Me krijue në Shqipni nji rrymë jete shpirtnore

0
185

 At Anton Harapi

Retro / Mendimi i viteve `30-`40 përballë socio-kulturës së sotme. Ese nga kjo plejadë, At Anton Harapi, botuar në librin “Vlerë shpirtërore”

At Anton HarapiNë mes të këtij tufani të tmerrshëm qi po e trandë anekand jetën shqiptare, ndërsa shoh qui pacem dicunt et desolationem faciunt, ata qi n’emën t’idealit e të kombsisë nuk po lanë gja pa përmbysë, rrij e përgjoj e me kënaqësi të madhe ndiej nji za zemre, gjamën e shpirtit të disa shqiptarëve vërtet fisnikë, të cilët tue u naltue mbi këtë shëmtim, mbërrijnë aty ku janë vlerat e visaret e jetës njerëzore e shqiptare, dhe me të tana ndiesitë nuk flasin, por si vigaj ulurojnë; zani i tyne asht kushtimi për kulturën e shpirtit shqiptar.

Njimend se këta janë pak, krahasue me faktorët e shkretnimit, por mjaftojnë me krijue në Shqipni nji rrymë jete shpirtnore.

Ju qi e dini mirëfilli se jeta shqiptare pa faktorin shpirtnuer nuk ka si me qenë, as pse me qenë; ju udhëhjeksa t’idesë e bashkëpunëtorë të mi, ju kam grishë këtu të prekeni e të rrëmbeheni nga kjo ushtimë shpirti e, ma me të dhanun se faktorët e rrënimit, t’i përveshemi punës për rindërtimin shpirtnuer në vendin tonë.

Vallë, pse tash tridhetë e sa vjet të pamvarësisë, me të gjitha përpjekjet për kulturë, erdhëm e u vorfnuem shpirtnisht? Ky problem i madh, për mue, ka nji shkak të vetëm, nji spjegim të thjeshtë: rreziku i ynë pse vumë leskër kulture d.m.th. nuk morëm kulturën vetë, por morëm format e përftimet e kulturës dhe i përshtatëm; shndërruem vlerat objektive me vlerat relative; përparuem për dukë, ndërsa realisht në shpirt borëm shumë, mbetëm mbrapa; u dhamë randësi të parë mjeteve e harruem qëllimin; tue kërkue ta bajm jetë sa ma të lehtë, shvleftësuem jetën vetë. Lavrimi i mendjes, trajtimin e vullndesës, ndiesitë e nalta shpirtnore i qitëm e i lamë në vend të dytë e të tretë. Faktori shpirtnor nuk pati vendin e vet, vendin e parë. Ja, sot në Shqipni nuk të pyetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don të dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në Bankë. Nuk po lypet të jesh i dijshëm, as i aftë, mjaft të dijsh me u mbajtë dhe me u dukë i tillë.

Ja, misioni i parë i këtij organi kulture shqiptare: me e vu në vendin e vet faktorin shpirtnor. Landa e veprimit tonë, pra, synon naltësimin e jetës njerëzore e shqiptare ndër gurrat e faktorët e vërtetë.

Si e dini mirë, ligjet nga burojën ndikimet e shpirtit të njeriut janë tri: e vërteta, e mira dhe e bukura. Sado i vojtun keq e i dobësuem të jetë nji njeri apo nji popull, ai për nevojë të mbrendshme dhe të domosdoshme nuk mund t’u ikë këtyne imperativave e, mjaft qi t’i shfaqen kjartë, përshtatshëm, të gjallë e të prekshëm, se ai për nji ligjë të pashlyeshme mbetet preja e këtyne idealeve. Arsyeja asht se njeriu nuk asht vetëm planc për t’u ushqye, as vetëm trup për t’u veshë me mundafsh, as vetëm organizëm për të veprue në mënyrë automatike pa nji shkas t’arsyeshëm, pa nji qëllim të menduem. Njeriu, derisa të jetë njeri, porsi drita diellin, kërkon e ndjekë të vërtetën; ashtu edhe, në sajë t’asaj shkëndije hyjnore qi asht liria, priret fuqishëm drejt së mirës morale. Prapë mandej njeriu nuk ndien vetëm si shtasët; ai provon në vete të vërtetën e të mirën, dhe ndien nevojën ta shprehë: kjartësia e së vërtetës dhe e së mirës objektive, e ndieme në shpirt dhe e shprehun me format e veprat ma të plotat, kjo asht bukuria.

Ky, shkurtazi, asht programi ynë vetjak e kolektiv si pjesëtarë të këtij Instituti: lavrimi i mendjes, i vullndesës dhe i ndjesive ndër lamije të së vërtetës, të së mirës dhe të së bukurës. Kur ta bajmë shqiptarin t’aftë qi vetë ta kërkojë, vetë ta gjejë dhe vetë ta shfaqë të vërtetën, kemi ba shkencëtarin; kur ta bajmë të zotin qi ai vetë t’i vendojë parimet e drejta të jetës dhe këtyne t’u rrijë me dijtë ç’me dijtë, e kemi çue shqiptarin në kulmin e mirësisë: kemi ba fatosin, qi me fuqin e vullndesës përfton vepra morale të rendit botnor. Tue ia mprehë shqiptarit ndjesitë, e bajmë të mbërrijë me ndie në shpirt shfaqjet e së vërtetës dhe të mirësisë, atëherë ai përket, tërhiqet, rrëmbehet, atëherë shpirti i tij jipet, përpiqet, as nuk pushon derisa të gjejë format e mjaftueshme për t’i shprehë ato madhni, ato ideale fisnike për të cilat rron. Dhe ja, kemi ba artistin.

Kjo asht kultura e shpirtit, kultura e vërtetë. Fjala latine colere, prej së cilës rrjedh fjala kulturë, na tregon haptas se n’atë mënyrë si toka, sado e çmueshme të jetë, po u la djerrë, nuk jep fryt, ashtu edhe shpirti i shqiptarit, sado të ngrehet ndër automobila, sado të veshet me petka të bukura e me ar, sado të kërtyllet me pare e pasuni, sado t’i ngjeshë vetes forma të hijshme dhe të kandshme, ka për të mbetun djerrë, ka për të mbetun i egër, barbar, i paaftë për fryte njerëzore, në qoftë’ se nuk lëvrohet ndër fuqitë e mendjes, të vullndesës e të ndjesive, në qoftë se nuk bahet i aftë për vepra të mëdha ditunie, morali dhe arti. Për këtë arsye, unë tanë veprën e kësaj organizate shqiptare due ta përmbledh e ta shpreh me nji fjalë të vetme: pro cultura.

Mbas këtij digresioni të vogël, por të nevojshëm, përmbledhtas, por kjartë, po i konkretizoj mendimet e mija përmbi natyrën dhe veprën e këtij Instituti.

Para vjetit 1930, në Shqipni, ndër lamijet e ditunisë e t’artit përgjithsisht veprohej individualisht, pse nuk kishte nji Ent shtetnor, i cili t’i bashkonte fuqitë e përpjekjet e veçanta në një veprimtari të ndërgjegjshme kolektive.

Me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, Italia synonte jo aq fort qëllimin e përfundimet shkencore, sa mbështetjen morale t’elitës shqiptare kolektive.

Na sot, me vetëdijën e plotë të pamvarsisë sonë, duhet ta ngrehim më vete dhe të pastër Entin Kulturor Shqiptar. Këtë vepër e këtë mision duhet ta kryejmë me mjetet tona, me mundësitë dhe me mënyrën tonë. Ky do të jetë një organ thjeshtësisht shqiptar, nji organizëm i gjallë e veprues, shembull e shkas jete dhe përparimi. Nuk do të mbetemi as tepër nalt, as tepër ulët, veç do t’i bijmë në të, në mënyrë qi studiuesit dhe artistët shqiptarë ta kryejnë misionin e vet shpirtnor si dhe sa mund të sigurohet realizimi i qëllimit.

Porsi përfundim të këtyne vërejtjeve po vij ndër parime e norma, të cilat due të jenë të vendueme dhe të mirren për bazë t’Institutit:

  1. Institut tash e mbrapa ka për t’u quejtë: Instituti shqiptar për studimet dhe artet, dhe jo ma: Instituti i Studimeve Shqiptare.
  2. Fizionomia dhe statuti i deritashëm i Institutit nuk i përshtatet gjendjes dhe aspiratave të sotshme. Duhet të mirren në dorë dhe të përpilohen simbas progamit të zgjanuem dhe simbas nevojave tona të kohës.
  3. Instituti në zhvillimin e veprimtarisë së vet nuk do të kufizohet vetëm në letërsi apo ndonji grimë histori, por njikohësisht dhe paralelisht, me të njëjtin ritëm do të veprojë si në lamën letrare, ashtu edhe në lamën shkencore dhe artistike.
  4. Në vështrimin ma të plotë të fjalës, Instituti do të jetë apolitik. I vetmi movent qi do t’i japë jetë dhe lëvizje këtij organi do të jetë shpirti shqiptar i drejtuem në kulturën e përbotshme, për t’ia mbërrijtun kulturës shqiptare.
  5. Duhet ta vendojmë mirë, nji herë e përgjithmonë, se ky nuk asht Institut nderi ase oportuniteti, as nuk asht vend ku do të pasqyrohen meritat e njenit apo të tjetrit: këtu vetëm do të peshohen dhe do të vlerësohen fuqitë e veprat e dijes dhe t’artit shqiptar.
  6. Parim dhe kujdes i parë i yni do të jetë qi mos të lamë mbas dore kurrnji faktor shqiptar. Të gjithë të zotët do t’i shtijmë në punë dhe do t’i shfrytëzojmë, qi vepra të dalë sa ma e plotë, dhe t’i mbërrihet qëllimit sa ma mirë.
  7. Në këtë vepër as nuk do të na rritet mendja, as nuk do të na lëshojë zemra. Në njenën anë do të jemi modestë, tue e pa kjartë se misioni ynë asht vetëm preliminar: të gatojmë elementat fillestarë të nevojshëm për të më kambë Akademinë shqiptare: ta krijojmë kulturën e mesme shqiptare dhe ta çojmë deri te praku i kulturës së naltë, e cila ka për të qenë vepër e breznive t’ardhshme.
  8. Në tjetrën anë, të jemi të sigurtë se shpirti shqiptar asht për kaq. Me ndërgjegje të plotë dhe ngultas le të besojmë se ia dalim, për të vetmen arësye, pse mundemi edhe duem përnjimend.
  9. Kryefjala e Institutit do të jetë: Pro cultura.
  10. Po caktoj katër vetë për ta shqyrtue fizionominë dhe statutin e Institutit: Aleksandër Xhuvani, Xhevat Korça, Karl Gurakuqi dhe Odhise Paskali. Këta kam pë t’i thirrun vetë e kam për t’u dhanë udhëzimet e duhuna.

Jam i sigurt për bashkëpunimin e sinqertë tuejin, sikurse jam i bindun se e kuptoni të tanë randësinë e këtij organi, nëpër të cilin do të hyjmë në rendin e popujve të kulturuem, do t’ia rrisim nderin kombit e fisit tonë dhe do të peshojmë randë për fatin e lumturinë e Shqipnisë në t’ardhshmen.

Fruer 1944

Nga libri “Vlerë shpirtërore”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency