Nga 1 janari/ Sa do të rritet taksa e qarkullimit të makinave dhe tatimi mbi të ardhurat personale

0
41

Ervin Kaduku

Copy-of-20101229094403_29121012_51P89–  Konfindustria: Mos rritni taksat, taksimi i sheshtë është më efektiv

–  Biznesi vlerëson se masa e parashikuar nga qeveria në paketën fiskale për vitin e ardhëm nuk është produktive, në kushtet kur evazioni fiskal llogaritet të paktën 50 për qind

 Njoftimet e pakta lidhur me ndryshimin e mëtejshëm të politikave fiskale, që po përgatitet nga qeveria, ka shqetësuar komunitetin e biznesit shqiptar. Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, në një njoftim për shtyp, është shprehur dje se mungesa e arsyetimeve shoqëruese ekonomike e kthen politikën fiskale vetëm si mjet për sigurimin në afatshkurtër të të ardhurave për buxhetin e shtetit si qëllim në vetvete dhe krijon shkak për rrezikim në afatgjatë të ekonomisë kombëtare.

Konfindustria vlerëson se në kushtet e një evazioni fiskal prej pothuaj 50% të PBB-së, mënyra më e mirë për sigurimin e të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe mbi të gjitha për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë kombëtare është miradministrimi fiskal me politikat e taksave të ulëta dhe të sheshta.

Më tej, thuhet se rritja e përgjithshme e taksave dhe tatimeve me 50% për të ardhurat personale të qytetarëve parashikuar për vitin 2015, rritja e çmimit të energjisë elektrike, mbajtja e tatimit të fitimit me 15% dhe shtimin e taksave për qarkullimin dhe karburantet, mbajtjen e tatim fitimit prej 15% për biznesin e madh, nuk krijon kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Sipas tyre, këto ndryshime ulin fuqinë blerëse, po ashtu edhe fuqinë konkurruese të Shqipërisë me vendet e rajonit për tërheqjen e investimeve të huaja.

Konfindustria vlerëson si masë pozitive parashikimin në paketën fiskale 2015 për rritjen e pjesës së ndarë për pushtetin vendor të rentës minerare, megjithatë bëhet e ditur se Konfindustria është duke përgatitur dhe do të paraqesë së shpejti në komisionet e Kuvendit të Shqipërisë paketën me vërejtjet dhe propozimet përkatëse për paketën fiskale 2015.

Buxhuku përmend se vendet e rajonit punojnë me taksën e sheshtë prej 9-10% të tatimeve të mësipërme dhe njëkohësisht kanë çmime konkurrente të energjisë, karburanteve etj., duke nxitur qeverinë shqiptare në vazhdimësinë e decentralizimit fiskal në mbështetje të reformës administrative-territoriale.

 

Taksat e reja

Edhe në 2015-ën, biznesit do t’i duhet të rishikojë planet e tij në bazë të ndryshimeve të disa tatimeve dhe taksave, që parashikohet të rishikohen në kuadër të buxhetit 2015 dhe që do t’u kushtojnë sipërmarrësve, por edhe individëve, 13.7 miliardë lekë (kaq është shuma neto që pritet të gjenerojnë në buxhet këto politika). Linjat kryesore të këtij rishikimi, sipas relacionit të projektbuxhetit 2015, lidhen me:

-Ndryshimin e atyre tatimeve dhe taksave që nuk janë shtrembëruese dhe mbështesin progresivitetin;

-Mbështetjen e reformave të qeverisë (si p.sh. reforma antiduhan nëpërmjet rritjes së akcizës së cigareve, si dhe rritjen e bazës së tatueshme nëpërmjet rritjes së normës së tatimit mbi të ardhurat personale, duke e barazuar me tatimin mbi fitimin);

-Adresimin e kërkesave të ministrive të linjës për të konkretizuar dhe për të faktorizuar politikat e tyre sektoriale (si p.sh. “Paketa bujqësia”).

 

Tatimi mbi të ardhurat rritet në 15%, përveç pagave

Tatimi mbi të ardhurat personale, sipas relacionit, synon ndryshimin e normës së taksimit mbi të ardhurat personale nga 10% në 15%, përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga (që u ulën vitin e kaluar me Paketën Fiskale 2014). Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015.

Më konkretisht, komponentët e TAP që ndryshojnë janë: tatimi mbi dividendin, interesat nga huatë, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qiraja, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera. Këto masa vijnë në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale.

 

Taksa e qarkullimit, rritja për mirëmbajtjen e rrugëve

Taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që synohet të rritet me 10 lekë/litër për naftën dhe benzinën. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë rreth 5.6 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja, për vitin 2015. Arsyet për ndryshimin e kësaj takse, sipas relacionit të projektbuxhetit, janë:

-nevojat në rritje të mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore. Taksat gjithsej në benzinë dhe naftë janë 57 lekë/litër. Totali i mbledhjes së këtyre taksave, ekonomikisht, nuk mbulon plotësisht investimet me anë të buxhetit të shtetit.

-adresimi i efekteve anësore në lidhje me mjedisin, duke vazhduar angazhimet ambientaliste të qeverisë.

-marrja në konsideratë e një game efektesh anësore nga përdorimi i mjeteve rrugore, të cilat duhet të reflektohen në taksat e karburantit motorik (përfshirjen e emetimeve të karbonit, ndotjen e ajrit lokal, bllokimet dhe aksidentet).

Sipas relacionit, me gjithë propozimet e mësipërme, Shqipëria ende nuk i plotëson kërkesat minimale të BE-së për akcizat e karburanteve motorike. Direktiva e BE-së 2003/96 kërkon një akcizë minimale prej 0,359 euro (50 lekë) për litër për benzinën, 0.330 euro (46 lekë) për litër në naftën (motorike). Për sa i përket ndikimit të rritjes së kësaj takse në çmimin final të shitjes me pakicë të naftës dhe benzinës, vlerësohet se kjo rritje takse nuk do të përkthehet në rritje çmimi sikundër ndryshimi i ndodhur në paketën fiskale 2014 nuk u pasqyrua në rritjen e çmimit në tregun e brendshëm.

 

Akciza për duhanin, politika për frenimin e konsumit

Rritja e akcizës për duhanin është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre. Përpos kësaj, financat kanë vendosur një nivel modest taksimi të cigareve dhe një rritje progresive është e nevojshme për t’u përafruar me nivelin minimal sipas BE-së. Për këtë arsye, në muajin tetor 2014, Parlamenti miratoi rritje të akcizës së cigareve nga 4500 lekë/1000 copë (90 lekë/paketë) që ishte në 5500 lekë/1000 copë (110 lekë/paketë). Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës, për vitin 2015, parashikohet të jetë rreth 3.4 miliardë lekë nga akciza dhe 600 milionë lekë nga TVSH-ja.

Në linjë me rritjen e akcizës së cigareve, Parlamenti miratoi edhe rritjen e akcizës së duhanit të dredhur me 1400 lekë/kg deri në fund të vitit 2015. Efekti në të ardhura është 200 milionë lekë për vitin 2015.

 

Ndryshimet në rentën minerare

Sipas financave, renta minerare dhe ndryshimet në kuadrin ligjor të saj, synojnë që renta minerale që do të marrë pushteti vendor të mos jetë e lidhur me shumën e transfertës së pakushtëzuar. Për këtë arsye, do të ndryshojë përqindja e të ardhurave nga renta minerare që merr pushteti vendor ku zhvillohet veprimtaria minerare, nga 25% në 5%. Ndarja e të ardhurave nga renta minerare midis pushtetit vendor dhe qendror përbën një politikë normale fiskale të decentralizimit fiskal. Mirëpo, për këtë ndarje të ardhurash midis dy pushteteve, ka dy ligje specifike të cilat përcaktojnë procedurën e shpërndarjes dhe që në dualizëm me njëra-tjetrën kanë bërë që pushteti vendor të përfitojë shumë pak nga mbledhja e rentës minerare. Bazuar në të ardhurat nga renta minerare për vitin 2014, të cilat vlerësohen rreth 7.8 miliardë lekë, pushtetit vendor do t’i kalojnë rreth 400 milionë lekë, nga 100 milionë lekë që kanë marrë për vitin 2013.

Taksa e makinave do të rishikohet me synimin e vendosjes së një takse dysheme për makinat e përdorura. Aktualisht, taksa vjetore e mjeteve të përdorura të transportit është sipas formulës: cilindrata x koeficienti sipas vjetërsisë x lloji i karburantit që përdoret. Bazuar në këto tre elemente që shumëzohen për të llogaritur taksën e makinave, ka rezultuar se janë 193 mijë makina në Shqipëri, për të cilët taksa e makinave është nën 10 mijë lekë. Në harmonizim të trajtimit fiskal të karburanteve për efekt të ndotjes së mjedisit dhe përdorimit të infrastrukturës rrugore, do të vendoset një taksë dysheme jo më pak se 10 mijë lekë në vit. Pra, minimumi i taksës është 10 mijë lekë për të dy efektet negative që sjell përdorimi i makinës: ndotjen e ambientit dhe përdorimin e infrastrukturës rrugore. Në këtë të fundit investon si pushteti vendor, ashtu edhe pushteti qendror. Kështu që, nëpërmjet rritjes së kësaj takse, rriten edhe të ardhurat e pushtetit vendor për të shtuar investimet në infrastrukturën rrugore lokale. Përjashtim nga kjo taksë dysheme do të bëjnë motomjetet ose ndryshe të njohur si çiklomotorë (mjete me 2 ose 3 rrota). Këto mjete aktualisht paguajnë një taksë 200-1000 lekë në vit, sipas formulës 200-1000 lekë. Gjithashtu, do të hiqet përjashtimi nga taksa e makinave të përdorura për mjete me vjetërsi nga 0-3 vjet. Aktualisht janë 17 mijë mjete me vjetërsi 0-3 vjet. Përfshirja e këtyre mjeteve në pagesën e taksës dysheme prej 10 mijë lekësh në vit është bazuar në argumentin se këto mjete përdorin infrastrukturën rrugore dhe për këtë shërbim, duhet të paguajnë një taksë dysheme. Efekti në të ardhura shtesë buxhetore do të jetë 116 milionë lekë për pushtetin vendor dhe 520 milionë lekë për pushtetin qendror.

 

 Interesat bankare ulen në minimumin historik

Të gjithë ata që kanë depozituar para në banka gjatë muajit shtator, me afat maturimi 12-mujor, pas një viti, kur të marrin paratë e tyre, mund të mbeten “të zhgënjyer”. Interesat e depozitave kanë zbritur në nivele minimale historike, vetëm 1.59%, nga 1.83% që kishin qenë në gusht dhe shumë më të ulëta se disa vjet më parë, kur ato arrinin deri në 6%, sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Nga ana tjetër, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, norma e tatimit mbi interesat e fituara nga depozitat do të rritet nga 10% që është aktualisht në 15%, sipas paketës së re fiskale.

Interesat e depozitave kanë qenë ato që e kanë “pësuar” më shumë nga politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, duke zbritur nga rreth 6% që ishin në mesin e vitit 2011, kur institucioni monetar qendror filloi uljen e normës bazë (nga 5.25% në atë kohë në 2.5% aktualisht) në rreth 1.6% në shtator 2014, duke rënë me 4.4 pikë përqindjeje. Interesat e kredive kanë rënë me rreth 2.5 pikë përqindjeje për të njëjtën periudhë.

Ndërkohë, depozitat në banka kanë vijuar rënien gjatë muajit shtator. Sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të shtatorit arriti në 959.4 miliardë lekë, duke u tkurrur me 2.9 miliardë lekë, apo 0.3%, në raport me muajin e mëparshëm.

Kjo tendencë negative erdhi nga rënia e kursimeve, si në lekë ashtu dhe në valutë. Si për lekun ashtu dhe valutën, kjo është tkurrja e parë në që nga shkurti 2014.

Me bazë vjetore (shtator 2014/shtator 2013), depozitat në total janë shtuar vetëm me 0.35% .

 

Vetëm 630 lekë të reja në muaj do të përfitojnë nevojtarët për energjinë

Rreth 77 mijë familje trajtohen me ndihmë ekonomike nga shtetit për shkak të mungesës së të ardhurave. Me heqjen e fashës mbrojtëse 300 kw për energjinë elektrike, këto familje do të preken drejtpërsëdrejti duke bërë që gjendja e vështirë ekonomike e tyre të përkeqësohet edhe më tej. Por për të mbrojtur këto shtresa kryeministri Edi Rama ka theksuar se do të ketë shtesë të ndihmës ekonomike.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj bëri me dije gjatë seancës së fundit parlamentare se fondi në dispozicion për rreth 204 mijë familje në nevojë në total që do të kompensohen për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ku përfshihen edhe pensionistët kryefamiljarë apo aftësia e kufizuar, është 15 milionë dollarë në vit.

Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë me numrin e familjeve përfituese rezulton se shtesa e ndihmës ekonomike do të jetë mesatarisht 630 lekë të reja në muaj apo rreth 7500 lekë në vit. Prefektura e Shkodrës ka numrin më të madh të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike me rreth 11.204 familje. Ndërsa Prefektura e Durrësit ka numrin më të vogël me 998 familje. Të gjitha këto familje që trajtohen me ndihmë ekonomike aktualisht i kushtojnë buxhetit rreth 311 milion lekë në vit.

 

 Doganat, 200 mln USD më shumë në 13 muaj

Autoritetet doganore njoftuan se gjatë muajit tetor janë zbuluar dhe ndëshkuar 14 raste kontrabande me një vlerë prej 12 milionë lekë (120 mijë USD) në pikat doganore kryesore si Kakavijë, Tiranë, Shkodër, Qafë-Botë. Sipas të dhënave nga doganat, në muajin tetor vazhdojnë rritjet e arkëtimeve, duke u mbledhur 14.8 miliardë lekë, që, krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, janë 15 milionë dollarë më shumë. Rritja e të ardhurave ka qenë e qëndrueshme dhe me trend progres në të gjithë 13-mujorin e drejtimit të ri (tetor 2013 – tetor 2014) duke mbledhur 20.5 miliardë lekë ose 200 milionë dollarë më shumë se e njëjta periudhë paraardhëse, me një rritje prej 14%. Rritja është pasqyruar me rritje ne vjeljen e TVSH prej 10.8% ndërsa rritja e vjeljes se akcizës është 27.2%.