Te “Petro Nini”/ Gjimnazistja grindet me shoqen, hidhet nga kati i dytë i shkollës

0
85

Nuk mundi të përballonte ballafaqimin në drejtorinë e shkollës, në prani të prindërve

Tirane, Shkolla Petro Nini LuarasiNjë nxënëse e klasës së 11-të në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet, e cila ishte grindur me një shoqen e saj, nuk ka mundur të përballojë ballafaqimin në drejtorinë e shkollës, në prani edhe të nënës së saj dhe ka zgjedhur të vetëhidhet nga dritarja e banjës së katit të dytë shkollës. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm. Vajza mësohet se ka pësuar dëmtime të shumta, por për fat të mirë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia mbërriti në vendngjarje dhe nisi hetimet për të zbardhur rrethanat në të cilat adoleshentja ndërmori vendimin ekstrem.

 

Ngjarja

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50 të mëngjesit, të djeshëm, ndërsa pritej të përfundonte ora e parë e mësimit në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, në Tiranë. Sipas dëshmive të nxënëseve, por edhe të mësuesve, mësohet se vajza 16-vjeçare kishte konflikt me një vajzë tjetër, nxënëse e po së njëjtës shkollë. Drejtues të shkollës sqaruan se dje, në drejtori do të bëhej pajtimi mes vajzave në prezencë të prindërve. Por në këtë çast gjimnazistja kërkoi të shkonte në tualet, dhe prej dritares së katit të dytë u hodh në tokë. Për pasojë adoleshentja, identiteti i të cilës nuk bëhet me dije, ka pësuar dëmtime të shumta dhe është shoqëruar në spital ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

 

Motivi

Ka qenë një konflikt i mëparshëm me një nxënëse dhe thirrja dje në drejtori për të sqaruar situatën, arsyeja që e shtynë gjimnazisten 16-vjeçare të ndërmerrte aktin e rëndë. Lidhur me shkakun e grindjes së vajzës me shoqen e saj, nxënësit dhe mësuesit e shkollës bëjnë të ditur se një ditë më parë të dyja kishin debatuar midis tyre lidhur me zgjedhjet në senatin e shkollës.

Nga dëshmitë e nxënësve të shkollës “Petro Nini Luarasi”, mësohet se vajza është hedhur pasi ishte thirrur në drejtorinë e shkollës, ku e pranishme ndodhej nëna e saj.

 

Policia

Me marrjen e njoftimit policia ka shkuar në vendngjarje ndërsa ka mbledhur dëshmi për të sqaruar ndodhinë. Sipas burimeve të policisë dyshohet që 16-vjeçarja është hedhur vetë, pas debatit që kishte pasur me një bashkëmoshatare. Për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarje, si edhe shkaqet e vërteta të mundshme të saj, mësohet se nga ana e saj policia ka nisur hetimet për të hedhur dritë rreth tyre

 

Flet Teuta Braçaj, drejtorja e shkollës “Petro Nini Luarasi”

 “Vajzat ishin thirrur për pajtim,  të dyja nxënëse pa probleme”

Drejtorja e shkollës “Petro Nini Luarasi”, Teuta Braçaj, bën të ditur se vajza kishte konflikt me një vajzë tjetër, porse të dyja janë nxënëse shumë të mira dhe nuk kanë paraqitur më parë probleme. Sipas drejtoreshës dje në drejtori do të bëhej pajtimi mes vajzave në prezencë të prindërve, por ky ishte çasti kur gjimnazistja kërkoi të shkonte pak çaste në tualet, dhe aty kreu aktin. Fatmirësisht vajza është në gjendje të mirë shëndetësore. “Së pari duhet të ju informoj se vajza është shumë mirë me shëndet, ndodhet nën kontrollin e mjekëve. Ne e dinim konfliktin që ka ndodhur ndërmjet dy gocave një ditë më parë dhe sot (dje) në mëngjes kishim thirrur prindërit e tyre së bashku me to të bënim pajtimin në praninë e psikologes, të qetësoheshin. Mami me vajzën kishin ardhur që në mëngjes ndërkohë ishim duke pritur të vinte edhe pala tjetër. Unë isha në drejtori së bashku me komisionin, ndërsa vajza ishte me mamanë në korridor të shkollës. Ndërkohë që ne prisnim të vinte edhe pala tjetër ajo shkëputet nga mamaja duke i thënë se do të shkonte në tualet dhe hidhet nga dritarja. Të dy vajzat janë nxënëse të mira pa probleme. Më gjimnazisten fola në telefon, është në gjendje të mirë shëndetësore”, – thotë drejtorja e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”

 

 Bilisht/ Plagosje me thikë, një i ri në gjendje të rëndë

Një i ri ka mbetur i plagosur rëndë, pas një konflikti me një bashkëmoshatarin e tij, në Bilisht. Sipas burimeve të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Korçës, mësohet se nga e policisë u bë arrestimi i 28 vjeçarit Ermal Fifo, banues në Kapshticë të Korçës. Të njëjta burime, saktësuan se arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se në Bilisht, pas një konflikti të çastit ka plagosur me thikë 21-vjeçarin K. K., banues në këtë qytet. I plagosuri u transportua për në spitalin e Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Nuk dihen ende shkaqet e konfliktit, ndërsa nga ana e policisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.