Gëzim Saliu
Rikthmimi i opozitës në Kuvend cilësohet parësor për ndërkombëtarët, pranojnë rolin e negociatorit për të mundësuar marrëveshjen mes palëve
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein deklaron se mazhoranca dhe opozita duhet të gjejnë një zgjidhje para vitit të ardhshëm, për t’i rithyer Kuvendit të Shqipërisë normalitetin. Pas një takimi që zhvilloi dje me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, Fleckenstein theksoi se ka shprehur interesin për të mësuar, nëse propozimet e mazhorancës konsiderohen si të mjaftueshme nga opozita për rikthimin e saj në Kuvend. “Ne shpresojmë që opozita të kthehet shumë shpejt në Parlament dhe që të gjitha problemet të debatohen në mënyrë të natyrshme në Kuvend. Shpresoj që kur të vizitoj Tiranën në janar, Parlamenti të jetë i plotë. Ishte hera e parë që takova me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Ne diskutuam rreth asaj, se si mund t’i lehtësohet kthimi opozitës në Kuvend. Ministri më foli për disa masa, si për shembull kohën e njëjtë të fjalimit të opozitës me atë të kryeministrit brenda Kuvendit dhe e drejta o opozitës për të ngritur komisione hetimore. Pra, mendoj se po bëhen disa hapa. Tani jam shumë i interesuar të takohem me opozitën dhe të shoh nëse këto hapa janë të mjaftueshme për t’u kthyer brenda Kuvendit”, tha ai. Në të njejtën linjë ish-kryetari i delegacionit për Europën Juglindore në Parlamenti Europian Eduard Kukan tha se Parlamenti Europia mund të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit midis mazhorancës dhe opozitës, duke theksuar nga ana tjetër se nuk duket shumë serioze për politikanët shqiptarë që shpesh tregojnë, se nuk mund ti zgjidhin problemet e tyre brenda vendit. “Ne mund të ndihmojmë, nëse na kërkohet ndihmë. Ajo që i tashë ministrit është që politikanët shqiptarë janë aq të rritur, sa mos të kërkojnë ndihmë, sa herë ata kanë probleme brenda vendit . Mesa duket , është e nevojshme garancia. Por nuk është shumë serioze. Ata duhet të tregojnë më shumë kurajo që ti zgjidhin këto çështje vetë. Por siç duket situata, ata kanë nevojë për ndihmë ndërkombëtare. Në Kuvend duhet të rivendoset jeta politike normale dhe ne jemi të gatshëm që t’i ndihmojmë partitë politike që ta arrijnë këtë. Mazhoranca duket tashmë se do të bëjë ç’është e mundur, që opozita të kthehet në Parlament”, u shpreh Kukan.
Dialogu
Ndërkaq sipas eurodeputetit, gjithëpërfshirja dhe dialogu politik i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm janë të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. “E kemi përsëritur vazhdimisht këto 5 vitet e fundit dhe ishte gjithashtu objekt bisede me ministrin e Punëve të Jashtme. Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë, por situata në Parlamentin Europian nuk duhet të jetë një reflektim i skenës politike shqiptare”, u shpreh Kukan. Ndërsa raportuesi për Shqipërinë lidhur me bashkëpunimin rajonal, tha se marrëveshjet në fushën e arsimit të arritura midis Shqipërisë dhe Serbisë janë të rëndësishme dhe se,: “vizita e kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiç në Tiranë vitin e ardhshëm është e mirëpritur me konferenca shtypi edhe më të këndshme”.
Fondet për institucionet/ Fino: Pse 600 milionë KQZ-së, kur janë vetëm 61 njësi. Punësim i kufizuar, c’duhen 55 veta?!
Deputetët e Partisë Socialiste shprehen kritikë për ndarjen e fondeve që parashikon projektbuxheti i vitit 2015 për disa institucione të pavarura. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputeti i PS-së Bashkim Fino tha se me ndarjen e re territoriale numri i njësive vendore shkurtohet e në këtë formë sipas tij shuma prej 600 milion lekësh që i është akorduar KQZ-së për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve lokale të 2015-ës është e lartë. “E para e punës do jenë kostot shumë minimale për vitin tjetër. Nuk do kemi më fleta votimi për këshill Bashkie, komune dhe kryetar bashkie për 400 veta, por do kemi për 61 veta”, deklaroi Fino. Më tej, ai kërkoi që të ndiqet praktika e punësimit me kohë të kufizuar në KQZ pasi sipas deputetit socialist, vetëm kur ka zgjedhje ka punë reale në këtë institicion. “Sinqerisht dua t’ju pyes çfarë bëjnë këta 55 veta, ja hiq 7 anëtarët e komisionit, apo 4 që kanë mbetur, ja hiq edhe financa që erdhi këtu dhe do interesohet për buxhetin, po ata 40 të tjerët çfarë bëjnë. Përse nuk merret dhe përdoret praktika e punësimit me kohë të kufizuar”, deklaroi Fino. Po ashtu, ligjvënësit e majtë kërkuan rishikim të strukturës për disa nga institucionet e pavarura e ndërsa u treguan dorëlëshuar me ILDKPI-në, duke pranuar kërkesën e saj për shtim të 3 inspektorëve dhe ndihmës/inspektorëve. “Le të heqim ca nga ata që bëjnë korrupsion tërë ditën dhe t’ia japim Inspektoriatit të Lartë që lufton korrupsionin”, u shpreh Xhafa. Në mbyllje të mbledhjes, Komisioni i Ligjeve, miratoi në parim gjithë seancat e zhvilluara për projektbuxhetin e vitit 2015.
Stokholm/ Rama me Lofven: Suedia, mbështetje për integrimin e Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë dyditore në Stokholm, ku është ftuar të mbajë fjalën kryesore në samitin “Creative Time”. Kreu i qeverisë takoi dje Kryeministrin suedez Stefan Lofven me të cilin bisedoi mbi marrëdhëniet dypalëshe gjatë një drekë pune të organizuar në selinë e qeverisë së Suedisë. Rama e falenderoi Lovfen për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Shqipërisë, sidomos sa i takon edhe procesit të integrimit europian. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona u cilësuan të shkëlqyera dhe Kryeministri sudez përgëzoi qeverinë shqiptare për reformat e ndërmarra. Një çështje e rëndësishme e bisedës ishte edhe vizita e fundit e Kryeministrit Rama në Serbi si dhe bashkëpunimi rajonal mes vendeve të Ballkanit. Më herët, kreu i qeverisë shqiptare bisedoi dhe me ambasadorët suedez të akredituar në rajon dhe iu përgjigj interesimit të tyre mbi zhvillimet në rajon dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.