Shkarkimet në KLD/ Çështja “Rama” ndan Çefën nga Nishani, Kuvendi ngre komision hetimor

0
130

Florenc Drizari

kld komisioniKomisioni i Ligjeve miratoi dje projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor për dy anëtarët e KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj. Në përbërjen e tij komisioni do të ketë 9 anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita. Kryetari do t’i përkasë grupit të nismëtarëve (deputetëve të Partisë Socialiste), ndërsa emrat e anëtarëve pritet të miratohen në seancën e së enjtes. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, deklaroi se objekti i këtij komisioni do të jetë veprimtaria e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që nga periudha kur ata janë emëruar nga Kuvendi në KLD.

“Ngrihet komisioni hetimor parlamentare për shqyrtimin e kërkesës së një grup deputetësh për nisjen e procedurës së shkarkimit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur nga Kuvendit, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj për shkelje të rëndë të ligjit. Komisioni hetimor parlamentar ka për objekt të verifikojë faktet dhe rrethanat për shkelje të rëndë të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës dhe që përbëjnë shkak kushtetues dhe ligjor për shkarkimin e tyre nga detyra e anëtarët të KLD-së”, – deklaroi Xhafaj. Komisioni do të zhvillojë veprimtarinë e tij brenda një afati njëmujor nga data e miratimit. Më herët gjatë shqyrtimit të kërkesës së deputetëve firmëtarë, mes përfaqësuesve të KLD-së dhe anëtarëve të komisionit pati debate lidhur me shkeljet që ligjvënësit kishin renditur. Në tërësi të dy anëtarët e KLD-së u treguan të hapur për të bashkëpunuar me komisionin për vendimin e marrë, ndërsa u shprehën skeptikë për besueshmërinë e një mbikëqyrjeje të pavarur.

Ndërkaq, “Këshilli i Lartë i Drejtësisë konstaton se në kërkesën e 39 deputetëve të mazhorancës parlamentare, objekt shqyrtimi nga ana Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, pavarësisht faktit që ajo në konkluzion kërkon shkarkimin e dy anëtarëve të KLD të zgjedhur nga Kuvendi, deputetët firmëtarë kanë gjykuar dhe kanë vlerësuar disa vendimmarrje të KLD, duke i cilësuar ato si të kundërligjshme. Referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është një organ kushtetues kolegjial. Vendimet në Këshill janë marrë me shumicën e votave të anëtarëve të tij. Në këtë këndvështrim, pavarësisht se në kërkesë nuk e është shprehur, deputetët që kanë nënshkruar këtë kërkesë, konkludojnë se KLD në tërësi ka shkelur ligjin. Pra deputetët kanë gjykuar si të paligjshme disa vendimmarrje kolegjiale të një organi që i përket një pushteti tjetër, atij gjyqësor, të një organi kushtetueshmërisht të pavarur dhe të ndarë qartazi nga dy pushtetet e tjera, legjislativi dhe ekzekutivi. Këtë veprim, i cili nuk parashikohet në Kushtetutën e vendit, e konsiderojmë një shkelje e parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve”, – thuhet në vendimin e KLD-së. Kjo kërkesë, sipas këtij Këshilli, e bërë nga deputetët firmëtarë është bërë duke i dhënë fuqi prapavepruese ligjit, pasi në kohën që pretendohen shkeljet nuk ka qenë në fuqi ligji 101/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë”. Nënkryetari i KLD-së gjatë seancës prezantimit të qëndrimit të institucionit që përfaqëson, theksoi se me këtë iniciativë, deputetët po hapin një precedent të pa ndodhur më parë dhe që prek pavarësinë e institucioneve. Nga ana e tij anëtari tjetër i KLD-së, Lulzim Lelçaj, i quajti skandaloze dhe në shkelje të ligjeve e Kushtetutës disa prej akuzave që ngrihen nga deputetët, pasi ato sipas tij, bëjnë fjalë për kohën kur ai s’kishte marrë ende detyrën në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

 

Kërkesa e ish-kryeprokurores, Çefa:  Kompetencë e Presidentit, jo imja

 Vasili: Shmangia e përgjegjësisë nuk është një përgjigje e duhur

Kërkesa e bërë nga ish-kryeprokurorja e Përgjithshme Ina Rama për t’u rikthyer në detyrën e gjyqtares pas përfundimit të mandatit në krye të organit të akuzës, shkaktoi debate në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve mes nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa dhe deputetëve të mazhorancës. Fillimisht ishte deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, i cili theksoi se në raportin e KLD-së për akuzën që ngrenë deputetët, nuk është dhënë shpjegim për mosshqyrtimin e kërkesës së ish-kryeprokurores, ndërsa për çështje të tjera janë dhënë argumente. Ai e quajti këtë një standard me dy qëndrime, ndërsa kërkoi shpjegime për motivet nga nënkryetari i KLD-së.

Në përgjigjen e tij, Çefa argumentoi se akuza e ngritur nga grupi i deputetëve për shkelje të ligjit, në mosshqyrtimin në kohë të kërkesës së ish-prokurores së Përgjithshme dhe ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, është që nuk i keni marrë në shqyrtim. Sipas tij, kjo çështje ligjërisht nuk është kompetencë e asnjërit prej anëtarëve të KLD-së. “Është një kompetencë e kryetarit të këtij Këshilli dhe nuk ka pasur një objekt vendimmarrjeje nëse do t’i fusim në rend të ditës këto apo jo. Për këtë arsye nuk është parashtruar në atë relacion meqë është një çështje që për sa i përket procedurës nuk është diskutuar asnjëherë se është diskrecion i një vendimmarrjeje nga dikujt tjetër”, – deklaroi Çefa.

Ky qëndrim u prit me skepticizëm nga deputeti i mazhorancës, i cili e quajti kalimin e përgjegjësisë një përgjigje jo të duhur.

Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili i kujtoi nënkryetarit të KLD-së se edhe ai ka të drejtën e propozimit të çështjeve të ndryshme në rendin e ditës të mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nga ana e tij, Çefa pranoi se e kishte ushtruar këtë detyrë për çështje që kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bujar Nishani, nuk kishte qenë në dijeni, ndërsa për çështjen në fjalë, ai ishte i informuar më parë. “Në të dyja rastet që u ngritën edhe nga zoti Vasili, Presidenti i Republikës ka qenë në dijeni. Kam gjykuar se kjo është një disktrecion i tiji”, – tha nënkryetari i KLD-së. Ndërhyrja e deputetit Dashamir Peza se komisioni po dilte nga kompetencat duke bërë rolin e gjykatës, ndryshoi rrjedhën e bisedës, ndërsa deputetët u përqendruan tek objekti i Komisionit dhe tek propozimi që iu bë Kuvendit për ta shqyrtuar kërkesën në seancë plenare.

Më herët dy anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e quajtën tendencioze nismën e deputetëve me karakter politik. Nënkryetari i KLD-së, Çefa, tha se një nismë të tillë e priste prej kohësh, duke iu referuar këtu edhe iniciativës së mazhorancës me ndryshimet në ligjin për KLD-së dhe përplasjet e fundit që kanë ndodhur në Këshill me përfaqësuesit e qeverisë.

 

Debate Ndoka – Balla për KLD-në

 Balla: Jemi të bindur që dy anëtarët e KLD-së kanë lejuar shkelje. Vendimmarrjet e të dyve janë bërë në kundërshtim me ligjin. Çefa dhe Lelçaj kanë kryer shkelje të rënda. Shkeljet e konstatuara në votimet e hapura në KLD.

Ndoka: Keni bërë kërkesë selektive për 2 emra, puç kushtetues. Asnjëra prej shkeljeve që u paraqitën nuk përbëjnë shkelje. Asnjë prej anëtarëve të komisionit nuk e ka firmosur.
Xhafaj: Nuk e kanë firmosur se do ta shqyrtonin kërkesën në komision.
Balla: Nuk do t’i përgjigjem (Ndokës) pyetjes suaj për reformën në drejtësi sepse këtu jemi për kërkesën për të shkarkuar dy anëtarët e emëruar nga Kuvendi në KLD.
Ndoka: Çfarë informacionesh ke?
Balla: Po të kishim informacion për anëtarët e tjerë do t’i kishim paraqitur këtu.
Ndoka, Xhafajt: Më lejo të bëj edhe ndonjë pyetje!
Xhafaj: Këtu nuk shqyrtojmë thelbin e kërkesës.
Ndoka: Ju paski informacion për dy anëtarë, ndërkohë që për tjetrin s’keni. Nga i keni marrë nga SHISH, sepse mbledhjet e KLD-së janë të mbyllura.
Balla: Votimet në KLD janë të hapura.
Ndoka: Janë të fshehta.
Balla: Ne dimë ato të hapurat, ato të fshehtat i dini ju.

 

 Ndoka, mazhorancës: Tre personat që ju i luftoni janë të tre nga veriu dhe të tre katolikë

 Demokristiani Nard Ndoka, i vetmi përfaqësues nga radhët e opozitës dje në Komisionin e Ligjeve, deklaroi se reforma në drejtësi e nisur nga mazhoranca ka filluar duke sulmuar emra të cilët nuk janë të mbrojtur nga politika dhe që kanë një karrierë profesionale mbi supe. Në replika me deputetët socialistë, Ndoka shkoi më tej duke thënë se reforma në drejtësi është filluar edhe me një luftë të hapur emrash: “Tre personat që ju i luftoni janë të tre nga veriu dhe të tre katolikë”. Kjo deklaratë solli reagimin e deputetëve të majtë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i kërkoi atij emrat, ndërsa tha se dalja nga objekti i Komisionit në jurisprudencë quhet lajthitje.

“Do kisha preferuar që edhe ju të mos ishit selektiv dhe të flisnit për një gjë kjo nuk ka lidhje fare. Ne juristët kësaj i themi lajthitje në objekt. Nuk është objekt i kësaj mbledhjeje”, – deklaroi Xhafaj. Ndërsa deputeti Pandeli Majko tha se mbledhja e djeshme nuk kishte synim të shpallte fajtorin dhe thelbi është krijimi i një raporti me sistemin e drejtësisë. “Ne dëgjuam anëtarët e KLD-së dhe duhet t’i japim dritën jeshile komisionit hetimor. Çdo histori tjetër për ta lidhur këtë me rrethana fetare apo krahinore, ashtu siç tha Xhafaj, është lajthitje”, – theksoi Majko. Një replikë për Ndokën pati edhe nga deputeti Dashamir Peza. “Kam një replikë shumë miqësore me zotin Ndoka. Më duket e papërshtatshme të përdoren paragjykime të tilla sikur një grup deputetësh po persekutojnë një grup katolik, dy ditë pasi Papa na cilësoi si shembull universal i bashkëjetesës fetare”, – tha ai.

 

10 akuzat e mazhorancës ndaj KLD-së

1.Lejimi i konfliktit të interesit në promovimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

2.Mos emërimin si gjyqtar brenda afatit ligjor të magjistratëve që kanë përfunduar shkollën e Magjistraturës në vitet 2012-2014.

3.Marrja nga KLD e kompetencave të Shkollës së Magjistraturës në testimin seleksionues të kandidatëve për gjyqtar në gjykatat Administrative.

4.Marrja nga KLD e kompetencave të ministrit të Drejtësisë për shpalljen vakant të emrave në gjykata.

  1. Mos emërimi i kryetarëve të 28 gjykatave në kundërshtim të hapur me ligjin, duke lejuar për shumë vite drejtimin e tyre nga kryetar me mandat tërësisht të paligjshëm.
  2. Emërim i kryetarëve të gjykatave në kundërshtim të plotë me ligjin.
  3. Promovimi i gjyqtarëve në kundërshtim me ligjin.
  4. Keq organizimi i sistemit gjyqësor me pasojë cenimin e statusit të disa gjyqtarëve.
  5. Shkelje e rëndë e ligjit për mos marrjen në shqyrtim të kërkesave të ish-kryetares së Gjyqtares së Gjykatës së Lartë dhe të ish-prokurores së Përgjithshme.

10.Emërimi i Inspektorit të Inspektoriatit të Këshilit të Lartë të Drejtësisisë, zotit Arjan Balliu si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Durrës, në kundërshtim me ligjin.

 

Rama: Korrupsionin në drejtësi e di gjithë bota, betejë pa ngjyra politike

Lufta ndaj fenomenit të korrupsionit do të mbetet në fukus të qeverisë sipas Kryeministrit Edi Rama, i cili theksoi se hallka më e dobët është drejtësia. “Ne kemi një sistem drejtësie që është turp kombëtar botërisht i njohur. E dimë ne, shqiptarët, e dimë të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtar, e di bota mbarë”,-tha Rama. Kryeministri tha se reforma e nisur ne drejtesi do te vazhdoje, si një betejë pa ngjyra dhe pa ane politike. “Jemi zotuar për të bërë një reformë të thellë në drejtësi, e kemi nisur atë, do ta çojmë përpara me vendosmëri dhe pa parë majtas-djathtas dhe as pa u ndalur për t’i mbushur mendjen kujt nuk e do reformën në drejtësi apo kujt e do me ritmet e breshkës”,-tha Rama gjatë një konference të mbajtur një ditë më parë. Ambasadori amerikan, Aleksander Arvizu që merrte pjesë në konferencën e organizuar në Ministrinë e Mbrojtjes, tha se lufta ndaj korrupsionit duhet vijuar pa kompromis, duke shmangur çddo mendim se ajo mund te jete e politizuar.”Lufta ndaj korrupsionit kerkon perkushtim pasionant, si dhe nje qasje metodike. Ligjet dhe reformat duhet te jene te mirepeshuara, te perqendruara dhe te konsultuara plotesisht me te gjitha grupet perkatese te interesit. Eshte absolutisht vendimtare te shmangim perceptimin qe lufta ndaj korrupsionit eshte nje lufte e politizuar. Ndonëse ka patur hapa qe jane ndermarre, korrupsioni gjate koheve te fundit ne Shqiperi duhet te dallonte nevojen e permiresimeve domethenese ne zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale te korrupsionit dhe krimit financiar. Miqte e Shqiperise gjithashtu kane theksuar rendesine sesi duhet adresuar kjo lufte ndaj korrupsionit.Eshte e rendesishme qe te largohen te gjitha pengesat, ne menyre qe te mund te trajtohet dhe te pershpejtohen te gjitha masat ne kete drejtim”,-u shpreh Arvizu.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency