Vau i Dejës/ Vajza jetime rrihet nga vëllai dhe nusja e tij

0
131

Protestë-stop-dhunës-ndaj-graveVajza dhunohej nga kunata dhe i vëllai, të cilën synonin ta dëbonin nga shtëpia, në mënyrë që ta kishin gjithë shtëpinë për vete

Një vajzë e mbetur jetime nga të dy prindërit e saj ka rënë pre e dhunës së vëllait dhe e nuses së tij.

Adoleshentja 17-vjeçare, me inicialet K. Marku, e rrahur sistematikisht dhe e dhunuar psikologjikisht pikërisht nga vëllai i saj dhe nusja e tij, është marrë dje në në mbrojtje nga Policia e Shkodrës.

 

Dhuna

Prej disa kohësh, 17-vjeçarja K. Marku, përveç vuajtjes e të mbeturit jetime, duhet të pësonte edhe dhunën fizike e psikologjike të atij që duhet të ishte njeriu më i dashur, vëllai i saj, i ndihmuar në këtë rast edhe nga bashkëshortja e tij. Burime zyrtare nga policia e Shkodrës bënë të ditur se vajza dhunohej nga kunata dhe i vëllai, të cilën donin ta dëbonin nga shtëpia, në mënyrë që të kishin gjithë shtëpinë për vete. Mësohet se bashkëshortët Marku u kërkonin familjarëve të tjerë të tyre që K. Marku të martohej, pasi ishin kujdesur mjaftueshëm për të dhe tani kishin nevojë për rehatinë e tyre. Duket, përballë mosgjetjes së një zgjidhjeje, bashkëshortët Marku kanë vendosur “t’i nxijnë jetën” 17-vjeçares, me shpresën se do të largohej vetë nga shtëpia.

 

Policia

Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës ka bërë të ditur se pas denoncimit dhe konstatimit të dhunës, është plotësuar kërkesëpadia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për shtetasen K. Marku, 17 vjeçe, banuese në Va të Dejës, Shkodër. Sipas të njëjtave burime të policisë lokale, mësohet se kërkesëpadia u plotësua, pasi vëllai i saj, shtetasi Afrim Marku, dhe kunata e saj, shtetasja M. Marku, kanë ushtruar ndaj saj në mënyrë sistematike dhunë fizike dhe psikologjike. Lidhur me këtë ngjarje vijojnë ende hetimet, ndërsa Afrim Marku dhe nusja e tij po procedohen penalisht nën akuzën e dhunës në familje. Materialet pritet t’i kalojnë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

 

 Lezhë/ Përdhunohet 15-vjeçarja, arrestohet shoku i saj

Një djalë nga Lezha është arrestuar nga policia lokale, pasi ishte shpallur në kërkim për marrëdhënie seksuale pa dëshirë me një vajze të mitur. Burime të policisë së Lezhës bënë të ditur se O. Rr., 16 vjeç, me banim në lagjen “Skënderbeg” të Lezhës, është vënë në prangat e policisë pas denoncimit të bërë nga një vajzë në ngarkim të tij. Adoleshenti akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, një 15-vjeçare me banim në Lezhë. Sipas pohimeve në polici, mësohet se vajza ka thënë se të riun e kishte shok dhe njiheshin prej disa kohësh. Ai e kishte gënjyer duke i thënë se do i tregonte diçka dhe e kishte çuar në një vend të izoluar, ku dhe ka abuzuar seksualisht me të. Pas kësaj 15-vjeçarja u ka treguar çdo gjë prindërve të saj dhe bashkë me ta ka bërë denoncimin në polici, duke çuar në arrestimin e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”.

 

 Lezhë/ Me sëmundje të pashërueshme, vetëhelmohet me fostoksinë

Një burrë nga Lezha i ka dhënë fund jetës, i lodhur nga mundimet dhe dhimbja që i shkaktonte sëmundja nga e cila vuante prej kohësh. Burime të policisë së Lezhës bënë të ditur se në orët e mbrëmjes të së dielës, në fshatin Markatomaj të Lezhës, në ambientet e banesës, është vetëhelmuar me fostoksinë 58-vjeçari Çesko Kola, i cili ka vdekur në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Burime zyrtare nga policia sqaruan se Kola vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe kohëve të fundit kishte shfaqur shenja depresioni. Lidhur me këtë rast nga ana e uniformave blu vijojnë hetimet për veprën penale “Shkaktim i vetëvrasjes”.

 

Librazhd/ Bie nga ura dhe vdes 41-vjeçari

Një person ka gjetur vdekjen në Librazhd. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Xhyrë të Librazhdit, ku 41-vjeçari Judmir Qole,ka rënë aksidentalisht nga Ura e Bushtricës dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Nga pohimet e familjarëve të tij, mësohet se 41-vjeçari vuante nga depresioni nervor, për të cilin edhe mjekohej. Uniformat blu vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje, me synim zbulimin e gjithë sa ka ndodhur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency