Publikohet videoja e dytë/ PD: Kryeministri inskenoi dhunën ndaj opozitës në Kuvend, Prokuroria ta hetojë

0
114

Gëzim Saliu

 Selami: Goditja ndaj Strazimirit është një skenar i mirëmenduar dhe i mirëpërgatitur në gjakftohtësi prej Kryeministrit të vendit

eduard selami Videoja e dhunës në Kuvend, ku u godit deputeti demokrat Gent Strazimiri nga ana e ligjvënësve socialistë Ndoka e Ndreu, u shoqërua dje me publikimin e një tjetër videoje që lidhet me këtë ngjarje. Përmes një dalje publike, deputeti i PD-së, Eduard Selami, ftoi të gjithë shqiptarët të ndiqnin në monitorin e vendosur në sallën e konferencave të selisë blu, videon e cila, sipas tij, zbardh të gjithë skenarin e dhunës në Parlament. Në fillim të pamjeve filmike u shfaq deputetja Olta Xhaçka, e cila sipas demokratëve, “e urdhëruar” nga Rama me sms në aparatin celular, i kërkoi deputetit të djathtë të fliste me emra konkretë mbi akuzën, se në Kuvend ka njerëz të inkriminuar dhe të dënuar nga drejtësia në vendet evropiane. Vetëm pas pak shfaqet videoja e shpërndarë dhe e transmetuar nga mediat, ku shihen qartë momentet e dhunës fizike ndaj deputetit Strazimirit. Duke iu referuar këtyre lidhjeve, Selami ka kërkuar që Kryeministri të reflektojë dhe të mos heshtë më, ku nga ana tjetër kërkoi që Prokuroria të thellojë hetimin. “Goditja ndaj Strazimirit është një skenar i mirëmenduar dhe i mirëpërgatitur në gjakftohtësi prej Kryeministrit të vendit. Bazuar në legjislacionin shqiptar, Partia Demokratike u kërkon organeve të drejtësisë të përfshijë në hetim edhe porositësin e akteve të tilla, i cili është përgjegjësi kryesor dhe më i dënueshmi, Kryeministrin e vendit, zotin Edi Rama”, – u shpreh ai.

 

Deklarata

Sipas deputetit demokrat, videoja e publikuar përpara se deputeti Strazimiri të qëllohej në korridoret e Kuvendit nga deputetët Ndoka dhe Ndreu, përbën një moment të rëndësishëm, jo vetëm për analizën dhe reflektimin që bën secili qytetar me veten e tij, por, siç theksoi Selami, edhe për punën e Prokurorisë dhe monitorimin e partnerëve tanë. Më tej ai komentoi videon, duke theksuar se dy deputetët që godasin Strazimirin janë zbatues të porosisë së Kryeministrit. “Pas denoncimit të deputetit demokrat se brenda mazhorancës ka pjesëtarë të lidhur me krimin, me precedent të fortë penalë, Edi Rama nxit fillimisht Olta Xhaçkën. Me një procedurë të pahasur në përvojën e Parlamentit, e urdhëruar nga Rama me sms dhe gjeste, të fiksuara këto në kamerat që mbulojnë aktivitetin e Parlamentit, deputetja i kërkon emra zotit Strazimiri. Pas kësaj, dy deputetët që ndodhen në krah të zonjës Xhaçka hidhen në veprim. Të porositur nga kryetari, i zënë pritë në korridor, ku e godasin z. Strazimiri. Ky është objekt i punës së organeve të drejtësisë, por ne kemi të gjitha dyshimet që dy deputetët janë përzgjedhur nga zoti Edi Rama për të zbatuar porositë e tij”, – pohoi deputeti i PD-së. Në këtë kontekst, Selami tha se pas ngjarjes së rëndë për parlamentarizmin dhe demokracinë në vend, Kryeministri barazoi denoncimin e Strazimirit me dhunën e rëndë fizike të deputetëve të tij. “Ashtu si mbarë opinioni i shëndoshë publik, Partia Demokratike inkurajon drejtësinë t’i shkojë deri në fund këtij incidenti të rëndë për të zbuluar të vërtetën. Ky është interesi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët, sepse dhuna fizike nuk ka vend në një shoqëri të lirë dhe demokratike”, – përfundoi reagimin e tij deputeti i PD-së, Eduard Selami.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency