Akuzat për dy deputetët e PS/ Rama: Nuk pengojmë hetimet, Prokuroria ka heshtur për çështje të mëdha. Basha: Inskenove dhunën

0
124

Florenc Drizari

 “Nuk i japim vetes të drejtën të ankohemi për Prokurorinë dhe as na shkon mendja të hakërrehemi ndaj saj”

 rrahja“Hapi i hedhur nga Prokuroria në drejtim të dy deputetëve të shumicës parlamentare ngjan në përpjesëtim goxha të zhdrejtë me vendnumëronë e organit të akuzës mbi një sërë çështjesh të mëdha penale”. Kjo është një pjesë e deklaratës që Kryeministri Edi Rama bëri në rrjetin social “Facebook”, lidhur me publikimin e videos ku shfaqen pamjet e dy deputetëve socialist që godasin me grushte deputetin e PD-së, Gent Strazimiri, në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë. Kryeministri thotë se në Kuvend kanë ndodhur gjëra edhe më të rënda, ndërsa masën e Prokurorisë e quan të paparë.

“Prokuroria lajmëroi se do të çojë para gjyqit, me sa duket, nën akuzën për goditje për shkak të detyrës, dy deputetë socialistë. Arsyeja: Grushtimi i një deputeti demokrat në një korridor të Kuvendit. Në historinë e një Kuvendi ku janë zbrazur deri edhe armë përveç sharjeve me libër shtëpie dhe dufeve me këmbë e me duar, apo ku kanë rënë përtokë disa dhëmbë të thyer brenda një raundi të vetëm, masa e lajmëruar nga prokuroria është e paparë. Ndërsa në historinë e një vendi ku goditja për shkak të detyrës ka çuar në vrasje me plumba në mes të bulevardit, në rrahje masive me pasojë jo thjesht skuqjen e pjesëve lakuriqe të kokës, po përgjakjen e shumë njerëzve, por ku s’është parë ende asnjë pasojë penale për përgjegjësit”, – ka shkruar Rama.

Në deklaratën e tij Kryeministri shprehet i gatshëm për të bashkëpunuar me organin e akuzës, duke theksuar se qeveria nuk do të bëhet pjesë për pengimin e hetimeve.

“Sidoqoftë ne, shumica qeverisëse, nuk i japim vetes të drejtën të ankohemi për prokurorinë dhe as na shkon mendja të hakërrehemi ndaj saj apo të përdorim policinë, siç kanë bërë paraardhësit tanë, për t’iu shmangur drejtësisë duke e penguar me përdhunë prokurorinë të bëjë detyrën. I siguroj të gjithë se ky do të jetë qëndrimi ynë në çdo rast që organi i akuzës do të ngrejë pandehma të kompetencës së vet ligjore, ndaj kujtdo që përfaqëson koalicionin tonë në qeveri, parlament apo pushtetin vendor. Prokurorinë në këtë vend e kanë penguar prej shumë vitesh shumë gjëra, duke filluar nga mungesa e kurajos dhe integritetit të shumëkujt brenda saj. Por prej një viti i është hequr një pengesë e lartë: Qeveria!”, – deklaroi kreu i qeverisë. Këtë qëndrim ai e mbështeti në ndryshimin që ka ndodhur në vend pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit ku “edhe qasja e re e shumicës qeverisëse ndaj organit të akuzës – edhe kur ndodh që nën akuzë të vihen njerëz të kësaj shumice – është një tjetër shembull kuptimplotë i këtij ndryshimi”.

Më herët opozita që prej mesit të muajit korrik ka vendosur bojkotin e Kuvendit të Shqipërisë, duke marrë shkas nga incidenti i ndodhur me deputetin e PD-së. përgjatë muajve të verës si dhe në vazhdim, përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar që Kryeministri Rama jo vetëm të distancohet nga aktet e dhunës në Kuvend, por edhe të japë shpjegime për të kaluarën kriminale siç e ka quajtur të disa deputetëve të mazhorancës.

 

Publikimi i videos, discantohet Kuvendi

 Me anë të një deklarate të shkurtër të shpërndarë në faqen zyrtare, Kuvendi i Shqipërisë distancohet nga publikimi në media i videos ku shfaqen pamjet e konfliktit me grushte mes deputetëve në korridoret e këtij institucioni. “Kuvendi i Shqipërisë dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me videon e incidentit të ndodhur në sallën e seancave plenare në muajin korrik të transmetuar nga mediat televizive dhe online. Kuvendi distancohet nga publikimi dhe shpërndarja e kësaj videoje në media”, – thuhet në deklaratën e Kuvendit.

 

Legalizimet, ndahen një mijë tituj pronësie në Durrës

 Përfaqësues të qeverisë shpërndanë për banorët e qytetit të Durrësit një mijë tituj pronësi. Në ceremoninë e rastit ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i cili garantoi se procesi i legalizimeve do të jetë i hapur dhe do të vazhdojë në mënyrë intensive jo vetëm në këtë qytet. “Legalizimet, nuk i lamë në fushatën e radhës, do të vazhdojnë në mënyrë intensive”, – bëri të ditur Kryeministri Rama.

Duke kritikuar qeverinë e kaluar, Kryeministri Rama u shpreh se epoka e legalizimeve abuzive ka përfunduar. Rama shtoi se në shumë qytete janë legalizuar objekte që janë në kundërshtim me projektet urbanistike. “Qeveria e kaluar bëri vetëm 2407 legalizime në 8 vjet, ndërsa ne sot legalizojmë dhe kthejmë në pronë mundin e 1000 familjeve”, – u shpreh kreu i qeverisë. Gjithashtu, Kryeministri Rama tha se, “qeveria e kaluar, në shumicë dërrmuese, ka bërë legalizime për bizneset. Ne do të legalizojmë mijëra familje që kanë ndërtuar për të jetuar”. Rama u ndal edhe te rishikimi i buxheti për të cilin theksoi se nesër do te kalojë në parlament dhe për herë të parë do jetë me rritje. Kryeministri në këtë takim shoqërohej nga ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. Kryeministri Rama ka komentuar shpërndarjen e lejeve të legalizimit, dhe në rrjetin social “Facebook”, ku dhe nuk ka kursyer batutat. “Në DR për ditën e 1000 legalizimeve. Familja e djalit ka aplikuar kur ky ishte 16 vjeç dhe djali pasnesër martohet:-)”, – citohet në mesazhin e Ramës, ndërsa ai ilustrohet nga një foto të vetë kryeministrit me një djalë që sapo ka marrë tapinë e banesës së tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency