Paketa fiskale / Kush përfiton dhe humb nga rregullat e reja mbi taksat

0
213

pagat-leke

Ervin Kaduku

–  Kush përfiton dhe kush humb nga rregullat e reja mbi taksat që janë prezantuar të premten në Kuvend nga ministri i Financave Shkëlqim Cani?

Paketa fiskale, e përgatitur nga qeveria dhe e prezantuar tashmë edhe në Kuvend, planifikon që një numër shumë i vogël biznesesh në Shqipëri do të përfitojnë ulje taksash për vitin e ardhshëm, ndërkohë që shumica e tyre, si dhe qytetarët e thjeshtë, do të kenë një rritje të barrës së taksave në masën 112 milionë euro. Kjo del qartë nga paketa e projektligjeve fiskale dhe relacioneve përkatëse të lidhura me buxhetin e vitit 2015.

Në fakt, pot ë shohësh me vëmendje këtë “bllok” ndryshimesh të rregullave fiskale, del se një prodhues kromi, kompanitë e pijeve energjike si dhe disa kompani sigurimesh do të përfitojnë ulje taksash, ndryshe nga pjesa tjetër e shqiptarëve, mbi të cilët do të rëndojnë 112 milionë euro taksa shtesë.

Kromi merr ulje taksash

Janë disa biznese që duket se e kanë “bindur” qeverinë që t’ia ulë taksat. Një histori e zakonshme klientelizmi kjo, që përsëritet pavarësisht ndryshimit të qeverive.

Sipas relacionit të Ministrisë së Financave për taksat kombëtare, një shoqatë e quajtur “Shoqata e Mineraleve të Shqipërisë”, ka kërkuar uljen e rentës minerare për kromin e përpunuar në vend. Qeveria ka pranuar që renta minerare të ulet me 30 për qind për kromin e përpunuar. Problemi është që kjo masë ligjore duket se i shërben vetëm një biznesi, të vetmit biznes që disponon fabrikën e Ferrokromit në Elbasan.

Shoqata e Mineraleve të Shqipërisë nuk rezulton e regjistruar si grup interesi pranë Kuvendit të Shqipërisë dhe duket se ndërhyrja e kësaj shoqate është bërë pranë qeverisë. Qeverisë do t’i kushtojë 45 milionë lekë (rreth 300 mijë euro) në vit ulja e rentës minerare për kromin.

Jo më akcizë për pijet energjike

Grupi i dytë i përfituesve është ai i prodhuesve dhe importuesve të pijeve energjike. Qeveria vendosi një akcizë vitin e kaluar mbi pijet energjike në masën 50 lekë për litër. Por vitin e ardhshëm kjo taksë do të hiqet. Megjithëse në tregun e pijeve energjike ka shumë prodhues dhe importues, është vetëm një impotues ai që disponon shumicën dërrmuese të tregut. Gjithsesi, relacioni i qeverisë për kuvendin nuk paraqet hapur si në rastin e kromit, ndërhyrjen e mundshme të ndonjë grupi interesi. Qeveria ka mbledhur rreth 500 milionë lekë akcizë nga pijet energjike këtë vit, të cilat nuk do t’i ketë më vitin e ardhshëm.

Jo më TVSH për sigurimet e jo-jetës

Grupi tjetër i përfituesve është ai i kompanive të sigurimit. Këto kompani do të përfitojnë heqje të TVSH-së. Qeveria ka vendosur t’i falë këtyre kompanive rreth 280 milionë lekë (rreth 2 milionë euro). Sipas arsyetimit të qeverisë, “sigurimet kanë rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik të vendit”. Megjithëse nuk shprehet qartazi që këto ndryshime të kenë ardhur si pasojë e ndonjë kërkese nga biznesi, në relacion përdoren të njëjtat argumentime që disa kompani sigurimi i kanë bërë publike prej kohës.

 

 

 

Reforma administrative krijon ngërç në buxhetin 2015

Buxheti vendor i vitit 2015 është buxheti i tranzicionit nga ndarja aktuale administrative-territoriale në implementimin e reformës së re. Kështu ky buxhet do të jetë i ndarë në dy faza, faza e parë para ndarjes së re administrative, që përkon para zgjedhjeve lokale dhe faza e dytë, pas zgjedhjeve, kohë kur bëhet efektive kjo ndarje. Sipas parashikimeve të buxhetit të vitit të ardhshëm, shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2015 janë parashikuar në masën 41.2 miliardë lek ose 2.7% e PBB-së.

Në këtë zë është përllogaritur rritja e transfertës së pakushtëzuar për njësitë vendore, së bashku me Fondin e Zhvillimit te Rajoneve ne raport me vitin 2014 me rreth 28.6%, dhe është reflektuar rritja e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore në masën 2.6 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin fillestar 2014. Në projektbuxhetin e vitit 2015, është vazhduar me përmirësime dhe rregullime në mënyrën e llogaritjes së transfertës së pakushtëzuar për çdo njësi të qeverisjes vendore.

Disa nga elementet e ndryshuar dhe të rregulluar janë, të dhënat për popullsinë janë marrë nga të dhënat e regjistrit të gjendjes civile, të ardhurat nga biznesi i vogël dhe taksa e automjeteve të përdorura për efekt të kapacitetit fiskal janë llogaritur nga të dhënat faktike të vitit 2013. Gjithashtu niveli minimal për frymë, për vitin 2015 do të jetë, për bashkitë, 2.960 lekë/frymë dhe për komunat 2.000 lekë/frymë. Po sipas këti drafti bashkitë Berat dhe Gjirokastër, që bëjnë pjesë në UNESCO, janë trajtuar me një koeficient favorizues financimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency