Vizita në Beograd/Historiani Meta: “Reagimi i Vuçiçit, emocional, Serbia nuk ka rrugë tjetër, do ta njohë Kosovën”

0
110

Erneta Shevroja

foto per perplasjen rama vucicHistoriani Beqir Meta: Fjalimi i Kryeministrit Rama ishte i fokusuar, dinjitoz dhe esencial. Joshja dhe presioni i Bashkimit Evropian mbi Serbinë është thelbësore në përmirësimin gradual të marrëdhënieve shqiptaro-serbe

 Për historianin Beqir Meta, përmendja e Kosovës në Serbi ishte një fakt që nuk mund kurrsesi të anashkalohej nga Kryeministri Rama dhe të njëjtën gjë do të bënte çdo kryeministër tjetër shqiptar. Ai thotë se Shqipëria duhet t’i ofrojë “gjethen e ullirit” Serbisë, ndërsa kjo e fundit nuk ka rrugë tjetër veçse të pranojë realitetin e ri, shtetin e pavarur të Kosovës. “Në momentin që do ta pranojnë Kosovën, ky është shans që marrëdhëniet të jenë miqësore. Unë mendoj se nuk ka asnjë rrugë tjetër. Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Do ta pranojë si shtet i pavarur, sepse ajo ka interesat e veta; së pari të ketë paqe në kufijtë e saj, dhe së dyti ka interes të ketë marrëdhëniet të mira me BE-në, me SHBA-të dhe NATO-n”, – u shpreh historiani Beqir Meta për “Standard”.

Sa i përket qëndrimit të Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe fjalimit të tij, historiani thotë se ai pati një performancë dinjitoze dhe esenciale. “Mendoj që Kryeministri ishte fokusuar mirë, mendoj që kishte të dy komponentët themelorë. Së pari ofertën për miqësi dhe bashkëpunim në sferën e biznesit dhe së dyti në sferën politike. Kjo është edhe politika e Bashkimit Evropian. Me shumë interes ishte takimi i dy kryeministrave dhe fjalimi në konferencë. Shqipëria është e hapur për bashkëpunim me Serbinë për të shfrytëzuar në mënyrë eficente hapësirat e biznesit, doganat etj. Këto pika do të çojnë edhe në përmirësimin e moralit mes dy vendeve, pasi gjithmonë nga interesat ekonomike dhe politike marrëdhëniet shkojnë drejtë përmirësimit. Dhe pika më delikate ishte pjesa tjetër e balancës, që sipas gjykimit tim fjalimi i kryeministrit ishte shumë i balancuar dhe i drejtë, përmendja e Kosovës. Duke qenë shumë të vetëdijshme se ne kemi një ngërç midis palëve që është çështja e Kosovës me mendoj se këtë gjë do të bënte çdo kryeministër shqiptar. Ai ishte mesazhi më i qartë për serbët, që ne nuk fshihemi”, – tha historiani Beqir Meta për “Standard”.

Për historianin, reagimi i Kryeministrit serb nuk ishte veçse një reagim emocional, por edhe një tregues se Serbia ende nuk është distancuar nga e kaluara e saj dhe se ndjenjat nacionaliste ende ekzistojnë. “Ai ishte një reagim emocional, një reagim do të thosha në nivelin e lartë të nacionalizimit që ekziston në Serbi ndaj çështjes së Kosovës. Për ata do të duhet edhe shumë kohë ta pranojnë realitetin. Në Serbi duket se mungon gatishmëria për të paktën në një periudhë afatshkurtër për ta pranuar realitetin”, – tha Meta.

Pyetjes nëse ky takim do të sjellë përmirësim në marrëdhëniet shqiptar-serbe, historiani thotë se kjo nuk është në dorë të asnjë prej dy shteteve, por BE-ja luan një rol thelbësor. Nëse Bashkimi Evropian do të vijojë politikën e zgjerimit dhe një pikë që vendet e Ballkanit e aspirojnë përmirësimi i marrëdhënieve Shqipëri-Serbi nuk mund të kenë kthesë mbrapa.

“Unë mendoj se marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-serbe nuk varen as nga pala shqiptare, por as nga pala serbe, por do të varen nga konteksti më i gjerë, nga konteksti evropian dhe euroatlantik. Pra, presioni i vendeve të BE-së dhe të NATO-s, në të cilat Serbia aspiron të anëtarësohet, do të çojë në rrugën e përmirësimit gradual, të vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe të afrimitetit. Nëse Evropa, duke u afirmuar gjithmonë e më shumë mbi një BE të fuqishme që ecën përpara, sigurisht që joshja dhe presioni për Serbinë do të jenë të dyja bashkë të kombinuara, dhe kjo do të çojë në zbutjen dhe në lëshimin gradual të pozitave nacionaliste që ka aktualisht Serbia”, – u shpreh Meta për “Standard”.

 

 Astrit Patozi: Paraqitja e Ramës, e paqortueshme

Ish-kreu i grupit parlamentar të demokrateve, Astrit Patozi, e vlerëson të paqortueshme vizitën e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Serbi e veçanërisht deklaratat e tij për çështjen e Kosovës që ngjallën dhe nervozizmin e Kryeministrit serb. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Patozi shkruan se ka rezerva për Ramën si Kryeministër, por duke iu referuar paraqitjes së tij në Beogradin zyrtar, thotë vetëm një fjalë: I paqortueshëm. “Nëse do të më pyesni për Beogradin, për Edi Ramën si Kryeministër dhe udhëheqës i Partisë Socialiste, kam një mijë e një rezerva, të cilat i kam shprehur dhe do të vijoj t’i shpreh sa herë të më jepet mundësia. Ndërkohë, as që e pretendoj se ia njoh të gjitha gafat, dobësitë dhe skandalet, që e kanë shoqëruar atë në gjithë karrierën e vet të gjatë politike. Por nëse do të më pyetnin për paraqitjen e tij dje në Beograd, do të thosha pa mëdyshje se, minimumi, ishte e paqortueshme. Kjo nuk e çliron aspak Edi Ramën nga përgjegjësitë për të tjerat dhe as më bën mua më pak opozitar. Kurse për fansat e tij politikë dhe mediatikë kam vetëm një fjali: Janë të lirë ta shprehin ekzaltimin e tyre, sipas meje të ekzagjeruar, por nuk kanë pse ia kërkojnë këtë edhe opozitës, e cila nuk ka asnjë detyrim dhe arsye t’i thotë “bravo” Kryeministrit”, – shkruan Patozi në një status në rrjetin social “Facebook”.

Patozi shënon kështu zërin e parë opozitar që e vlerëson vizitën historike të Ramës në Serbi dhe deklaratat e tij dhënë nga pallati qeveritar në Beograd.
Kryetarja e PD-së së Serbisë: Vuçiç, jo Rama na përuli

Kryetarja e Partisë Demokratike të Serbisë (DSS), Sanda Rashkovç Iviç, ka vlerësuar se Serbinë nuk e ka përulur Kryeministri shqiptar, Edi Rama, rreth deklaratave për Kosovën, por Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, për shkak të përgjigjes joadekuate dhe lejimit që Rama të vazhdonte vizitën e tij në Preshevë.

“Nuk e ka përulur Serbinë Kryeministri shqiptar, sepse nuk mundet, por një gjë të tillë e ka bërë Kryeministri serb. Askush nga jashtë, e më së paku Edi Rama, nuk mund ta përulin Serbinë, sikur bëjnë gjatë gjithë përpjekjeve të tyre për ta nënvlerësuar, por për ta përulur, munden vetëm ata të cilët e përfaqësojnë Serbinë, të cilët në këto nënvlerësime përgjigjen në mënyrë joadekuate. Përgjigjja e vetme e drejtë ndaj Kryeministrit shqiptar në gjestin e tij të hapur dhe armiqësor ndaj Serbisë është dashur të jetë anulimi i mikpritjes dhe ndërprerja e vizitës së tij. Kështu, para politikës luajale të autoriteteve serbe ndaj Brukselit dhe Uashingtonit, të cilët insistuan në këtë vizitë të turpshme, Serbia u përul edhe një herë dhe këtu nuk ka asnjë retorikë patriotike të Kryeministrit të Serbisë që mund ta ndihmojë”, – ka thënë Rashkoviç Iviç.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency