Sa para fitojnë shkrimtarët?

0
166

Alba Kepi

Speciale/ A është e mundur të jetosh vetëm duke shkruar?

  12-makine_1206111544_1Në dhjetëshen më të paguar të shkrimtarëve, qëndron në krye shkrimtari i “librave të verdhë” James Patterson, i cili ka fituar më shumë se të gjithë, duke mbyllur 2013-ën me 90 milionë dollarë të ardhura vjetore. Sipas “Forbes”, gjatë dekadës së fundit, nga shitja e librave të tij, Patterson ka përfituar mbi 700 milionë dollarë, duke shënuar rekordin absolut në letërsinë bashkëkohore, nën aftësinë e publikimit të 11 titujve të rinj brenda një viti

Sa para fiton një shkrimtar me librat e tij? A është e mundur të jetosh vetëm duke shkruar? Si mund të bëhesh i pasur duke botuar? Sa tituj o kopje librash duhen shitur për t’u bërë milioner?

Përgjigjet mund të jenë edhe një fletë e bardhë, që kush është në përpjekjet e para për t’u bërë shkrimtar, e kupton mirë, me këshillën se më parë i duhet një profesion i qëndrueshëm për t’u realizuar. Por le ta nisim me pozitivitetin e statistikave të fundit të publikuara nga revista “Forbes”, me një klasifikim të shkrimtarëve më të paguar në botë. Duhet thënë se fatlumët milionerë janë pak, shumica e tyre kultivojnë pasionin nën një jetë modeste.

Në dhjetëshen më të paguar të shkrimtarëve, qëndron në krye shkrimtari i “librave të verdhë” James Patterson, i cili ka fituar më shumë se të gjithë, duke mbyllur 2013-ën me 90 milionë dollarë të ardhura vjetore. Sipas “Forbes”, gjatë dekadës së fundit, nga shitja e librave të tij, Patterson ka përfituar mbi 700 milionë dollarë, duke shënuar rekordin absolut në letërsinë bashkëkohore, nën aftësinë e publikimit të 11 titujve të rinj brenda një viti. Prej vitit 1976, kur debutoi me librin e parë e deri më sot, James Patterson ka shitur mbi 300 milionë kopje librash duke nënvizuar se një në çdo 17 libra të shitur në SHBA është vepër e tij. Në vend të dytë renditet amerikani Dan Brown, autori i “Kodit Da Vinçi”, me 28 milionë dollarë. Gjatë 2013-ës “Ferri”, libri i katërt i serisë së tij, ka shitur veç 1.4 milionë kopje. Në vendin e tretë gjejmë shkrimtaren amerikane Nora Roberts, e cila është një autore bestseller ku për çdo libër të ri paguhet paraprakisht me rreth 10 milionë dollarë. Fitimi i saj për 2013 qe baras me 23 milionë dollarë. Një tjetër shkrimtare femër e po amerikane renditet pas saj me 22 milionë dollarë. Ajo është Danielle Steel, që gjatë 40 viteve të karrierës së saj ka shitur 128 tituj librash e rreth 600 milionë kopje. E me radhë gjejmë në këtë klasifikim Janet Evanovich me 20 milionë dollarë, shkrimtaren për fëmijë Jeff Kinney me 17 milionë dollarë të fituara falë të drejtave televizive filmike, realizuar në bazë të serive të librave të saj. Po 17 milionë dollar në vit janë të ardhurat e shkrimtares 26-vjeçare Veronica Roth e të John Grisham e Stephen King, të cilët kanë ndarë vendin e tetë e të nëntë. Mbyll këtë top ten të shkrimtarëve më të paguar në botë gjatë 2013, Suzane Collins me 16 milionë dollarë me trilogjinë e saj shitur në rreth 3.3 milionë kopje.

Pra, të ardhura milionere për shkrimtarë të suksesshëm. Por nuk mjafton vetëm talenti për ta bërë realitet këtë fakt, duhet edhe një menaxhim i mirë i suksesit të momentit, fantazi e gjenialitet në shfrytëzimin e aftësive krijuese.

Përballë statistikave të fundit të “Forbes” qëndron një tjetër studim, ai i kryer nga Digital Book World and Writer’s Digest Author Survey, dalë gjatë Digital Book World Conference në Nju Jork, i cili vërteton se shumica e shkrimtarëve në botë jetojnë me më pak se 1000 dollarë në vit.

Kjo e dhënë i përket 54% autorëve që publikohen nga shtëpitë botuese tradicionale e 80% nga autorë të vetëbotuar. Ndër 9210 të intervistuar e të ndarë në katër nëngrupe; aspirantë shkrimtarë (65%), autor self publishing (18%), autorë të publikuar nga një shtëpi botuese (8%) e autorë hibridë pra që kanë praktikuar të gjitha mënyrat e botimeve të mësipërme. Në Evropë sipas Publishing Perspectives 54% e shkrimtarëve jetojnë me më pak se 1000 dollarë në muaj. Ndërsa në Suedi, Danimarkë, Norvegji, Francë autorët ndihmohen me subvencione shteti e bursa studimi, në Itali e vende të tjera të Evropës, shkrimtarët janë të detyruar të kryejnë punë e profesione të tjera për të mbijetuar. Në një nga investigimet e fundit të gazetarisë italiane mes mijëra e mijëra autorëve librash në shtëpitë botuese, shumë më pak se 1% jetonte me të ardhurat e fituara nga veprat e botuara. E se të statistikat janë kaq demoralizuese e negative atëherë pse shkruajnë shkrimtarët? Për famë? Për nevojshmëri? Për vetveten? Për të tjerët?

Self-publishing

Self publishing apo ndryshe vetëpublikimi, mënyra për të publikuar një libër pa nevojën e një botuesi është një fenomen që gjatë viteve të fundit ka gjetur një përhapje të gjerë. Mjafton prezenca e një siti o e një platforme online dhe autori ka mundësinë e krijimit të librit të tij, madje dhe ta vë në shitje. Nuk kërkon asnjë shpenzim e në duart e autorit është kontrolli total i veprës së tij; copyright-i dhe të drejtat e shfrytëzimit komercial, marketingu, promovimi e të mënyrat e shpërndarjes së librit. Self-publishing bën të mundur dhe stampimin dixhital të librit, lidhjen e tij një një kualitet të lartë dhe me një numër të limituar kopjesh. Pra ky sistem lejon publikimin e një libri pa nevojën e një editori dhe pa nevojën e një tipografie tradicionale. Stimohet se titujt e librave të vetëpublikuar në SHBA janë trefish më i madh se titujt e librave të publikuar nga botuesit. Një hetim i fundit i kryer nga “The Guardian”, vërteton se tregu i selfpublishng në botën anglosaksone është tejet i praktikuar dhe i zhvilluar, madje me raste jashtëzakonisht të suksesshme. Ndërsa në Itali gjatë katër viteve të fundit mbi 20 mijë autorë kanë publikuar rreth 63 mijë tituj librash me këtë metodë.

Botimi tradicional i një libri.

 

Autor-botues

Shtëpitë botuese shqiptare aktualisht po jetojnë epokën e artë. Çdo ditë prezantohen me autorë e me libra të rinj. Shtëpitë botuese botojnë e promovojnë e mbetet të debatohet veç mbi cilësinë e veprave të tyre. Shqiptarët lexojnë e shkruajnë shumë. Thuhet se mjafton të gjesh një shtypshkronjë me emër, të paguash shpenzimet dhe libri botohet. Por më pas? Ka pak qartësi mbi marrëdhënie botues/autorë, mbi politikat e ndjekura nga shtëpitë botuese.

Të drejtat e autorit kryesisht në Evropë variojnë nga 8-10% ndaj çmimit të kopertinës për një shkrimtar të ri e 12-15% për një emër të njohur. Pra për çdo kopje të shitur autori përfiton këtë përqindje. Shtëpia botuese mund t’i ofroj gjithashtu një shkrimtari dhe një shumë paraprake me përqindjet e kopertinës duke u nisur pas shitjes së kopjes p.sh numër 1200 në librari. E nëse kopjet e shituar janë më pak se 1200 atëherë, autori i librit mjaftohet me shumën e paguar paraprakisht nga shtëpia botuese e me kaq merr fund bashkëpunimi i tyre. Nuk mungojnë dhe raste kur shtëpitë botuese praktikojnë një sistem të tillë që i lejon autorit të fitoj p.sh deri në 1000 kopje të shitura vetëm 7% të çmimit të kopertinës, nga 1000-3000 kopje 9% e mbi 3000 kopje të shitura e drejta e autorit shkon në 11%. Kuptohet se shembujt e mësipërm janë të variueshëm e ndryshojnë ngë një shtëpi botuese në tjetrën, por në linja të përgjithshme kjo është politika e ndjekur në marrëdhëniet autor-botues.

Po përse shkruan një shkrimtar i ri apo autor me emër?

“Që në moshën 5-6-vjeçare e dija se do të bëhesha shkrimtar… isha një fëmijë i vetmuar e kisha zakon të tregoja histori apo të flisja me persona të imagjinuar…”, – me këto fjalë e nis përgjigjen e tij George Orwell në një ese të vitit 1946 e shumë shkrimtarë të rinj shohin vetveten në të. Për egoizëm, për famë, për optimizëm, për të treguar, për t’u argëtuar, për politikë e për para. Por kush shkruan veç për para e i shtyrë nga asgjë tjetër “është i rrezikshëm, sepse drejton gjithmonë në rrugë të lehta që servilosin shijet e publikut e modën e momentit”, – përgjigjet shkrimtari italian Primo Levi (1919-1985)

“Përse shkruaj” u publikua nga shkrimtari anglez George Orwell në revistën “Gangrel” më vitin 1946. Konsiderohet një ese dhuratë që ndihmoj për të kuptuar më mirë gjenialitetin e këtij shkrimtari, i konsideruar shpesh si një njeri, kontradiktor e i vështirë.

Përse shkruaj?

George Orwell

Shkruaj sepse ekziston një mashtrim për tu denoncuar, një fakt mbi të cilin dua të tërheq vëmendjen, preokupimi im është të dëgjohem. Por nuk mund të përballoj lodhjen e shkrimit të një libri apo një artikull të gjatë gazete, në rast se kjo nuk është dhe një eksperiencë estetike.

Nuk mendoj se mund të vlerësohen motivet e një shkrimtari pa njohur fillimisht diçka nga formimi i tij i mëparshëm. Argumenti i shkrimit natyrisht përcaktohet nga mosha në të cilën jetohet- por dhe nga eksperienca emotive para se të nis të shkruaj e nga e cila nuk do të shkëputet kurrë plotësisht.. Nuk ka dyshim që puna e tij do të konsistojë në disiplinimin e temperamentit e në evitimin e qëndrimit në një gjendje papjekurie, por në rast se do t’i largohet ndikimeve të tij të para, do të ketë shkatërruar kështu impulsin e të shkruarit.

Duke lënë mënjanë motivin e fitimit për të jetuar, mendoj se ka katër arsye të rëndësishme për të shkruar. Këto janë të pranishme në nivele të ndryshme në cdo shkrimtar e në çdo shkrimtar përmasat e tyre variojnë herë pas here sipas atmosferës në të cilën jetohet.

 

Ato janë:

Egoizmi

Dëshira për t’u dukur inteligjent, për të qenë i njohur, për t’u kujtuar pas vdekjes, për të qëndruar ballëlart ndaj personave që na kanë snobuar fëmijërinë. Është hipokrizi shtirja se nuk ka një motiv, një motiv të fortë për të shkruar. Kjo karakteristikë e shkrimtarëve është e njëjtë me atë të shkencëtarëve, artistëve, politikanëve, juristëve, ushtarakëve, biznesmenëve të suksesshëm, pra përgjithësisht e klasës së lartë të shoqërisë. Masa e gjerë e njerëzimit nuk janë shumë egoist. Pas moshës 30-vjeçare braktisin sensin e të qenët individ në gjithçka e jetojnë për të tjerët ose janë thjesht të mbytur nga lodhja. Por ekziston dhe një pakicë njerëzisht të talentuar, këmbëngulës për ta jetuar jetën e tyre deri në fund, e shkrimtarët i përkasin kësaj klase. Shkrimtarët serioz janë më ambicioz e më egocentrik se gazetarët, e më pak të interesuar për para.

 

Entuziazmi estetik

Perceptimi i bukurisë që na rrethon me fjalë e më ndërthurjet e tyre. Kënaqësia e impaktit të një tingëllimi në tjetrin përcaktuar nga një prozë e mirë, apo nga ritmi i historisë së mirë. Dëshira për ta ndarë një eksperiencë me tjetrën, kur ndjen se është e vlefshme e nuk duhet humbur. Motivi estetik është i dobët në shumicën e shkrimtarëve…

 

Impulsi historik

Dëshira për ti parë gjërat ashtu siç janë, për të zbuluar e regjistruar faktet e ndodhura realisht e të nevojshme për më pas.

 

Qëllimi politik

Dëshira për të shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar opinionet e të tjerëve drejt një tipi shoqërie që ja vlen të luftosh: ende nuk ekziston një libër i lirë nga paragjykimet politike. Pozicioni sipas të cilit arti nuk duhet të ketë lidhje me politikën është vetë një pozicion politik.

 

                                                                        ***

“Përse të shkruash?” Është një kapitull i librit publicistik “Zanati i të tjerëve” i autorit italian Primo Levi (1919-1985), një përmbledhje e të gjitha publikimeve të tij në revistat e gazetat e kohës.

 

Përse të shkruash?

Primo Levi

Ndodh shpesh që një lexues, zakonisht i ri, i kërkon një shkrimtari pse ka shkruar këtë libër, apo pse e ka shkruar në këtë mënyrë ose më përgjithësisht përse shkruan e përse shkrimtarët shkruajnë. Kësaj pyetje të fundit që përmban të tjera në vetvete, nuk është e lehtë ti përgjigjesh: jo gjithmonë një shkrimtar është i vetëdijshëm ndaj motiveve që e shtyjnë të shkruaj, jo gjithmonë është i shtyrë nga një motiv i vetëm, jo gjithmonë të njëjta motive janë pas fillimit apo mbarimit të veprës. Më duket se mund të konfigurohen të paktën nëntë motive, e do provoj ti përshkruaj; por lexues profesionist apo jo, nuk do ketë vështirësi të gjej motive të tjera. Përse atëherë shkruhet?

 

1-Sepse ndjehet kërkesa apo nevoja

E ky është përafërsisht motivi më vetëmohues. Autori shkruan sepse ka dicka që e shtyn në funksion të një qëllimi: nga puna e tij mund të vijë fama e lavdia e kjo është një vlerë e shtuar, por jo gjithmonë një dëshirë e vetëdijshme.

 

2-Për të argëtuar e t’u argëtuar

Për fat të dy variantet korrespondojnë pothuajse gjithmonë: është e rrallë që dikush të shkruaj për të argëtuar publikun pa u argëtuar vetë duke shkruar, po ashtu e rrallë është kush provon kënaqësi në të shkruar mos të ketë transmetuar lexuesit të paktën një pjesë të argëtimit të tij.

 

3-Për t’i mësuar diçka dikujt

Ta bësh këtë e ta bësh mirë, është një gjë e çmuar për lexuesin, por duhet që paktet të jenë të qarta. Lexuesi që kërkon tek tregimi, duhet të gjejë tregimin e jo një mësim që nuk dëshiron.

 

4-Për të përmirësuar botën

Siç shihet po i largohemi artit në kuptimin e tij të vërtetë. Mjafton të vëzhgojmë motivet për të cilat po diskutojmë këtu, kanë të bëjnë fare pak me vlerat e veprës e origjinës së saj: një libër mund të jetë i bukur, serioz, i këndshëm, i qëndrueshëm për arsye të ndryshme nga të cilat është shkruar. Mund të shkruhen libra të poshtër për arsye fisnike. Por më rrallë libra fisnik për arsye të poshtra.

 

5-Për të bërë të njohur idetë personale

Kush shkruan për këtë motiv përfaqëson një variant të ngushtë, më pak të rrezikshëm se ata të mësipërmit. Përmbledh faktikisht filozofët qofshin gjenial, mediokër, mendjemëdhenj, dashamirë të racës njerëzore, amatorë o të çmendur.

 

6-Për t’iu shmangur ankthit

Të shkruash shpesh është e barasvlershme me një rrëfim apo me divanin e Frojdit. Nuk kam asgjë kundër ndaj kujtdo që shkruan i shtyrë nga tensioni: përkundrazi i uroj të çlirohet ashtu siç më ka ndodhur mua shumë vite më parë. Por i kërkoj të filtroj ankthit e tij, të mos e shpreh ashtu siç është i papërpunuar pasi rrezikon të infektoj lexuesin pa u çliruar dhe ai vetë nga kjo.

 

7-Për t’u bërë të famshëm

Mendoj se vetëm një i çmendur ulet e shkruan për tu bërë i famshëm, por mendoj gjithashtu se asnjë shkrimtar, as ai më modesti nuk ka qenë i lirë nga ky motiv. Të kesh famë, të flasin gazetat për ty, të dëgjosh se flasin për ty,është padyshim e ëmbël: por jo pak nga gëzimet e jetës kërkojnë shumë përpjekje e pak përpjekje rezultojnë kaq të pasigurta.

 

8-Për t’u pasuruar

Nuk kuptoj pse dikush habitet, kur mëson se Collodi, Balzak, Dostojevski shkruajnë për të fituar, për të paguar borxhet e lojës, apo për të mbyllur falimentimet ekonomike. Kanë të drejtë të shkruajnë e si çdo aktivitet tjetër i nevojshëm duhet paguar. Por të shkruash për para është e rrezikshme, sepse drejton gjithmonë në rrugët e lehta që servilosin shijet e publikut të gjerë e modën e momentit.

 

9) Për zakon

E lashë të fundit këtë motiv i cili është dhe më i trishtuar. Kjo nuk është e bukur, por kjo ndodh. Ndodh që shkrimtari realizon materialin e tij, ngarkesën emotive, dëshirës për ti dhënë formë e jetë imazheve të konceptuara: që nuk konceptojnë më imazhe, nuk ka më dëshira, as gëzim e para, por shkruan për zakon, për inerci, për të mbajtur gjallë firmën e tij. Ai e di se ç’bën, por në këtë rrugë nuk do shkoj larg, do të përfundojë duke kopjuar veten. Është më dinjitoze heshtja e përkohshme ose përfundimtare.