Zyrtarizohet paketa fiskale/ Të gjitha ndryshimet në taksa e tatime më 2015, ja cilat rriten

0
155

Ervin Kaduku

komisioni-ekonomise Zyrtarizohet në mbledhjen e përbashkët të kryetarëve të grupeve parlamentare paketa fiskale 2015. Në të përfshihen një numër ndryshimesh në taksat që duhet të paguajnë qytetarët shqiptarë vitin e ardhshëm, nga totali i të cilave shteti duhet të fitojë rreth 50 milionë dollarë më shumë sesa deri tani.

Paketa fiskale 2015 sjell disa ndryshime në taksat e mëposhtme:

-Tatimi mbi të ardhurat personale synon ndryshimin e normës së taksimit mbi të ardhurat personale (TAP) nga 10% në 15%, përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga (që u ulën vitin e kaluar me paketën fiskale 2014.

-Taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që synohet të rritet me 10 lekë/litri për naftën dhe benzinën.

-Rritja e akcizës për duhanin është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre.

-Renta minerare, do të ndryshojë përqindja e të ardhurave nga renta minerare që merr pushteti vendor ku zhvillohet veprimtaria minerare, nga 25% në 5%.

-Ulja e rentës së mineraleve që përpunohen në vend.

-Përjashtimi nga taksa e qarkullimit dhe karbonit për sektorin e peshkimit.

-Ulja e taksës doganore për gomat e reja.

 

Më poshtë pasqyrohen të gjitha ndryshimet fiskale që përfshihen në projektligjet e përgatitura nga Ministria e Financave.

 

Tatimi mbi të ardhurat

Ndryshimet e propozuara adresojnë një gamë të gjerë çështjesh që kanë dalë gjatë zbatimit të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat personale”, si në nivel individi, ashtu edhe për biznesin.

Për këtë arsye, propozimet e bëra në këtë projektligj synojnë jo vetëm zgjidhjen e këtyre problematikave, por kanë edhe fokus të veçantë në dhënien e stimujve në sektorë të ndryshëm, si p.sh. stimulimin e kontributeve vullnetare, trajtimin e firove dhe humbjeve për qëllime tatimore, rishikimin e normës së tatimit mbi të ardhurat personale të individit, duke e barazuar me tatimin ndaj biznesit.

Disa nga këto propozime kanë ardhur nga grupet e biznesit.

 

Pensionet

Projektligji propozon përputhshmëri midis ligjit për pensionet vullnetare dhe ligjit tonë të tatimit mbi të ardhurat, për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale të kontributeve të punonjësve në fondin e pensionit vullnetar. Në ligjin aktual për pensionet përcaktohet se kontributet e bëra nga çdo anëtar fondi pensioni zbriten nga të ardhurat personale të tij, për efekt tatimi, e po ashtu edhe kontributet e punëdhënësit në favor të punëmarrësve të vet nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit. Lehtësimi tatimor që njihet me ligj përshkallëzohet sipas moshës së anëtarit, si dhe ka një kufi maksimal vjetor përfitimi. Gjithashtu, kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve në një plan pensioni profesional njihen si shpenzim operacional i zbritshëm deri në kufirin e 250 mijë lekëve në vit.

Po ky ligj, parashikon që pagesa e marrë nga anëtari i fondit të pensionit tatohet. Megjithatë, në praktikë mbi 7 mijë anëtarët e fondeve private të pensioneve nuk përfitojnë nga lehtësia fiskale që ofron ligji për pensionet. Kjo ndodh sepse në ligjin “Për tatimet mbi të ardhurat”, kontributet për pensionin vullnetar njihen si shpenzime të zbritshme vetëm për ata kontribuues, të ardhurat vjetore bruto të të cilëve janë poshtë kufirit prej 1 050 000 lekësh. Gjithashtu, procedurat tatimore përkatëse nuk parashikojnë që zbritja për qëllime tatimore të kryhet direkt nga punëdhënësi, sikurse ndodh gjerësisht në praktikën e vendeve që ofrojnë nxitje të tilla.

 

Të ardhurat

Propozohet ndryshimi i normës së taksimit mbi të ardhurat personale përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga. Të ardhurat e përfituara nga paga do të mbetet e njëjtë, duke i qëndruar kështu programit të qeverisë, që kush fiton më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguan më shumë.

Dividendët, të ardhurat që rrjedhin si fitim i ortakut, qoftë ky ortak i vetëm, interesat nga huatë, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera që nuk parashikohen ndryshe në dispozita të tjera të këtij ligji, do të tatohen me 15 për qind.

Rritja nga 10% në 15% e tatimit mbi të ardhurat nga dividendët, interesat, huatë etj. vjen në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale.

Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015.

 

Kalimi i pronës

Propozohet gjithashtu unifikimi i datës së derdhjes të të ardhurave nga taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme me datën e derdhjes së tatimit në burim për të ardhurat e tjera personale.

 

Biznesi i vogël

Me paketën fiskale 2014 u hoq taksa vendore e biznesit të vogël dhe u prezantua tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël në masën 7.5% e fitimit të tatueshëm dhe 25 mijë lekë në vit për subjekte me qarkullimin nga 0 – 2 milionë lekë në vit.

Nga ana praktike e konceptimit të deklaratës, të ardhurat e një individi nga paga si rezultat i një marrëdhënieje punësimi ose të ardhura nga vetushtrimi i një aktiviteti ekonomik me xhiro nga 0 deri në 8 milionë lekë janë konceptuar si një kategori të ardhurash, prandaj janë edhe janë së bashku në kutinë 3 të deklaratës. Përpos kësaj, këto të ardhura tashmë nuk kanë normë të njëjtë tatimore (të ardhura nga paga tatohen progresivisht; taksa fikse 25 mijë lekë në vit për 0-2 milionë dhe 7.5% për kategorinë 2 – 8 milionë lekë). Sipas rikonceptimit që i është bërë deklaratës në propozimin e dërguar nga Ministria e Financave, këto lloj të ardhurash nuk do të tatohen me 10%, por sipas normës aktuale në fuqi.

Tatimi fiks prej 25 mijë lekësh për subjektet me qarkullim nga 0–2 milionë lekë është tatim përfundimtar dhe për këtë arsye shkronja “gj” e nenit 13/3 të ligjit, sipas së cilës, për efekt deklarimi, 10% e qarkullimit të kësaj kategorie do të konsiderohet si e ardhur bruto, nuk ka më kuptim.

 

Zbritjet

Propozohen ndryshime të rëndësishme në shpenzimet e zbritshme që i njihen një individi kur plotëson deklaratën e tatimit mbi të ardhurat personale.

Prej tri vitesh nga zbatimi i deklaratës të të ardhurave personale të individit, vërehet se kjo reformë nuk ka arritur ende efektin e dëshirueshëm. Shumë pak individë bëjnë deklarimin vjetor individual të të ardhurave. Administrata tatimore është duke ndërmarrë një plan të posaçëm pune për kategorizimin e individëve me risk të lartë, të cilët rezultojnë mosdeklarues. Ndërkohë që ka një kategori individësh, të cilët bëjnë deklarimin vullnetar të deklaratës dhe kanë përfituar nga skema ekzistuese e njohjes së shpenzimeve të zbritshme. Propozimi në këtë nen synon ristrukturimin e njohjes së shpenzimeve të zbritshme për një individ për të qenë më pranë shpenzimeve reale të tyre dhe për të stimuluar deklarimin vullnetar.

Aktualisht, ligji përcakton katër kategori shpenzimesh të zbritshme, për efekt të llogaritjes të së ardhurës të tatueshme:

  1. a) Kontributet vullnetare në fondin e pensionit vullnetar dhe kontributet vullnetare të individit për jetën dhe shëndetin, të derdhura nga vetë individi;
  2. b) shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim;
  3. c) shpenzimet për mjekim për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor;

ç) taksa e pasurisë.

Kjo kategori shpenzimesh nuk ka arritur të nxitë dhe të promovojë deklarimin vullnetar të individëve.

Përfshirja këtu si shpenzim i zbritshëm i shpenzimeve për kontribut vullnetar ka sjellë dy efekte jopozitive:

  • Nuk ka mundur të japë lehtësinë e përcaktuar në ligjin për kontributet vullnetare;
  • Nuk ka dhënë incentivë realë në një grup më të gjerë individësh për të bërë vetëdeklarim.

Për këtë arsye, duke saktësuar në këtë projektligji që kontributi në pensionet vullnetare është i përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale, rrjedhimisht të tilla të shpenzime nuk do të jenë më si shpenzime të zbritshme.

Ndërkohë, njohja e shpenzimeve për pagesën e taksës së pasurisë për efekt të llogaritjes të së ardhurës së tatueshme është disi e pazakontë dhe ka dy implikime kryesore. Së pari, ajo çon në uljen e të ardhurave të tatueshme (për efekt të deklaratës individuale), duke ndikuar në uljen e të ardhurave të buxhetit qendror. Së dyti, ajo ndikon negativisht në progresivitetin dhe drejtësinë e sistemit të përgjithshëm të tatimit, pasi individët me të ardhura të larta do të fitojnë më shumë, sepse zotërojnë edhe prona me vlerë më të lartë.

Propozohet që tatimi vjetor për t’u paguar nga individi llogaritet duke zbritur nga shuma e tatimit të llogaritur për të gjitha llojet e të ardhurave të realizuara nga individi gjatë vitit, tatimin e zbritshëm për shpenzimet e njohura dhe tatimin e paguar e të mbajtur në burim. Tatimi i zbritshëm për shpenzimet do të llogaritet duke shumëzuar shumën e shpenzimeve të zbritshme me normën tatimore në fuqi të aplikuar mbi të ardhurat e tjera, siç janë dividendët, të ardhurat që rrjedhin si fitim i ortakut, qoftë ky ortak i vetëm,interesat nga huatë, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, të ardhurat nga lojërat e fatit apo të ardhurat e tjera.

 

Akcizat

Nga data 1 janar 2014, pijet energjike u trajtuan si produkte me akcizë, në masën 50 lek/litri. Për shkak të vështirësive në zbatim nga administrata doganore propozohet të hiqen pijet energjike si produkte me akcizë. Propozimi për heqjen e akcizës së pijeve energjike është se kjo akcizë ka pasur një efekt negativ tek operatorët ekonomikë dhe në deklasifikimin e produkteve energjike.

Në përcaktimin e pijeve energjike ka shumë elemente teknike, për të cilat administrata doganore ka pasur vështirësi në klasifikimin e tyre. Më konkretisht, linjat e prodhimit të cilat shërbejnë për prodhimin e produktit “pije energjike”, shërbejnë njëkohësisht edhe për prodhimin e pijeve freskuese, çka sjell vështirësi në verifikime dhe mbajtje nën kontroll të prodhimit. Elementet përbërëse të produktit “pije energjike”, përqindja e të cilëve përcakton nëse produkti është apo jo pije energjike, aktualisht nuk mund të analizohen në laboratorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave apo në ndonjë laborator tjetër në Shqipëri.

Përpos kësaj, operatorët ekonomikë kanë ndryshuar klasifikimin e pijeve energjike për të mos u konsideruar si produkte me akcizë, sidomos në import. Kjo ka rezultuar në dëmtim të prodhimit vendas, kostoja e të cilit është më e lartë se prodhimi i importit.

Aplikimi i taksës së akcizës prej 50 lekë/litër për pijet energjike ka sjellë rritje direkte të kostos prej 12.5 lekë/kanaçe 250 ml. Një kanaçe pije energjike prodhim vendas shitet me 80 lekë/copë, dhe një rritje në kosto prej 12.5 lekë/copë, ka ndikuar ndjeshëm në rënien e shitjeve deri në ndërprerje të prodhimit. Ndërsa një kanaçe pije energjike importi shitet mesatarisht 150 lekë/kanaçe 250 ml, dhe një rritje prej 12.5 lekë/copë nuk ka pasur ndikim në rënie të shitjeve të këtij produkti nga importi.

 

Tarifa doganore

Miratimi i këtij projektligji propozohet në kuadër të paketës “Bujqësia”, e cila është një paketë e plotë masash për stimulimin dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe agrobiznesit për uljen e kostove dhe rritjen e rentabilitetit të këtyre sektorëve. Ndër këto masa është bërja 0% e tarifës doganore për importin e produkteve që shërbejnë si lëndë të para për industrinë apo blegtorinë, të tilla si: gruri, ushqimi për kafshët, zogjtë njëditorë, derrat nën 30 kg, viçat nën 160 kg dhe mielli. Bërja zero e tarifës është propozuar edhe për sektorët e tjerë të rëndësishëm, siç është sektori i përpunimit të nënprodukteve të naftës duke synuar stimulim dhe lehtësim të këtij sektori.

Ky projektligj përmban vetëm një nen, i cili përcakton reduktimin e tarifave doganore të disa produkteve. Ndryshimet kryesore janë:

  1. a) Ulja e tarifës doganore për naftën bruto prej 10% në 0%, e klasifikuar në kodin e Nomenklaturës se Kombinuar të Mallrave 2709 00 90.
  2. b) Bërja 0% e tarifës doganore për miellin e grurit, që aktualisht është 10%. Efekti në të ardhura është minus 40 milionë lekë;
  3. c) Bërja 0% e tarifës doganore për importin e produkteve që shërbejnë si lëndë të para për industrinë apo blegtorinë (si p.sh. gruri, ushqimi për kafshët, zogjtë njëditorë, derrat nën 30 kg, viçat nën 160 kg). Efekti në të ardhura është minus 150 milionë lekë;
  4. d) Bërja 0% e tarifës doganore për materialin biologjik, që aktualisht është 10%. Efekti në të ardhura është minus 1.2 milionë lekë;
  5. e) Bërja 10% e tarifës për gomat e reja pneumatike, që aktualisht është 15%.

 

Nafta bruto

  • Rafineria “ARMO” operon në dy rafineri, në Fier dhe Ballsh, përkatësisht me kapacitete përpunimi të naftës bruto prej 0.5 dhe 1 milion ton naftë bruto. Për nevoja teknologjike, rafineria përdor naftë bruto importi dhe naftë bruto vendase. Nafta e importit ka tarifë doganore 10% dhe rritjet e çmimit të naftës bruto në tregun botëror ndikojnë në koston e lëndës së parë të rafinerisë;
  • Vetëm Shqipëria aplikon tarifë doganore për naftën bruto;
  • Rafineri të tjera përveç rafinerisë “ARMO” janë duke u zhvilluar dhe për vetë karakteristikat kryesore të zhvillimit të tyre, ulja e tarifës doganore të naftës bruto është e rëndësishme për uljen e kostove për të tilla rafineri.

Ulja e tarifës doganore për naftën bruto nga 10% në 0% vjen si mbështetje e qeverisë në uljen e kostove të prodhimit të rafinerive në vend, për t’i dhënë një stimul fiskal për vitin 2015 këtij sektori në synim rritjen e përpunimit të naftës bruto dhe rritjen e prodhimit vendas për nënproduktet e naftës.

Ulja e tarifës doganore 10% të naftës bruto u analizua edhe nën një këndvështrim tjetër. Nafta bruto është trajtuar me tarifë doganore të lartë në import për të nxitur përpunimin e brendshëm të naftës bruto dhe prodhimin e brendshëm të nënprodukteve të naftës. Mirëpo, në kushtet e zhvillimit të teknologjisë së përpunimit të rafinerive, është e nevojshme përzierja e naftës bruto të nxjerrë brenda vendit me naftën bruto të importuar. Kjo për arsye se nafta bruto e prodhuar në vend është shumë viskoze në krahasim me naftën e importuar. Kështu që mbajtja e tarifës doganore prej 10%, tashmë, thjesht është një tarifë me kosto për rafineritë, se sa një masë mbrojtëse për prodhimin vendas të naftës bruto.

Shqipëria është vend naftënxjerrës, me një nga pasuritë nëntokësore më të mëdha në vend. Mirëpo, pavarësisht kësaj ne importojmë tërësisht nënproduktet e naftës, për shkak të problematikave që ka pasur rafineria kryesore e përpunimit në vend. Rafineria “ARMO” përbën një kompani strategjike, si në terma të punësimit, ashtu edhe si tatimpagues kontributiv i rëndësishëm në të ardhurat tatimore, sidomos për akcizën. Vitet e fundit kjo rafineri e ka humbur rëndësinë e saj si kompani strategjike, me një kontribut modest në të ardhurat nga taksat. Për këtë arsye, synimi i qeverisë është rivitalizimi i rafinerisë “ARMO”, si dhe i zhvillimit të rafinerive të tjera, në rritjen e përpunimit të naftës bruto dhe rritjen e prodhimit vendas të nënprodukteve të naftës.

 

Taksa e qarkullimit

Kostot e mirëmbajtjes së infrastrukturës së rrugëve dhe efektet që shkakton përdorimi i karburanteve në mjedis kanë ardhur në rritje. Për pasojë, vjen e nevojshme gjetja e mënyrave të drejtpërdrejta apo të tërthorta për të përballuar këto kosto. Një nga këto mënyra është edhe rritja e taksës së qarkullimit. Me këtë projektligj propozohet një rritje me 10 lekë/litri të taksës së qarkullimit nga 17 lekë/litër në 27 lekë/litër.

Taksat gjithsej në benzinë dhe naftë janë 57 lekë/litër. Totali i mbledhjes së këtyre taksave, ekonomikisht, nuk mbulon plotësisht investimet me anë të buxhetit të shtetit.

 

Renta minerare

Propozohet që përqindja e rentës minerare për përmbajtjen e mineralit krom në nënproduktin minerar të jetë në masën sa 2/3 e normës së rentës të përcaktuar në ligj. Ky propozim, i cili vjen nga grupet e interesit, ka për qëllim nxitjen e investimeve direkte vendase dhe të huaja nëpërmjet rritjes së shkallës së përpunimit të këtij minerali në vend.

Rritja e shkallës së përpunimit të këtij minerali në vend, që vjen si pasojë e uljes së masës me 1/3 e normës së rentës, pritet të sjellë rritjen e të ardhurave të arkëtueshme nga renta minerare.

 

Taksat kombëtare

Ky projektligj është në përputhje me programin politik të qeverisë dhe synon:

  1. zhvillimin e sektorit të peshkimit, duke ulur kostot e karburantit që përbëjnë rreth 80% të kostove totale të anijeve të peshkimit;
  2. rritjen e investimeve në infrastrukturën rrugore nëpërmjet rritjes së financimeve përmes taksimit të karburanteve;
  3. rritjen e decentralizimit fiskal të pushtetit vendor me transferimin e më shumë të ardhurave nga renta minerare;
  4. mbështetjen e sektorit të sigurimeve.

Nga data 1 janar 2015, do të zbatohet përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i primeve të shkruara për produktet e jo-jetës, (duke sjellë trajtimin e tyre fiskal sipas direktivës evropiane), masë kjo me një efekt 500 milionë lekë minus nga të ardhurat nga TVSH-ja, ndërsa vendoset një taksë e re kombëtare, prej 3% mbi to. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin 2015 do të jetë rreth 220 milionë lekë. Efekti neto në të ardhurat nga këto dy taksa do të jetë negativ, me rreth 280 milionë lekë, por vlerësohet që këto ndryshime të jenë faktor nxitës për shtimin e aktivitetit, thelbësisht të përmirësuar, të shërbimit të sigurimeve, që ende vuan nga standarde të ulëta, krahasuar me BE-në dhe fqinjët.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency