Rikonstruktimi/ Investimi në rrugën Shkodër-Shirokë. Rama: Lehtëson trafikun

0
229

Gëzim Saliu

debati i EDI rames me banorin NE SHKODER 3 Rama: Futja e policisë në prishjen e ndërtimeve pa leje ka sjellë rënien drastike të tyre

 Rama: Velipoja do të hyjë në proces legalizimi për shtëpitë e dyta, përfundojmë shëtitoren. Stadiumi i Shkodrës, si mos më keq, do ta kthejmë në arenën e dytë evropiane në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama vazhdoi dje inspektimin e të tjera projekteve publike në zbatim për rehabilitimin urban, ku këtë herë ishte në disa komuna të rrethit të Shkodrës. Në ndalesën e parë në Velipojë, ai inspektoi punimet për ndërtimin e lotit të dytë të shëtitores, që kanë nisur në shtator. Me një investim 55 milionë lekë po bëhet zgjatimi i shëtitores ekzistuese deri 2.6 kilometra përgjatë vijës bregdetare dhe zgjerimi i saj deri në 8 metra. Kryetari i Komunës, Pashk Ujka, kërkoi angazhimin e qeverisë për përfundimin e të gjithë shëtitores, për të cilën mori mbështetjen e Kryeministrit. Përfundimi i saj përpara fillimit të sezonit të ri turistik, u përcaktua nga Rama si një objektiv i rëndësishëm. “Patjetër do ta plotësojmë investimin. Do ta shtojmë fondin menjëherë. Synojmë përfundimin e të gjithë projektit përpara fillimit të sezonit, duke krijuar murin mbrojtës për pushuesit, ku ndahet përfundimisht njeriu nga makina, kur vjen në plazh, duke krijuar murin mbrojtës për ndërtimet pa leje, edhe pse në periudhën e fundit, me futjen e policisë në këtë proces ka një rënie të jashtëzakonshme të numrit të ndërtimeve pa leje”, – theksoi ai. Ndërkaq, duke bërë të ditur se me ndarjen e re administrativo-territoriale, Velipoja i bashkohet Bashkisë së Shkodrës, Rama tha se ndërtimi i rrugën lidhëse midis qytetit dhe plazhit, do të sjellë një transformim të madh ekonomik e social për gjithë zonën. “Kjo është një zonë që kërkon një proces legalizimi për shtëpitë e dyta. Që kuptohet, nuk janë në kategorinë e legalizimeve falas, por janë në kategorinë e procesit të legalizimit, sidoqoftë. Duke pritur që ju të përfundoni procesin e masterplanit të Velipojës, sepse Velipoja tanimë i bashkohet Shkodrës dhe krijohet një bashki e re me një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik dhe turistik”, – pohoi ai.

 

Vizitat

Pas Velipojës, Kryeministri iu drejtua qytetit të Shkodrës, për të inspektuar ecurinë e projektit për rikonstruksionin e rrugës Shkodër-Shirokë. Me projektin e ri ka nisur zgjerimi i rrugës deri në 5.5 metra dhe me të gjitha elementet e infrastrukturës bashkëkohore, investim rreth 160 milionë lekë. Ajo pritet të sjellë lehtësimin e fluksit të lëvizjes në këtë zonë, e cila e shtrirë pranë Liqenit të Shkodrës është ndër më të frekuentuara nga qytetarët e Shkodrës dhe jo vetëm. Më pas, Rama vazhdoi drejt komunës Rrethina, ku u njoh me ecurinë e investimit prej 31.3 milionë lekë të nisur në muajin gusht, për rikonstruksionin e rrugës së qendrës Grudë e Re – Qendër-Golem. Ndërkaq Vau i Dejës ishte ndalesa e fundit e Kryeministrit ku me një fond prej rreth 29 milionë lekë që në muajin gusht ka nisur projekti për urbanizimin e bllokut të pallateve të tek zona e ish HEC-it Vau i Dejës. Në kthim, kreu i qeverisë bëri një ndalesë në stadiumin e Shkodrës, për të cilin shprehu keqardhjen për gjendjen e mjerueshme në të cilin ndodhet dhe një premtim duke pohuar: “Do ta kthejmë në arenën e dytë evropiane në Shqipëri”.

 

 Debati në lagjen “Dërgut”/ Banorët ankohen te Kryeministri: Ndyji këpucët me llucë si ne. Rama: Kërkojani kryebashkiakut

Kryeministri Rama është hasur në një situatë të pakëndshme kur po inspektonte dje punimet e rrugës në lagjen “Dërgut” në Shkodër. Gjatë vizitës, banorët i janë ankuar shefit të qeverisë, për probleme, që edhe pse kanë trokitur tek vendorët, nuk kanë gjetur një zgjidhje. Fillimisht ishte një zonjë, e cila i ka treguar Kryeministrit gjithë kalvarin e vuajtjes me pronën e saj dhe i është lutur për ndihmë Ramës. Teksa i shtrëngonte dorën, Kryeministri i tha se i besonte zonjës. Por një tjetër qytetar, është treguar edhe më i ashpër me Ramën, duke i kërkuar të shihte situatën me të cilën ata përballeshin çdo ditë për shkak të ujërave të zeza. Disa banorë kërkuan që ai t’u afrohej banesave të tyre, për t’u ankuar për probleme të ndryshme, madje njëri prej tyre ka debatuar me Kryeministrin, debat që ka zgjatur për disa minuta.

 

Debati i Ramës me banorin

Banorja( grua e moshuar): Hajde dhe shiko si jetoj unë. Hajde deri tek dera të paktën, Zotin e kohën e dy fëmijëve që ke, i paç me jetë. 15 vjet jam në gjyqe. Për hatrin tim, të kam bërë benë e madhe

Rama: Të besoj.

Banori: Hajde, hajde, njëherë.

Rama: Një sekondë, një sekondë.

Banori: Me i qa hallin popullit, meqë kryetari i bashkisë nuk vjen, meqë strukturat e tjera nuk vijnë, urno zotëria jote. Ndyji këpucët me llac sic i kemi ndyj në 25 vjet. Nëse ke ardh për këtë punë.

Rama: E para e punës, këpucët i ke më të pastra se unë, si fillim dhe më mirë që i ke më të pastra se unë.

Banori: Të kishe ardh para një jave ti kishe dalë me çizme si kemi dalë ne. E dinë të gjithë këta por asnjëri nuk flet. Pse nuk flisni, a jeni të gjithë komshinj?

Rama: Ca ka tashti se s’po të kuptoj, ça ka.

Banori: Me m’kuptu, me ardh me na pa zotnia aty vendin, nëse ke ardh për këtë punë. Nëse s’ke ardh për këtë punë, ke ardh gabim pra.

Rama: Mos bëj zhurmë të lutem.

Banori: Të lutem më fal, për çfarë ke ardhur?

Rama: Dakord, të përshëndes.

(Ndërhyn gruaja në moshë që kërkonte që në fillim të përshëndetej me Ramën, bisedojnë mes tyre)

Banori: Po hë, na thuaj për çfarë ke ardh.

Rama: Kam ardhur për të parë punën dhe kam ardhur për të vazhduar për të parë punët e tjera. Të lutem shumë për të tjerat unë nuk jam kryetari i bashkisë së Shkodrës, në rregull, hajde mirupafshim.

Banori: Atëherë na sill kryetarin e Bashkisë t’i shko në punën tënde, ta priftë Zoti mbarë. Nuk ke vend këtu, rruga e mbarë. Një e prish dhe një se prishi…

Rama: O zotëri vazhdo rrugën, se unë u ktheva për këtë zonjën se për zotërinë tuaj nuk isha kthyer ndonjëherë.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency