Retrospektivë/ Kaceli, i pari dhe i fundit në skenë!

0
58

Kulturë/ Hapet në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozita retrospektivë e piktorit Sadik Kaceli

etyd ne skene, Sadik Kaceli koleksion privat, viti 1937Etyd në skenë është një prej punëve që na vihet në dispozicion për të na afruar me ngjarjen e afërme të Galerisë Kombëtare të Arteve, që lidhet me një nga piktorët ikonë. Është Sadik Kaceli, një prej artistëve më të njohur shqiptarë të shekullit XX, të cilit i kushtohet retrospektivë në një ekspozitë që pritet të hapet më 15 tetor.

Ekspozita “Retrospektivë” tregon një përzgjedhje të veprave të Sadik Kacelit, duke marrë në shqyrtim një periudhë rreth 70-vjeçare krijimtarie, nga vizatimet e para të tij në fundin e viteve 1920, e deri në fund të viteve 1990. Ekspozita përmban vizatime, grafika, piktura të shtrira në gjithë teknikat dhe gjinitë tyre.

Është hera e parë që artisti Sadik Kaceli, të cilit i është dhënë titulli “Piktor i Popullit” në vitin 1994, paraqitet kaq i plotë në krijimtarinë e tij.

Sadik Kaceli (1914-2000) u lind në Tiranë në një familje të madhe pranë zonës së Dajtit. Nga viti 1929 ndoqi Shkollën Teknike Amerikane, ku u specializua në vizatim. Njohuritë e para nga bota e artit i mori nga librat dhe revistat e artit, të cilat i zbuloi në bibliotekën e re “Herbert”, biblioteka e parë publike në Shqipëri e themeluar nga Lady Carnarvon. Nga dëshira për të studiuar për art në Francë, ai i shkroi një letër piktorit francez Henri Matisse (1869-1954), i cili iu përgjigj më 12 prill 1936, duke i rekomanduar që të kontaktonte kritikun e artit André Lhote (1885-1962) dhe të studionte në Ecole Nationale Supérieure des Beaux Arts, në Paris. Në shtator 1936, i mbështetur financiarisht nga vëllezërit, Kaceli u nis për në Paris ku vazhdoi arsimimin deri në vitin 1941. U kthye në Tiranë ku u emërua mësues vizatimi në një shkollë të mesme, dhe më pas, nga viti 1946 deri kur doli në pension në vitin 1973, në shkollën e mesme artistike “Jordan Misja”. Sadik Kaceli ishte piktor realist, ndonëse ai asnjëherë nuk dëshironte ose nuk ishte në gjendje që ta përshtaste tërësisht stilin e tij me realizmin socialist. Për këtë arsye gjatë diktaturës u la në harresë për shumë vite. Kujtohet si për portrete, po ashtu edhe peizazhe

Re. Ku.