Ankimimi/ PD çon në Kushtetuese hartën e territorit: Me këtë ndarje s’ka zgjedhje lokale

0
45

E djathta e konsideron antikushtetuese hartën e re territoriale të miratuar me votat e mazhorancës. Bylykbashi: Harta e re është synim për fitimin e zgjedhjeve në tavolinë

oert bylykbashiPas Byrosë Kombëtare të Hetimit, grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese edhe ligjin për ndarjen e re territoriale me kërkesën për ta shpallur këtë të fundit të pavlefshme. Deputetët demokratë kanë ritheksuar se ndarja e re administrative-territoriale është antikushtetuese dhe është bërë me qëllim fitimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Deputeti që dorëzoi kërkesën, Oert Bylykbashi, tha se me këtë ndarje të re territoriale nuk mund të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme lokale. “Ajo që kemi premtuar është që do t’u drejtoheshim institucioneve kushtetuese, me këtë hartë që shkel parimin, nuk mund të ketë zgjedhje”, – tha deputeti dje për mediat.

 

Padia

Në një prononcim për mediat, pasi dorëzoi kërkesën në Kushtetuese, deputeti demokrat Oert Bylykbashi, ndërsa ripërsëriti qëndrimin e opozitës për antikushtetutshmërinë e ndarjes së re të territorit, tha se “mazhoranca ka për qëllim konsolidimin e oligarkisë Rama-Meta”. “Sapo depozituam kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar shpalljen antikushtetuese të ligjit të ri për ndarjen territoriale-administrative. Gjithashtu, kemi kërkuar edhe pezullimin e këtij ligji”, – u shpreh Bylykbashi.

 

Zgjedhjet lokale

Të djathtët kanë ripohuar qëndrimin e tyre se harta e re e territorit është ndarje “politike” që ka si qëllim “kapjen dhe fitoren e zgjedhjeve në tavolinë”. “Siç e kishim premtuar, do ta godisnim këtë ligj, sepse është një nga tentativat më të papranueshme në shkelje të Kushtetutës, jo vetëm të konsensusit politik, por është një thyerje flagrante e Kushtetutës në shumë aspekte. Qoftë në aspektin procedural siç e kanë miratuar, duke shkelur çdo rregull, si dhe qoftë në aspektin e shkeljes së një sërë të drejtash që përcakton Kushtetuta. Jemi përpara një shkelje që ka vetëm një synim; kapjen dhe fitoren e zgjedhjeve në tavolinë”, – deklaroi Bylykbashi. Sipas deputetit, ligji për territorin i miratuar nga mazhoranca e majtë është një tjetër shkelje e ligjeve të vendit dhe cenim i demokracisë. “Kjo është jo vetëm në vazhdën e të gjithë tentativave për kapjen e çdo institucioni nga kjo mazhorancë, por në rastin konkret është një tentativë antikushtetuese për të kapur themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Sigurisht me këtë hartë, e cila i bën gjëmën procesit zgjedhor, i cili ka njohur deri më sot arritje, kjo mazhorancë do kërkojë që të mos bëjë asgjë më pak dhe asgjë më shumë por të konsolidojë oligarkinë Rama-Meta, e cila kërkon të krijojë tashmë oligarkët lokalë”, u shpreh deputeti.

 

 Kreu i Këshillit Vlorë/ PD: I besuari i Ramës dhunon institucionet

Partia Demokratike ka denoncuar votimin në Këshillin e Qarkut të Vlorës, pasi, sipas të djathtëve, kryetari ka manipuluar votimin dhe ka dhunuar këtë institucion. Deputetja demokrate, Liljana Elmazi, theksoi dje nga selia blu se i zgjedhuri në krye të Këshillit të Qarkut të Vlorës është një person i besuar i Kryeministrit Rama. “Ishte pikërisht ditën që Edi Rama angazhohej para kamerave e përfaqësuesve ndërkombëtarë për drejtësinë, kur i zgjedhuri i tij në Krye të Këshillit të Qarkut të Vlorës hapi me forcë, duke shqyer dyert, zyrën e Sekretarit të Këshillit të Qarkut”, – tha ligjvënësja e PD-së. Më tej ajo shtoi: “Pasi ndërmori një shkarkim të paligjshëm ndaj tij, me vota të pavlefshme, i besuari i Ramës në Këshillin e Qarkut, vendosi të mos presë apelimin që ka bërë Sekretari pranë prefekturës, për ligjshmërinë e procesit, por hyri me forcë në zyrën e tij. Dhunoi në fakt institucionin publik”. Gjithashtu, Elmazi evidentoi se “i besuari i Edi Ramës, është akuzuar nga policia italiane për përfshirjen në rrëmbimin e një vajze të mitur, dhe është bërë i njohur nga mediat kryesore të vendit fqinj për sjelljen kriminale”.

 

 PD, e paftuar në Unionin Ndërparlamentar, Meta: Opozita ka bojkotuar Parlamentin

Partia Demokratike nuk është ftuar nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, për të qenë pjesë e delegacionit që do të shkojë në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Ndërparlamentar në Gjenevë, në datat 12 deri më 16 tetor. Këtë fakt e bëri të ditur kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka. “Mazhoranca parlamentare ka ndërmarrë së fundmi një akt tjetër kundër opozitës shqiptare, duke e përjashtuar nga delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë në Unionin Ndërparlamentar (IPU). Nga datat 12 deri me 16 tetor do të zhvillohet në Gjenevë, Asambleja e Përgjithshme e Unionit Ndërparlamentar, i cili është organizmi ku përfaqësohen në nivelin më të lartë Parlamentet nga gjithë bota”, – bëri të ditur Paloka. Ndërkohë, ndaj këtij fakti u kundërpërgjigj kreu i Kuvendit, Ilir Meta duke u shprehur se deklarata e deputetit demokrat është një keqinformim dhe gjithashtu i kujtoi Partisë Demokratikë se ajo ka bojkotuar punimet e parlamentit. “Opozita ka shpallur bojkot prej kohësh të të gjitha aktiviteteve parlamentare dhe natyrisht të të gjitha delegacioneve ku shkon Kryetari i Kuvendit”, – tha Meta dje. Në vijim kreu i Kuvendit u shpreh se kërkesa e PD-së për të qenë pjesë e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Unionin Ndërparlamentar të jetë një “ogur i mirë për rikthimin e tyre në jetën parlamentare në mënyrë aktive”.