Aplikimi deri në 31 dhjetor/ Nxënësit dhe studentët, kriteret për të përfituar bursa

0
142

Driçim Çaka

1850 bursa për nxënësit dhe 1800 bursa për studentët

Rastet e veçanta, kush mund të marrë bursë jashtë kritereve

DF05E318-7D7D-4C86-A0EA-047F8B078906_w640_r1_sPër vitin akademik 2014-2015 Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të japin 1850 bursa për nxënësit dhe 1800 bursa për studentët. Këto bursa mund ti përfitojnë nxënësit dhe studentët që nisin për herë të parë shkollën ose Universitetin. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave, për vitet e para, është data 31 dhjetor 2014, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitin e dytë e lart është data 15 nëntor 2014. Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Përfitojnë bursë nxënësit dhe studentët brenda kuotave dhe këtyre kritereve:

 

Sipas kriterit ekonomik

– Nxënësit/studentët që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i tyre dhe plotësojnë kriterin ekonomik.

– Nxënësit që banojnë në fshat, që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km e që akomodohen në konvikte publike.

– Nxënësit/studentët që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.

-Nxënësit/studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë, dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.

-Secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe që akomodohet në konvikt publik.

-Fëmijët, nxënës apo studentë, që gëzojnë statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.

 

Sipas rezultateve të arritura (nxënës/studentë) 

– Nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10.

– Nxënësit që vazhdojnë studimet në shkollat profesionale në drejtimet mësimore: Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e Shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8.

-Studentët e regjistruar në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga MAS më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për vitin akademik 2014-2015, numri i tyre do të jetë 25 studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për vitin akademik 2014-2015.

– Studentët që kanë përfunduar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10.

– Studentët që vazhdojnë studimet në programet e studimit Matematikë dhe Fizikë, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8.

 

Jashtë kriterit ekonomik (nxënës/studentë) 

Fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.  Në fillim të çdo viti akademik, (por jo më vonë se data 15 dhjetor 2014), Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të dërgojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë listën edhe për këtë kategori nxënësish/studentësh.

 

Sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit (nxënës) 

-Nxënësit e shkollave profesionale që ndjekin drejtimet mësimore: Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e Shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit.

– Nxënësit e shkollave profesionale me vendbanim të përhershëm në zonat Verilindore dhe Juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Pogradec, Skrapar dhe Tepelenë.

 

Bursat

Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë, ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur: janë ndarë nga trungu familjar, familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private, vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi, shpallen  ngelës  dhe  humbasin  vitin  shkollor  për arsye të rezultateve jokaluese. Bursat e nxënësve, për vitin e dytë e lart, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit, nga këshilli i bashkisë/komunës, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale dhe konvikteve ku janë vendosur nxënësit përfitues të bursës/kuotës ushqimore. Nxënësit që kanë përfituar bursë e përfitojnë atë edhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore, nga njësia bazë e qeverisjes vendore gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore. Nxënësve të klasës së 13-të të shkollave profesionale, të drejtimit Termohidraulikë, për periudhën e zhvillimit të praktikës profesionale, të miratuar për vitin akademik 2014-2015, që nuk kanë përfituar bursë me vendim të këshillave të njësive të qeverisjes vendore, u akordohet/miratohet bursë nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, mbështetur në kërkesën e Drejtorisë Arsimore Rajonale. Bursat e akorduara/miratuara nga ministria i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë u dërgohen zyrtarisht njësive bazë të qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit që zhvillojnë praktikën profesionale. Nxënësit e përfitojnë bursën në formën e kuotës ushqimore.  Drejtorët e shkollave profesionale e social-kulturore dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive bazë të qeverisjes vendore, informacion për frekuentimin e shkollës/praktikës profesionale, për nxënësit që përfitojnë bursë.

Nga plani i bursave të miratuara për vitin akademik 2014-2015 bashkisë së Tiranës i jepen deri në 10 bursa për studentët të cilët, pavarësisht nga kriteri i vendbanimit apo kritereve ekonomike, kanë statusin ligjor të jetimit si dhe statusin invalid paraplegjik apo tetraplegjik, ndërsa bashkive të tjera, të cilat në vendndodhjen e tyre territoriale kanë institucione të arsimit të lartë publik, për këtë kategori studentësh, u jepen deri në 3 bursa.

 

Rastet e veçanta

Nxënësve dhe studentëve që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit  u sigurohen falas, nga fondet e shkollave përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës, të kartës shëndetësore si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.

“Nxënësit jetimë, që vazhdojnë shkollat e mesme ose institucionet publike të arsimit të lartë, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore, që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor, për arsye të rezultateve jo kaluese, nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.

Fëmijët/nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psiko-sociale, pa konvikt, trajtohen falas nga shteti, me një kuotë ushqimore (drekë), me vlerë deri në 150 lekë në ditë. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për studentët, administrohen nga institucionet publike të arsimit të lartë. Bursa përllogaritet si shpenzim mesatar, lekë në ditë, dhe paguhet çdo muaj me kalim në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti. Drejtuesit e fakulteteve dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive/departamentit të financës, frekuentimin e shkollës për studentët që përfitojnë burse”,-përcakton vendimi i qeverisë. Nxënësve që përfitojnë bursë jashtë kriterit ekonomik, sipas rezultateve të arritura, sipas degëve parësore për zhvillimin e ekonomisë si dhe nxënësve që përfitojnë bursë jashtë kriterit ekonomik, të cilët janë akomoduar ose jo në konvikte, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet, çdo muaj, nga bashkia ose komuna, në llogarinë bankare të nxënësit/prindit përfitues, pranë bankave të nivelit të dytë apo në zyrat e Postës Shqiptare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency