parashikuar vendosja e llambave me energji diellore.

Tërheqja e investimeve të huaja, sidomos në sektorin e teknologjisë dhe elektronikës është një prioritet i qeverisë. Pa marrë në konsideratë këtu se një treg i përbashkët me vendet e rajonit ofron mundësi monetare për kompanitë e huaja mbi 300 milionë euro.

Zgjidhjet që ofrojnë teknologjitë “smart” po adoptohen gjerësisht nga të gjitha metropolet në botë. Ndoshta është rasti që të zbatohen edhe në Tiranë, edhe pse të vonuara në kohë.

 

 INSTAT përfiton 2.8 milionë euro nga Suedia

Qeveria suedeze mbështet me një fond prej 2.8 milionë euro INSTAT-in. Me këtë fond synohet përmirësimi i treguesve statistikor. Qeveria e Suedisë do të ndihmojë Institutin e Statistikave të Shqipërisë përmes Agjencisë Kombëtare Suedeze të Statistikave me një program asistence me vlerë rreth 26 milionë korona suedeze (2.8 milionë euro), i cili do të mundësojë përmirësimin e treguesve statistikorë ekzistues si dhe hartimin e treguesve të rinj statistikorë në përputhje me standardet e BE-së. Fokusin e marrëveshjes e zënë ritmika, metodologjia, saktësia, rritja e transparencës.

Për herë të parë në INSTAT do të krijohet një qendër trajnimi e cila do të shërbejë si shkollë jo vetëm për trajnimin e stafit të INSTAT-it dhe agjencive të tjera statistikore, por dhe një mundësi për t’u kualifikuar në fushën e statistikave të të gjithë aktorëve të tjerë, si studentë, stafe pedagogjike e më gjerë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency