Listën e plotë me kuotat e lira do ta gjeni në faqet e brendshme të gazetës Standard
Ministria e Arsimit ka publikuar kuotat e mbetura bosh dhe udhëzimin për plotësimin e formularit A3. Kanadidatët kanë kohë duke filluar nga dita e sotme deri më 20 tetor për të plotësuar formularin. Formularin A3 mund ta plotësojnë kandidatë që nuk kanë konkurruar më parë me formularin A2, por që në këtë raund do të konkurrojnë për herë të parë. Në këtë grup përfshihen kandidatët që: kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2, kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2014, kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit dhe, mbi bazën e ekuivalentimit të rezultateve të shkollës së mesme, kanë fituar të drejtën të aplikojnë për vazhdimin e studimeve universitare të ciklit të parë në IALP e vendit tonë. Aplikimin me këtë formular mund ta bëjnë vetëm kandidatët e këtij grupimi që kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë të muajit shtator 2014. Maturantët që nuk kanë plotësuar formularin A2, përpara se të bëjnë përzgjedhjen e preferencave me anën e formularit A3, duhet të bëjnë pagesën prej 2,000 lekësh në një nga zyrat e Postës Shqiptare dhe duhet të paraqiten në shkollën ku kanë kryer aplikimin me formularin A1Z për të futur në sistemin informatik notën mesatare. Në rast të kundërt maturantët nuk kanë asnjë mundësi që të aplikojnë me formularin A3, sepse nuk i lejon sistemi për shkak të mungesës së notës mesatare. Maturantët që kanë konkurruar në raundin e parë me formularin A2 (fitues ose jo dhe të regjistruar ose jo) dhe dëshirojnë të vazhdojnë garën për të qenë fitues ose për të kaluar në një preferencë më të lartë, duke ruajtur renditjen e preferencave të formularit A2 të plotësuar në raundin e parë. Këta maturantë nuk plotësojnë formular të ri, por vetëm shprehin vullnetin të vazhdojnë konkurrimin. Nëse në përfundim, maturanti që është shpallur fitues në raundin e parë, nuk arrin të klasifikohet në një preferencë më të lartë, mbetet fitues në programin ku është regjistruar më parë dhe vijon studimet e ciklit të parë apo në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë.