Me dyer të mbyllura/ Rama zbardh prapaskenat e negocimit me Nishanin për guvernatorin e BSH-së            

0
105

Gëzim Saliu

 Grupi i PS-së vendos të mbështesë kandidaturën e Denada Priftit për Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së. Diskutimet mes Ramës dhe deputetëve për Buxhetin e 2015-ës

grupi i ps.. Kryeministri Rama zbardh me deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste negociatat që ka zhvilluar me Presidentin Nishani lidhur me zgjedhjen e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit kuvendor të PS-së, të drejtuar nga kreu i qeverisë, ky i fundit i ka pohuar ligjvënësve të majtë se ka rënë dakord me Presidentin e Republikës në lidhje me procedurat për zgjedhjen e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Në këtë kontekst, burime pranë selisë rozë bënë të ditur se Kryeministri ka deklaruar se brenda javës pritet një rakordim me Presidentin për këtë çështje. Sipas Ramës, mazhoranca do të përcaktojë qartë kriteret dhe profilin ndërkohë që emri i takon kreut të shtetit dhe negociatat do të vazhdojnë derisa të dy palët te arrijnë tek emri që është i pranueshëm për të gjithë. “Kam zhvilluar një takim me Presidentin Nishani, ku kam biseduar edhe lidhur me zgjedhjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Presidenti më ka konfirmuar se ka një listë me emra për kandidatë të BSH-së, sikundër edhe ne kemi emrin e një zonje që punon në institucionet ndërkombëtare dhe që do mbështet nga qeveria për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Me Presidentin jemi ende në negociata për këtë çështje”, – mësohet t’i ketë bërë të ditur Kryeministri deputetëve të PS-së.

 

Emri për KM-në

Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme është vendosur që grupi i Partisë Socialiste do të mbështesë kandidaturën e Denada Priftit për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kryeministri Rama u ka komunikuar deputetëve zgjedhjen e qeverisë për anëtaren e Këshillit Mbikëqyrës, duke sqaruar se kandidatura është një zonjë që punon në Gjermani dhe është e angazhuar në sektorin financiar. Kandidatura e qeverisë dhe ajo që do të vijë nga Kuvendi, plotësojnë dy vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës, ndërsa i treti do të emërohet në fund, nga vetë anëtarët e tij për të plotësuar në këtë mënyrë të gjitha vendet vakante në këtë këshill. Ndërkaq në mbledhjen me dyer të mbyllura u diskutuar edhe buxheti i vitit 2015 që është dorëzuar mëngjesin e djeshëm në Parlament. Mësohet se kreu i qeverisë ka shprehur vlerësimin më të lartë për të, duke nënvizuar se ai do të ndikojë në rimëkëmbjen e ekonomisë. Ndërkaq lidhur me procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së ka reaguar dje edhe deputeti Erjon Brace, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë nen në ligjin për Bankën e Shqipërisë ku thuhet se Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit një anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në fakt për korrektësi duhet të thosha “kandidat për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës”, por nga ajo që po lexoj këta e paskan bërë fakt, ai që propozon Presidenti bëhet anëtar automatikisht dhe Kuvendi duhet ta pranoj pa të drejtë refuzimi!! Në fakt Presidenti nuk ka të drejtë fare të propozojë kandidat për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës. Sipas ligjit kandidat për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës propozon vetëm Kuvendi, qeveria dhe vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Kurrkush tjetër”, – theksoi Braçe.

 

Intervista për BBC/ Bushati: Vizita e Ramës në Serbi do të kryhet

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë për BBC-në komentoi dje vizitën e kreut të qeverisë, Edi Rama në Serbi. Sipas Bushatit, pala shqiptare është e venduar për ta realizuar këtë vizitë javën e ardhshme dhe se theksoi ai, takimi në Beograd do të zhvillohet. “Ne jemi shumë të vendosur që ta kryejmë këtë vizitë, edhe pas incidenteve të Beogradit. Ka pasur një telefonatë mes dy Kryeministrave gjatë të cilës ka pasur një mosmarrëveshje mbi ngjarjet që shoqëruan ndeshjen, por nga ana tjetër ka pasur marrëveshje sa i takon kryerjes së kësaj vizite, e cila do të zhvillohet javës që vjen. Vizita do të kryhet. Shqipëria dhe Serbia janë dy vende kyçe të Ballkanit Perëndimor dhe ne kemi kuptuar, sidomos pas procesit të Berlinit, Konferencës së Berlinit që u zhvillua në gusht të këtij viti, se ekzistojnë shumë ngjashmëri mes nesh, pavarësisht dallimeve”, – u shpreh ministri i Jashtëm. Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, Bushati tha se Serbia e Shqipëria duhet të bashkëpunojnë për projekte konkrete. Sipas ministrit, Shqipëria dhe Serbia janë dy vende që kanë qëllime të përbashkëta, por edhe diferenca. “Ne jemi më se të vendosur për të hapur një kapitull të ri në rajon dhe në marrëdhëniet me Serbinë. Si qeveri i kemi dënuar provokimet, dhunën dhe ngjarjet që shoqëruan ndeshjen e futbollit, para, gjatë dhe pas saj. Ato ishin ngjarje shumë të pakëndshme dhe ne u kemi bërë gjithashtu thirrje autoriteteve serbe të bëjnë të njëjtën gjë. Pavarësisht dallimeve, si Serbia ashtu edhe Shqipëria synojnë të bashkohen me BE-në”, – u shpreh Bushati.

 

 Denoncimi i ish-kryeministrit/ Berisha: Rama kërcënoi gjykatësen e Kukësit për aksionin e energjisë

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi dje se sipas burimeve që ai disponon nga gjykata e Kukësit, kreu i qeverisë Rama ka kërcënuar gjykatën me inicialet D. G. Xh. “Burime plotesisht te besueshme nga gjykata e Kukesit njoftojne se tre dite me pare Edvin Kristaq Rama ka telefonuar direkt duke share me gjuhen me ordinere dhe kercenuar me zhdukje fizike nje gjykatese te respektuar qe punon prej mbi 30 vjet ne ate gjykate. Shkaku i telefonatws, terrorit psikologjik, sharjeve dhe kercenimeve me zhdukje fizike te Edvin Rames ndaj gjykateses ka qene vendimi i saj per te liruar nje person te akuzuar nga Policia per vjedhje te energjise elektrike. Personi li liruar ishte qytetrari H B me kater femij qe faktoj se nuk kishte as toke as pune as shtepi. Kjo esht vetem njera nga telefonatat e shumta kercenuese qe Rama ju ka bere vete gjykatesve te Gjykates se Vlores, Gjykates Administrative, Gjykates se Apelit Tirane etj.”, – deklaroi deputeti demokrat. Në këtë kontekst, Berisha i bëri thirrje prokurorit të Përgjithshëm të nisë me urgjencë hetimin ndaj këtij rasti. “Ju bej thirrje gjykatesve dhe prokuroreve te vendit, qe ne vendimet e tyre te zbatojne ligjin dhe vetem ligjin dhe te mos harrojne se ne keto momente te veshtira per vendin qendrimi i tyre luajal ndaj Kushtetutes dhe ligjeve te vendit ne dhenien e drejtesise eshte vendimtar per ndalimin e instalimit me shpejtesi te shtetit policor te klikes Rama – Meta ne Shqiperi!”, – u shpreh Berisha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency