Merr çmimin e rilindasit / Kadare: De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin evropian, që e kishim humbur

0
148

kadare

Kulinaria e botuesve për herë të parë, dje, ka ngritur në nivel letrar shijen e munguar në “vjeshtën jo të artë” të letërsisë shqiptare pa u ndikuar politikisht, mediatikisht dyshojmë! Ardhur nga letërsia, kryetari i jurisë, Virgjil Muçi, ka ditur t’i përgjigjet një metafore mediatike për “kuzhinën politike” të botuesve, duke injoruar emrat e mëdhenj të kësaj kuzhine, në ndarjen e çmimeve, në shmangien e vlerësimit të librave jo domosdoshmërisht letërsi

Shoqata e Botuesve Shqiptarë i ka ndarë, dje, shkrimtarit Ismail Kadare çmimin special “Jeronim de Rada”, me rastin e panairit të librit. Ndonëse parashikuar në sallën e promovimeve, nuk pati ceremoni, veçse një ndërprerje të shkurtër, nga radha e gjatë e njerëzve që mbanin librin e ri të shkrimtarit për t’i marrë autografe.

I ndodhur në stendën e shtëpisë botuese “Onufri”, prej orës 10:30, Kadare veçse është ngritur në këmbë, mes zhurmës e rrëmujës së madhe, për të marrë statujën e De Radës, si dhe për të mbajtur fjalën e rastit, mjaft shkurt, pa pritur asnjë pyetje nga mediat.

Çmimi iu dorëzua nga ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaianni, i cili tha se është bukur të bashkosh dy shkrimtarë të mëdhenj që kanë dhënë shumë për vendin e tyre. “De Rada, një shqiptar i madh, nuk ka vënë kurrë këmbë në Shqipëri, por e mendonte më parë se do të ekzistonte dhe ishte një nga vizionarët më të mëdhenj të letërsisë për Shqipërinë. Ky vizionar i madh, por është më tepër sinjifikative që i japim çmimin shkrimtarit, i cili ka nxjerrë në pah vlerat e De Radës dhe që ka ndjekur veprat e tij. Është shumë gjë e bukur që ne sot bashkojmë këta dy shkrimtarë të mëdhenj, që kanë bërë shumë për vendin e tyre, për të përçuar marrëdhëniet e Shqipërisë përtej në vendet e tjera të Evropës”.

Si rrallë ndonjëherë, Kadare ka plotësuar vetëm një fjali për nderimin, duke mos prekur asnjë çështje tjetër që lidhet së paku me aktualitetin e ditës në vend.

Ka shmangur çdo tentativë të gazetarëve për të marrë më tepër prej të vetmit shkrimtar që ka forcën e zërit, në mënyrë absolute në media, edhe pse nuk dëgjohet, nuk i vë veshin politika. Ndryshe do të ndodhte gjetkë. Megjithatë, po të marrim kontekstet kulturore, në këtë rast letrare, si kontekste në thelb politike, Kadare u shpreh: “Jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte Rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe, që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin evropian, që letërsia shqipe ishte duke e humbur”.

“Kam kënaqësi që përbri meje është ambasadori i Italisë, vendi që e mbajti De Radën në gjirin e tij dhe kaloi jetën atje. De Rada ishte poet i madh dhe profet i së ardhmes”, – tha Kadare.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, i dorëzoi shkrimtarit të madh Kadare statujën e shkrimtarit Jeronim de Rada. “Mëngjeset në Kafenë Rostand. Motive në Paris”, është libri i ri, me të cilin u paraqit në këtë panair Kadare, duke u rikthyer me kërshërinë e madhe të lexuesve mbi një libër kujtimesh të shkruar nga Parisi për botën shqiptare, e konkretisht si kujtesë për miq e “armiq”, ngjarje e situata të viteve të jetës së tij letrare e jashtëletrare. Botuesit i tij, Bujar Hudhri, është shprehur se i ngjan “Ftesës në studio” vetëm në një vend tjetër. Në fakt, te “Ftesë në studio”, botuar në fund të `80-ës, e ribotuar nga viti 2005, pati ndryshime të dukshme në qëndrimet mbi “miqtë dhe armiqtë”, duke rikthyer “historitë” politike fshehur sirtarëve të miqësisë së shkrimtarit, asaj të anatemuar me tre emra. Por nga ajo kohë, duke se njëra prej tyre është shkrirë natyrshëm në një libër si ajo për Bilal Xhaferrin, po ashtu dhe për Arshi Pipën ka qenë një lloj faljeje për Kadarenë, duke ridimensionuar këtë marrëdhënie dhe i treti, Kasem Trebeshina, duket se mbetet shqiptar-turk i refuzuar prej shkrimtarit, në një armiqësi të vazhduar të dukshme, të pazbardhur, në mister.

Megjithatë, një libër me kontakte të rralla miqësore, “Mëngjeset në Kafe Rostand” ka thyer “zemrën” e Kadaresë, atë murin që shpesh i vishej si njeri i ashpër, i vështirë në një ndjeshmëri të rrëfimit intim, personal gati të pamundur për ta besuar këtë “ndryshim”!

 

“Kulinaria” e botuesve!

Kulinaria e botuesve për herë të parë, dje, ka ngritur në nivel letrar shijen e munguar në “vjeshtën jo të artë” të letërsisë shqiptare pa u ndikuar politikisht, mediatikisht dyshojmë! Ardhur nga letërsia, kryetari i jurisë, Virgjil Muçi, ka ditur t’i përgjigjet një metafore mediatike për “kuzhinën politike” të botuesve, duke injoruar emrat e mëdhenj të kësaj kuzhine, në ndarjen e çmimeve, në shmangien e vlerësimit të librave jo domosdoshmërisht letërsi. Si në vitet e kaluara, çmimet që ndan Shoqata e Botuesve Shqiptarë mban të parën shkëputje politike nga ato që ndan Ministria e Kulturës për letërsinë. Pra, domethënë që pritshmëria i përket një vlerësimi nga ana e botuesve së paku jashtëpolitikë. Kështu, dje, me propozimin e dhënies së tri çmimeve, si autori më i mirë i vitit, përkthyesi dhe libri më i mirë për fëmijë ka evidentuar përpjekjen brenda enteve të botimit shqip, është shenjë e mirë, qofshin dhe këta klanorë!

Kështu, me një elokuencë mediatike, Artur Zhejit i është dorëzuar nderimi për babain e tij, Petro Zhejin, me mirënjohje për kontributet letrare, si gjuhë dhe kulturë. Erdhi ky çmim papritur, rehabilitues, në një kohë kur u argumentua nga juria se çmimi për librin për fëmijë është hequr, për shkak të “zbaticës pothuajse të plotë”, nisur nga prurjet e paraqitura në konkurs. Kështu, çmimet dhe motivacionet ishin: Çmimi i mirënjohjes: Petro Zhejit me motivacionin: “Për korpusin e jashtëzakonshëm të kryeveprave të letërsisë botërore të sjella nga një sërë autorësh, nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave e të gjitha vendeve. Për monumentin që i ka ngritur gjuhës shqipe duke e barasngritur në gjuhën e kulturave të qytetërimeve më të mëdha të njerëzimit”. Çmimi për përkthyesin më të mirë: Alina Karaulli për librin “Xhejn Er” me motivacionin: “Për gjuhën dhe ligjërimin e rrjedhshëm, me të cilin ka sjellë në gjuhën shqipe një nga veprat më të spikatura dhe themeltare të romanit botëror. Sjellësja në shqip e këtij libri ka dëshmuar se është një pasuese e denjë e një brezi të shquar përkthyesish”.

Çmimi për autorin e vitit: Arben Dedja për librin “Histori ekskatologjike” me motivacionin:

“Për prozën e ngjeshur me detaje pikante, stil tërheqës, gjuhë të rrjedhshme e të pasur, si edhe një rrëfim i jetës së diktaturës përmes një sensi të hollë humori, që i shoqëron personazhet në situatat groteske. Ky libër është një arritje për autorin, por edhe për prozën e shkurtër shqipe”.

Çmimi special “Jeronim De Rada” iu dha autorit Ismail Kadare. Kryetari i jurisë Virgjil Muçi sqaroi se Shoqata e Botuesve propozoi, ndër të tjera, dhënien e çmimit për ‘Librin më të mirë për fëmijë’, por, nisur nga fakti që kjo kategori këtë vit pati ‘një zbaticë thuajse të plotë’, juria i propozoi Shoqatës dhënien e “Çmimit të Mirënjohjes”.

  1. Murati

 

 

Fjala e plotë e kryetarit të jurisë, Virgjil Muçi

 

Vjeshtë jo e artë për librin

 

Virgjil Muçi

Nisur nga fakti se librat për fëmijë këtë vit pësuan një zbaticë pothuajse të plotë (duke gjykuar nga prurjet e paraqitura për konkurs), juria i propozoi Shoqatës që, në vend të tij, të jepej një çmim mirënjohjeje, çka, për kënaqësinë tonë, u mirëprit. Kështu që sot do të japim një çmim të posaçëm për kontribut të shquar në lëmë të letrave.

Dy fjalë rreth metodologjisë së punës së kësaj jurie. Sipas njoftimit të bërë prej Shoqatës së Botuesve, përmes medias së shkruar dhe asaj elektronike, kjo juri do të merrte në konsideratë dhe shqyrtonte vetëm ato vepra të paraqitura prej botuesve, ose edhe vetë autorëve, pranë zyrave të Shoqatës brenda datës 31 tetor, pavarësisht faktit nëse libri do të ekspozohej në këtë panair. Librat që, për një arsye ose një tjetër, nuk u paraqitën brenda kësaj date, me keqardhje them se mbetën jashtë konkurrimit. Po kështu, një tjetër kriter ishte mospranimi i librave të paraqitur në panairin paraardhës, si edhe titujt e ribotuar plotësisht ose pjesërisht. Për të lehtësuar punën e botuesve dhe komunikimin me ta, juria ka qenë e hapur dhe ka pranuar libra edhe në trajtë elektronike ose, të themi, në dorëshkrim. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, e drejta e konkurrimit u është njohur atyre autorëve e përkthyesve, botuesi i të cilëve është zyrtarisht pjesëmarrës në Panairin e Librit, Tirana 2014.

Edhe pse vjeshta e këtij viti nuk ka qenë një vjeshtë e artë për botimet, jurisë i është dashur të kalojë nëpër duar 108 tituj nga të gjitha gjinitë: prozë, poezi, eseistikë, histori, publicistikë (duke qenë se në parim nuk ka filtër që përzgjedh e pengon kësilloj prurjesh), si nga autorë shqiptarë ashtu edhe të huaj, ndonëse, për hir të së vërtetës numri i këtyre të dytëve ka qenë më i madh se i të parëve. Por ky është një problem që ka të bëjë me politikat e botimit dhe preferencat e botuesve shqiptarë e jo me juritë. Pra, një numër i konsiderueshëm titujsh e autorësh për t’u lexuar e përzgjedhur.

Ashtu si të gjitha juritë, dhe kjo nuk është ndonjë gjë e re që po them, përkundrazi, edhe kjo jona u ndodh, pashmangshmërisht, para një sërë dilemash, ndër të cilat më kuptimplota ishte: kujt i duhej dhënë çmimi? Më lejoni të shprehem metaforikisht se ne, si juri, ndodheshim në një gosti të pasur gjatë së cilës na u servirën pjata të gatuara prej shefash kuzhine ndër më të njohurit e të sprovuarit, si edhe nga shefa kuzhine të rinj e mjaft premtues. Apriori njeriu është i prirë ndaj asaj çka përbën një shije e sigurtë dhe e garantuar, ndaj edhe s’para ka dëshirë të rrezikojë, çka bën që shefat e mëdhenj e të njohur të jenë kurdoherë fitues në këtë garë që në realitet është e pabarabartë; ndërkohë që tundimi ynë qe më i fortë për të kuturisur, të themi, drejt së panjohurës dhe për të ngjëruar diçka të re e në një farë mënyre të paprovuar më parë. Dhe këtë qasje përshtatëm si për autorin, ashtu edhe për përkthyesin e vitit, pa ceduar as edhe një grimë dhe, doemos, pa bërë asnjë kompromis lidhur me vlerat e meritat e gjithkujt, i ri ose i vjetër.

Në mbyllje të këtyre radhëve do t’u kërkoja dashamirëve të librit, kritikëve dhe krejt opinionit publik që na ndjek përmes mediave që të na gjykojnë për veprat që kemi çmuar me çmim dhe jo për ato që nuk kanë fituar.

 

 

Info/Kult

Rikthehet opera “La Boheme” e Giacomo Puccinit

 

Rikthehet një vepër, e cila i ka munguar skenës shqiptare prej 11 vitesh (ku performanca e fundit ka qenë në 2003). Pavarësisht nga historia tragjike e dy të rinjve dhe dashurisë së tyre të mundur nga varfëria dhe tuberkulozi, përsëri do të jemi në Parisin e shekullit të 19-të, në lagjen latine ku artistët përpiqen të mbijetojnë me artin e tyre. Do të ketë të qeshura dhe momente gazmore ashtu si edhe dhimbje dhe humbje tragjike. Do të njohim dashurinë e madhe të Mimisë dhe Rodolfos, e cila vdes e re bashkë me protagonisten kryesore dhe në antitezë do të jetë Musseta dhe Marcello, të cilët luajnë me dashurinë e tyre. Ky do të jetë një bashkëpunim midis artistëve të TKOB me artiste italianë, interpret si Rudolfo – Cristian Riçi (tenor), Mimi – Alisa Katroshi, Evis Mula (soprano), Marcello – Armando Likaj (bariton), Musseta – Dorina Selimaj (soprano) etj me regji të Andrea DeManincor. “La Bohème” është opera me katër akte me libret të Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa, bazuar ne novelen “Skena te jetës Bohemiane” nga Henri Murger, do të jetë në skenë e Teatrit të Operas dhe Baletit në 20, 22 dhe 24 nëntor.

Alisa Katroshi në rolin kryesor të Mimit, vjen nga shkolla e kantos nga Akademia e Arteve në Tiranë dhe në Konsevatorin Felice dall’Abbaco (Verona, Itali). Ka fituar çmime në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtarë si: Jorgije Truja 2005, Antonio Salieri 2010, Villa in Canto dhe Anita Cerquetti 2011, konkurset Martinelli Pertile dhe Davide Vignol ne edicionet e tyre të 2-të dhe të 10-të. Aktivitetin operistik e fillon në Itali me rolin e Mimisë në “La Boheme” dhe atë të Toskës, e më pas në Gjermani sërish me Miminë dhe Amelia-n nga opera “Un ballo in maschera”. Po ashtu edhe sopranoja Evis Mula vjen nga shkolla shqiptare e kantos, e cila është trajnuar në Akademinë e Teatrit Alla Scala, në Milano, në programin e Solistëve të rinj. Ajo ka interpretuar në “National Centre for the Performing Arts” Pekin, në programin “I Sing Bejiging” një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar të Pekinit dhe The Metropolitan Opera të Nju Jorkut në 2011. Ka debutuar në Teatrin Kombëtar të Tokios në rolin e Cepranos ne Operen Rigoletto.

Tenori italian Cristian Riccie ka nisur karrierën e tij operistike në Verona. Ka interpretuar role të ndryshme për produksione prestigjioze si Don Pasquale – G. Donizetti, La Traviata – G. Verdi, La Bohème – G. Puccini etj. Që prej vitit 2008 ai e ka fokusuar karrierën e tij në koncerte ndërkombëtare në Nju Jork, Uashington DC. Seoul, Stamboll, Romë, Milano dhe Vjenë. Ka debutuar me Orkestrën Filarmonike të Shanghait dhe është ideatori dhe drejtori artistik i konkursit ndërkombëtar “G. Martinelli-A. Pertile”.

Dorina Selimaj (Soprano) E diplomuar për kanto në Akademinë e Arteve në Tiranë. Që prej vitit 2003 ajo është soliste pranë TKOB. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit. Rolet e realizuara në TKOB jane Gianetta-L’elisir D’amore, Elisetta-Il Matrimonio Segretto, Maria – West Side Story, Kate-Kiss me Kate, Fiordispina – l’impresario in Angustie, Despina-Cosi fan‘ tutte etj.

Tenori tjetër shqiptar Armand Likaj vjen pas 40 roleve të interpretuara brënda dhe jashtë Shqipërisë të kompozitorëve si W. A. Mozart, G. Rossini, G. Gershwin, G. Donizetti, J. Offenbach, G. Puçini, G. Verdi, R. Wagner, P. Jakova etj. Ka bashkëpunuar me dirigjent si: V Parisi, P Weigold, M Mayerhofer, G Martinenghi, A Zedda dhe me regjisore si: N Gurakuqi, P.Panton, M. Ranieri, M. Sturm, N. Zorzi, C. Saletti etj. Fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare: “Kenget e Tokes”, “Jorgjia Truja”, “Pjetër Gaci”, “Rossini Opera Festival”, fitues i çmimit “Kult 2014” si interpretuesi më i mirë lirik.

Re. Ku.

 

Edith Durham, ku kontribuoi për çështjen shqiptare

 

Në 70-vjetorin e vdekjes, Ministria e Kulturës nderon figurën madhore të Edith Durham-it, thënë ndryshe, “Mbretëreshës së Maleve”. Të martën organizohet konferenca shkencore me pjesëmarrjen e studiuesve dhe profesorëve: Elizabeth Gowing, David Hosaflook, prof. dr. Ferit Duka, prof. dr. Xhevat Lloshi, prof. dr. Mark Tirta, dr. Shpend Bengu. Kumtesat e mbajtura do të referojnë mbi kontributet madhore të Edith Durham-it në lidhje me shkrimet mbi tolerancën fetare në Shqipëri, kontributet në çështjen e gjuhës shqipe, antropologji etj. Njohja e saj për shqiptarët vazhdon të jetë bindëse edhe sot, si një shekull më parë. “Të gjithë shoqëruesit e mi kanë qenë shqiptarë. Për durimin, urtësinë dhe qëndrueshmërinë e tyre nuk kam fjalë më të lartë lavdërimi për ta. Ata nuk janë shtazë ashtu siç i kanë përshkruar disa…” Të them të drejtën ata janë shumë të mençur, megjithëse janë të egër. Por që janë të egër, kanë qenë të detyruar sepse kështu e kanë ruajtur lirinë. Kur ata të mos jenë më të detyruar që të mbeten të shkëputur nga bota, atëherë ata do të zgjohen dhe do të shihet fuqia e tyre… Siguroj ata janë Bismarkë, Bismarkë të vërtetë. Dikur ata do të kërkojnë dhe Evropa do të jetë e detyruar t’ua japë atë që do të kërkojnë!” (Brenga e Ballkanit).

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency