Për qëndrim mbi 90 ditë/ Rregulla të reja për shqiptarët që hyjnë e qëndrojnë në Greqi

0
227

Emigrante KakavijeRregullat e reja kërkojnë që aplikuesit për vizë ose leje qëndrimi t’i merren gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia dixhitale

 Autoritetet kufitare greke në pikat me Shqipërinë do të ndjekin rregullat e reja të vendeve të “Schengen”-it për qytetarët që kërkojnë të qëndrojnë më shumë se 90 ditë në një nga këto vende. Rregullat e reja kërkojnë që aplikuesit për vizë ose leje qëndrimi t’i merren gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia digjitale. Kjo kategori qytetarësh duhet të paraqesë kërkesë për leje qëndrim dhe të paraqitet për të dhënë shenjat e gishtërinjve dhe dokumentuar fotografinë individuale. Autoritetet nuk do ta ndjekin këtë praktikë për ata qytetarë që qëndrojnë më pak se tre muaj në një nga vendet e “Shengen”-it. Sipas autoriteteve gjithashtu qytetarët që paraqiten një herë për të marrë shenjat e gishtërinjve dhe dokumentuar fotografinë e identitetit nuk do të duhet të riparaqiten në një procedurë të përsëritur. Në kategorinë e qytetarëve që duhet të aplikojnë për leje qëndrimi përfshihen studentët, punëtorët dhe ata që kanë nevojë të qëndrojnë për më shumë se 90 ditë në zonën “Schengen”. Sipas rregullave të reja, ata që kanë nxjerrë një herë vizën me rregullat e reja, nuk do të duhet të përsërisin procedurën e skanimit të gishtërinjve. Greqia është vendi me hyrje daljen më të madhe të emigrantëve shqiptarë në kufi. Procedurat e reja pritet të vënë në vështirësi një kategori emigrantësh shqiptarë në punësimin sezonal në Greqinë fqinje. Mësohet se kjo masë e re aplikohet në 16 vende, si Maqedonia, Turqia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Ukraina, Armenia, Gruzia, Rusia, Kina, Japonia, Britania e Madhe dhe Irlanda.

Ndërkohë, për qytetarët shqiptarë që qëndrojnë më pak se 90 ditë në Greqi, do të vazhdojnë të aplikohen rregullat, e përfitimit nga liberalizimi i vizave. Sipas këtyre rregullave, qytetarët shqiptarë me pasaportë biometrike mund të qëndrojnë në zonën “Schengen” (që përfshin Islandën, Norvegjinë, Zvicrën, si edhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës) maksimumi 90 ditë që nga dita e hyrjes brenda një periudhë kohore prej gjashtë muajsh (180 ditë). Periudha fillon që nga momenti kur hyhet për herë të parë në këtë zonë, brenda periudhës gjashtë mujore. Gjatë kësaj kohe, secili mund të bëjë disa udhëtime afatshkurtra, me kusht që kohëzgjatja e tyre të mos kalojë 90 ditët brenda periudhës gjashtë mujore (180 ditë). Këto rregullat aplikohen vetëm për qëllime udhëtimi. Ato nuk u japin qytetarëve shqiptarë të drejtën për të qëndruar më shumë se 3 muaj dhe as të drejtën për t’u punësuar apo për të kërkuar azil, në këto shtete. Ata shtetas që kanë ndërmend të punësohen apo të studiojnë për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikojnë për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi, pranë ambasadës apo konsullatës së shtetit ku dëshirojnë të shkojnë. Është e ndaluar të punohet në zonën “Schengen” pa leje pune apo të jetohet aty pa lejen përkatëse të qëndrimit. Këtyre rregullave i shtohen edhe kërkesat që shtetasit shqiptarë duhet të përmbushin për të udhëtuar lirisht drejt shteteve “Schengen”, të cilat janë pajisja me pasaportë biometrike; qëllimit të udhëtimit si dhe paraqitja, para punonjësit të kontrollit kufitar, e dokumenteve që justifikojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit; shtetasi udhëtar nuk duhet të figurojë në listat e personave që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme; emri i këtij shtetasi nuk duhet të figurojë ndër emrat e personave ndaj të cilëve është dhënë masa ndalim hyrje qoftë edhe në një nga vendet në fjalë, dhe së fundi, për minorenët kërkohet të respektohen kushtet e lëvizjes së minorenëve nëse nuk janë të shoqëruar nga të dy prindërit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency