Në bazë të kësaj skeme mashtruese, personat e përfshirë kanë përfituar në mënyrë të padrejtë nga administrata tatimore një shumë rreth 2.5 milionë eurosh
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës kërkon një total prej 113 vitesh burg për 20 persona, administratorë kompanish private dhe 37.500.000 lekë (të reja) gjobë për 20 persona juridikë të drejtuar nga këta shtetas, të akuzuar si të përfshirë në një skemë mashtruese të rimbursimit të TVSH-së (tatimit mbi vlerën e shtuar). Në bazë të kësaj skeme mashtruese, personat e përfshirë kanë përfituar në mënyrë të padrejtë nga administrata tatimore një shumë rreth 2.5 milionë eurosh.
Disa subjekte private, të cilat operojnë kryesisht në fushën e rikonstruksioneve të ndërtimeve dhe që kanë fituar në procedurat të prokurimit publik në disa institucione publike, kanë paraqitur në mënyrë të rreme shoqërinë “DIELLI-I.I-B” sh.p.k., me administrator shtetasin kosovar Ismet Syla, si shoqëri nënsipërmarrëse (nënkontraktore) për kryerjen e punimeve. Nëpërmjet kësaj skeme, këto subjekte kanë përfituar në mënyrë të padrejtë rimbursimin e TVSH-së nga administrata tatimore, e cila arrin në vlerën e 2.5 milionë eurove. Pas hetimit të kryer nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është arritur në përfundimin se administratorët e këtyre kompanive dhe administratori i “DIELLI…”, shtetasi Ismet Syla, i cili është arrestuar pak kohë më parë, janë përfshirë të gjithë në një skemë mashtrimi rimbursimi të TVSH. Fakti që këto subjekte nuk e kanë pasur si nënsipërmarrës kompaninë “DIELLI…” është pranuar edhe nga vetë administratorët e tyre, të cilët për më tepër, nuk ua kanë bërë të ditur autoriteve që do të rikonstruktonin ndërtesat e tyre faktin që do të punonin nëpërmjet nënkontraktorit. Kjo, për prokurorinë, ka ndodhur pasi në të vërtetë nuk kanë pasur nënkontraktor, por e kanë përfshirë në mënyrë të rreme për të përfituar në formë të paligjshme rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Kukësit kërkoi shpalljen fajtor për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve” për 20 shtetasit dhe shoqëritë tregtare dhe dënimin e tyre me113 vjet burg gjithsej.
Dënimet e kërkuara nga Prokuroria
- Arold Kola, 5 vjet burgim, personi juridik “Kleo & Arold” 500.000 lekë gjobë
- Pjerin Gjoba, 4 vjet burgim, personi juridik “Bardheti 1995” 500.000 lekë gjobë
- Luan Gjoka, 4 vjet burgim, personi juridik “Arold & Relio” 500.000 lekë gjobë
- Gjin Doçi, 4 vjet burgim, personi juridik “Personi juridik “Arold&Relio” 500.000 lekë gjobë
- Alfred Ndoci, 4 vjet burgim, personi juridik “Ndoci” 500.000 lekë gjobë
- Nikoll Nikolli, 4 vjet burgim, personi juridik “Egland Trans” 500.000 lekë gjobë
- Nikolin Zaja, 4 vjet burgim, personi juridik “Zaja 2012” 500.000 lekë gjobë
- Bardhok Perndokaj, 4 vjet burgim, personi juridik “Loku Trans” 500.000 lekë gjobë
- Lodovik Prenga, 4 vjet burgim, personi juridik “Lonala” 500.000 lekë gjobë
- Edmond Sejdiraj, 4 vjet burgim, personi juridik “Sejdiraj” 500.000 lekë gjobë
- Preng Rrapi, 4 vjet burgim, personi juridik “Rrapi” 500.000 lekë gjobë
- Armand Dervishi, 4 vjet burgim, personi juridik “Alfa & Epsilon” 500.000 lekë gjobë
- Mujo Qyrdedi, 4 vjet burgim, personi juridik “Mujo Konstruksion” 500.000 lekë gjobë
- Baki Rakipaj, 4 vjet burgim, personi juridik “Algedi 2008” 500.000 lekë gjobë
- Thanas Çuko, 5 vjet burgim, personi juridik “Joela Çuko” 500.000 lekë gjobë
- Xhevahir Karaj, 10 vjet burgim, personi juridik “Karaj” 5.000.000 lekë gjobë
- Skënder Bokçiu, 10 vjet burgim, Personi juridik “Arifaj” 5.000.000 lekë gjobë
- Musa Kalia, 10 vjet burgim, personi juridik “Liqeni VII” 5.000.000 lekë gjobë
- Preng Deda, 10 vjet burgim, personi juridik “Vllaznimi Deda” 5.000.000 lekë gjobë
- Ismet Syla, 12 vjet burgim, personi juridik “Dielli -IIB” 10.000.000 lekë gjobë