Konferenca/ Reagojnë gjyqtarët: Korrupsioni në drejtësi, mos na sulmoni të gjithëve

0
130

Sonila Mesareja

 konferenca kombetare gjyqesore 2 2014 gjyqtaret 3Mbledhja e 350 gjyqtarëve, miratohet rezoluta me kritika ndaj qeverisë dhe kërkesa konkrete ndaj saj. Pas 3 orësh zgjedhin Artan Gjermenin si përfaqësues në Bordin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës

 Gjyqtarët e gjithë gjykatave në vend kanë shfrytëzuar mbledhjen e Konferencës Kombëtare Gjyqësore për të denoncuar akuzat publike që bëhen për të gjithë ata nga politika, duke i quajtur të korruptuar. Ata i kanë konsideruar këto akuza fyese, denigruese dhe politike. Më pas, anëtarët e konferencës votuan në mënyrë unanime rezolutën, me disa kërkesa ndaj qeverisë. Ndërkohë që në të njëjtën frymë kritike ishte në qëndrimin e tij edhe kryetari i Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj, i cili kërkoi që politika të shfaqë përgjegjshmëri dhe të kursejë akuzat përgjithësuese ndaj gjyqtarëve. Ai kërkoi që çdo pushtet të bëjë detyrat e veta. Por, gjyqtarët nuk patën vetëm kritika për politikën, por edhe kërkesa konkrete, duke kërkuar nga qeveria që t’u krijojë kushte për rritjen e sigurisë në gjykata, të rregullojë infrastrukturën për lehtësimin e punës së tyre, si dhe t’u rrisë pagat. Pas rreth 3 orësh mbledhje dhe diskutime të gjyqtarëve, këta të fundit zgjodhën me shumicë votash, Artan Gjermenin, si përfaqësues te tyre, pranë Bordin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Gjyqtari Gjermeni garoi përballë 3 kolegëve të tij, Sandër Simoni, Gentian Hamitaj dhe Albana Boksi. Gjermeni aktualisht gjykatës në Dhomën Penale të kryeqytetit arriti të marrë 103 vota nga 79 që mori Hamitaj, i pasuar nga Boksi me 52 dhe Simoni me 44 vota.

 

Rezoluta

Në rezolutën e përbashkët që përmbylli mbledhjen e djeshme të 350 gjyqtarëve nga gjithë gjykatat në vend dhe nga tri shkallët e gjyqësorit, ka pasur një dakortësi unanime për thelbin dhe përmbajtjen e saj. Së pari e nis me vëmendjen dhe seriozitetin që po i kushtohet debateve të kohëve të fundit lidhur me nevojën e kryerjes së reformave gjithëpërfshirëse të pushtetit gjyqësor në vendin tonë. Ata përshëndesin edhe tryezën e përbashkët të organizuar për këtë qëllim nga Presidenti i Republikës dhe Ministria e Drejtësisë, duke shtuar se do të përkrahin fuqimisht çdo iniciativë që synon realisht në forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e efiçencës së gjyqësorit. “Ne angazhohemi që brenda hapësirave kushtetuese dhe ligjore të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet dhe aftësitë tona për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit, duke inkurajuar dhe mbështetur pa rezerva çdo përpjekje dhe masa konkrete në këtë drejtim” thuhet në rezolutë, duke shtuar se “lufta kundër korrupsionit nuk duhet të shërbejë për të denigruar padrejtësisht të gjithë komunitetin e gjyqtarëve në përgjithësi”. Më tej në rezolutë theksohet se “Konferencë Gjyqësore Kombëtare shpreh shqetësimin e saj se etiketimet dhe tonet negative në drejtim të të gjithë gjyqtarëve pa dallim, jo vetëm cënojnë funksionimin normal të sistemit gjyqësor, por komprometojnë rëndë misionin e dhënies së drejtësisë dhe pavarësinë e këtij sistemi”. Konferenca denoncon me forcë dhe në mënyrë të prerë çdo fenomen korruptiv në radhët e gjyqësorit, dhe inkurajon organet ligjzbatuese që të ndërmarrin masa konkrete në luftën kundër këtij fenomeni. Ato duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të identifikuar individët të cilët kryejnë veprime që bien ndesh me ushtrimin e detyrës, duke i vënë ata para përgjegjësisë ligjore. “Për këto arsye, K.GJ.K kërkon me vendosmëri, që në zbatim të detyrave kushtetuese dhe ligjore që na ngarkohen, të angazhohemi maksimalisht të gjithë për të luftuar pa kompromis këtë fenomen të rrezikshëm dhe shumë të dëmshëm për shtetin dhe shoqërinë. Në këtë proces kontribut të vlefshëm duhet të japin te gjitha institucionet shtetërore shoqëria civile, media dhe çdo individ” thuhet në rezolutë, duke shtuar edhe kërkesat që kanë për qeverinë. “Gjyqtarët duke vlerësuar mbështetjen e deritanishme, kërkojnë nga strukturat përkatëse shtetërore, marrjen e masave të mëtejshme që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe garantimin e kushteve të përshtatshme të punës, rritjen e sigurisë në gjykata dhe trajtim financiar dinjitoz” përmbyllet rezoluta.

 

Naço: Vlerësim për magjistratët, i propozova për emërim në gjykatat më të mira

 Për ministrin e drejtësisë Nasip Naço Shkolla e Magjistraturës mbetet një nga pikat e referimit më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Më tej, ai foli edhe për impaktin që do të ketë reforma në drejtësi, e cila sipas tij, do të konsistojë më së shumti në rritjen dhe fuqizimin e kompetencave të këtij organizmi, në raport me të zgjedhurit e tyre në KLD. Gjithashtu, sipas tij, kjo reformë do të fokusohet në garantimin e një procesi më të kujdesshëm në zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së dhe të një raporti llogaridhënie të vazhdueshëm, midis të zgjedhurve dhe vetë Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Pasi foli për rolin që kanë magjistratët e dalë nga Shkolla e Magjistraturës në drejtësi, ministri përmendi edhe ndryshimet më të fundit për ligjin e Shkollës së Magjistraturës. Sipas tij, këto ndryshime më së shumti synojnë konsolidimin dhe garantimin e pavarësisë akademike të shkollës së magjistraturës. Por, ministri nuk la pa përmendur edhe rrëzimin e kërkesës së tij në KLD për emërimin e magjistratëve në vendet vakante në Gjykatat e Tiranës dhe Durrësit. “Kjo kërkesë e imja ndeshi në qëndrim refraktar të KLD-së, e cila jo vetëm nuk e pranoi këtë kërkesë, por prishi dhe traditën e vendosur tashmë, e formalizuar kjo me vendim të KLD-së që dy studentët e parë me rezultatet më të larta emëroheshin në gjykatat e karrierës, në Tiranë dhe Durrës, etj. Rrjedhimisht, vendet bosh në Gjykatën e Tiranës u zunë me gjyqtarë ku jo të gjithë kishin kualifikimet e duhura, apo shumë larg kualifikimeve të këtyre magjistratëve” theksoi ministri i Drejtësisë.

 

Zaganjori: Korrupsioni në gjyqësor, reforma në drejtësi është e domosdoshme

Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili çeli punimet e kësaj konference vlerësoi tryezën e drejtësisë që thirri presidenti Nishani më 6 tetor, si një mundësi për të garantuar një reformë substanciale në drejtësi. Duke iu referuar edhe progres raportit të publikuar së fundi nga Komisioni Europian, i cili ngre shqetësim për korrupsionin në sistemin e drejtësisë, Zaganjori tha se gjyqësori ka nevojë për përmirësim andaj sipas tij, reforma është e domosdoshme. “Tani kemi edhe besim për një reformë substanciale por sigurisht që duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ne duhet të kontribuojmë shumë më tepër në këtë drejtim se ç’kemi bërë deri tani. E mbështesim reformën se jemi një komunitet i ndërgjegjshëm, duam forcimin e demokracisë, duam të përfshihemi në reformë dhe të kontribuojmë substancialisht në këtë reformë. Ka shumë vend për të rritur transparencën e punës sonë. Kemi vend shumë më tepër për tu përmirësuar”, tha Zaganjori. Ai ngriti si domosdoshmëri të pushtetit gjyqësor, paanshmërinë dhe profesionalizmin për të rritur cilësinë e vendimmarrjes, kritere këto të kërkuara edhe nga Komisioni Europian. “Veçanërisht emergjente përmendet çështja e mungesës së ndihmësve në Gjykatën Administrative. Emërimet në Gjykatën e Lartë që janë bllokuar, dhe korrupsioni si një nga shqetësimet kryesore për pushtetin gjyqësor. Ka vend shumë për të përmirësuar veten tonë në këtë drejtim, për të luftuar këtë fenomen të shëmtuar. Ka vend për të punuar shumë më tepër me publikun, me palët, me median, shoqërinë civile”, u shpreh kreu i Gjykatës së Lartë, njëherësh kreu i Konferencës Gjyqësore.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency