Rriten ndjeshëm rastet e pastrimit të parave

0
35

Ervin Kaduku

 –  Raporti i Bashkimit Evropian shpreh alarmin nga strukturat antimafia dhe antiterror të Brukselit lidhur me shtimin e krimit financiar nga Shqipëria

pastrim parash Në Shqipëri është rritur ndjeshëm numri i rasteve të dyshuara për pastrimin e parave, në mënyrë të veçantë gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2014. “Numri total i transaksioneve të dyshuara ka treguar një trend rritës, sidomos në 6 muajt e parë të vitit 2014 kur janë regjistruar 546 raste”, shkruhet në raportin e Komisionit Evropian në kreun për lëvizjen e lirë të kapitalit. Gjatë vitit 2013 bankat dhe DP e Doganave kanë raportuar një numër më të madh rastesh për transaksione të dyshuara ndërkohë që është ulur numri i rasteve të raportuara nga zyrat e këmbimit valutor, noterët, zyrat e transfertës së parave dhe hipoteka.

Eaporti veçon miratimin në tetor të vitit të kaluar të ligjit kundër financimit të terrorizmit dhe lista e personave të deklaruar si të përfshirë në veprime terroriste është përditësuar në korrik të këtij viti.

Numri i gjobave të vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka rënë ashtu siç ka rënë dhe numri i inspektimeve gjatë vitit 2013 por është rritur numri i gjobave të mbledhura duke arritur në 66% të totalit, ndaj 30% në vitin 2012.

Gjithashtu është rritur numri i raportimeve në polici dhe prokurori duke arritur në 283 raste në vitin 2013 dhe ky trend ka vazhduar edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2014 me një total prej 229 rastesh. Numri i gjobave administrative është rritur nga 13 në 2013-ën në 33 në gjysmën e parë të 2014-ës.

 

Institucioni

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave Genti Gazheli ka bërë një bilanc të punës së realizuar nga institucioni që ai drejton përpara deputetëve në fillim të këtij viti. Sipas tij pushimi i çështjeve nga Gjyqësori është një nga problematikat kryesore. “Kemi një rritje të numrit të dyshuarve, sidomos nga muaji nëntor e sipër. Viti 2013 është karakterizuar nga një efikasitet i ulët, po të shohim shifrat gjatë vitit 2012 kemi pasur 22 raste të denoncuara, në vitin 2013 kemi pasur 23 raste të denoncuara dhe në vetëm tre muajt e parë të 2014-ës kemi pasur 20 raste të denoncuara, pra kjo tregon se brenda tre muajve të parë të këtij viti është kryer një sasi e pune e barasvlershme me gjithë vitin 2013”, – tha Gazheli.

Sipas tij po merren masa për rritjen e efikasitetit, ku ndër to përmendi nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë, me bankat e nivelit të parë dhe të dytë, me noterët etj. Sipas drejtorit të Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të aktualisht janë 7 politikanë që po hetohen. Gazheli bëri të ditur se është rritur shkëmbimi i informacionit me agjencitë homologe. “Ne bashkëpunojmë dhe shkëmbejmë informacion me mbi 100 agjenci homologe në të gjithë botën dhe kjo na ndihmon në rritjen e efikasitetit. Sa i takon legjislacionit duhet thënë se ndryshimet e fundit janë kryer në tetor të 2014-ës, pra me nisjen e punës nga qeveria e re, prandaj mund të them së është kryer një punë e mirë dhe legjislacioni është i plotë”, tha ai Gazheli.

 

Kuadri ligjor

Por, pavarësisht nga kjo, qeveria duket se nuk ka bërë sa duhet për të luftuar këtë fenomen. Paketa e re antikorrupsion, që i kaloi Parlamentit për miratim, nuk parashikon që vepra penale e pastrimit të parave të hetohet dhe gjykohet nga Krimet e Rënda. Ligji i ri “antimafie” parashikon që Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda të hetojë 21 vepra të reja penale, të gjitha në fushën e korrupsionit. 19 nga këto vepra penale fillojnë me fjalën korrupsion, aktiv ose pasiv, dhe sipas ekspertëve, janë lënë jashtë edhe vepra të tjera penale që mund të futeshin në këtë paketë. Ndër to është edhe pastrimi i parave, që për rastësi, ka lidhje me të gjitha akuzat e tjera që do të hetohen dhe gjykohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda.

Nuk dihet se përse hartuesit e këtij drafti kanë “harruar” këtë vepër penale, e cila është një nga më kryesoret për pasurinë e krijuar nga korrupsioni.

Paketa e hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe e miratuar nga Këshilli i Ministrave, i ka kaluar për kompetencë Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhjetëra vepra penale në fushën e korrupsionit, që nga kërkimi apo dhënia e shpërblimit në procedurat e birësimit, e deri te dhënia e shpërblimeve ose e premtimeve. Pra, kompetencë e Krimeve të Rënda do të jetë edhe korrupsioni 500 apo 1000 lekësh, ndërsa do të lihet jashtë pastrimi i parave. “Pastrimi i produkteve të veprës penale kryhet nëpërmjet:

  1. a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkt i veprës penale, për fshehjen, mbulimin e origjinës së pasurisë ose dhënien e ndihmës, për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;
  2. b) fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;
  3. c) kryerjes së veprimeve financiare dhe transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas ligjit për pastrimin e parave;

ç) shfuqizuar;

  1. d) këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;
  2. dh) përdorimit dhe investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave ose sendeve, që janë produkte të veprave penale, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë”.

Por, kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet. Gjithashtu dispozitat e këtij neni zbatohen edhe në rastet kur personi, që ka kryer veprën prej së cilës burojnë produktet e veprës penale, nuk mund të merret i pandehur, nuk mund të dënohet, ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose mungon njëri nga kushtet e procedimit penal për një vepër të tillë.

 

 160 milionë dollarë shpenzime për rrjetin e energjisë

Qeveria do të investojë 160 milionë dollarë në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Qëllimi është që sistemi të kthehet në fitimprurës dhe të parandalohen vjedhjet e energjisë elektrike. Ndërkohë, qeveria do aplikojë një plan operacional për rritjen e mëtejshme të arkëtimit të faturave të energjisë. Nga qyteti i Kukësit, ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri ka thënë gjithashtu se, vjedhjet e energjisë nuk do të tolerohen dhe abuzuesit do të arrestohen.

Në qytetin Verilindor është zhvilluar mbledhja me strukturat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kreu i OSHEE, Arben Seferi, kërkoi nga grupet e punës që të rrisin nivelin e arkëtimeve për energjinë e konsumuar. Gjatë muajit Shtator, në Kukës, Has dhe Tropojë janë realizuar diçka më shumë se 1200 ndërprerje të debitorëve familjarë dhe 188 ndërprerje për subjektet private.

Për 9-mujorin e këtij viti, janë arkëtuar 119 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose e shprehur në përqindje, rreth 80% më shumë.

 

 Zvicra ngjall “ethet e arit” në tregjet botërore

Procesverbali i fundit i Rezervës Federale dhe frika për recesion në Eurozonë kanë rritur çmimin e arit mbi 1.230 dollarë për onc. Por nga Zvicra mund të ketë një shtytje tjetër, e aftë për të destabilizuar tregjet monetare, që shpesh herë ndërthurin ecurinë me metalin e çmuar. Në datën 30 Nëntor, qytetarët zviceranë do të shkojnë në referendum për të vendosur nëse Banka Qendrore e Zvicrës duhet të rrisë me të paktën 20% kuotën e rezervave të arit dhe për të parandaluar çdo shitje të lingotit në të ardhmen.

Sipas bankës UBS, një votë “po” në referendum do të thotë se banka qendrore do të jetë e detyruar të blejë 1 mijë e 500 ton ari në 5 vitet e ardhshme. Të dhënat e fundit të Këshillit Botëror të Arit tregojnë se rezervat e arit në Zvicër, aktualisht janë në 1 mijë e 40 ton e barabartë me 7.8% të rezervave totale. Për këtë arsye ndikimi në çmimin e arit mund të vetë thelbësor. Për të krijuar një ide sa më të qartë, prodhimi i arit nga minierat në të gjithë botën është rreth 3 mijë ton në vit, ndërkohë që të gjitha bankat qendrore të botës kanë blerë 409.3 ton ar gjatë vitit të kaluar.

Nuk ka ende sondazhe se si janë të orientuar qytetarët zviceranë, por referendum frikëson qeverinë dhe Bankën Kombëtare të Zvicrës, që i bëjnë thirrje popullit të votojnë “jo”. Gjithashtu, analistët paralajmërojnë se rreziqe do të ketë edhe për momedhën euro. Banka Kombëtare, që në fund të Shtatorit kishte rezerva në valutë të huaj prej 462 miliardë franga kundrejt një totali prej 522 miliardë, për të blerë ar do të kishte nevojë për dollarë. Në këtë situatë, analistët mendojnë se do të sakrifikohej edhe monedha euro.

 

 Banka Botërore: Fund varfërisë ekstreme në botë deri në 2030-ën

Raporti i Monitorimit Global 2014/2015, për herë të parë do të monitorojë dhe raportojë pranë Bankës Botërore dy objektiva kryesorë: ti jepet fund varfërisë ekstreme deri në vitin 2030 dhe rritjen e prosperitetit të përbashkët, ndërsa do të vazhdojë të ndjekë progresin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit.

Ky Raport i Monitorimit Global do të ekzaminojë se si një grup politikash të zgjedhura, si kapitali njerëzor dhe mjedisi mund të krijojnë vende të reja pune dhe ta bëjnë zhvillimin më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm. Gjithashtu raporti do të nxjerrë në pah se si politikat e ndihmës sociale mund të ndihmojnë në minimizimin e varfërisë dhe të përmirësojnë perspektivat e rritjes ekonomike.

Raporti jo vetëm që do të ekzaminojë vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme, por për herë të parë do të përfshijë edhe vendet me të ardhura të larta. Gjithashtu raporti do të përmbajë informacion sasior mbi dy qëllimet kryesore të Bankës Botërore: do të jepet një vlerësim se sa punë do të duhet për ti dhënë fund varfërisë ekstreme deri në vitin 2030 dhe sa prosperitet është ndarë me 40%-ëshin me të ardhura të ulta të një vendi. Raporti është përgatitur në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

 

 Progres-raporti: Ekonomia kosovare shënon regres

Raporti i Progresit ka vlerësuar se tregjet e fuqisë punëtore në Kosovë karakterizohen nga një pjesëmarrje e ulët, si dhe nga shkalla e lartë e papunësisë. Përpos këtyre, një arsye të tjera që kritikojnë ekonominë kosovare ishin edhe sundimi i dobët i ligjit, problemet në zbatimin e kontratave, prania e madhe e ekonomisë joformale që dëmton bizneset e rregullta, etj. Gjithashtu , ka vërejtje edhe për mosprivatizimin e PTK-së.

“Sundimi i ligjit dhe mungesa e parashikimeve fiskale vazhdojnë të jenë një pengesë shumë e madhe për ekonominë. Duhet bërë përpjekje të vazhdueshme për të zhvilluar konkurrencën në sektorin privat, si dhe për të krijuar një sistem fiskal më të qëndrueshëm”, thuhet në Raportin e Progresit.