Kryeopozitari: Qeveria, 600 milionë CEZ-it, pastaj rrëmon në xhepat e qytetarëve për t’u marrë qindarkën e fundit
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, u takua dje me qytetarët e Kavajës, të cilët janë shprehur shumë të pakënaqur me qeverisjen e deritanishme të të majtëve. Ata janë shprehur se nuk mund të ketë rritje të çmimeve, kur ata nuk kanë ku të punojnë. Po ashtu, ata kanë thënë se e kanë të pamundur të paguajnë faturat e energjisë, pasi të ardhurat nuk mbulojnë as të nevojat më bazike të jetesës. Në kuadër të këtyre problemeve, kryeopozitari u ka bërë thirrje kavajasve të mblidhen ditën e shtunë në sheshin “Skënderbej” për të protestuar. “Të shtunën, në orën 12, të bashkohemi në sheshin “Skënderbej” kundër rritjes së taksave, çmimit të energjisë, papunësisë e varfërisë”, – bëri thirrje kryetari i PD-së, Basha. “Ky thotë 300 mijë vende pune i ka hapur, 600 mijë vende pune ky i ka blloku dhe shpijat me leje, pa leje ky i rrëzoi te gjitha”, – u shpreh një banor i Kavajës. “Më thanë të ka dal emri, je i pushum prej pune, pse jam pushu unë, kam 3 fëmijë. Çfarë duhet të bëj?”, – shtroi një pyetje një banor. “Pa punë, pa bukë, rritje dritash, rritje taksash. Po kjo nuk paska qenë Rilindje, kjo paska qenë murtajë”, – tha një tjetër kavajas. “Dakord të paguhen dritat, po me çfarë? Jam vetë i pesti pa punë”, – u ankua një qytetar. Basha në vijim denoncoi qeverinë për faljen e 600 milionë eurove kompanisë shpërndarëse të energjisë, CEZ, dhe më pas këto lekë sipas Bashës, qeveria i kërkon në xhepat e qytetarëve. “Vetëm me një tender energjie marrin 7 milionë euro. 600 milionë ia fal CEZ-it vetëm me një dorë. Ku i merr këto lekë? Rrëmon pastaj në xhepat e shqiptareve t’u marri qindarkën e fundit njerëzve që s’kanë bukë me për të ushqyer fëmijët”, – tha kryedemokrati.
Fermerët
Të shqetësuar janë shprehur edhe fermerët për rritjen e çmimit të naftës. Sipas tyre, ky fakt i ka bërë ata të mos punojnë tokën pasi nuk ia dalin as të mbulojnë kostot. “Çmimet janë rrit në stratosfera. Na vjen zor me u thënë njerëzve që hajde të punojmë tokën. Tokat janë djerr”, – u shpreh një fermer. “Nafta ka vajt 2 mijë lekë. 2 mijë lekë unë s’mund ta marr këtë të plugoj tokën se unë jam pensionist jam me 140 mijë lekë”, – tha një tjetër banor.
“Do bënte spitalet pa lek, ku asht more… i dyfishoi”. “Këto popullit po i pinë gjakun, po e shtrydh si limoni. Shtrydh shtrydh mbeti vetëm lëkura”. “Ky popull nuk di ku të shkojë. Nuk di ku të qahet i ka shku thika mu në palcë”, – pohoi një qytetar i Kavajës. Pas bashkëbisedimit me qytetarët, Basha u ka bërë edhe një herë thirrje t’i bashkohen protestës së të shtunës. “Në orën 12, në sheshin “Skënderbej”, të gjithë bashkë me zërin tuaj, me zërin tonë për të drejtat tuaja, për të drejtat e fëmijëve tuaj, për bukën e gojës, për të ulur dhe jo për të rritur taksat, për te mos rritur çmimin e energjisë dhe për të vënë para përgjegjësisë këdo që mund të mendojë se luan me të drejtat tuaja dhe luan me popullin”, – deklaroi kryeopozitari.
Kavaja ka qenë destinacioni i fundi i Bashës. Prej dy javësh ai ka ndërmarrë një tur për t’u njohur me shqetësimet reale të qytetarëve dhe për t’u bërë thirrje të protestojnë kundër padrejtësive që shkaktohen nga keqqeverisja. Në të gjitha qytetet problemi më i theksuar që kanë shprehur qytetarët ka qenë papunësia.