Deklarata e FMN-së/ Berisha: Nis skenari grek për ekonominë shqiptare, rriten taksat dhe papunësia

0
105

Gëzim Saliu

 Ish-kryeministri: Qeveria e Ramës, e mbushur me skandale, u vërtetua nxjerrja e dosjes “top sekret” nga BSH

sali-berisha-4Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi dje si nisjen e skenarit grek për Shqipërinë deklaratën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për mundësinë e rritjes së taksave dhe të çmimit të energjisë vitin e ardhshëm nga ana e qeverisë. Sipas ish-kreut të qeverisë shqiptare, me këto ndryshime negative në ekonomi, vendi do të shënojë rritje të papunësisë dhe varfërisë. “Vetëm dje (dy ditë më parë) konfirmohet se skenari “Papandreu” për ekonominë shqiptare ka filluar. Pas rënies në -1% të rritjes nominale, dëshmi e futjes së ekonomisë në recesion, dje FMN njoftoi se qeveria ka rritur në 72% borxhin publik, nuk bën investimet dhe nuk po mbledh taksat, ndaj duhen rritur më tej taksat dhe çmimi i energjisë. Ky është fillimi i sigurt i skenarit grek për ekonominë shqiptare, që e paralajmëruam se nisi me dekretin e gropës dhe buxhetin e gropës. Kjo do të thotë rritje me shpejtësi të papunësisë, varfërisë dhe mjerimit në Shqipëri”, – u shpreh Berisha.

 

Denoncimet

Në reagimin e tij në rrjetin social “FB”, Berisha komentoi edhe deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së, sipas së cilës thuhet: “Zhvillimi i ngjarjeve të fundit ka sjellë rrjedhje të informacionit të klasifikuar të niveleve të ndryshme sipas përcaktimeve ligjore, por Banka e Shqipërisë ka marrë dhe po ndërmerr masa për garantimin dhe forcimin e elementeve të sigurisë”. Me këtë deklaratë, vlerëson ish-kreu i qeverisë, i jepet të drejtë reagimit të tij të disa ditëve më parë për nxjerrjen jashtë BSH-së së dosjes “top sekret” të Bankës. “Banka e Shtetit pohoi se është vjedhur dosja “top sekret” e saj, që ka kodet, çelësat, hyrjet sekrete në kasafortat e bizhuve, të floririt dhe diamanteve, monedhave, lingotave të floririt dhe kartëmonedhave të vendit. Pak kohë më parë njoftuam se Ermelinda Meksi u ka dorëzuar vjedhtas kriminelëve që vodhën serverin e 20 mijë deklaratave të tatimeve në Parlament dhe u mohua me shpifje të ulëta. Pse u vodh dosja dhe u dorëzua në Parlament, vetëkuptohet”, – u shpreh Berisha. Më parë, anëtarja e KM-së e cilësoi si një fantazi të deputetit demokrat akuzën për vjedhjen e dosjes sekrete, duke pohuar se mundësitë e nxjerrjes së saj jashtë institucionit të Bankës nga ana e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës janë inekzistente. Ndërkaq, në komentin e tij të djeshëm për skandalet e qeverisë, Berisha renditi edhe arratisjen e dëshmitarit të vetëm në gjyqin e vrasjes së komisarit Lame si edhe legalizimin e pallatit të kryebashkiakut të Durrësit.

 

Aplikimi te ERE/ OST kërkon rritje 10% të tarifës për energjinë

Operatori i Sistemit të Transmetimit aplikoi dje pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritjen me 10% të tarifës së transmetimit të energjisë elektrike. Gjatë ditëve në vijim, pritet që pranë Entit Rregullator të dorëzojnë kërkesat për rritje të çmimit edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike. Pasi të ketë të tre kërkesat, bordi drejtues i Entit do të vendose për çmimin e energjisë që do të aplikohet nga 1 janari. Tarifat aktuale të energjisë do të skadojnë më 21 dhjetor. Me shumë gjasa, edhe dy kompanitë e tjera energjetike KESH dhe OSHEE do të kërkojnë rritjen e çmimit për të mbuluar kostot e tyre. Aktualisht tarifa e transmetimit të energjisë është 0.68 lekë. Sipas ekspertëve të sektorit, aktualisht energjia shitet me një çmim më të ulet së kostoja e prodhimit të saj. Këtij problemi i shtohen edhe mospagesat e energjisë dhe niveli i larte i humbjeve që e thellojnë akoma me shumë deficitin e sektorit që deri me tani është përballuar nga buxheti. Ndërkaq, sipas kreut të Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, kërkesa e OST-së nuk është element që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, por në tarifën që OST propozon vetëm për shërbimin e transmetimit të energjisë elektrike.

 

Takimi/ Basha, BB-së: Tregojuni shqiptarëve të vërtetat për ekonominë, sfidat dhe rreziqet që priten

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu dje shqetësimet e opozitës për arbitraritetin e qeverisë dhe përkeqësimin e treguesve të ekonomisë. Në një takim me përfaqësuesit e Bankës Botërore në Tiranë, Basha bëri një prezantim të hollësishëm të punës së këtij institucioni dhe ideve e këndvështrimeve të opozitës për ekonominë. Kryetari i PD-së ndau me delegacionin e Bankës Botërore shqetësimin për përkeqësimin e ekonomisë dhe pasojat e drejtpërdrejta si papunësia në rritje dhe rënia e fuqisë blerëse të konsumatorit shqiptar. “Veprime antiligjore nga ana e qeverisë, si prishja e kontratave dhe koncesioneve, prishja e ndërtimeve me leje, mosrespektimi i vendimeve të gjykatave, kanë thelluar pasigurinë ligjore dhe përkeqësuar gjendjen në të gjithë sektorët e ekonomisë. Qeveria nuk ka asnjë vizion dhe i mungon vullneti për të marrë masa konkrete. Ka vetëm propagande dhe show mediatik, por asnjë plan konkret në mbështetje të zhvillimit. Biznesi dhe punëkërkuesit përballen me indiferencën dhe arbitraritetin e qeverisë çdo ditë”, – tha Basha. Më tej, kryedemokrati shtroi rëndësinë e transparencës, duke shprehur shqetësimin për manipulimin e statistikave, ngaqë publikohen. “Ju inkurajojmë maksimalisht që t’u tregoni shqiptarëve gjithnjë të vërtetën, sfidat dhe rreziqet me të cilat ata përballen”, – pohoi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

 

 Statuti i ri/ Sanksionohet parimi “një anëtar një votë”, ende pa vendim për numrin e nënkryetarëve

Nesër PD do të nisë punimet e Kuvendit Kombëtar, i cili do të zgjasë edhe përgjatë të dielës. Në mbledhjen e forumit më të lartë për Partinë Demokratike, në qendër të diskutimit do të jetë zgjedhja e Këshillit Kombëtar si edhe miratimi i ndryshimeve në statutin e forcës më të madhe opozitare. Lidhur me këtë të fundit, PD ka zgjedhur t’i referohet “kushtetutës” së partive simotra të djathta në Evropë. Kështu, në statutin e ri do të sanksionohet parimi “një anëtar një votë”, prej të cilit burojnë të gjitha strukturat e partisë deri tek kryetari Basha. Ky parim u zbatua për herë të parë në 2013-ën, kur anëtarëve të kësaj force politike iu desh të zgjidhnin kryetarin e ri, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe dorëheqjes së menjëhershme të Sali Berishës. Me ndryshimet e reja, specifikohet në statut që ish-presidentët dhe ish-kryeministrat janë anëtarë të Këshillit Kombëtar vetëm në rast se ata janë anëtar të PD-së në atë moment. Ndërkaq, në radhët e Këshillit përfshihen edhe deputetët. Ajo çka akoma mbetet e pavendosur, është se sa nënkryetarë do të ketë Partia Demokratike, ku është diskutuar për rritjen e numrit të tyre nga ai aktual.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency